Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është arrestuar me urdhër të SPAK. Në media po qarkullon një lajm se kryebashkiaku Alla është arrestuar pasi akuzohet për korrupsion dhe se ka kryer abuzime me tenderat publike gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Bulqizës.
Arrestimi i Allës vjen dy muaj para zhvillimit të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 14 maj.
Kjo nuk është hera e parë që Alla përballet me institucionet e drejtësisë, pasi pak vite më parë PD e akuzoi për konsum kokainë në një lokal, ku shfaqi edhe një video si provë.
Por vetë Alla hodhi poshtë akuzat dhe tha se ajo është montazh. Ndërkohë nga përgjigjet e analizave të kryera pranë laboratorit të policisë shkencore rezultoi se nuk ishte konsumues i lëndëve narkotike.