Java e 15-të në Abissnet Superiore është mbyllur me fitoren e thellë të Vllaznisë. Kuqeblutë mposhtën 4-0 Teutën në “Loro Boriçi”, duke rigjetur tri pikët në kampionat pas tri javësh.
Skuadra e Mirel Josës realizoi nga dy gola për pjesë. Në të parën shënuan Esin Hakaj dhe braziliani Kaina (penallti), i cili festoi edhe në fraksionin e dytë të takimit, minutazh gjatë së cilit erdhi edhe goli i Ardit Hoxhajt falë një tjetër penalltie.
Ekipi durrsak e mbylli sfidën me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të Blerim Kotobellit (76’). Suksesi i sotëm ngjiti Vllazninë në kuotën e 22 pikëve duke ndarë vendin e katërt me Erzenin, ndërsa Teuta mbyll renditjen me 14 pikë.