Arlind Qori ka shpallur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës.
Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, në emër të organizatës “Lëvizja BASHKË”, thuhet se pasi të sigurojnë njohjen dhe regjistrimin e partisë nga gjykata dhe KQZ-ja, do të bëjnë publike edhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Qori është kandidati i pestë i shpallur deri në këto momente për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, pas Belind Këlliçit, Arian Galdinit, Lajla Përnaskës dhe Erion Veliajt.
Njoftimi:
Mbrëmë, mes qindra anëtarëve dhe mbështetësve, Lëvizja BASHKË shpalli publikisht pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale, përkatësisht në Bashkinë e Tiranës.
Pavarësisht se paligjshmëritë e një gjykatësi të komanduar politikisht synojnë të na pengojnë, ne kemi vullnetin dhe të gjitha mundësitë që të kandidojmë në zgjedhjet lokale, duke mos lënë asnjë instancë ligjore pa u apeluar dhe duke ushtruar të gjithë presionin qytetar e kushtetues për t’i shtrënguar institucionet që të zbatojnë ligjet e vendit.
Në takimin e djeshëm, përpara se dhjetëra qytetarë të merrnin fjalën dhe të jepnin sugjerimet e tyre, Lëvizja BASHKË paraqiti shtyllat e programit të saj për kthimin e Tiranës në një qytet të jetueshëm. Po ashtu shpalosëm strategjinë tonë të shndërrimit të përpjekjes për Tiranën edhe në një model politik që nesër do të rrëzojë sistemin e kalbur politiko-ekonomik në fuqi dhe do t’i ndërrojë faqen vendit.
Kandidati i Lëvizjes BASHKË për kryetar të Bashkisë së Tiranës do të jetë Arlind Qori, me profesion pedagog i shkencës politike, aktivist prej 12 vjetësh dhe prej dhjetorit të vitit të shkuar edhe bartës i përgjegjësisë së kryetarit të Lëvizjes BASHKË.
Pasi të sigurojmë njohjen dhe regjistrimin e partisë nga gjykata dhe KQZ-ja, do të bëjmë publike edhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Që sot paradite ne jemi në rrugën përballë Bibliotekës Kombëtare për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve që do të na mundësojnë realisht pjesëmarrjen në zgjedhje. Në ditët në vijim do të mund të na gjeni edhe nëpër lagje dhe pika të tjera takimi brenda qytetit.
E vetmja fuqi që kemi është mbështetja dhe solidariteti i qytetarëve.