110 vite shtet… na ishte një herë ushtria!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Tanimë datën e themelimit të Forcave të Armatosura, e përkujtojmë si për të thënë: Na ishte një herë ushtria! Banda luan marshe ushtarake nëpër qytet, por në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nuk ndihen kërcitja e këpucëve të rënda mbi pllaka, të ushtarëve veshur me kamuflazh, as gumëzhima e zinxhirëve të tankeve dhe as motorët e IFA-ve dy-diferencialëshe që tërhiqnin pas vetes topat e kalibrit të rëndë 120 milimetra. Dhe për më tepër, mbi qiellin e Tiranës nuk përshëndesin me fluturimin e tyre skuadriljet e avionëve MIG-19, që ishin pjesë e arsenalit të Forcave Ajrore.
Sepse parada nuk organizohen më, prej vitesh.
Në këtë 110 vjetor të shtetit shqiptar, 4 dhjetori i vitit 1912 na kujton se menjëherë pas shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë prej Portës së Lartë, detyra kryesore ishte mbrojtja e asaj që sapo ishte fituar. Dhe fitorja mbrohej me armë. Ndaj vetëm gjashtë ditë pasi Ismail Qemali kishte marrë detyrën e Kryeministrit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe u shpall formimi i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Çetat dhe luftëtarë vullnetarë të zonave përreth, që kishin mbërritur në Vlorë për të mbrojtur Flamurin, u bënë dhe bërthama e ushtrisë së sapoformuar.
Por mbrojtja nuk merrte më vlerë nga vullnetarët me gjysmë opinge, ndaj duhej mobilizuar një forcë që të ishte e aftë të përdorte armatimin dhe të vepronte në terren sipas praktikave të artit ushtarak. Në këtë sipërmarrje shqiptarët i ndihmuan edhe ushtarakë të ardhur nga Evropa, sidomos një trupë oficerësh holandezë.
Por zhvillimi i dy Luftërave Ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore, ndikuan drejtpërdrejt në dobësimin deri në shpërbërje të ushtrisë shqiptare.
Megjithatë, edhe në vitet 1914-1920 Forcat e Armatosura u munduan të organizoheshin sërish.


Në funddhjetorin e vitit 1924 nën drejtimin e Ahmet Zogut si kryeministër, Ushtria nisi të marrë pamje dhe përmbajtje më të plotë, duke u kompletuar dhe me bazë ligjore. Kjo situatë do të vazhdonte deri në vitin 1939. Për mbajtjen e trupave ushtarake, konsumohej një përqindje e lartë e buxhetit të shtetit. Por, në çastin tragjik, më 7 prill 1939, përballë pushtimit fashist, forcat ushtarake shqiptare rezultuan një dështim i vërtetë. Kufiri Shqiptar sërish u mbrojt nga vullnetarët. Ushtarakëve madhorë u rrofshin gradat që varnin mbi supe, sepse nuk përfillën as betimin se do të binin për atdhe kur ta lypte nevoja.
Ushtria Popullore nën drejtimin e Enver Hoxhës mban si datë krijimi 10 korrikun e vitit 1943. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kulmin e fuqisë së saj, kjo ushtri kishte një potencial prej 60 mijë ushtarë të gatshëm, dhe 16.500 oficerësh komandues. Ndërsa në rast alarmi arrinte të rekrutonte në 72 orë deri në 800 mijë njerëz nën armë. Por dhe kjo ushtri, e cila pas vitit 1992 iu nënshtrua ristrukturimit, u shkatërrua në fillim të vitit 1997. Nga e gjithë kasaphana, shpëtoi vetëm Divizioni i Kukësit, i cili një vit më vonë do të përballej në kufi me ushtrinë serbe.
Prandaj duhet ushtria! Jo për t’u kapardisur bulevardit me grada dhe dekorata të pamerituara.
Pavarësisht se në kushtet e reja të globalizmit duket sikur ushtarakisht, askujt nuk i bie në mendje për Shqipërinë, sërish mbajtja e një trupe të aftë për t’u përballur me një armik potencial, është domosdoshmëri. Se ne në të shumtën e rasteve mendojmë: Na mbron NATO. Ose zhvlerësojmë: he mo se nuk na sulmon njeri. Mbase edhe Ukraina kështu mendonte deri para sulmit rus, por sot me njësitë e saj ushtarake po arrin të mbrojë territorin.
Rezymeja e shkurtër e ushtrisë shqiptare, në 110 vitet e jetës së shtetit, ishte sa për fillim. Se vetë ecuria e saj tregon qartë se më së shumti jemi shquar për reforma dekonstruksioni. Dhe ushtria ka qenë e para që i është nënshtruar shkatërrimit.
U ndërtua nga Ismail Qemali. U prish. U ndërtua nga Ahmet Zogu. U prish. U ndërtua nga Enver Hoxha. U prish.
Tani kemi një ushtri simbolike. Një ushtri që sa herë i jepen detyra, aq herë del zbuluar se nuk ka as mjetet më minimale, qoftë dhe për emergjenca civile. Një ushtri pa avionë, pa tanke, pa raketa, madje dhe pa topa e mitralozë, por vetëm me armë të lehta, disa motovedeta që patrullojnë bregdetin si dhe rreth 20 helikopterë që nuk janë të aftë as për patrullime dhe as për luftë, por që përdoren më së shumti për ngarkesa gjithfarësh.
Se për luftë frontale as që bëhet fjalë.
Sepse jo vetëm nuk kemi armatim të rëndë dhe të prodhuar afër në kohë, – gjë që e bën ushtrinë një njësi moderne, – por nuk kemi as këmbësori mjaftueshëm.
Ah po… nuk duhet të qahemi dhe aq shumë. Sepse ushtria e dikurshme na ka lënë një arsenal të vërtetë, të cilat kanë qenë në vazhdimësi mollë sherri. Sepse me këtë arsenal janë bërë shumë para.
Me pronat e ushtrisë janë bërë e bëhen dallavere pafund. Pra ushtria në Shqipëri vlen për diçka. Duke e çmontuar nxjerr goxha përfitime. Sepse po të nxjerrësh nga qarkullimi çdo lloj arme, do përfitosh prej metalit të saj. Qoftë dhe nga kondakët që mund t’i përdorësh për dru zjarri. Përfiton dhe nga baruti i municionit. Përfiton nga pajisjet elektronike të radiolokatorëve. Përfiton nga shkrirja e spitaleve fushorë, ku nuk mbetën as shtretërit, as medikamentet dhe as pajisjet kirurgjikale.
Në vitet e diktaturës, për shkak të një organizimi masiv, Shqipëria kishte në organikë 800 batalione. Ishin vërtet shumë. Njësi të tmerrshme për një luftë frontale. Se me to formoheshin 127 brigada dhe 34 regjimente. Këmbësorisë i bashkoheshin dhe rreth 1200 tanke dhe mjete të blinduara, rreth 240 avionë dhe helikopterë si dhe të paktën 100 anije të formateve të ndryshme që ishin në përbërje të Flotës Detare. Kjo e bënte Ushtrinë Shqiptare që të merrte një llokmë të madhe nga buxheti i shtetit. E meqenëse deri në vitin 1978 ndihmat nga Kina ishin të jashtëzakonshme në fushën e mbrojtjes, ndërprerja e tyre bëri që e gjithë barra të binte mbi kurrizin e shtetit shqiptar. Kostoja për të mbajtur në gatishmëri një teknikë të madhe në numër dhe që po vjetrohej me shpejtësi, bëri që ekonomia shqiptare të shkonte drejt falimentimit.
Padyshim, ushtria ka kosto të lartë. Nuk është e lehtë ta mbash.
Sot jemi në ditët e festimeve të 110 viteve të shtetit shqiptar. Në zyrat e ushtarakëve madhorë ka ajër të kondicionuar dhe frigoriferë ku mbahen pije energjike. Por mungojnë shtretërit me batanije leshi dhe pajimet e gatishmërisë si helmeta dhe kundragazi. Ushtarakët janë trashur tashmë e nuk bëjnë as stërvitje terreni dhe as qitje me pistoleta. Por mund të mburren se kanë mësuar anglisht dhe se merren vesh mirë me koordinatorët e NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes ka një territor të pabesueshëm, nga ana institucionale dhe zyra kuadrosh pa fund. Por ushtri fizike ka shumë më pak në organikë.
Jemi në ditët e festimeve të 110 vjetorit të shtetit shqiptar dhe të ushtrisë së tij, sigurisht.

Të fundit

-79°C, e sërish pritet ulje! Verilindja e SHBA-ve nën temperatura të ulëta kërcënuese

Pjesa verilindore e SHBA-ve është përfshirë këtë fundjavë nga temperatura në nivele të ulëta e të rrezikshme. Në pikën...

G-7, Evropa arrijnë marrëveshje për kufirin e çmimit të naftës ruse

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha të premten se vendet e industrializuara të Grupit të Shtatëshes po vendosin një çmim tavan për produktet...

Putin ka gati planin 2 të luftës/ Do të zgjasë deri në Pranverë, trupat në gatishmëri

Qindra mijëra trupa, tanke, sisteme të blinduara, antitank, robotikë dhe, në sfond, armë bërthamore taktike të gjeneratës së re po mobilizohen nga Moska në...

“Më fal xhaxhi…”, 21-vjeçari shqiptar grabit italianin nën kërcënimin e armës

Një 21 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi akuzohet se ka kryer një grabitje me armë në Firenze. Sipas mediave italiane, i...

Kejsi surprizon Stresin: Të mbështes edhe sikur çdokënd ta kesh kundër!

Ish partnerja e Stresit, Kejsi ka reaguar për herë të parë që prej hyrjes së Stresit në Big Brother Kosova. Ajo i ka uruar...

Lajme të tjera

Web TV