110 – vjet ekonomi shqiptare – përballja me sfidat e zhvillimit ekonomiko-social

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Anastas Angjeli, Adrian Civici

II. Ekonomia shqiptare gjatë rregjimit komunist (1945- 1990)

Kolektivizimi integral i bujqësisë

Me slloganin “toka i takon atij që e punon”, qeveria e parë komuniste shqiptare në periudhën 1945-1946, ndërmorri nëpërmjet disa fazave një reforme agrare radikale për shpronësimin e pronarëve të mëdhenj e të mesëm të tokave, përfshirë këtu dhe tokat në pronësi shtetërore, të kapitalit të huaj apo ato në pronësi të institucioneve fetare, dhe shpërndarjen e tyre në favor të fshatarëve të varfër e pa tokë. Por ende pa mbaruar mirë shpërndarja e tokave, Partia komuniste Shqiptare shpalli platformën bazë e afat-gjatë të saj për bujqësinë duke theksuar “nevojen e transformimit socialist të bujqësisë bazuar në kolektivizimin e prodhuesve të vegjël dhe krijimin e fermave të mëdha shtetërore”. Kolektivizimi i bujqësisë duhet të shërbente dhe për të aplikuar teorinë e planifikimit të centralizuar në bujqësi e cila ishte inkopatibël me strukturën e prodhuesve të vegjel private e individuale.
Reforma Agrare konsiderohej nga regjimi si një aksion shumëplanësh, politik, ekonomik e shoqëror për shkak të objektivave që synonte të arrinte. Reforma parashikonte që çdo familje fshatare të përfitonte 5 hektarë tokë. Kur numri i pjesëtarëve të familjes ishte mbi 6 persona, atëhere për çdo person më tepër shtohej gjysëm hektari tokë. Shitja, blerja dhe dhënie me qira e tokës u ndalua. Por pa kaluar shumë kohë, ligji për Reformën Agrare do të ndryshohej me argumentin se ishte gabim lënia pronarëve e sasisë së tokës nga 20-40 hektarë, që konsiderohej si shumë e madhe. Edhe në këtë rast, historia duket se përsëriti vetveten si në aspektin e sjelljes së autoriteteve shtetërore, ashtu edhe në aspektin e modifikimit të ligjit.
Në maj të vitit 1946 u shpall shtojca e ligjit mbi ndryshimin e ligjit të Reformës Agrare. Në bazë të këtij ndryshimi të gjitha tokat, vreshtat, ullishtet, kopshtet, ndërtesat dhe inventari bvujqësor që ishin pronë e atyre që nuk i punonin vetë, shpronësoheshin. Këto toka u ndaheshin fshatarëve pa tokë dhe atyre me pak tokë. Në këtë mënyrë, ligji i ri shfuqizoi klauzolën e mëparshme që parashikonte t’u linte pronarëve 20 deri në 40 hektarë tokë” shkruajnë studiuesit e njohur të ekonomisë, Iljaz Fishta e Veniamin Toçi te “Ekonomia e Shqipërisë në vitet e para të ndërtimit socialist: 1944-1948”.
Kjo reformë zgjati 15 muaj, nga shtatori i vitit 1945 deri në mesin e nëntorit të vitit 1946. Në përfundim të Reformës Agrare, në vend situata e pronësisë ishte si më poshtë: Pronarë të shpronësuar terësisht 8 mijë e 714. Sipërfaqja e shpronësuar 54 mijë e 499 hektarë. Pronarë të shpronësuar pjesërisht 10 mijë e 641. Sipërfaqja e shpronëusar 64 mijë e 997 hektarë. Çifligje të shtetit 50 mijë hektarë. Ente fetare, shpronësuar 3 mijë e 163 hektarë. Në total, sipërfaqja e shpronësuar arrinte në 172 mijë e 659 hektarë ndërsa numri i pronarëve të prekur arrinte në 19 mijë e 355. Nga Reforma Agrare përfituan 70 mijë e 211 familje një sipërfaqe prej 172 mijë e 659 hektarë tokë. Në total, me shpronësimet, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e pronës, Reforma Agrare preku 32 mijë hektarë tokë.
E filluar me shpalljen e ngritjes së kooperativës së parë socialiste në vitin 1946, procesi integral i kooperativizimit de facto perfundoi në vitin 1967 : kooperativat zinin tashmë 75.8% të tokave bujqësore ; fermat shtetërore 20.7% të saj dhe kopshtet individuale vetëm 3.5% të saj. Ndërsa de juro, ky proces përfundoi në vitin 1976 me aprovimin e Kushtetës së re e cila sanksiononte eleminimin e pronësisë private mbi tokën dhe transformimin e saj në prone shtetërore. Sipas Kushtetutës, e gjithe toka bujqesore, organizimi i prodhimit, tregëtimi dhe mjetet e prodhimit ishin të gjitha të strukturuara e administruara në kooperativa bujqësore e ferma shtetërore. Në vitin 1979, në Shqipëri nuk kishte më asnjë fermë individuale private.
Gjatë kësaj periudhe bujqësia dhe prodhimi agroushqimor shqiptar arriti disa tregues të vleresueshëm në fushën e rendimenteve dhe niveleve të prodhimit, nivelit të mekanizimit, kimizimit dhe shkallën e lartë të ujitjes, transportit dhe përpunimit të produkteve agroushqimore, formave të organizimit e drejtimit, futjen e tokave të reja nën kulturë,etj. Por thellimi i politikave centralizuese, degjenerimi i situates ne kooperativat dhe fermat shteterore, kerkimi i « rrugeve te reja e origjinale » në emër të mbrotjes së doktrinës nga ana e drejtuesve të shtetit shqiptar sic ishin p.sh. krijimi i « kooperativave të tipit të lartë », i sistemit të tufëzave e arëzave, etj. e cuan drejt kolapsit prodhimin agro-ushqimor shqiptar dhe vendin drejt një situate të vështirë ushqimore e konkretizuar me vendosjen e sistemit të tallonave ushqimore për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare.
Shkatëruese për gjithë sistemin agraro-ushqimor shqiptar ishte dhe direktiva e vitit 1966 e PPSH “tu qepemi kodrave e maleve dhe ti bëjmë pjellore si fushat”. Me mijëra të rinj vullnetarë u mobilizuan për “hapjen e tokave të reja” në zonat kodrinore e malore me qëllim që atje të mbilleshin drithra nën moton “të sigurojmë bukën në vend me forcat tona”. Rezultati i kësaj nisme ishte katastrofik, jo vetëm për rezultatet mediokre në prodhimin e grurit dhe misrit, por mbi të gjitha në shkatërimin e parcelave, lëndinave e kullotave të një pjese të konsiderueshme të kodrave dhe maleve të vendit.
Në letër, gjithshka funksiononte mirë për bujqësinë e kolektivizuar apo shtetërore shqiptare. Deri në vitet 1985-88, byroja politike dhe qeveria krenoheshin me ecurinë pozitive të këtij sektori që përbënte “bazën e ekonomisë” dhe ishte “cështje e gjithë popullit”, ndërkohë që vendi morri nga UNDP cmimin ndërkombëtar për ushqimin, që ishte ndoshta ironia më e madhe për shqipëtarët e varfër dhe të kequshqyer në atë kohë.
Por, cfarë ndodhi në këtë eufori të përgjithshme që duke filluar nga viti 1974, shifrat e prodhimit bujqësor e blegtoral u bënë sekret shtetëror dhe në statistikat zyrtare jepeshin vetëm shifra në përqindje apo të dhëna globale? Arsyeja e këtij “misteri” ishte e thjeshtë : kooperativizimi dhe sistemi i fermave shtetërore në bujqësi ishte një dështim që i kishte dhënë shenjat e para që në fillim të viteve 1970-të. Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim nga ky model i dështuar i aplikuar në Bashkimin Sovjetik dhe gjithë lindjen komuniste.
Që në vitin 1966, PPSH mbështeti “inisiativën” e disa kooperativave bujqësore “për zvogëlimin e oborreve personale dhe parcelave private “në emër të forcimit të ekonomisë kolektive socialiste”. Në 1949, ligji parashikonte që cdo familje fshatare mund të zotëronte 3000-12000 m2 tokë; në 1967 kjo sipërfaqe u kufizua në vetëm 1000 m2 tokë dhe një numër të kufizuar bagëtish; në 1979 u limitua në vetëm 300 m2 dhe një tufë modeste pulash, etj.; ndërkohë që në vitin 1981 u ndalua cdo mëtër katror tokë private dhe cdo lopë, pulë, etj.
Fjala “tufëzim” që rezultoi dhe si një nga politikat më vetëvrasëse në fushën e bujqësisë dhe ushqimit u bë simboli i zhdukjes nga dyqanet dhe tavolinat e produkteve bazë si mishi, qumështi, frutat, perimet, etj. G.Jandot (1994) që e ka studiuar gjerësisht këtë fenomen jep shpjegimin se “thelbi i dështimit qëndron tek reduktimi apo eleminimi total i parcelave private me të cilat ushqeheshin familjet fshatare që përbënin mbi 65-70% të popullsisë shqiptare…zvogëlimi i këtyre parcelave drejt zhdukjes së tyre, në fakt zhduku mbi 50% të prodhimeve bujqësore e ushqimore, ndërkohë që prodhimi kolektiv nuk e mbushi dot kurrë këtë boshllëk. Fshatarët, nga prodhues dhe shitës të produkteve bujqësore e blegtorale u bënë thjesht kërkues e konsumatorë të tyre”.

Sukseset dhe dështimet në industrializimin e vendit

PKSH që do të përcaktonin ecurinë e vendit për një periudhë të ardhshme 45 vjecare, me të ardhur në pushtet në nëndor 1944, deklaruan si objektiv primar transforminin e Shqipërisë nga “një vend agrar e gjysëm feudal (1945)” drejt shnderrimit te tij “…ne nje vend agraro-industrial (1955)”…për të kaluar më vonë drejt nje stadi “industrialo-agrar” i cili pritej të konsolidohej në vitet 1980-90.
Sipas kësaj skeme të zhvillimit të vendit, të frymëzuar nga strategjitë dhe politikat e BRSS të Stalinit, prioritet do ti jepej industrisë në raport me bujqësinë, që gjithsesi konsiderohej si “dega bazë e ekonomisë”, dhe brenda industrisë, prioritet do të kishte industria e rëndë që përbënte thelbin dhe ambicjen kryesore te politikes se “industrializimit socialist” të vendit.
Në vitin 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar miratoi ligjin mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj, i cili i hapi rrugë shtetëzimit të Bankës.
Në 3 janar 1945, u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar, me atributet e një banke qendrore dhe ato të një banke tregtare njëkohësisht. Pas luftës së dytë botërore e deri në vitin 1990, Banka e Shtetit Shqiptar mbështeti eskluzivisht programin e zhvillimit të ekonomisë socialiste duke qënë thjesht një shtojcë e Ministrisë së Financave.
Rezultatet e para të kësaj politike ishin inkurajuese, dhe brenda në periudhën 1950-60, industria vendase arriti të katerfishojë prodhimin e para luftës së II-të botërore, u zhvillua nxjerrjen e naftës dhe mineraleve të tjera, u rikonstruktuan një pjesë e madhe e rrugëve dhe urave, industria tekstile dhe ajo ushqimore, etj. Në vitin 60-të, industria kontribonte më shumë se 50% në PBB të vendit dhe Shqipëria shpallte tashmë “ realizimin e ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit”.
Por, këto suksese, në pjesën dërrmuese të tyre u favorizuan nga ndihmat dhe kreditë e shumta që Shqipëria përfitoi nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut komunist. Mjaftojnë disa shifra për të kuptuar situatën: në periudhën 1947-1959 midis qeverisë shqiptare dhe asaj sovjetike u nënshkruan 16 marrëveshje kreditimi me një vlerë 244 milionë rubla. BS dhe vendet e tjera të kampit socialist i patën akorduar Shqipërisë 433 milionë rubla kredi, nga të cilat u përdorën 316 milionë rubla ose 73 %. Në pesëvjeçarin 1951-1955, kreditë përfaqësonin 90 % të importeve, kurse në pesëvjeçarin e II-të, 1956-1960, rreth 47 %.
Ndihmat dhe kreditë e BS dhe vendeve të kampit socialist kanë qenë shumë të rëndësishme për kohën, pasi vendi kishte nevojë për gjithçka, deri edhe për sigurimin e bukës. Ato ndikuan për kthimin nga një vend agrar i prapambetur në një vend agrar-industrial në vitin 1955 dhe ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit në vitin 1960.
Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me BRSS dhe dalja e saj “de facto” nga kampi socialist mbas viteve 60-të, i ridemensionoi së tepërmi ambicjet dhe strategjinë e saj të industrializimit. Në politikat e zhvillimit të vendit hyri gjithnjë e më shumë koncepti dhe praktikat e “mbeshtetjes vetëm në forcat e brendshme”. Megjithatë, në periudhën 1958-1978, vendin e BS dhe kampit socialist e zuri Kina, e cila gjithashtu dha një ndihmë të konsiderueshme për “ndërtimin e socializmit në Shqipëri”.
Nga viti 1954 e deri më 1975, përvec ndihmave dhe granteve të shumta, me RP të Kinës u nënshkruan dhe 17 marrëveshje kredie, në monedha të ndryshme, si: 1320 milion në rubla, 58.4 milion në usd, etj. Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan dhe veprat më të mëdha të industrisë shqiptare të cilësuara si “ajka e industrisë shqiptare” : një kombinat metalurgjik në Elbasan i aftë për të përpunuar mbi 1 milion ton mineral hekuri dhe prodhuar rreth 250 000 ton hekur e tuba celiku në vit; disa hidrocentrale kryesisht mbi lumin drin me nje kapacitet prej 1.8 miliard këh/vit; një rafineri e madhe nafte me një kapacitet rafinimi prej 1 milion ton naftë në vit; zhvillimi i industrisë nxjerrëse e përpunuese të kromit, hekur nikelit dhe bakrit; uzinave të tjera për prodhimin dhe përpunimin e plehrave kimike, bitumit, cimentos, tullave,etj.; uzina të industrisë së lehtë e përpunuese; etj.
Në vitet 1970-1980, ekonomia shqiptare pati momentin e vet më pozitiv të rritjes ekonomike nën regjimin totalitar për shkak të përfundimit të veprave të mëdha infrastrukturore si disa akse kryesore të rrugëve nacionale dhe HEC-eve të mëdha mbi lumin Drin. Gjithashtu në këtë periudhë hynë në funksion disa nga fabrikat e mëdha të pasurimit të mineraleve të nëntokës. Mirëpo një dekadë më pas, sidomos në gjysmën e vitit 1980, ekonomia shfaqi qartë ngadalësimin e ritmeve të rritjes, për shkak se potencialet nga burimet e brendshme kishin mbaruar. Me një cikël të ngjashëm, po përballej edhe ekonomia e vendeve të Europës Lindore.
Prishja përfundimtare e marrëdhënieve me Kinën në vitin 1978, në vend që të stimulonte kërkimin e partnerëve të tjerë të vendit, apo ta detyronte qeverinë shqiptare të hidhte sytë nga perëndimi, u transformua në një autarki totale. Në politikat e zhvillimit të vendit hyri gjithnjë e më shumë koncepti dhe praktikat e “mbeshtetjes vetëm në forcat e brendshme”. “Rritja e nivelit të autonomisë ekonomike, konsolidimi i sistemit socialist, ngritja e nivelit të jetesës dhe zhdukja e dallimeve fshat-qytet,etj.” përbënin thelbin e objektivave të zhvillimit ekonomik në periudhën 1971 – 1985.
Duke filluar nga viti 1976, në emër të “ruajtjes së pavarësisë politike e ekonomike” dhe “mbështetjes në forcat tona”, u adoptuan tre kufizime tërësisht ideologjike: në mbashtetje të nenit 28 të Kushtetutës, u ndalua cdo lloj kredie apo borxhi nga jashtë; u kufizuan në mënyrë drastike të gjitha importet, “me përjashtim të atyre që konsideroheshin absolutisht të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe nevojat sociale”; disa nga vendet më të zhvilluara të botës “të cilësuara si kapitaliste, revizioniste apo sioniste” si SHBA, Anglia, Bashkimi Sovjetik, Izraeli, Afrika e Jugut, Gjermania Federale, etj, u përjashtuan nga axhenda e marrëdhënieve tregëtare.
Por vitet 80-te, ashtu si ne shume vende te tjera lindore me ekonomi socialiste, regjistruan dhe fillimin e renies me shpejtesi te niveleve te rritjes ekonomike. Rritja ekonomike vjetore që arrinte mesatareisht në 5-6% në vitet 1970-1980, ra në 1% në dhjetëvjecarin 1980-1990.
Shqipëria kishte arritur tashmë në fund të mundësive te fazes ekstensive dhe “rrugeve te reja e origjinale te zhvillimit” te eksperimentuara prej saj. E privuar nga kapitalet e huaja te cilat konsideroheshin si “instrumenta skllaverues” dhe ndaloheshin me Kushtetute, e arritur ne limit te rezervave dhe mundesive te saj te brendshme dhe njekohesisht si pasoje e efekteve te gabimeve te akumuluara ne shume vendime e zgjedhje thelbesore te politikave te saj ekonomike, rritja ekonomike prej 5% e verejtur ne vitet 70-te nuk ishte me shume se vetem 1% ne dhjetevjecarin vijues.
Ekuilibrat makro-ekonomikë ishin tronditur rëndë, dhe si pasojë e subvencioneve gjithnjë e më të mëdha që përpiqeshin të mbulonin mungesën e eficencës së sektorit publik, deficiti buxhetor kishte arritur nivele të larta të papërballueshme: 5.9% në vitin 1988, 9.5% në 1989 dhe 16,6% në 1990. Mallrat e konsumit po bëheshin cdo ditë e më të ralla, ndërkohë që tregjet e huaja tradicionale të vendeve të Europës lindore e qëndrore po reduktoheshin cdo ditë e më tepër. Edhe rezervat valutore të Shqipërisë kishin arritur në nivele minimale. Shqipëria ishte përpara një krize totale.

Lexo edhe :  Leku, gjithnjë më i fortë/ Kursi i këmbimit, ndikim në uljen e inflacionit

Kriza totale e sitemit socialist (1980 – 1990)

Në dekadën e fundit të viteve 80-90 ekonomia shqiptare shfaqi shenjat e një krize totale, mallrat e konsumit të gjerë filluan të mungonin në masë duke kaluar në sistemin e tallonave ushqimore për popullsinë, eksportet u ulen ndërkohë që kërkesa për importe të nevojës së parë shtoheshin vazhdimisht, rezervat në devizë u pakësuan dhe në tërësinë e tij, prodhimi vendas e në mënyrë të vecantë ai agro-ushqimor, po ulej me rritme shqetësuese.
Dizekuilibrat makroekonomike u thelluan, deficiti buxhetor u rrit së tepërmi duke arritur në 16.6% te PBB, rritja ekonomike modeste prej 1 – 2% e verifikuar ne periudhen 1980-85 u bë negative gjatë viteve 85-90, në fillim të vitit 1991 borxhi i jashtëm e kaloi masën e 30% të PBB. Vendi ra në një krizë të thellë ekonomike e financiare dhe sistemi i ekonomisë së centralizuar nuk dispononte më asnjë mjet e mundësi që ta ndalte atë.
Në këtë periudhë, Shqipëria renditej në grupin e 15 vendeve më të varfëra të botës; rreth 600 000 familje shqiptare gatuanin në banjë; 300 000 familje konsumonin më pak se 0.5 kg mish në javë; mbi 500 000 familje konsumonin më pak se 250 gram gjalp në javë; etj. Konsumi i mallrave ushqimore bazë ju nënshtrua tërësisht sistemit të “triskave” apo “tallonëve”.
E shprehur me shifra më konkrete, në këtë periudhë, një shqiptar konsumonte në muaj vetëm 750 gr mish e nënprodukte mishi; 25 gr gjalpë; 250 gr djathë; 25 gr kafe; 750 gr sheqer; 500 gr miell; 225 gr sapon rrobash; etj. Vetëm në raste festash, kryesisht për vit të ri apo “8 nëntor” shpërndaheshin nga 1 shishe raki, 2 shishe verë, 2 kq mollë e portokalle. Edhe lodrat e fëmijve shpërndaheshin në mënyrë të planifikuar vetëm një herë në vit, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit.
Në një kuptim të gjerë, megjithë disa tentativa për modifikimin e politikës ekonomike dhe lejimin e disa elementeve « të ekonomise kapitaliste », kjo ishte një krizë e vetë sistemit socialist dhe për pasojë nuk mund të zgjidhej pa e ndryshuar radikalisht atë.
Në kërkim të shpëtimit nga kjo situatë dramatike në fund të vitit 1988 u fol për herë të parë „hapur“ për nevojën e disa reformave pragmatike që „nuk preknin karakterin socialist të pronësisë dhe rolin udhëheqës të Partisë“, por që do fusnin „elemente të administrimit kapitalist“ sipas shembullit të „Perestrojkës“ të filluar që në vitin 1985 në Bashkimin Sovjetik.
Ato konsistonin në „mundësinë e kooperativave bujqësore që të përcaktonin vetë disa kuota prodhimesh e cmimesh“, „mundësinë e mbajtjes së blegtorisë familjare dhe shitjen e lirë të produkteve në treg“, „futja e disa mekanizmave të rinj të kërkesës dhe ofertës në treg“, „pranimin e disa investimeve të huaja që ndikojnë direkt në zhvillimin e ekonomisë dhe bujqësisë“, „rritja e autonomisë financiare të ndërrmarjeve“, „privatizimi pjesor i disa njësive të shërbimit dhe artizanatit“, „e drejta për të ndërtuar shtëpi private“, „krijimi i një buxheti të pavarur për 26 rrethet administrative të vendit“,etj.
Edhe në vitet e fundit të rregjimit, në periudhën 1985–1990, kur pretendohej se po zbatoheshin politika e praktika të “modelit të ri ekonomik”, në fakt, Shqipëria rezulton si vëndi më konservator në raport me Perestrojkën dhe gjithë arsenalin e reformave të ndërmara në vendet e Europës qëndrore dhe lindore, ish Bashkimin Sovjetik, Kinë, etj. Shqipëria ishte vendi që kritikoi dhe anatemoi më shumë se cdo vend tjetër i bllokut lindor socialist “Perestrojkën” dhe “Glasnostin” që aplikoi Mihail Gorbacovi në Bashkimin Sovjetik.

Të fundit

Horoskopi i ditës, 18 Prill 2024

     Dashi Do të përfshiheni në një debat mjaft të ndezur, i cili rrezikon që të kthehet agresiv. Mundohuni që të...

Ruleta e penalltive i buzëqesh Los Blancos, Real Madrid triumfon ndaj Manchester Cityt

Reali i Madridit triumfon 4-3 në ruletën e penalltive përballë Manchester City-t dhe kualifikohet në gjysmëfinale të Championsit, ku e pret Bayerni i Mynihut. Lojën...

VIDEO/ Bayern Munich mposht minimalisht Arsenalin dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Bayerni i Mynihut ruan traditën, fiton 1-0 përballë Arsenalit në “Allianz Arena” me me rezultat të përgjithshëm 3-2 kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League....

Hemofilia, sëmundja që prek meshkujt, ja sa pacientë trajtohen në Shqipëri

250 pacientë jetojnë me hemofili në Shqipëri. Sëmundja e gjakut që trashëgohet nga nëna, shfaqet vetëm tek djemtë ndërsa vajzat janë bartëse të saj....

Aktorit Mirush Kabashi i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit

Bashkia e Durrësit miratoi ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” aktorin e mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes). Sot në qytetin...

Lajme të tjera

Web TV