Përse falimentoi Silicon Valley Bank?/Shkaqet dhe masat për të shmangur një kolaps bankar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shkaqet, pasojat dhe masat për të shmangur një kolaps bankar të ngjashëm me atë të vitit 2008.

Nga Adrian CIVICI

Flluska e parë spekulative e ekonomisë dixhitale

Pikërisht, 23 vjet më parë shpërtheu flluska e parë spekulative e ekonomisë dixhitale. Rrëzimi i Nasdaq erdhi shpejt dhe i dhunshëm në mars të vitit 2000, bursa e aksioneve të teknologjisë u përfshi në panik pas vitesh rritjesh të eksponenciale. Euforia dhe përplasjet, flluskat dhe përplasjet, bum-dhe-bushet, janë në ADN-në e Silicon Valley. Djepi i revolucioneve teknologjike mishëron vizionin e kapitalizmit të përcaktuar nga ekonomisti austriak Joseph Schumpeter: “Shkatërrimi krijues”. Inovacioni mbin mbi rrënojat e dështimeve.

“Flluska e internetit” shpërtheu në vitin 2000. Shumica e ndërmarrjeve teknologjike kishin tregues të mirë të ecurisë së biznesit, por bankat dhe investitorët e tjerë në vlerësimet dhe parashikimet e tyre duket se e kishin ekzagjeruar rëndësinë e “zhvillimit afat-gjatë” duke neglizhuar faktin se disa kompani e konsumonin mjaft shpejt kapitalin e tyre duke vënë në pikëpyetje zhvillimin e tyre të ekuilibruar në periudha afat-mesme e afat-gjata.

Përveç kësaj, nën presionin e ngritjes së normave të interesit të bonove të thesarit të qeverisë amerikane, të cilat pas një tendence të qëndrueshme uljeje në periudhën 1996-1999, në të cilën përqindja e interesit u ul nga 7 në 4.2%, filluan përsëri të ngrihen duke arritur në 6.8% në fillim të vitit 2000. Kjo bëri që një pjesë e madhe e kapitaleve të orientoheshin drejt bonove të thesarit “duke lënë në të thatë kompanitë informatike” që ishin në nevojë të vazhdueshme për investime apo kredi të reja që të funksiononin normalisht, ndërkohë që nuk po ofronin të njëjtin marzh fitimi për kapitalet e investuara në to.

Në mars të vitit 2000 flluska e internetit ose « dot-com bubble » shpërtheu duke prekur rëndë bursën dhe provokuar një recesion ekonomik të konsiderueshëm jo vetëm të sektorit dot.com por edhe të gjithë ekonomisë dhe financave botërore në tërësi. I gjithë fitimi prej 145 miliardë dollarësh i realizuar nga 4300 shoqëri të kuotuara në Nasdaq në periudhën 1995-1999, në vitet në vijim 2000-2001 u shndërrua në një humbje gjigante prej 148 miliardë dollarësh. Viti 2000 është pika kulminante e kësaj frenezie gjatë së cilës shpresat tek “mrekullia internet” bënë që një gjeneratë e tërë të besonte se mund të pasurohej thjesht dhe shpejt vetëm duke ristrukturuar rregullat dhe mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve dhe biznesit.

Operatorët më të rëndësishëm të këtij tregu u gjendën të dobësuar financiarisht si pasojë e borxheve dhe kredive të shumta që kishin marrë vitet e fundit kur ishin në kulmin e ekspansionit të tyre, si pasojë e investimeve të mëdha që kishin realizuar në blerjen e shoqërive bija nëpër vende të ndryshme të botës, si pasojë e blerjes së licencave për rrjetet mobile të gjeneratës së tretë 3G. Një pjesë e këtyre operatorëve, sidomos ata që administronin rrjetet optike konstatuan se kishin mjaft kapacitetet të lira të cilat nuk kishte kush ti shfrytëzonte. Nën efektin e “tharjes së tregjeve të kapitaleve”, shumë nga operatorët e sektorit u deklaruan në vështirësi të mëdha financiare, pranuan daljen nga tregu dhe u blenë nga kompani të tjera më të fuqishme, shpesh edhe jashtë sektorit, apo shpallën falimentimin duke kërkuar mbrojtje në përputhje me ligjin amerikan të falimentimit.

Në krizën aktuale, shtohet një tjetër përbërës i Silicon Valley: “një sektor i ri i menaxhuar dhe frymëzuar nga të rinj brilantë, optimistë e euforikë”, të bindur se “kujtesa historike është e padobishme”. “Kësaj radhe është ndryshe …historia e botës dhe në vecanti e asaj teknollogjike e financiare fillon tani”. Ata nuk e panë reagimin e pashmangshëm me një kthim në normalitet që vinte pas pandemisë në të cilën ne ishim skllevër të platformave dixhitale dhe frynim fitimet e tyre. Edhe më pak e vlerësuan se çfarë është një krizë bankare klasike, shumë tradicionale që dukej ja shumë larg në horizont.

Pikërisht në këto momente ishte e nevojshme “ndihma e kujtesës historike”. Kur inflacioni rritet sërish, bankat qendrore duhet të rrisin normat e interesit për ta luftuar atë. Lamtumirë parave që kushtojnë lirë dhe ndihmuan në financimin e projekteve të guximshme të bizneseve fillestare me kapital sipërmarrës. Me rritjen e normave të interesit, diçka jo fort e pëlqyeshme për bankat dhe tregjet monetare, ndodh automatikisht: letrat me vlerë ose bondet e thesarit me të ardhura të ulta por fikse e të sigurta, humbasin vlerën sepse në treg vijnë letra me vlerë të reja me yield-e më të larta. Ky është një rregull i thjeshtë por i pamëshirshëm, që vlen edhe për investimet e sigurta, bonot e thesarit të SHBA.

Cfarë ndodhi me Silicon Valley Bank?

Silicon Valley Bank kishte një klientelë biznesesh të reja teknologjike dhe u dha atyre masivisht kredi. Kur goditi kriza e Big Tech në vitin 2000, disa nga investimet e saj u tronditën rëndë. Por investimet e tjera ishin të sigurta. Ndryshe nga banka Lehman Brodhers në vitin 2008, Banka e Silicon Valley nuk ka investuar në “financat toksike”, në instrumente të dyshimta financiare me risk të lartë. Asetet e saj ishin plot me bonde thesari të qeverisë amerikane. Megjithatë, një obligacion thesari i emetuar vite më parë kur yield-et ishin në një për qind, sot vlen më pak, pasi vetë Thesari i SHBA paguan interes shumë më të lartë.

Nëse një bankë jeton në një situatë të qetë, ajo mund të presë që obligacionet të arrijnë maturimin e tyre natyror dhe Thesari do t’i rimbursojë ato në vlerën e tyre zyrtare. Nëse detyrohet t’i shesë ato paraprakisht për të mbledhur para, ajo humbet. Këtu është mekanizmi i parëndësishëm i kësaj krize. Së pari, mes klientëve të Silicon Valley Bank përhapet fjala se institucioni është në telashe. Të gjithë nxitojnë për të zbrazur llogaritë rrjedhëse. Por asnjë bankë nuk ka mjaftueshëm likuiditet që të mund të përballet me një “vrapim masiv të klientëve depozitues të saj në gjithë degët e bankës”.
Në këto kushte, banka duhet të shesë aksione dhe kur kjo gjë nuk shkon si duhet dhe me cmimet e parashikuara, kjo e përkeqëson gjendjen financiare të bankës, vec të tjerave, edhe në sytë e klientëve të saj. Bankat e mëdha të Wall Street janë më të fuqishme, sepse ato janë subjekt i kërkesave më të rrepta të Fed, mbi të gjitha, si rezultat i krizës financiare së vitit 2008 dhe mësimeve që dolën prej saj.

Në situatën aktuale, frika nga infektimi zinxhir i gjithë sistemit bankar, ka të bëjë kryesisht me bankat e mesme, si Silicon Valley Bank, e cila renditet në vendin e 16-ta në SHBA. Edhe banka të tjera të këtij niveli duket se po përballen me të njëjtin problem : ato janë ulur në një mal me letra me vlerë që mund të jenë “të mira”, por të zhvlerësuara.
Ndërhyrja e Presidentit Joe Biden, Sekretares së Thesarit, Janet Yellen dhe Presidentit të Rezervës Federale, Jerome Powell, ishte e shpejtë dhe e fuqishme, pasi ata e kuptuan rrezikun e infektimeve zinxhir në sektorin bankar. Fed ka mundësi e kompetenca të mëdha për të rivendosur qetësinë në sektorin bankar e financiar. Çdo bankë qendrore është një “huadhënës i mundësisë së fundit” me detyrë “stabilizimin e sistemit të kredisë”, por Fed, ka edhe një prerogativë më shumë: mund të printojë më shumë dollarë meqenëse kjo monedhë ka një status special, është monedhë ndërkombëtare e pranuar botërisht.
Por, nga ana tjetër, në emër të përkushtimit për të ruajtur stabilitetin bankar, Fed, por dhe shumë banka të tjera qëndrore në këto momente, këto banka mund të detyrohen të frenojnë objektivin e tyre aktual, luftën kundër inflacionit. Kjo është dilema e vështirë për shumë banka qëndrore në këto momente.
Situata komplikohet edhe nga qëndrimet e kundërta dhe polemikat politike ndërmjet republikanëve dhe demokratëve. Demokratët akuzojnë ish Presidentin Donald Trump se ka lehtësuar disa rregulla prudenciale të miratuara në vitin 2008, duke përjashtuar pikërisht ato banka të mesme të vogla që tani janë në sy të stuhisë. Republikanët akozojnë Presidentin Biden se po tenton të shpëtojë klientët e Bankës Silicon Valley me shpenzimet e taksapaguesve amerikanë, madje edhe klientët shumë të pasur (me depozita shumë përtej kufirit të siguruar prej 250,000 dollarësh).

Investime të gabuara apo efekte të politikës monetare?

Silicon Valley Bank është një institucion bankar në Kaliforni i themeluar në Santa Clara në vitin 1983, duke u bërë shpejt banka e preferuar për kompanitë teknologjike dhe “venture capital” (Kapitali sipërmarrës është para e investuar në startup-e ose biznese të vogla me potencial të lartë rritjeje. Këto investime shpesh, por jo gjithmonë, vijnë në fillimet e një kompanie, përpara se biznesi të ketë një produkt të përfunduar ose të ardhura domethënëse.

Në mënyrë tipike, investimet bëhen nga firma që janë të specializuara në gjetjen e kompanive të reja premtuese. SVB u rrit me shpejtësi, falë bumit të sektorit, dhe në vitin 2021 menaxhoi rreth gjysmën e të gjitha fondeve të përdorura për financimin e startup-eve. Por këtu shfaqet dhe dobësia e parë e SVB : një lloj klienti i vetëm, një sektor i vetëm, një zonë e limituar gjeografike.

Dobësia e dytë lidhet me vetë natyrën e SVB. Në thelb, tradicionalisht, bankat duhet të përdorin paratë e depozituara në llogaritë e klientëve të tyre. Një bankë tradicionale më së shumti i përdor ato para për të dhënë kredi për klientët e saj, por modeli i financimit të startup-eve mbështetet në kapitalin sipërmarrës, jo në kredinë bankare. Një “startup bank”, duke mos ditur se çfarë të bëjë me likuiditetin e mbledhur, investon kryesisht në obligacionet e qeverisë. Në fund të vitit 2022, Silicon Valley Bank kishte rreth 100 miliardë dollarë në obligacione qeveritare në asetet e saj. Kjo ishte mëse normale deri në momentin që Fed – banka qendrore e SHBA – nuk fillon një politikë monetare shtrënguese anti inflacioniste që con në rritjen e normave bazë të interesit për dollarin.
Kur normat e interesit janë të ulëta, zero, ose dhe negative në raste specifike, një dollar sot është po aq i vlefshëm sa një dollar pas pesë apo dhjetë vitesh. Një perspektivë ideale për një model biznesi që mbështetet në fitimet e ardhshme, duke toleruar edhe humbje të mëdha në të tashmen. Por, me fillimin e shtrëngimit monetar të Fed, startup-et pësuan një tronditje: një dollar sot ishte më i vlefshëm se një dollar në vitet e ardhshme dhe investimet e vlerësimet e kapitalit sipërmarrës ranë ndjeshëm.

Lexo edhe :  Fashat e reja/ Rritet çmimi i energjisë për furrat e bukës që janë pastiçeri dhe bar-kafe

Klientët e Silicon Valley Bank, kryesisht startup-s dhe kompani të tjera teknologjike, filluan të kishin nevojë për më shumë para gjatë vitit të kaluar. Financimi i kapitalit sipërmarrës po mbaronte. Kompanitë nuk ishin në gjendje të siguronin fonde shtesë për bizneset jofitimprurëse dhe kështu duhej të merrnin fondet ekzistuese në llogaritë e tyre, shpesh të depozituara në SVB, e cila ndodhej pikërisht në qendër të universit të startup-eve të teknologjisë. Dhe Silicon Valley Bank, me një bazë kaq të specializuar klientësh, e gjeti veten përballë tërheqjeve gjithnjë e më të shpeshta.
Klientët e Silicon Valley Bank nisën tërheqjen e depozitave të tyre duke bërë që banka të shiste disa nga aktivet e saj kryesore për të përmbushur kërkesat gjithnjë në rritje për tërheqje. Fenomeni quhet bank run. Kjo ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën: kur një bankë perceptohet si e rrezikshme, klientët shkojnë masivisht për të kërkuar kthimin e parave të depozituara.

Këtyre tërheqjeve masive ju shtohet edhe efekti i rritjes së normës së interesit në aktivet e SVB. Ndërsa shumica e bankave paguajnë interes për depozitat kur normat e interesit rriten, ato gjithashtu marrin përqindje më të larta interesi për kreditë. Por, Silicon Valley Bank mbante kredi dhe obligacione qeveritare me afat të gjatë dhe kostoja e pagesës së interesave për depozitat ishte rritur më shumë se kthimi që mund të merrte nga obligacionet : në thelb SVB u gjend në një dinamikë negative duke humbur shumë nga të fitimet e saj.

Në kushte e situata “normale”, SVB mund të priste që obligacionet qeveritare të maturoheshin natyrshëm, por ndërkohë, startup-et filluan të tërhiqnin masivisht depozitat e tyre duke e vënë SVB në një vështirësi serioze likuiditeti. Episodi që shkaktoi krizën e besimit në ditët e fundit kishte të bënte me vendimin e SVB për të shitur një pjesë të konsiderueshme të obligacioneve që ajo zotëronte.
Por shitja e tyre rezultoi një katastrofë për SVB, pasi një pjesë e obligacioneve u shitën me cmime shumë të ulta dhe me humbje, sepse kur rriten normat e interesit, çmimet e bondeve të thesarit bien. Më 8 mars 2023, SVB Financial Group, një nga degët e bankës, kishte shpallur shitjen e letrave me vlerë për 21 miliardë dollarë, duke pritur një humbje prej rreth 2 miliardë dollarësh. Banka shpresonte se kjo do të rivendoste në ekuilibër bilancet e saj, por njoftimi i humbjeve kishte frikësuar shumë klientët dhe investitorët, duke shkaktuar një valë të madhe tërheqjesh nga mbajtësit e llogarive.
Njoftimi i humbjeve mbolli panik, gjë që bëri që klientët e bankës të kërkonin me urgjencë tërheqjen e depozitave apo kapitaleve të tyre të investuara në SVB. Deri në fund të ditës së enjtes, 9 mars 2023, nga SVB kishin dalë mbi 42 miliardë dollarë depozita.

Ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përhapjen e krizës
Autoritetet federale, për të shmangur efektin ortek në sistemin bankar, ndërhynë me shpejtësi, specifikisht për zotëruesit e llogarive rrjedhëseapo atyre me afat më të gjatëmaturimi. Thesari amerikan, nëpërmjet një fondi ndërbankar, ka marrë përsipër të garantojë të gjithë shumën e depozitave të SVB, një tjetër institucion i mbyllur nga qeveria e SHBA për situata të ngjashme me SVB. Garancitë që shkojnë shumë përtej 250,000 dollarëve të parashikuara nga ligji për sigurimin e depozitave, u garantuan se do të paguheshin nga ky fond special shpëtimi. Ndërkohë, aksionarët, ndryshe nga mbajtësit e llogarive, do të humbasin investimet e tyre. Ndërkohë, Agjencia Federale e Sigurimit të Depozitave vazhdon të shesë asetet e Svb.
Pas falimentimit të SVB, qeveria amerikane, në përpjekje për të shmangur probleme të mëtejshme për sistemin bankar dhe për të parandaluar që vështirësitë e një banke shtrihen edhe tek të tjerat, mbylli në 12 mars një bankë tjetër, Signature Bank, duke njoftuar gjithashtu se do të garantojë të gjithë mbajtësit e llogarive edhe të Signature Bank dhe se do të ngrejë sisteme të reja për të ndihmuar bankat në vështirësi. Në SHBA i frikësohen faktit, se nëse edhe Signature Bank do të falimentonte siç sapo kishte ndodhur SVB, falimentimi i dy bankave rajonale (d.m.th. jo të mëdha, por të rëndësishme për territorin e tyre) mund të shkaktonte një reaksion zinxhir që do të kishte vënë në vështirësi të gjithë sistemin bankar amerikan.

Rezerva Federale ka ndërmarrë disa veprime për të rivendosur besimin në sistemin bankar, duke vënë në dispozicion 25 miliardë dollarë për një program të ri kredie të rezervuar për bankat në vështirësi. Masa shërben për të shmangur shitjet e nxituara të letrave me vlerë, të cilat, si në rastin e SVB, krijojnë mungesë kapitali.
Mbetet për t’u parë nëse Fed do të ngadalësojë rritmin e rritjes së normës së interesit dhe vazhdimin e politikës monetare shtrënguese, një balancë rreziqesh, midis inflacionit dhe stabilitetit financiar e rritjes ekonomike, që duket se Fed do ta ketë në konsideratë në vendim-marrjen e saj të ardhshme. Rasti i SVB dëshmoi se, pavarësisht nga veprimet me politikën monetare në emër të luftës kundër inflacionit, rritja e normave bazë të interesit ka edhe efekte anësore negative.

Çfarë pritet të ndodhë?

Për momentin, analistët dhe ekspertët e tregjeve monetare e financiare nuk presin ndonjë goditje të madhe në sektorin bankar në përgjithësi. Mund të ketë disa turbulenca ose çështje paqëndrueshmërie të shkaktuara nga ky dështim, siç është edhe rënia që tregu i kriptomonedhave përjetoi në ditët e fundit.
Por gjithsesi, sektori bankar tashmë ka shfaqur shenja qetësimi e rimëkëmbjeje. Banka e Silicon Valley ishte një bankë e me peshë e reputacion, por kishte një veçanti: ishte banka e botës së teknologjisë dhe kompanive startup të mbështetura nga Venture Capital. Ajo gjithmonë ka punuar shumë me një sektor ekonomik të goditur rëndë vitin e fundit. Bankat e tjera janë më të larmishme si në aspektin e klientëve ashtu edhe nga pikëpamja gjeografike. Megjithatë, efektet ekonomike të dëmshme nuk përjashtohen, veçanërisht në botën e start-up-eve dhe teknologjisë.
Megjithatë, kolapsi i Silycon Valley Bank, po trondit tregjet e aksioneve në të gjithë botën. Gjithçka u ndodhi në mes të një mungese kontrolli nga autoritetet përkatëse, siç ndodhi me krizën bankare e financiare të vitit 2008. Megjithatë, në Evropë, sipas komisionerit europian të ekonomisë, Paolo Gentiloni: “Të gjitha bankat evropiane, jo vetëm më të mëdhatë, por edhe ato më të voglat, po zbatojnë standartet e kujdesit të Bazelit, kështu që nuk ka asnjë infektim të drejtpërdrejtë. Mundësia e një ndikimi indirekt është diçka që duhet ta monitorojmë, por ne aktualisht nuk e konsideroni këtë një rrezik të rëndësishëm.” Në Eurozonë, institucionet bankare të mbikqyrura nga Banka Qëndrore Europiane (BQE), duhet të respektojnë parametra më të rreptë përsa i përket kapitalit dhe likuiditetit, në mënyrë që të kenë kapital dhe rezerva të mjaftueshme për të mbuluar humbjet (i ashtuquajturi likuiditet i tepërt arrin në rreth 3 trilion euro).
Në SHBA, egzistojnë kontrolle më të lehta për bankat më të vogla. Këta kufij, të vendosur në traktatin Basel 3, në Shtetet e Bashkuara zbatohen kryesisht për bankat e mëdha, ato të përcaktuara si “shumë të mëdha për të falimentuar”, sepse kolapsi i tyre do të kishte pasoja në të gjithë ekonominë amerikane, por edhe më gjerë, në atë botërore. Në vitin 2018, dhjetë vite pas rënies së bankës Lehman Brothers, SHBA e zgjeroi spektrin e lehtësime, duke lejuar shumë institucione bankare të vogla e rajonale që të veprojnë me më pak kontroll.

Por, në rastin e SVB, Shtëpia e Bardhë, përmes deklaratës së Presidentit Biden, ndërhyri për të qetësuar investitorët: “Unë do t’i kërkoj Kongresit dhe rregullatorëve bankarë të forcojnë rregullat për bankat për të bërë më pak gjasa që ky lloj dështimi e falimentimi të përsëritet dhe për të mbrojtur vendet e punës dhe bizneset e vogla amerikane”.
Megjithatë, tregjet nuk kanë akoma besimin e duhur. Nga Berlini në Milano, nga Londra në Nju Jork, investitorët kanë frikë nga pasojat e mundshme. Bursat kryesore vazhdojnë të jenë të tronditura.

Të fundit

Kryemadhi përplaset me Metën: Meritokracia ka rëndësi, jo servilizmi

Deputetja e Partisë së Lirisë në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Partisë së PL-së, Monika Kryemadhi i është përgjigjur...

E diela dita më e ftohtë e javës, ja sa do të shënojë termometri

Ditën e shtunë pritet përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike. Moti parashikohet të jetë i kthjellët deri në orët e pasdites më pas shtim...

Nga Meta e Monika, te Besi me Xhensilën dhe Elvana, si SPAK po “ndan” çiftet VIP

Me hetimet e tij, SPAK-u po kthehet në një nga arsyet kryesore të divorceve në radhët e “VIP-ave”, në të gjitha fushat e mundshme,...

Metën e kemi parë majë hekurave, sepse po i vijnë hekurat!

Nga Spartak Ngjela Goditja antikorrupsion për të korrupuarit e mëdhenj është tragjedia e tyre sot në Shqipëri. Por, më i akuzuari, Ilir Meta, po paraqet një...

Nis mbledhja e KDK, çfarë kërkoi Kryemadhi? Meta: Ti plotësohet çdo kërkesë

Ka nisur me batuta mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, ajo që tërhoqi vëmendje ishin batutat mes kreut të PL, Ilir...

Lajme të tjera

Web TV