Bujar Luca: Heshtja e palexueshme dhe koreografia vizuale

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Luan Rama

Nëse arti figurativ që në fëmijërinë e vet është përpjekur të na transmetojë imazhe të qartë të botës dhe jetës njerëzore, jo pak artistë dhe përfaqësues të rrymave dhe shkollave te ndryshme artistike, si ithtarët e surealizmit, kubizmit, artit abstrakt etj, kanë tentuar të krijojnë apo të flasin me një gjuhë të fshehtë që vështirë ta deshifrosh, edhe pse mbetesh i befasuar dhe i mrekulluar nga demostrimi i tyre. Por ka dhe nga ata ku është instinkti krijues që i shtyn drejt një rruge tjetër për të dhënë apo zbuluar të vërtetat e fshehta të botës njerëzore. Një nga ata është dhe Bujar Luca, i cili i beson fort gjestit piktural ashtu siç në një formë tjetër shkrimtari Exupery besonte se « Princi i vogël » do të zbulonte të vërtetat e mëdha të njeriut. « Për të pikturuar, – shkruan Luca në hapjen e ekspozitës « Heshtja e të palexueshmes» hapur para disa kohesh në Paris në galerinë « Babel », – nuk duhet të shohësh; vetëm spontaniteti mund të fiksojë të vërtetën e fshehtë dhe mund ta bëjë atë të dukshme. Për të udhëtuar drejt shprehisë së pastër, më duhet ta dekompozoj figurën nga kuptimet, ti heq përmbajtjen, të besoj në shenjat që mund ti perceptosh dhe ti shprehësh. Unë krijoj shenja që evokojnë gërmat e një alfabeti të panjohur. Ato janë tekste të çliruara nga misionet e tyre… »
Kështu, duke parë këto tablo, Luca na kujton menjëherë kodikët e vjetër të skribëve në skriptoriat mesjetare apo figurat e fundit të Leonardo da Vinçit ku historianët e artit nuk kanë mundur të deshifrojnë domethëniet e tyre : çfarë vallë ka dashur të thotë mjeshtri i madh, çfarë fshihet pas tyre ? Dhe atëherë ne gjendemi para fshehtësisë dhe një heshtjeje të madhe. Të njëjtën gjë kanë pikasur dhe paleografët, siç ndodh dhe në Kodikët e Beratit, ku shumë shenja mbeten të panjohura. Përse kanë shërbyer ato ? Vallë bëhet fjalë për një artmosferë muzikale të përcaktuar dhe kishtare ?
Tablotë e Lucës duhet ti shohësh gjatë, të ndjekësh vazhdimësinë e shenjave ku njera të çon tek tjetra e ku diku ndalojmë për të pikasur diçka brenda një rrethi apo kuadrati. Dhe ne afrohemi, vështrojmë në të e dallojmë një njeri të shtrirë. I ngjan Jezu Krishtit të vdekur, shtrirë në shtratin mortor pas uljes nga kryqi. Dhe atëherë i referohemi piktorit Hans Holbein, autorit të tablosë befasuese « Krishti i vdekur » pikturuar në vitin 1520, në tempera në dru. Pikërisht kjo figurë lineare kishte lënë një përshtypje tronditëse tek Dostojevski kur e kishte parë në muze. Një tronditje siç kishte ndodhur me Prustin para një tabloje të Vermeer-it. Gruaja e Dostojevskit kujtonte këtë moment kur të dy bashkë kishin parë tablonë me Jezunë, me atë fytyrë të shpërfytyruar. «Dostojevski ndaloi para saj si i goditur nga rrufeja, ndërsa unë s’kisha forcë ta shikoja. Më dhimbte shumë dhe shkova të shihja sallat e tjera. Kur u ktheva Fjodori ishte gjithnjë para tablosë si ta kishin lidhur me zinxhirë. Fytyra e tij e tronditur kishte një pamje tmerri që kisha pikasur që në minutat e para të epilepsisë së tij. E mora ngadalë për krahu dhe e çova në një sallë tjetër. Pak nga pak ai u qetësua, por kur po dilnim nga muzeu këmbënguli të ktheheshim përsëri… » Duke shkruar për këte skenë tek romani « Idioti », personazhi i Mishkin kishte thënë : « Kjo tablo bën që kushdo që ta shohë të humbasë besimin ! »…
« Duke punuar mbi letrën e bardhë – më thotë Luca, – më pëlqen te krijoj një lloj alfabeti, një koreografi letrare e pikturale njëkohësisht, Kështu figurat kanë shumë dinamizëm dhe padyshim, kryesorja është bukuria plastike siç e gjejmë tek hieroglifet. »
Vallë janë vetëm shenja? Jo. Gjatë punës, ai e ndërpret « koreografinë » dhe vendos një figurë, siç është ajo e Jezusë së vdekur, apo rozeta me gjemba, kurora e njohur e Krishtit, e po kështu rrethi apo diku një kuadrat me disa figura të gjata që të ngjajnë me balerinë në një dans nokturn, në atë sfond të errët përmbytur nga heshtja. Diku tjetër, duket që autori është frymëzuar nga partiturat e shkrimit muzikor ku koreografia e notave ka diçka magjistrale. Ai që nuk i njeh notat muzikore nuk kupton gjë nga partitura e megjithatë, brenda saj kumbojnë tinguj të mrekullueshëm. Imagjinoni të shikoni një partiturë me shkrimin e një Mozart apo Bethoven. Kërshëria të bën të shohësh gjatë, të deshifrosh, dhe të ndjesh ehon e muzikës së tyre. Duke krijuar këto tablo, Luca dëgjonte në atelierin e tij « Requiem » të Cherubinit e kjo lidhje e pikturës me muzikën ndodh gjithnjë në proçesin e tij krijues. Kështu kishte ndodhur me serinë e vizatimeve të ekspozitës « Black Box » të ekspozuar në Bar le Duc apo në bulevardin Hausman në Paris, krijime të shoqëruara gjithnjë nga muzika repetitive e George Ligeti me temën « Lux Eterna » për dritën qiellore.
Pra, në krijimtarinë e tij, veçanërisht këto 15 vitet e fundit, Luca mbetet gjithnjë i dhënë pas bukurisë plastike të shkrimit dhe të figurave enigmatike që të shfaqen aty-këtu. Në një formë tjetër kjo ndodh dhe në artin abstrakt. Duke krijuar këto tablo të fundit, tek ky piktor ndihet kërkesa elitare, kërkesa për të treguar diçka tepër personale, origjinale, të rafinuar, pavarësisht se gjestet pikturale të kujtojnë hieroglifet apo shkrimet e vjetra samuriane, etj. Tablotë janë frut i një përjetimi të heshtur e të gjatë ku spikat erudicioni i tij piktural, pasi ky piktor ka referenca të mëdha nga historia e artit botëror. Ai jeton mes librave dhe është e kuptueshme dëshira e tij për të ndërmarrë udhë të pashkelura. Çdo njeri që vështron këto tablo i interpreton ato në mënyrë të veçantë dhe tepër personale. Ajo që i bashkon është se ata tërhiqen nga ana vizuale. « Në jetën tonë, – më thotë Luca, – ka shumë gjëra që na shkasin dhe që nuk i kuptojmë. Përse vallë të mos e trajtojmë në art këtë anë të botës humane ?» Dhe ai ka të drejtë. Ja pse ekspozitën e fundit ai e titulloi « Heshtja e të palexueshmes ».
Padyshim, ne kemi shpesh nevojë për heshtjen. Të lexojmë në heshtje dhe të meditojmë për njeriun dhe ekzistencën e tij në këtë pafundësi qiellore sa të magjishme aq dhe të panjohur dhe drithëruese…

Të fundit

Shqipëria dhe Greqia bien dakord për të kthyer lumin “Vjosa” në një park ndërkufitar

Ministritë shqiptare dhe greke të Mjedisit kanë rënë dakort që të punojnë së bashku për të krijuar parkun e...

A duhet të konsumojnë mjaltë diabetikët?

Nga ana ushqimore, 1 lugë gjelle mjaltë (21 gram) përmban 64 kalori dhe 17 gram sheqer, përfshirë fruktozën, glukozën, maltozën dhe saharozën. Era, ngjyra...

Mosha penalizon Biden/ Shumica e demokratëve nuk e duan dhe një mandat të dytë

Shumica e demokratëve tani mendojnë se një mandat është i mjaftueshëm për Presidentin Joe Biden, pavarësisht këmbënguljes së tij se ai planifikon të kandidojë...

Tërmetet në Turqi! Gjeologu tregon nëse mund të preket Shqipëria: Ja kur rrezikohemi…

Tërmetet e fuqishme goditën sot Turqinë dhe Sirinë duke shkaktuar më shumë se 2300 viktima e mijëra të plagosur. Shumë qytetarë të tjerë kanë ngelur...

Befason Maestro, ia thotë në sy Kristit: A vetëm një palë rroba ka babai yt

Mbrëmë, një nga banorët me të pëlqyer të shtëpisë së Big Brother Vip Albania u vu para një zgjedhje, ai kishte për detyrë që...

Lajme të tjera

Web TV