Rexhai Kosturi/ Njerëz të heshtur të Historisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Luan Rama

Ka njerëz që ikin nga kjo botë me funerale zyrtare dhe pompë, me flamuj, fjalime dhe ditirambe. Të tjerë ikin pa zhurmë, të lodhur nga shoqëria dhe bota që i rrethon. Ka të tjerë që duan të ikin sepse nuk i duan sistemet politike, hipokrizinë, absurditetin. Rexhai Kosturi ishte një nga këta të fundit, pinjoll i një familje patriotike i cili në vitet ’30 kishte qenë drejtor i Turizmit në Shqipëri. I ati, Ali Fehmi Kosturi patriot i njohur i Tiranës. Një vëlla, Skënder Kosturi ra dëshmor dhe gjithë familja i shërbeu luftës çlirimtare, edhe e dashura e tij e përjetshme Gjyzepina Kosturi.

Eshtë e habitshme që zemra e tij pushoi së rrahuri pikërisht në 28 nëntor 1968. Ishte diçka enigmatike për atë njeri në moshën 63 vjeçare. Rexhaiu, apo Reksi siç e thërrisnin të gjithë, nuk i donte ceremonitë, banderolat, pankartat. Ky njeri që kishte shëtitur Europën demokratike dhe të lirisë së njeriut, e kishte të pamundur të vihej në rresht në një sistem stalinist, e vështirë të rreshtohej në kuadratet e një regjimi që nuk e donte. Anmik Kasaruho, në një shkrim të tij e kujtonte me dashuri figurën e mikut të tij : « Rexhai Kosturi nuk qe për asnjë çast fashist, por nuk u lavdërua kurrë për këtë. Ishte pjestar i një familje që i kishte dhënë shumë, jashtë mase, luftës kundër pushtuesit : deri dhe gjak. Por ai nuk lypi ndere, përkundrazi, preferoi të jetonte mes heshtjes së harresës së qëllimtë të atyre që atij dhe familjes së tij i kishin borxhe. Në vrapin e jetës, në rast se të tjerët turreshin përpara, duke çarë rrugën drejt pikësynimit edhe me bërryla e strëkëmbsha, ai, Rexhai Kosturi, tërë dinjitet, rrinte e shikonte këtë turr që nuk nxirrte asgjëkund : të sulesh për të xhvatur pak nga pushteti i vendosur, do të thotë të humbasësh diçka nga personaliteti yt… »

Ishte viti 1968, prag festash por Rexhai Kosturi, nuk kishte mendjen tek festat. Ishte i lodhur nga jeta. Gjithë këto vite kishte ndjerë sesi dalëngadalë, vit pas viti,  sistemi politik shqiptar e kishte mënjanuar dhe izoluar, pa mundur ta fuste në burg. Sigurisht mendonin se ai i përkiste shoqërisë së vjetër meqë kishte qenë funksionar i mbretërisë për Turizmin dhe se nuk i përkiste botës së tyre të “Drapër-Cekanit”. Shpesh shkonte nga “Vollga” siç quhej nga tiranasit, ngjitur me godinën e Kacelëve, që më pas do të quhej “Drini”, ku kishte një orkestër muzikantësh tiranas që luanin tango dhe melodi të tjera. Aty takonte shokët e tij si Suad Asllani, Emin Toro, Naraçi, etj. Ishin të pakënaqurit e regjimit, ata që shpresonin gjithnjë në ndryshimin politik të Shqipërisë, ata që shihnin gjithnjë nga Europa e re. Padyshim ëndërronin një ditë demokracinë dhe pluralizmin politik në Shqipëri, Shtetin e së Drejtës. Atë verë të fundit, kishte qenë me familjen në një kabinë dërrasash në plazhin e Shkozetit ku kishte marrë me vete dhe aparatin e tij fotografik. Ashtu i dëshpëruar, me cigaren që nuk e ndante nga goja, i kërkoi një miku të tij ti bënte një fotografi. “Shkrepe ta kem kujtim! – i tha. Ishte një fotografi e veçantë, portreti i tij i vuajtur, me mustaqe, ku trishti ndjehet në çdo pjesë të fytyrës. Por veç trishtit dhe parandjenjës, kishte dhe një buzëqeshje të lehtë sfide për kohën që po jetonte. Po, kishte një ndjesi sfide. Në këtë fotografi ngjante shumë me një portret të aktorit amerikan Clark Gable. Ditë më pas, kur vështroi këtë fotografi, qeshi, pasi fotografia i kujtoi menjëherë atë kohë kur i sapo martuar, bashkë me gruan e tij Gjyzepina shkonin në Paris dhe kishin hyrë në një dyqan që ti blinte asaj një varse me perla. Dhe aty në dyqan, gratë që ishin kthenin kokën nga ai dhe pëshpërisnin duke thënë se ky njeri me kapele dhe kostum, me mustaqet e holla, duhej të ishte Clark Gabel. I kishte ardhur për të qeshur, ndërsa Gjyzepina gëzohej për burrin e saj. Gjyzepina ishte mbesa e Kel Kodheli-Marubi dhe vajza e Gjokë Mislocës, mjaft i njohur në Shkodër. Për Rexhaiun nuk ishte hera e parë që vinte në Paris. Gjatë tri vjetësh më parë ai kishte vazhduar studimet për Jurisprudencë ku kishte njohur mirë themelet e drejtësisë perëndimore, por ai nuk i mbaroi studimet meqë duhej të kthehej me urgjencë në Shqipëri.

Atëherë ishin kohë të lumtura, të bukura, të paharruara. Pak vite më parë Gjyzepina, bashkë me familjen, ishte kthyer nga Bari i Italisë ku ati i saj, tregëtar, që ishte aty prej shumë vitesh, më së fundi kishte falimentuar. Familja e tij me atë të Gjyzepinës njiheshin prej kohësh. Endrra e asaj vajze ishte të bëhej soprano, të këndonte. Jetonte me muzikën. Dhe menjëherë ai ishte interesuar për një bursë për këtë këngëtare të re. Më së fundi bursa u miratua dhe Gjyzepina u nis drejt konservatorit « Santa Luçia » e Romës. Më pas, Rexhaiu shkoi disa herë në Romë ku takohej me Gjyzepinën gjersa një ditë ai i kishte thënë: “Ti do të martohesh me mua!” Dhe ajo kishte qeshur shumë me tonin e tij. Kështu kishte nisur lidhja e tyre, dashuria, e më pas familja.

Me etnografët francezë

Pikërisht, në vitin 1938, ishte çifti i etnografëve francezë René dhe Jacqueline Benezech që rierdhën në Shqipëri për të zbuluar botën materiale shqiptare, zakonet, sistemin social, etnografinë, etj, Miq të afërt për ta u bënë çifti Kosturi, meqë Rexhaiu ishte drejtor i Turizmit, dhe si gjithnjë i gatshëm të ndihmonte gjithnjë studjuesit e huaj. “Ai është personi më i rëndësishëm i misionit tonë dhe mik i arkeologut Leon Rey që merret me gërmimet arkeologjike në Apoloni”, shkruante në ditarin e saj Jacqueline, kjo etnografe e re që pasioni për zbulimin e kulturave të popujve të tjerë e kishte lidhur me burrin e saj. Ishte 24 gusht 1938 dhe ata u takuan në zyrën e tij. Por ditë më pas ata do të qëndronin gjatë së bashku. Ja si e kujtonte Jecqueline Benezesh në ditarin e saj një darkë të tyre në Tiranë, një ditë pasi ishin njohur: « «Zoti Kosturi, që kaloi nga lulishtja (Kursali) bashkë me gruan e tij na pikasi dhe erdhi të na takojë. U prezantuam me gruan e tij e cila është kristiane ndërsa ai është musliman (këto martesa janë ende të rralla këtu). Ajo flet vetëm italisht pasi ka jetuar në Itali. Kosturi na thotë se meqë jemi këtu, ka dëshirë të na njohë me « mizoritë shqiptare » (kështu e quan ai rakinë dhe mezet shqiptare). Por Zoti Kosturi thotë pastaj se kjo s’mjafton dhe se rakija e kafenesë nuk është e denjë për ne dhe kërkon të na çojë në shtëpinë e tij. Në këtë rast, kundërshtimi është i panevojshëm. Dhe ja ku u nisëm në një lagje që nuk e kishim parë deri tashmë. Pas Pallatit të Mbretit dhe shtëpisë së Naimit, ja dhe lagjia me ca kopshte të ndara nga mure, sipër të cilave duken çatitë e ulta me tjegulla e të vjetra të Tiranës. Arrijmë në shtëpinë e Zotit Kosturi, i cili e ka mobiluar në një mënyrë moderne. Në pak çaste u vu tavolina dhe një mori mezesh u vendosën në të, të cilave iu shtuan qofte të ngrohta me mish, një gjellë shkodrane, domate dhe speca të mbushura. Ishte një raki jeshile shumë e fortë por shumë e mirë. Shishja u boshatis dhe sollën një tjetër në ngjyrë ylberi. Kjo pritje e improvizuar dhe disi boheme ishte plot sharm dhe e thjeshtë. Nuk ua fshehëm se sa shumë i pëlqyem « mizoritë shqiptare » dhe dolëm që andej tepër të gëzuar…” Në kthim, mbresat për mikun shqiptar ishin të mëdha si nga arkeologu Leon Rey ashtu dhe nga etnografët Benezech me ligjëratat e tyre në Radio Eiffel mbi Shqipërinë dhe virtutet shqiptare. Rexhaiu ishte vërtet një intelektual mjaft i pëlqyeshëm në kontaktet me Perëndimin. Madje në këtë kohë ai shkroi dhe botoi në Vjenë dhe dy libra mbi Shqipërinë dhe mundësitë turistike te vendit tonë. Padyshim kishte bindjen se Shqipëra do kishte një të ardhme më të mirë po të zhvillonte turizmin e bregdetit por dhe në hapësirat malore me bukuri që i përngjanin alpeve zvicerane apo franceze.

Lexo edhe :  Edhe për zgjedhjet e reja nuk do të kemi opozitë

Vitet kalonin. Lufta ishte periudha më e vështirë e jetës së tyre. Familja Kosturi, si një familje patriote që ishte, u lidh shumë me luftën. E motra, Drita Kosturi ishte njeriu më i afërt i Qemal Stafës dhe dëshmitare e çasteve të fundit të këtij heroi. Skënder Kosturi ra dëshmor. Ishte Gjyzepina ajo që e gjeti të vrarë në rrugët e Tiranës dhe e solli në shtëpi. Një zi e madhe ra në shtëpinë Kosturi. Rexhaiu nuk e pranoi kurrë pushtimin fashist të Shqipërisë dhe nga viti 1939-1943, ishte internuar tek Shkëmbi i Kavajës në Durrës.

Pasionanti i fotografisë

Rexhai Kosturi ishte një intelektual i vërtetë, një poliglot që njihte shtatë gjuhë ku përveç shqipes zotëronte gjuhën italiane (që me studimet në Itali) gjuhën gjermane, franceze, angleze, turke, etj. Filloren dhe gjimnazin e kishte mbaruar në San Demetrio Corona nga mosha 6 deri në 18 vjeçare, kohë ku atje u shkolluan jo pak shqiptarë. Në fillim ishte ndihmës i konsullit turk në Bari të Italisë. Ishte pikërisht ai që e ndihmoi të shkonte me punë në konsullatën turke në Zvicër. Pastaj Kosturi u kthye në Tiranë, pranë familjes së tij. Ishte koha kur ai u kujdes për turizmin shqiptar, çka e bëri të njohë mirë jo vetëm historinë e gjeografinë shqiptare por dhe traditat e zakonet për të cilat ishin të interesuar turistët e huaj që vinin në Shqipëri. I afërt me arkeologun Leon Rey, së bashku organizuan ardhjen e një grupi shumë të madh turistësh në Shqipëri. Por njohja me çiftin Benezech i dha shijen e fotografisë, meqë René Benezech ishte një piktor dhe fotograf me shije, i cili pas dy vizitave studimore në Shqipëri, së pari në vitin 1931 dhe më pas në vitin 1938, ku gjatë një muaji e kaloi në veriun shqiptar, çka bëri që koleksioni i tij prej 800 fotografish të jetë sot një nga koleksionet fotogafike më interesante në Muzeun Branly të Parisit, (dikur Musée de l’Homme). Për Rexhaiun kjo ishte një eksperiencë e veçantë. Pas çlirimit, në vitet ‘50 ai iu kushtua fotografisë duke fiksuar fotografi mjaft interesante, imazhe me kostumet dhe traditat e vjetra shqiptare. Koleksioni i tij ishte mjaft i pasur, por pas vdekjes së tij, me burgosjen e të birit, Valter Kosturit, i akuzuar për « agjitacion e propagandë », ky koleksion u dogj dhe vetëm një pjesë mbeti nga asgjësimi i tij. Janë portrete interesante, kostumet e krahinave të ndryshme të Shqipërisë, inskenime traditash, martesat tradicionale, etj., fotografuar me mjeshtëri dhe shumë dashuri. Eshtë një pjesë e fytyrës së Shqipërisë së viteve ‘40-’50 që ka mbetur në rreth tridhjetë fotografi që kanë mbijetuar nga koha totalitare.

Gjatë luftës Rexhaiu kishte një makinë. Madje një ditë, tek ecte në qytet, papritur pikasi disa gjermanë që tërhiqnin një banor të Tiranës dhe donin ta merrnin me forcë. Menjëherë ai ndaloi dhe ndërhyri me mirësjellje dhe gjuhën e tij perfekte gjermane. Ishte ndërhyrja e tij që e shpëtoi të panjohurin nga arrestimi, meqë dyshohej si ilegal. Ai kishte dhe një kalë, “Belonga”, një kalë vrapi që e donte shumë, por mjerisht, pas lufte ia rekuizicionuan. Kujtonte gjithnjë me dhimbje kur një ditê e kishte pikasur në rrugê kalin e tij qe sapo e kishte pare ishte drejtuar drejt tij. I mungonte… Të dy i mungonin njëri-tjetrit.

Vitet e vetmisë së madhe

Jeta e tij ishte vërtet një jetë e vështirë edhe pse u përpoq të merrej me pikturë. Një portret i Betovenit që kishte pikturuar, qëndronte gjithnjë në muret e shtëpisë. Kohën e kalonte duke u marrë me përkthime private. Lexonte shumë dhe përkthente në disa gjuhë. I vetmi gëzim për të ishte familja, fëmijët e tij dhe Gjyzepina që shkëlqente me artin e saj si soprano lirike. Madje, të gjitha pjesët operistike që ajo luante, si “ Baterflaj”, “Traviata”, veprat e Verdit, Puçinit, Rosinit apo Donizetit, ishte gjithnjë Rexhaiu që i përkthente në shqip, pasi të këndoje operat në gjuhë të huaj atëherë ishte i ndaluar. Një nga përkthimet ishte dhe operat ruse “Rusallka” dhe “ Eugjen Onjegin “,një role që Gjyzepina i pëlqente shumë. Rexhaiu jetonte tashmë çdo çast me muzikën. Ndiqte Xhuzepinën në të gjitha koncertet dhe shfaqjet e saj operistike dhe i gëzohej suksesit të saj si soprano më e mirë e kohës. Ai njihte thellësisht operat, pasi jetonte me veprat e mjeshtrave të mëdhenj, veçanërisht italianë, ku Italia tashmë i kishte mbetur vetëm si një kujtim i ëmbël e njëkohësisht i trishtë e i largët, të cilën nuk mund ta shikonte më.

Viti 1968 ishte një nga vitet më të trishta të jetës së tij. Mbrëmjet i kalonte duke lexuar letërsi dhe histori, ku pëlqente veçanërisht ishullin e tij, Napoleonin. Dëgjonte muzikë operistike apo arjet e kënduara të Gjyzepines. E ndjente që kishte shumë për ti dhënë këtij vendi por ishte e pamundur. Dhe muzika sikur e bënte ta harronte kohën në të cilën jetonte. Ai nuk i jetoi vitet më të rënda të « gjuetisë së shtrigave », puçet e viteve ’70, burgimin e të birit. Donte të shuhej përkundur nga hiret dhe zëri i të dashurës së tij, e vetmja që mund ta prehte në tallazet e një jete. Ai u shua në 28 nëntor. E habitshme për një njeri që e donte aq shumë atë flamur kuq e zi. Një fotografi e tij me flamur na e dëshmon këtë. Iku si në një marsh zëulët të gjeniut Verdi… « Rexhai Kosturi, – shkruante Kasaruho, – ishte dhe mbeti deri në çastet e fundit konseguent i mendimeve dhe i mënyrës së jetesës. Nuk i zgjati dorën askujt dhe aspak, sepse nuk kishte nevojë, por sepse kishte respekt për veten; nuk i lypi gjë kujt, jo sepse i mungonin shumë gjëra, por sepse atë që ai mendonte si më kryesoren për njeriun, dinjitetin, ai e kishte ruajtur të pacënuar dhe nuk priste nga të tjerë. Nuk qe një hero, por thjesht një njeri dinjitoz. Dhe të ishe i tillë kur rreth e rreth priteshin koka, sepse dinjiteti quhej “lidhje me të kaluarën”, “krenari e kalbur borgjeze” apo “reaksion” ndaj pushtetit, nuk ishte pak. Përkundrazi…” Rexhai Kosturi nuk arriti ta mësojë se tre rrugë në Tiranë mbajnë emrin Kosturi : Rruga Ali Fehmi Kosturi, Rruga Skënder Kosturi dhe Rruga Gjyzepina Kosturi…Emra që iu përkushtuan këtij vendi.

Të fundit

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

“Ajo që po bën Meta nuk është sjellje politike”/ Çani reagon ashpër: Ish-presidentit …

Gazetari Arian Çani në një intervistë për një emision televiziv ka komentuar deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë ndaj SPAK. Ai theksoi se kjo...

Biden sërish në qendër të ‘gafave’, e radhës do t’iu shkrijë së qeshuri (Video)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden i tha një intervistuesi se ai kishte paralajmëruar qeverinë izraelite që të mos sulmonte veten,...

“SPAK nuk të fal”, Karamuço: Meta e Monika rrezikojnë të arrestohen

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço deklaroi se SPAK nuk ndjek politikë penale, dhe se ka treguar që nuk fal aspak. Gjatë intervistës në emisionin “Real...

Lajme të tjera

Web TV