Letra për Enverin: “Vajza e atasheut polak, është imorale, bën gjeste dhe qëndron në bankë në pozicion provokuese ndaj nxënësev, prandaj e përjashtuam nga shkolla, ndërsa gruaja hungareze e Dr. Kosta Nano, thotë se: Enveri dhe Mehmet janë injorantë, kurse Hrushovi e Tito, janë burra shteti.
Nga Dashnor Kaloçi
“Një veprimtari jo më pak armiqësore, është duke zhvilluar vajza e atasheut tregtar polak, e cila vazhdon klasën e X-të në gjimnazin e ri “Sami Frashëri”. E përmëndura, propagandon në favor të revizionizmit dhe godet direkt vijën ekonomike dhe politike që ndjek e zbaton Partia jonë. Ajo thotë: “Po të ndiqni rrugën kineze, kurrë nuk keni për të ndërtuar socializmin”. Eshtë vërtetuar, të ketë shpënë revista me artisë dhe artiste të huaja dekadente, bën gjeste imoraliteti e propagandon kudo, duke folur për dashuritë dhe mbrëmjet që frekuenton ajo me përfaqësues të ambasdadeve Jugosllave, Egjyptjane, etj. Jo pa qëllim ajo, qëndron në bankë në pozicion provokues, ndaj nxënësve dhe ju u thotë se; jam revizioniste. etj. Këto ditë u përjashtua fare nga shkolla”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që mban datën 4 shkurt të vitit 1963, ku nëpërmjet një raport-informacioni, ish-sekretari i parë i Komitetit të Partisë të qytetit të Tiranës, Rrapo Dervishi, informon Komitetin Qendrpr të PPSh-së, lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të disa shtetaseve të huaja, kryesisht vajza dhe gra të familjeve të trupit diplomatic që asokohe ishin të akredituar në Tiranë, apo dhe gra të huaja që ishin të martuaara me shqiptarë dhe banonin në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Postulati i famshëm i ish-kreut të Partisë Komuniste Bolshevike, Vladimir Iliç Leninit se: “Çdo komunist është një çekist”, duket që ka gjetur zbatim sa më mirë me komunistët e organizatës bazë të partisë të Lagjes Nr. 5 në qytetin e Tiranës, në vitin 1963, të cilët në mënyrë vullnetare, kanë bërë detyrën e punonjësve të Sigurimit të Shtetit, duke ndjekur, survejuar, e mbledhur të dhëna për disa shtetase të huaja që ishin asokohe në Tiranë. Kjo gjë del dhe bëhet e qartë edhe nga raport-informacion në fjalë i ish-sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së qytetit të Tiranës, Rrapo Dervishi, (njëkohësisht kandidat i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së), dërguar Rita Markos, i cili në atë periudhë kohe, mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, për organet e “Diktaturës së Proletariatit”, si: Ministria e Punëve të Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes Popullore, Gjykatët, Prokurorinë, Hetuesinë, etj.
Në raport-informacionin në fjalë, nga komunistët e asaj organizatë bazë, janë mbledhur një sërë të dhënash, “për veprimtarinë armiqësore”, që zhvillonin disa shtetase të huaja, vajza dhe gra, kryesisht polake, hungareze etj., të cilat ishin pjesë e familjeve të trupit diplomatik të akredituara asokohe në Shqipëri. Si p.sh., vajza e atasheut tregtar polak, (nxënëse te gjimnazi “Sami Frashëri”), apo që ishin martuar me shqiptarë, si p.sh. agronomja hungareze, Edi Çeliku, punonjëse në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit të Tiranës dhe Kloreta Nano, bashkëshortja e doktor Kosta Nanos, asokohe mjek në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë (të ilustruar me faksimilet përkatëse), pasi sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së, Rita Marko, ka marrë raport-informacionin, i’a ka dërguar atë Enver Hoxhës, i cili ka vënë aty shënimet përkatëse, për secilin rast. Ndryshe nga rastet e vajzës gjimnaziste të atasheut tregtar polak apo, agronomes Edi Çeliku, (e martuar me shqiptar), ku për “veprimtarinë armiqësore” të tyre, Enver Hoxha nuk ka shkruar asgjë, ndërsa në rastin e hungarezes, Kloreta Nano, ai ka shkruar: “Të hetohet pasi, e tillë do jetë”. Kjo, pasi ai nuk ja ka falur asaj fjalët e thëna për të se: “Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu janë injorantë, sepse nuk po e kuptojnë situatën, ndërsa Tito dhe Hrushovi janë burra shteti të mëdhenj që, po shpëtojnë njerzimin dhe bota do të krenohet për këta…”! Për më shumë rreth kësaj, etj., na njëh dokumenti në fjalë, që publikohet ekskluzivisht për gazetën FJALA.
Dokumenti arkivor me raport-informacionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së qytetit të Tiranës, Rrapo Dervishi, dërguar Rita Markos, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Tepër Sekret
KOMITETI I PARTISE QYTETI
Tiranë, më 4.II.1963
TIRANE
Nr. i Prot. 121
Lënda: Dërgohet një informacion
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
Shokut Rita Marko
T I R A N E
Ngjitur po ju dërgojmë një informacion që i ka ardhur Komitetit të Partisë nga Xhemile Korbi, komuniste në Ministrinë e Punëve të Jashtëme.
Ne muarrën këto masa:
Thirrëm sekretarin e organizatës bazë të partisë të Lagjes Nr. 5, për të parë se deri ku është shtrirë veprimtaria armiqësore e kësaj në vëndin e banimit, me cilin ka marrëdhënie kjo familje dhe kush hyn e kush del.
Njoftuam Drejtorinë e Punëve të Brendëshme për të parë këtë problem nëpërmjet kanaleve të punës së saj.Një kopje e informacionit iu dërgua Drejtorisë Politike të Ushtrisë për të parë punën e kapiten Kosta Nanos si mjek në Spitalin Ushtarak.
Kaq për dijeni.
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE TE QYTETIT TIRANES
(Rrapo Dervishi)
Dokumenti arkivor me raport-informacionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së qytetit të Tiranës, Rrapo Dervishi, dërguar Enver Hoxhës, për “veprimtarinë armiqësore” të disa shtetasve të huaja në Tiranë
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Tepër Sekret
KOMITETI I PARTISE QYTETI Tiranë, më …
TIRANE
Ekzemplar Nr.
INFROMACION MBI DISA SHFAQJE ARMIQESORE TE VERTETUARA MUAJT E FUNDIT NE QYTETINE TIRANES
Gjatë mujave të fundit të këtij viti, Komiteti i Partisë, ka marrë disa informacione nga organizatat e partisë me anë të të cilave, vihemi në dijeni për disa lloje dhe forma të veprimtarisë armiqësore të shprehura me gojë, me anë parrullash të shkruara nga persona të ndryshëm, nëpër muret, si dhe takime të dyshimta që kanë bërë element me përbërje jo të mirë, këtu poshtë po shënojmë disa nga këto të dhëna:
- Propaganda armiqësore me gojë:
Gruaja e Doktor Kosta Nano, e quajtura Kloreta Nano, me nënshtetësi hungareze, në takime me gra të ndryshme shqiptare, thotë se: “Në Shqipëri është krijuar një situatë e rëndë sa që, njeriu nuk guxon t’i flasë tjetrit të vërtetën. Organet shqiptare, nuk i lejojnë përfaqësuesit hungarezë të bredhin lirisht për të skjaruar masat. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, janë nga më injorantët sepse, nuk e kuptojnë situatën dhe hidhen kundra Hrushovit, por do të shohin se, Hrushovi nuk ka vepruar akoma. Hrushovi dhe Tito, janë burra shteti nga më të mëdhenjtë që po të shpëtojnë njerzimin, janë tejpamës dhe se, bota duhet të krenohet për këto”, etj., komente me karakter armiqësor. Në të gjitha rastet, nga shoqet ajo ka marrë përgjigjien e merituar. Me sa dimë, kohët e fundit ajo ka kërkuar për t’u larguar për në Hungari. Mbi sa sipër kemi njoftuar Komitetin Qëndror të Partisë më datën 4.II.1963. Nga ana jonë u muarrën masa për të rritur vigjëlencën e organizatës së Partisë në Lagjen Nr. 5. Gjithashtu u ngarkua Drejtoria e Punëve të Brendëshme, për të ndjekur çështjen e qytetares hungareze. Për të parë qëndrimin e Kosta Nanos, ish-mjek në Spitalin Ushtarak, u vu në dijeni Drejtoria Politike e Ushtrisë Popullore.
Kohët e fundit, Kosta Nano është çmobilizuar nga Ushtria dhe u caktua mjek në Poliklinikën e qytetit. Në fidanishten e ndërrmarjes lokale të Pastrim Gjelbërimit, punon një agronome hungareze, që quhet Edi Çeliku, edhe kjo duket se aktivizohet nga ana e ambasadës Hungareze. Tek ajo, ka pasur raste që kanë shkuar punonjës të ambasadës. Gjatë ditëve që pati konfuzion në ndarjen e bukës, e cila në takime me punëtorët, u bënte pyetje, nëse e siguruan bukën apo jo?! Eshtë porositur organizata bazë e partisë që, të tregoj kujdes lidhur me qëndrimin e saj. Një veprimtari jo më pak armiqësore, është duke zhvilluar vajza e atasheut tregtar polak, e cila vazhdon klasën e X-të në gjimnazin e ri “Sami Frashëri”. E përmëndura, propagandon në favor të revizionizmit dhe godet direkt vijën ekonomike dhe politike që ndjek e zbaton Partia jonë. Ajo thotë: “Po të ndiqni rrugën kineze, kurrë nuk keni për të ndërtuar socializmin”. Eshtë vërtetuar, të ketë shpënë revista me artisë dhe artiste të huaja dekadente, bën gjeste imoraliteti e propagandon kudo, duke folur për dashuritë dhe mbrëmjet që frekuenton ajo me përfaqësues të ambasdadeve Jugosllave, Egjyptjane, etj. Jo pa qëllim ajo qëndron në bankë, në pozicion provokues ndaj nxënësve dhe ju u thotë se; jam revizioniste. etj. Këto ditë u përjashtua fare nga shkolla.
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE TE QYTETIT TIRANES
(Rrapo Dervishi)