Aplikacioni “Aktivisti” i përhapur nga mazhoranca për të publikuar dhe shpërndarë sa më shumë lajme të prodhuara mbi aktivitetet e qeverisë, është konsideruar skandal nga opozita. Mes përdoruesve të aplikacionit të krijuar nga PS rezoltojnë edhe prokurorë dhe gjyqtarë. Reagon Rama: Publikimi i emrave është shkelje privatësie, do ndjekim rrugën ligjore.
Aplikacioni ‘Aktivisti’ është kthyer në debat të ashpër me “kërcenime” të ndërsjellta për padi penale mes PD-së dhe PS-së. Opozita e ka konsideruar skandal aplikacionin i cili shërben për publikimin dhe shpërndarjen e lajmeve propagandistike të qeverisë, ndërsa PS “ankohet” se nxjerrja e emrave që përdorin këtë aplikacion është shkelje privatësie. Shqetësim për detyrimin e administratës që të shkarkojnë aplikacionin “Aktivisti” dhe ti bëjnë sa më shumë shpërndarje lajmeve të prodhuara nga qeveria cilësohet nga opozita si skandal, madje kanë bërë publike edhe emrat ku mes tyre dalin të “infektuarit” edhe prokurorë dhe gjyqtarë. Zëdhënësja e selisë blu, Floriana Garo, u shpreh se në listën e abonentëve të aplikacionit gjenden prokurorë dhe gjyqtarë që bëjnë propagandë për Partinë Socialiste. “Megjithatë, e reja dhe as shkelja në këtë aplikacion të kontrollit, censurës dhe abuzimit nuk janë punonjësit e administratës, por prokurorët dhe gjyqtarët e asaj që publikut i thuhet se është drejtësia e re. Qindra prej tyre gjenden në listën e abonentëve të këtij aplikacioni. Qindra prej tyre në shkelje të detyrës, statusit dhe ligjit bëjnë propagandë për Partinë Socialiste dhe qeverinë. Gjeni aty emra të njohur, që nga Ina Rama, ish-prokurorja dhe deri te Alfred Balla, i Këshillit të lartë të Prokurorisë, apo Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme. Gjykatësit dhe prokurorët nga rrethet janë të pafund. Kjo dëshmon edhe njëherë atë që është thënë nga kjo foltore qindra herë: Reforma është bërë për partinë dhe jo Shqipërinë. Një vend të cilit gjyqtarët dhe prokurorët i shërbejnë si aktivistë partiakë është një republikë bananesh”, tha Garo. Sipas saj, raportimet mediatike e përshkruajnë aplikacionin Aktivisti si një mjet terrori psikologjik kundër administratës. “Nëpunësit publikë, nëse nuk u bëjnë like dhe share aktiviteteve të kryeministrit dhe ministrave kërcënohen me largim nga puna, dhe nëse janë aktivë shpërblehen me pikë, që shërbejnë si bonus për promocione dhe deri në shpërblime financiare “cash”, sipas raportimeve të besueshme. Ajo tha se Partia Demokratike është kundër çdo detyrimi dhe përdorimi të administratës publike për punë partie. “Sidomos kur këto punë kanë të bëjnë jo me shtetin por me pushtetin, dhe me kultin e individit të kryeministrit dhe ministrave. Thënë këtë ne i ndajmë nëpunësit publikë nga patronazhistët dhe jemi në krah të parëve dhe kundër banalitetit dhe shpërdorimit të të dytëve”, tha ajo.
Reagimi i Ramës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të mekanizmit me anë të të cilit funksionon aplikacioni i Partisë Socialiste “Aktivisti” dhe të dhënat e përdoruesve të tij. Rama shkruan se PS do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen dhe manipulimin e të dhënave ndërsa shton se çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi PS i rrit socialistëve dëshirën për të ecur të sigurt drejt fitores me datë 14 Maj. “Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi. Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, shkruan Rama.
Belinda Balluku
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, në daljen e saj për mediat pas mbarimit të mbledhjes së qeverisë, u pyet nga gazetarët në lidhje me platformën “Aktivisti”, ku theksoi se ajo nuk është gjë tjetër veçse një aplikacion si gjithë të tjerët, por më e përqendruar. Sipas Ballukut, askush nuk është i detyruar që të ndjekë apo t’i japë LIKE atyre që ndodhin në atë platformë, ndërsa i bëri thirrje edhe ish-kryeministrit Sali Berisha që të logohet aty dhe të shikojë se çfarë ndodh, nëse ka kuriozitet. E pyetur se sa etike është që punonjësit e administratës shtetërore të jenë të detyruar të pëlqejnë, bëjnë LIKE apo edhe të komentojnë mbi postimet tuaja, të ministrive të tjera për punët që bën qeveria? “Ju keni një fakt, keni diçka për të besuar që janë të detyruar punonjësit e administratës ta bëjnë këtë gjë? Sepse punonjësit e ministrisë që unë drejtoj, nuk ka qenë askush i detyruar, por ju siguroj edhe për institucionet e tjera, për të ndjekur platformën. Pra, kjo platformë siç u sqarua edhe nga PS-ja, sepse unë jam edhe drejtuese qarku, është një platformë transparente ku mund të logoheni edhe ju, mjafton emri juaj edhe vendi nga jeni. Mund të logohet edhe z. Berisha, nëse është kurioz se si funksionon platforma. Nuk ndodh asgjë tjetër përveçse asaj që ndodh edhe në Facebook dhe Instagram. Është një aplikacion si gjithë aplikacionet e tjera”, tha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë.
PS: “Aktivisti”, model i huazuar nga SHBA
Pas akuzave të opozitës se po përdor një aplikacion të quajtur Aktivisti për t’i bërë presion administratës publike, Partia Socialiste ka reaguar duke i hedhur poshtë akuzat dhe duke shpjeguar funksionin e tij. Sekretari për Koordinimin Dixhital, Etjen Xhafaj deklaron se aplikacioni është një model i huazuar nga SHBA dhe nuk ka për synim të marrë të dhënat e përdoruesve, por thjeshtë të përcjellë mesazhet politike tek mbështetësit e saj. “Është aplikacion komunikimi pra për të përçuar atë që është mesazhi i Partisë Socialiste. Nëse gjeni sot një njeri nga administrata publike që thotë unë jam shkarkuar prej kësaj pune, hajdeni ta bëjmë publike. Por demokratët kanë vijuar me akuzat se punonjësit e administratës po shantazhohen me vendin e punës nëse nuk janë aktivë në rrjetet sociale të kryeministrit dhe ministrave”, tha Xhafaj.