“O Enver Hoxha, ndihmë! Mos na pushkatoni pa mbaruar gjyqi”/ Dëshmia e Halil Rrahmanit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Nga Dashnor KALOÇI

“Duke pasur parasysh se faktin se, unë kam shërbyer vetë te Burgu Tiranës, (‘Reparti 313’), si oficer roje, për gjatë gjithë periudhës më shumë se një vjeçare (1982-‘83) që zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, e them me bindje se, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën. Ai ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë, pasi, gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi qenë prezent aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna e torturat që ushtrohej ndaj tyre. Po kështu, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut në atë kohë, kam dëgjuar se, pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar klithma, thirrje dhe ulërima, si p.sh.: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, mos na pushkatoni”, etj., të kësaj natyre. Po kështu, Kadri Hazbiun e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu i Tiranës natën e 10 shtatorit të vitit 1983 dhe kufomën e tij e kanë dërguar më pas te objekti “Komiteti Ekzekutiv” në Linzë, ngjitur me Batalionin e Sigurimit, ku ishin tunelet sekrete që u pushkatuan Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, po në atë vend ku, vite më parë, ishte pushkatuar edhe Beqir Balluku me Petrit Dumen e Hito Çakon”.

Kështu shprehet mes të tjerash 73 vjeçari Halil Rrahmani, me banim në qytetin e Durrësit, ish-oficer i Batalionit të Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘Fjala’ na rrëfen për herë të parë publikisht, disa nga ngjarjet dhe të fshehtat e atij reparti special, ku ai ka shërbyer për dy dekada me radhë në periudhën 1971-1991. Si p.sh.:ndërtimin e disa prej tuneleve dhe objekteve sekrete nëntokësore në qendër të Tiranës, (ku disa prej tyre nuk dihen ende se ekzistojnë aty), objektin “Komiteti Ekzekutiv”, me tunelet sekrete ku u pushkatuan ish-udhëheqësit e lartë të shtetit që u cilësuan “grupe armiqësore”, shërbimin te Burgu i Tiranës apo siç njihet ndryshe te ‘Reparti 113’ në periudhën që aty zhvillohej procesi hetimor e gjyqësor i “Grupit të Kadri Hazbiut”, shërbimet sekrete të një rëndësie të veçantë që kryenin efektivat e zgjedhura të atij reparti, si te thesari i  shtetit, etj., objektin “Ulliri” në Linzë që e siguronte Batalioni i Sigurimit dhe ku përgatiteshin ata që shteti dërgonte jashtë me misione sekrete, (ku jepte leksione Nexhmije Hoxha dhe një nga personat që pas vitit 1990 u bë kryeministër i Shqipërisë), e deri te kontrabanda e cigareve që kryente shteti shqiptar me anë të ‘Repartit ‘100/1’ që ndodhej i dislokuar në Kodrën e Rrashbullit afër Shkozetit në Durrës, ku vetë Halil Rrahmani ishte komandant i saj, nga viti 1985, deri në 1991-in. Për më shumë rreth këtyre, e të tjera ngjarje dhe shërbime speciale nga karriera ushtarake 20 vjeçare në përbërje të atij reparti nga më të rëndësishmit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe shtetit shqiptar gjithashtu, na njeh intervista me z. Rrahmani, e cila do publikohet në disa numra radhazi të gazetës ‘Fjala’.   

                   Vijon nga numri i kaluar

  1. Rrahmani, a ka pasur raste të daljes sekretit, që mund të kenë folur ushtarë të ndryshëm që kryenin ato shërbime?

Në mënyrë kategorike jo, as bëhej fjalë. Jo vetëm për në atë kohë, por nuk di që të ketë folur njeri publikisht as pas viteve ’90-të, kur u ndërruan sistemet politike në Shqipëri.

Kompania e parë dhe e dyta, me se merreshin, pra çfarë detyrash kryenin?

Kompania e parë që ishte koduar si ‘Reparti 329’, apo siç njihej ndryshe “Toga e motorëve”, që ju thashë se ishte e instaluar në qendër të Tiranës, te Bar “Kalaja”, shërbente për të mbuluar me shërbim 24 orësh Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe anekset e saj, Klubin e Ministrisë, Muzeun, Drejtorinë e Burgjeve, etj. Po kështu, ai repart, kishte dhe një togë të motorizuar ushtarësh, (kryesisht me “Java” dhe “Guz”), të cilët ishin të ngarkuar për të lëvizur postën sekrete të Ministrisë së Brendshme, nga ministria, nëpër të gjithë repartet e objektet e saj brenda Tiranës. Kryesisht, atë merrnin postën sekrete nga Ministria e Brendshme, për ta dërguar në ‘Repartin 75’, (një repart Ndërlidhje që ndodhej diku afër ‘Repartit 324’, në kodrat me pyje, pak pa shkuar në fshatin Linzë) dhe anasjelltas. Kurse kompania e II-të ku unë kam qenë komandant toge, përveç stërvitjes që kryente pothuaj gjatë gjithë vitin, merrej kryesisht me punime xheniere, si tunele, vend-komanda, e etj., objekte ushtarake atë karakterit sekret.

Ju personalisht, keni marrë pjesë në këto punime të karakterit sekret?

Po patjetër, sepse ajo ishte detyrë e jona funksionale, pra e kompanisë së II-të. Kështu diku nga fillimi i viti 1972, unë me disa ushtarë të zgjedhur dhe me veshje civile, kemi punuar për disa muaj, në qendër të Tiranës, të “Shtëpia me Gjethe”, e cila është dhe sot aty si objekt muzeal. Te oborri i pjesës së përpara asaj godine, nga ana e rrugës kryesore, pra në hapësirën ndërmjet murit rrethues dhe godinës, ne kemi punuar e ndërtuar disa bodrume të thella, të cilët më pas u betonuan nga “NSHN-10”, siç quhej ndërmarrja që merrej me punimet e ndërtimeve e Ministrisë së Brendshme. Kuptohet që ajo punë që bëhej aty, mbahej sa më larg syve të kalimtarëve, (të cilët nuk lejoheshin të kalonin në atë pjesë të trotuarit), duke vendosur disa llamarina mbi murin rrethues e dheu që nxirrej nga aty, largohej me automjete vetëm natën. Këto dhoma apo bodrume të nëndheshme, komunikonin me një tunel që, dilte nën themelet e asaj godine, duke u lidhur me shkallë, diku në një dhomë të katit të parë të saj. Nuk e di nëse i kanë zbuluar apo jo ato dhoma të nëndheshme pas ndryshimit të destinacionit të asaj godine pas viteve ’90-të, por e sigurt që ato janë aty, gjë të cilën mund ta konfirmojnë si ata ushtarë e civilë që kanë punuar aty në atë kohë me mua, por edhe nga personeli i “Shtëpisë me Gjethe” të asaj kohe.

Përse shërbenin ato bodrume, cili ishte denstinacioni për të cilat u ndërtuan?

Ne nuk na i komunikonte njeri zyrtarisht se përse do të shërbenin ato, por nga bisedat që bënim e morëm vesh se ato ishin dhoma hetuesie, kuptohet për “të pabindurit”, pra për torturua ndaj atyre që arrestoheshin nga Sigurimi i Shtetit.

Në objekte të tjera të kësaj natyre, pra sekrete, a keni punuar?

Diku nga viti 1980, po unë personalisht, me ushtarët e togës sime të Kompanisë së II-të të Batalionit të Sigurimit, kemi ndërtuar një objekt sekret brenda ambienteve të Kompanisë së I-rë (Toga e motorëve), që siç u thashë ndodhej ngjitur me murin rrethues të anës perëndimore të Akademisë së Shkencave, aty ku sot është pazari karakteristik i Tiranës, apo siç është njohur ndryshe, si “Bar Kalaja”. Diku në anën jugore të ambienteve të atij reparti, ne ndërtuam një pus betoni 10 metra të thellë dhe nga aty, një tunel, që dilte poshtë godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kujtoj se aty te ai objekt, që ishte tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë, kemi punuar për rreth një vit, ndoshta dhe më shumë, pasi avanconim jo më shumë se një, apo dy metra në ditë, sepse kishte shembje për shkak të strukturës së tokës, me zallishte. Tuneli beton-arme, ishte 2 m. i lartë dhe 1.5 m. i gjerë. Vështirësinë më të madhe, e kemi hasur poshtë themeleve të godinës së Ministrisë së Brendshme, pasi ato ishin shumë të forta dhe na u desh shumë kohë për të bashkuar tunelin me bodrumet e asaj godine. Rreth dy vjet më vonë, pra diku nga viti 1982, po me ushtarët e dy kompanive të Batalionit të Sigurimit (e II-ta dhe e III-ta), është punuar për disa muaj, për ndërtimin e objektit të nëndheshëm (që ndodhet edhe sot aty, me emrin “Bunk-Art 1”), i cili do të shërbente si vend-strehimi i titullarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në rast lufte. Këto janë objekte ku unë kam punuar personalisht me ushtarët e togës sime, por objekt të tilla, janë ndërtuar përsëri, në periudha kohë të ndryshme.

Si p.sh., ku…?!

Në dijeninë time, në fillimin e viteve ’70-të, është ndërtuar një objekt tepër sekret, që lidhtë godinën e Kryeministrisë dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, me “Pallatin e Brigadave”. Pra një tunel i nëndheshëm prej betoni, që do të shërbente për evakuimin e udhëheqjes së lartë dhe qeverisë, në rast lufte apo në një rast të jashtëzakonshëm. Reparti që e ka ndërtuar atë objekt, ka qenë i dislokuar diku në të majtë poshtë rrugës që të çon te “Pallati i Brigadave”, aty ku dikur kanë qenë vilat e gjermanëve, siç quheshin atëhere. Është folur edhe për objekte të tjera të kësaj natyre, por për këto të tjerat nuk mund t’u them më shumë, pasi s’kam informacione të sakta.

Përveç punës për ndërtimin e objekteve sekrete, cilat janë disa nga detyrat dhe shërbimet special që ka kryer Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Brendshme, ku keni shërbyer ju?

Efektivët e Batalionit të Sigurimit, (‘Reparti 324’), kanë kryer edhe disa detyra dhe shërbime speciale, siç ishin ato në vitin 1975 dhe në vitet 1982-’83, kur u dërguan tek Burgu i Tiranës (‘Reparti 313’ që ndodhet edhe sot afër Gjykatës së Krimeve të Rënda te Rruga “Jordan Misja”), në përforcim të atij reparti, pasi në atë kohë aty zhvillohesh hetuesia dhe gjyqi ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut” dhe “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”.

Çfarë shërbimesh kanë kryer tek Burgu i Tiranës, efektivat e Repartit 324’?

Në atë kohë, pra në vitin 1975, te Burgu i Tiranës zhvillohej procesi hetimor ndaj Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, etj., ish-ushtarakëve të tjerë të lartë të asaj kohe, që u quajtën “Grupi puçist në Ushtri”. Nisur nga kjo, dy toga të Batalionit tonë të Sigurimit, u dërguan në përforcim të shërbimit që bënte ‘Reparti 313’, pra ushtarët dhe policët e atij burgu. Po kështu kjo gjë ndodhi edhe në vitet 1982-‘83, kur në ambientet e atij burgu, zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, ku krahas ish-ministrit të Brendshëm dhe të Mbrojtjes, Hazbiu, aty ishin edhe ish-ministri i Brendshëm Feçor Shehu, ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, ish-Drejtori i Sigurimit dhe Ruajtjes Fizike të udhëheqjes, Llambi Peçini, si dhe funksionarë të tjerë të lartë, zv/ministra e drejtorë drejtorish, si: Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Elham Gjika, Kristofor Martiro, Ali Çeno, e deri te Fiqret Shehu e dy djemtë e saj, Skënderi dhe Bashkimi. Si në 1975-ën, ashtu dhe në vitet 1982-‘83, efektivat e ‘Repartit 324’, ishin të akomoduar brenda ‘Repartit 313’, pra brenda mureve rrethuese të atij burgu, ndërsa shërbimin e kryenin kryesisht, në mjediset e jashtme të atij reparti, (me vend-roje fikse apo me patrullë të lëvizshme), duke filluar përgjatë gjithë Rrugës “Jordan Misja”, te Ndërmarrja e Montimeve Industriale, Instituti i Perim Patates, etj. Pra, krahas shërbimit të brendshëm dhe të jashtëm brenda ambienteve të atij burgu, që e kryenin efektivat e ‘313’-ës, ushtarë, policë dhe civilë, kryhej edhe ky shërbim në një perimetër më të gjerë në disa rrethime.

Lexo edhe :  Plas skandali, okulistja i ngatërron numrin e syve qytetares tek “Iraniani”

Përse gjithë ajo masë sigurie…?!

Nga gjykimi i sotëm, por dhe atëhere s’ishte e vështirë të kuptohej ajo gjë, them se, ato masa sigurie, pra gjithë ato rrethime, jashtë dhe brenda burgut, kishin më shumë karakter psikologjik, për t’i thënë popullit dhe të gjithë atyre që i shikonin ata ushtarë dhe oficerë të armatosur deri me mitraloz të rëndë, se: “Ja këtu, brenda këtij burgu, ndodhen grupet më të rrezikshme armiqësore që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”, për të cilat fliste vazhdimisht Enver Hoxha dhe propaganda zyrtare e atij regjimi. Në këtë kuadër, pra të forcimit të masave mbrojtëse dhe sigurisë të Burgut të Tiranës (‘Reparti 313’) ku mbahej i izoluar dhe zhvillohej hetuesia e “Grupit të Kadri Hazbiut”, përveç efektivave shtesë siç ishim ne të Batalionit të Sigurimit, ishin shtuar shtuar shumë edhe personeli i sigurisë së burgut me ushtarakë dhe civilë që, bënin shërbim 24 orësh në ambientet e brendshme. Kjo gjë, pra shtimi i personelit binte në sy dhe dukej sidomos kur ndërroheshin turnet, (në çdo tetë orë), kur ata linin shërbimin dhe dilnin nga porta kryesore e burgut. Ne i shikonim çdo ditë ata kur hynin e dilnin, pasi bënim shërbim si oficer roje, ku ata linin dhe merrnin armatimin personal (revolverët) aty te zyra jonë. Aq i madh ishte numri i tyre, saqë njerëzit kujtonin se ishin punëtorët e Ndërmarrjes së Instrumenteve Abrazive, që ishte përballë burgut. Madje, disa prej personelit të shërbimit që kryenin detyra delikate në burg, i transportonin me automjetet e Ministrisë së Brendshme, nga burgu në shtëpi dhe anasjelltas, pasi pre-supozohej se, ata mund t’i kapte dhe komprometonte armiku.

Ju personalisht, keni qenë me ushtarët dhe oficerët e ‘324’-ës me shërbim te Burgu Tiranës kur gjykoheshin këto “grupe armiqësore”, që sapo përmendët?

Unë kam qenë komandant i një toge të ushtarëve të Kompanisë së II-të të Batalionit të Sigurimit që bënin shërbim aty në vitet 1982-’83, pasi kishte dhe oficerë të tjerë, kolegë të mi, nga një togë tjetër e Kompanisë së III-të të repartit tonë dhe gjatë gjithë periudhës që ne kemi shërbyer aty me ushtarët e togave tona përkatëse, unë dhe kolegu im oficer, siç u thashë pak më lart, kemi bërë shërbim oficer roje 24 orësh, njësoj si oficerët e ‘Repartit 313’.

Nga dëshmi të ndryshme të bëra publike pas viteve ’90-të, thuhet se; pothuaj të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturave “grupe armiqësore”, pra grupi i Beqir Ballukut në 1975-ën dhe ai i Kadri Hazbiut, në 1982-’83, janë torturuar barbarisht. Keni dijeni ju rreth kësaj?

Edhe unë i kam dëgjuar dhe lexuar këto, pra që ata janë torturuar, por as nuk mund ta konfirmoj dhe as mund ta mohoj këtë gjë, se kur nuk e shikon vetë me sy një gjë të tillë, nuk mund të japësh garanci se ajo ka ndodhur! Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi shërbyer aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna që ushtrohej ndaj tyre. Unë bëja oficer roje aty dhe e kisha detyrë funksionale të shërbimit që të futeshim në ambientet e brendshme të burgut, pra nëpër korridoret e atyre kateve ku ishin qelitë ku mbaheshin të izoluar ato persona që folëm më lart, pra Kadri Hazbiu etj. Por unë, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk jam futur kurrë brenda korridoreve ku ishin qelitë e të dënuarve apo të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, pikërisht nga që nuk duroja dot, të dëgjoja ulërimat e tyre. Por edhe pse nuk futesha brenda, kam dëgjuar nga kolegë të mi me të cilët bisedonim, se Kadri Hazbiu dhe ata të tjerët që konsideroheshin si grupi i tij, janë torturuar jo pak.

Pas viteve ’90-të, apo më saktë këto vitet e fundit, në një intervistë që ka dhënë në një të përditshme ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës të periudhës së regjimit komunist, Rrapi Mino, ka mohuar që ata të jenë torturuar. Madje ai ka shpjeguar, se; ulërimat që dilnin nga qelitë ku mbaheshin të izoluar Kadri Hazbiu e pjesëtarët e tjerë të atij grupi, (si p.sh.: “Mos m’i shkul dhëmbët”, “Mos m’i nxirr sytë”, etj.), ishin të inskenuara nga hetues dhe oficerë të Sigurimit, për efekt psikologjik, që të dëgjoheshin nga ata të dënuar dhe të trembeshin, në mënyrë që të pranonin ato që u kërkonte hetuesia. Pra ato ulërima që thuhej se ishin të Kadri Hazbiut, etj., imitoheshin dhe bëheshin nga vetë hetuesit e njerëzit e Sigurimit që merreshin me atë grup. A keni ju dijeni rreth kësaj?

Siç ju thashë pak më lart, këto as nuk mund t’i konfirmoj dhe as mund t’i mohoj, se nuk di gjë konkretisht, pasi me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, unë nuk futesha në ambientet e brendshme të burgut. Por në gjykimin tim, pra duke pasur parasysh se faktin se unë kam shërbyer vetë atje, e them që në fillim, se ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën dhe ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë. Unë dhe kolegu im komandant toge, përveçse oficer roje, kontrollonim edhe rregullin e brendshëm të ushtarëve tanë, në fjetoren që ishte brenda ambienteve të burgut (sa futeshe te dera kryesore e burgut, ngjitur me zyrën e oficerit të rojës), dhe më pas kontrollonim shërbimin që bëhej jashtë ambienteve të atij burgu, siç thashë deri tek Instituti i Perim Patates, etj. Por, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut, kam dëgjuar, se pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar thirrje dhe ulërima, si p.sh.: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, na falni jetën”, etj., të kësaj natyre. Madje, një prej ushtarëve tanë që ishte zv/komandant toge, ia transmetoi komandës të repartit, ankesën e ushtarëve, se ato thirrje dhe ulërima, po i linin pa gjumë, gjë e cila u krijonte probleme gjatë shërbimit, ku ata do ishin të përgjumur. Dhe përgjigja që iu dha ishte: “Rrini të qetë, se nuk do bërtasin më”!

Nga kush bëheshin ato ulërima dhe sa kanë vazhduar ato?

Nuk dihet konkretisht se nga kush bëheshin ato thirrje dhe ulërima, të cilat kanë vazhduar rreth 24 orë, (pra deri në momentin që ata të katërt u morën dhe u dërguan për pushkatim, në mos gaboj në mesnatën e 10 shtatorit 1983), por thuhej se vinin nga dritaret e qelive të katit të dytë dhe të tretë ku, mbaheshin të izoluar “Grupi i Kadri Hazbiut”, dhe dritaret e tyre, ishin disa metra larg derës së fjetores së ushtarëve tanë.

Gjatë asaj periudhe kohe që keni shërbyer ju te burgu i Tiranës, a pati ndonjë incident me ushtarët tuaj?

Jo, nuk kishte asnjë incident, pasi siç ua thashë në fillim të kësaj interviste, ushtarët e Batalionit të Sigurimit, ishin të përzgjedhur dhe reparti ynë kishte një disiplinë të lartë, që pa e tepruar dhe ekzagjeruar aspak, them se nuk ka pasur repart tjetër në republikë si ai.

Kujtoj vetëm diçka të vogël, që ndodhi pak ditë para se të mbaronte hetuesia e “Grupit të Kadri Hazbiut, kur gjatë lënies së shërbimit në orën 22.00 të natës, teksa një nga skuadrat e Kompanisë së III-të, po bënin zbrazjen e armëve në armaturë, siç ishte rregulli, për t’u futur më pas në fjetore, njërit prej ushtarëve, i shkrepi një fishek, që kishte mbetur në gojën e pistoletës, pas heqjes së krehërit.

Duke qenë natë, krisma u dëgjua shumë dhe aty erdhi menjëherë nënoficeri i rojës, Ali Balla, i cili në bazë të rregullores, e regjistroi ngjarjen në librin e shërbimit dhe të nesërmen, raportoi tek eprorët. Edhe pse u raportua si ngjarje, menduam se do mbyllej me aq, pasi për fat nuk kishte pasur pasoja, por të nesërmen, Komandanti i Komandanturës, na bëri një mbledhje bashkë me ushtarët, lidhur me atë që kishte ndodhur.

Pasi me mjaft dashamirësi na porositi që të kishim kujdes me armët, që në radhë të parë të ruanim jetën e njëri tjetrit, në fund, ai na tha: “Na u ankua mbrëmë dhe Kadri Hazbiu, duke na thënë, mos na vrisni natën, pa na nxjerrë akoma në gjyq”. Ky ishte incidenti i parë dhe i fundit që ndodhi me ushtarët tanë aty, gjatë asaj kohe, që kryenim shërbim në ambientet e atij burgu.

Pas viteve ’90-të, është folur në shtyp se, gjatë asaj periudhe që zhvillohej procesi hetimor ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Kadri Hazbiut”, aty vinte dhe ministri Hekuran Isai, madje merrte pjesë personalisht në hetime dhe torturat që ushtroheshin ndaj Kadri Hazbiut, etj. Keni dijeni rreth kësaj?

Është shumë e vërtetë se gjatë asaj periudhe kohe aty vinte ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai, në çdo kohë, si ditën, ashtu dhe natën, pasi ndalesën e parë ai e bënte te zyra e oficerit të rojës ku ishim ne, ku linte sipas rregullit, dorëzonte dhe armën personale, (revolverin) dhe ne i paraqiteshim, sipas rregullit.

Pasi shkëmbente ndonjë fjalë me ne, si jeni si shkoni, ça problemesh keni, etj., ai vazhdonte brenda, pra hynte në ambientet e brendshme të burgut, ku ishte dhe hetuesia, ku ne nuk dinim gjë se ç’ndodhte. Pra, unë nuk mund të konfirmoj dot nëse ai, ka ushtruar apo jo dhunë ai ndaj Kadri Hazbiut, e të tjerëve që mbaheshin të izoluar aty gjatë procesit hetimor. Por për hir të së vërtetës, edhe ne i kemi dëgjuar këto, pra që ai ka ushtruar dhunë personalisht ndaj tyre, si atëhere, por edhe pas viteve ’90-të.

Vijon numrin e ardhshëm

 

Të fundit

“Plas lufta” në burgjet e Ekuadorit/ Shkaktohen trazira, qindra të vrarë në pak kohë

Ky lajm u njoftua nga qeveria, ku zëvendësministri i sigurisë Lyonel Calderon tha se numri ishte i përkohshëm, pasi...

VIDEO/ Çmenduria në Tiranë, hyn kundravajtje, dhunon shoferin tjetër që s’i hapte rrugën

TIRANË – Një sherr ka ndodhur ditën e djeshme në në rrugën “Teodor Keko” në lagjen Astir, ku një shofer i cili kishte hyrë kundravajtje,...

Arrestimi i ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë/ Zbardhet skema: Si u fituan 11 tendera…

Gazetarja Anila Hoxha, në një lidhje direkte për “Top Story” ka shpjeguar sesi u abuzua me 11 tendera të fituara nga kompania që ish-drejtorët...

Upss kaq ishte! Ndahet çifti i ‘Për’puthen’ Saide dhe Gerti

Gerti dhe Saide, në Ditën e të Dashuruarëve u deklaruan për njëri-tjetrin në emisionin ‘Për’puthen’. Nga disa kërkime të bëra në redaksinë tonë, kemi vënë...

Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 Korriku, ja sa do të jetë shtesa

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga mesatare mujore bruto në sektorin...

Lajme të tjera

Web TV