Grupi i Rithemelimit i drejtuar nga Sali Berisha ka përjashtuar thuajse çdo mundësi që kandidatët e primareve të “certifikohen” me vulën e PD-së që mbahet nga Enkelejd Alibeaj. Tashmë është thuajse zyrtare që kandidatët e Berishës do të dalin nën koalicionin “Shtëpia e Lirisë”.
Grupimit të Rithemelimit që përfaqësohet nga Sali Berisha, iu hoq mundësia që të regjistroheshin si përfaqësues zyrtar të PD-së në zgjedhje dhe tashmë është vendosur që të përdoret e njëta formë zi në zgjedhjet e pjeshme lokale të 6 marsit 2022, ku u fut në koalicion me Partinë e Lirisë, nën koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Ditën e djeshme edhe pse ka pasur një “ofertë” nga Grupimi Basha për tu ofruar vulën dhe kandidatët e Primareve të Berishës të dalin me logon e PD-së, kjo mundësi nuk është pranuar. I pyetur në lidhje me kërkesën e dorëzuar në KQZ nga grupi i Alibeajt, për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit, Berisha tha: “Pengjet janë pengje, zbatojnë vetëm urdhra të pengmarrësit, nuk ekziston fraksion, por fraksioni i pengjeve të Ramës, që përbëhet nga Lul Brava dhe AliBasha. PD është një e vetëm një, ajo e anëtarësisë, ajo që ka mbështetje masive nga qytetarët, ajo që ka vendimin e gjykatës së Faktit për regjistrimin e nuk mund të goditet me asnjë mjet tjetër. Do jenë të mjerë ata që do vazhdojnë si Don Kishotër betejën me këtë forcë që ka për frymëzim lirinë”-tha ai. Sipas tij, PD përmes forumeve të saj, u dha përgjigje më të vendosur dhe më shkatërrimtare projekteve të Edi Ramës, të cilat synonin largimin e PD nga zgjedhjet, për shkatërrimin e kësaj partie. “Gjykoj dhe vlerësoj se përballë këtyre akteve primitive hakmarrëse, antidemokratike, forumet e partisë reaguan në mënyrën më të vendosur, reaguan në mënyrën më demokratike dhe më kushtetuese. Në radhët e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në qendër dhe bazë, shtabeve elektorale të kandidatëve tanë, ka një gjallërim të paparë. Mbështetja për PD-në pas këtyre akteve të turpshme dhe primitive, të cilat kanë synim çelikosjen apo konsolidimin e monizmit të kufomës politike Edi Rama, dështoi tërësisht. Përkundrazi, nxitën një energjizim të madh, një frymëzim të madh të atyre që shndërruan PD-në në parti të vërtetë opozitare, të atyre që besojnë se Shqipëria duhet të ketë pluralizëm”-tha Berisha. Po ashtu edhe deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, i cili është po ashtu anëtar i grupimit të Sali Berishës, me anë të një postimi në Facebook ka ka analizuar vendimin e gjykatës së Apelit, që ia la në dorë vulën e PD-së, Enkelejd Alibeajt. Shehu shkroi se është krejt normale që Berisha doli me koalicion me partitë opozitare, që sipas tij është fenomen normal. “Nuk e njoh Alibeajn, ai është patericë e Ramës. Kjo është e sigurt. Ashtu si Basha që nuk është asgjë. Do dalim në zgjedhje me një koalicion, këtu s’ka asgjë të jashtëzakonshme, por kemi dalë dhe herë të tjera. Koalicioni ka siglën e tij. Ne historikisht, nuk është e çuditshme, PD në zgjedhjet lokale ka dalë me koalicion. Disa gjëra janë futur në një spirale të parregullt. Do kërkohet të zgjidhen me veprime ligjore, e para duke apeluar. Nuk është gjykatësi që vendos se kush është PD. Isha i bindur se do të ndodhte këtu, se Rama përmes patericave të tij, do të mbajë në një gjendje amullie opozitën. Kjo do kalohet me elementin legal që është koalicioni dhe apelimi. Rezultati në zgjedhje do të jetë i mirë disi. Në qarkun e Gjirokastrës paraqitemi mjaft mirë. Kemi unison të anëtarëve të PD-së, përveç dy-tre vetave. Ndaj i ftoj miqësisht që të jemi bashkë”, shkroi ai. Tashmë po qartësohet gjithçka dhe Berishës i ka mbetur Partia e Lirisë e Ilir Metës që në një lloj forme i ka dhënë “vulën” me dëshirë që të kenë një rezultat sa më të mirë në zgjedhjet lokale. Mirëpo Berisha nuk është aq i qetë për aleatët e tjerë politik. Përveç Metës si aleat të zyrtarizuar ka vetëm PBDNJ-në e Vangjel Dules. Ndërsa forcat politike tradicionale si aleate të PD-së, si Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar apo Parta Agrare Ambientaliste jo vetëm nuk janë afruar pranë Berishës, por duket se do të bëjnë një koalicion më vete.
Berishën e “njeh” një ambasador
Ish-kryeministri Sali Berisha është takuar dje me ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Lorent Balla, ku e ka informuar mbi zhvillimet e fundit politike. Berisha thotë se e ka e informuar Ambasadorin mbi atë që ai e quan “farsën e procesit gjyqësor të pashembullt në historinë e Shqipërisë, me të cilin Edi Rama kërkon t’u imponojë qytetarëve në mënyrën më antidemokratike se nga kush duhet të përfaqësohen si opozitë”. Sipas Berishës, ky proces është për shkak të presionit që Rama ka ushtruar mbi pavarësinë e gjyqësorit. Por lideri i PD u shpreh i vendosur se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit. “Pavarësisht këtij konteksti i cili është në vijim të një serie aksionesh që kanë si qëllim asgjësimin e pluralizmit politik në vend, ashtu siç u dëshmua nga skandali McGonigal, e sigurova Ambasadorin mbi pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në procesin zgjedhor të 14 majit, duke i garantuar se PD mbetet e angazhuar ndaj parimeve më të mira të garave elektorale, në respekt të votës së lirë dhe demokracisë qytetare”, shkruan ndër të tjera Berisha.