Amullia kulturore shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ese nga: Bujar Meholli

I

Nëse kulturën shqiptare, sot, do ta portretizonim në formën e trupit – do të dukej si një trup ektomorf, me probleme të theksuara në diencefalon, i rrëgjuar, mezimbajtur, shpresëhumbur, i syrgjynosur, nostalgjik, me buzë në vaj për venitjen e ditëve të bukura, të mbushura me uzdajë, plot punë e progres. Njëmend, bazamenti i një shoqërie është kultura, trungjet e forta të së cilës e ndërtojnë gjithë godinën dhe arealin shpirtëror të banorëve të saj. Po t’i marrim për bazë vitet e fundit, le të themi, dekadat e fundit, godinën shqiptare kulturore e ka tundur një forcë idiote, meskine, mjaft dëm sjellëse që ia ka trandur themelet dhe vënë në rrezik. Amullia ka ravijëzuar itinerarin e saj territorit shqiptar. Dinakërisht mëton të zgjerohet më shumë e më shumë, dhe kështu shqiptarët po përballen, ngadalë por sigurt, me një realitet të ri: me përmbysjen e rendit dhe krijimin e “njeriut” të ri por jo nga regjimi komunist a fashist, tani kemi të bëjmë me “njeriun e ri” që synon t’i imponohet shoqërisë shqiptare; njeriu i ri që konceptohet e ndërtohet nga amalgama e gjithfarë elementesh jokulturore të stisura dhe të shndërruara në njëfarë norme me të cilën fitohen “këpucët” speciale me të cilat ecet procesionit jokulturor, e në fakt, paradoksalisht, “kulturor”. Për të qenë më i drejtpërdrejtë: sot kultura është e shndërruar në anti-kulturë dhe nën një regjim autoritativ dëbohen të gjithë armiqtë e anti-kulturës, gjithë ata që tashmë i takojnë “rendit të vjetër” dhe i cili ashtu siç edhe merret etimologjikisht “i vjetër” duhet të shporret, përçmohet, ose të shihet nganjëherë me njëfarë përdëllimi të gënjeshtërt në trajtën e njohjes së meritave deri diku por gjithsesi vendosjes së damkës “old”. Na ishte njëherë, tani s’na është më… sepse është diçka tjetër sot e këtu. Kjo s’është veçse logjika e “njeriut të ri” që është fekonduar, i takon kohëve të sotme, është prore “sot”, aktual, në modë, modern, i prekshëm, i gjallë. Nëse armiku i anti-kulturës, (në hapësirën publike e njohur si kulturë e re, afirmative, moderne dhe in, gjithçka veç kulturës) synon që nga ndonjë qosh i mejhanes të protestojë, të klithë, të tregojë çka është e mirëqenë çka jo, do të ndihet, në fakt s’do të ndihet, do ta bëjë vetëm shurdhuesin e do të tingëllojë i bezdisshëm dhe jashtë kuadratit modern kohor, porsi pijaneci i Frane Puntar-it. Kohë të rënda për armiqtë anti-kulturorë, por ani çka! Secili armik duhet të luftohet, të mundet! Ivan Focht-i, megjithatë, mendon se arti që të jetë shpirtërorë, duhet të jetë parashtrues, e kurrsesi të jetë ai që flakë, pra, ai që hedh diçka tutje-tëhu, përkundrazi, arti duhet ta “flijojë” njeriun konkret për shkak të konceptit për njeriun.

II

Çfarë i ofron “njeriu i ri”, i sotëm, kulturës shqiptare në përgjithësi? Ndoshta para kësaj pyetjeje, duhet të parashtrojmë një pyetje tjetër – çka në fakt kuptojmë me kulturë dhe në çka konsiston ajo? Sistemin e vlerave? Bah! Për cilat vlera shoqëroro-artistike mund të flasim sot, realisht? Preokupimet kryesore nuk janë në kulturë, paradoksalisht, progresi përflitet e mëtohet larg kulturës, por si? Shndërrimi i njerëzve në personazhe beketiane që presin diçka, s’është me rëndësi se çfarë, por se duhet pritur, duhet patjetër! Kush e merr me mend fundin e kësaj pritjeje të gjatë, për reformën kulturore aq esenciale? Esad Ćimić përmend antinomitë e kulturës duke përfshirë kuadrot, gjegjësisht ato profesionale që lihen anash, deprimohen e përfundimisht veniten me damkën e armikut të kulturës, mandej amatorizmin, si krijesë voluptive, që mjerisht tërheq vëmendjen e shumë entuziastëve, masivisht kokëbosh. “Bartësit e inovacioneve në amatorizëm nuk kultivojnë vetëm funksionin e jashtëm, që dikujt t’i shfaqet diçka: përkundrazi, ata i përmbahen funksionit të tij të brendshëm: që të praktikohet veprimtaria përkatëse kulturale e artistike, e cila do të kontribuonte që amatori të ndikojë në veten, në shijen e vet, në kriterin e vet, e jo vetëm në dikë tjetër”, shkruan ai. Institucionet kulturore s’duhet të mjaftohen vetëm me fondet e ndara kulturore, por të punohet fort në infrastrukturën ligjore e gjithashtu në, edhe pse punë aspak e lehtë, kurimin e kulturës në kuptimin e mbikëqyrjes, venerimit të problemeve artistike prodhuese/krijuese duke krijuar këshille që do t’i kontrollonin lëshimet në treg, gjegjësisht publikimet, transmetimet e ndryshme mediatike, subvencionimin e autorëve të cilët e kalojnë njëfarë pragu vlerësues dhe janë të denjë për paraqitje, botim, komunikimi efektiv dhe i dobishëm, efikas, me shtëpitë botuese, njëjtë raporti me këngëtarët, tekstshkruesit, kompozitorët, regjisorët, skenaristët, aktorët, punonjësit kulturorë, shkurt të bëhet intensifikimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre përmes harmonisë së punës. “Institucioni kultural është i tillë në qoftë se jo vetëm plotëson nevojat e shtruara, por edhe krijon nevoja të reja”, konstaton Ćimić.

III

Një revolucion kulturor brenda territorit shqiptar është i domosdoshëm. Është esencial sepse duhet të jetë evident. Barra bie patjetër mbi intelektualët, ata të cilët filozofi gjerman idealist J. G. Fichte i sheh si shërbestarë të progresit dhe kulturës e emancipimit gjithënjerëzor. Mund të pyesim a janë aktivë intelektualët tanë në jetën publike? – dhe përgjigja s’do të jetë pozitive. Bile brenda kulturës shqiptare, intelektualët, zgjedhin të kthejnë ndonjë gotë mejhaneve dhe të shtriqen në gjumin e tyre letargjik; angazhimet i kanë krejt minore, fjala e tyre s’çon kurrfarë peshe në sferat kyçe kulturore; edukimi televiziv, mediatik përgjithësisht, organizimi i jetës kulturore është shndërruar në njëfarë tregu ku shitet e blihet kultura në gjithfarë bazash, mjaft të ketë allishverishe mes grupeve, klaneve të ndryshme të cilat mandej i vendosin vet kriteret ose si me thënë e përcaktojnë çka është e çka s’është kulturë! Përkitazi me këtë problem le të shohim prapë filozofin Fichte, që në leksionet e tij e ndanë kulturën në disa nivele. “Kultura është mjeti i vetëm dhe më i lartë për të arritur qëllimin final të njeriut, që është përputhja e tij me vetveten, për aq sa ai konsiderohet qenie ndjesore racionale. Ndjeshmëria duhet edukuar: ky është maksimumi që mund të kërkohet prej kulturës” thotë ai. Dhe, natyrisht, ndjeshmëria si term nënkupton konglomeratin e aktivitetit njerëzor që bazohet në ndjenjën, pra, të ndjesh për diçka, ta absorbosh, ta ngjizësh brenda vetes, psikikës tënde. S’do mend që ndjeshmëria duhet edukuar, kuruar, përgatitur për t’u rafinuar dhe plotësuar. “Ajo që na bën të lumtur është e mirë”, nuk qëndron sipas Fichte-s, por “ajo që është e mirë na bën të lumtur”. Kjo maksimë idealiste, iluministe, do të ishte tipike për ta ndërtuar një shoqëri e cila ta ketë të zhvilluar dimensionin etik që është krucial në secilën ndërmarrje humane. Mu për këtë roli i intelektualit duhet të jetë i madh dhe me peshë: “Njeriu ekziston për t’u përmirësuar gjithmonë e më shumë nga pikëpamja morale dhe për t’i bërë më të mira gjërat që e rrethojnë: si në sferën ndijimore, ashtu edhe, nëse e shohim atë në kuadrin e rrethit shoqëror, nga pikëpamja etike, për ta bërë veten, duke vepruar kështu, gjithmonë e më të lumtur”, konstaton filozofi gjerman.

Lexo edhe :  Një vend dedikuar artit dhe kreativitetit, hapet Qendra e Artit dhe Inovacionit në Korçë

IV

Ndaj konstatojmë se kultura shqiptare, në masë të madhe, brenda godinës rrethuar nga amullia – krijohet e jeton mbi afeksion, jo mbi kualitet. Aristoteli thotë se kualitete quhen abnormalitetet që nuk shfaqen, pra, sipas natyrës por krijohen për shkak të disa rrethanave tjera dhe s’mund të eliminohen përgjithësisht as të vihen në lëvizje dhe në bazë të tyre përcaktohen njerëzit se janë të tillë apo të atillë. Gjithsesi, për Aristotelin, kjo nuk është qenësore. Përkundrazi, vazhdon – gjithçka që krijohet për shkak të shkaqeve që kalojnë shpejt quhet afeksion. “Kur dikush përjeton pakënaqësi e zemërohet shumë nuk thuhet se është tërbuar por se i është nënshtruar afeksionit.” Në ndarjet që i bën, Aristoteli, e vendos formën në gjininë e katërt të kualitetit, aty ku atributet marrin përmasë të madhe ose të vogël, pra, ku mund të ketë rritje: nëse diçka është e bardhë, ka mundësi të bëhet edhe më e bardhë. “Asgjë nuk është ekskluzivisht cilësi e kualitetit: përkundrazi, për të ngjashmen dhe të ndryshmen flitet vetëm te kualitetet. Diçka është e ngjashme me diçka tjetër vetëm për shkak se është kualitative”, konstaton ai. Nga këto leksione klasike, te kategoritë, po të ngrisim paralele me realitetin shqiptar kulturor, shohim se është në fakt afeksioni, natyrisht i moderuar djallëzisht, që hiqet si apostull dhe mbrus gjithë aurën tonë kulturore. Kredibiliteti është i përdhosur. Interesi për kulturën e vërtet ka rënë masivisht, të rinjtë nuk duan ta studiojnë letërsinë, muzikën, ngase s’shohin kurrfarë perspektive. Pse duhet gjithë ai angazhim kur mund të shkruash një orë e më parë dhe të botosh? Pse duhet studimi i lodhshëm i muzikës kur mjaft të “kompozosh” e “këndosh” diçka që e kënaq masën dhe, përveçse përfiton financiarisht, mbahesh për artist e këngëtar ngase audienca e kësaj amullie aq i ka kërkesat. Letërsia, arti, muzika, përgjithësisht bëhen me zor dhe pa kurrfarë gjallërie e motivi, thjesht ashtu sa për t’u bërë – duke marrë përherë e më tepër trajtat e “artit” naiv e meskin që varion hapësirave të ngushta, p.sh. shkruaj poezi dhe botoj sall për ta ruajtur “kredibilitetin” në sytë e rrethit tim, pse jam poet dhe nga unë priten poezi, ata i presin, ndaj unë duhet t’i shkruaj medoemos! Kjo është logjika e artistit mediokër të ditëve të sotme që e projekton imanencën krijuese, siç do të thoshte Berkeley, të duket si fantazmë, kimerë e kotë që nuk përkon fare me sendet reale që do të ekzistonin in rerum natura. Pra, për gjallërimin e kulturës është urgjencë kombëtare reformimi i arsimit, cilësia e ngritur, të ketë aktivitete e angazhime rinore shumë më tepër, të rikthehet kriteriumi për aksh botimin a projektin kulturor në mënyrë që ky dimension të përforcohet, ngase shpëtimi i kombit tonë është veçse në kulturë, askund tjetër.

 

Të fundit

Meta-Kryemadhi bashkë kundër SPAK, ndarje për politikë

Pas akuzave të forta të kreut të PL-së Ilir Meta, drejtuar kreut të SPAK-ut, ka mbajtur qëndrim edhe bashkëshortja...

“Mona ka pak probleme me kthjelltësinë”/ Meta se kursen Kryemadhin pas deklaratave

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar deklarat e bashkëshortes së tij dhe njëherazi deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi. Meta tha gjatë fjalës...

Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Ja me sa blihen dhe shiten dollari dhe euro sot

Sot, më 19 prill 2024, dollari amerikan blihet me 94.7 lekë dhe shitet me 95.6 lekë. Euro blihet me 100.8 lekë dhe shitet 101.7 lekë. Franga zvicerane këmbehet në...

Natyra “thyen” luksin, pamjet që u bënë virale nga Dubai i përmbytur (FOTO)

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur pastrimin e rrugëve të përmbytura si pasojë e stuhisë së shiut që përfshiu vendin. Gadishulli Arabik u përball me...

“Luftë SHBA”!/ Ngjela zbërthen skenarin e Metës dhe Kryemadhit pas sulmeve ndaj SPAK

Avokati dhe analisti Spartak Ngjela në një studio televizive dje ka folur lidhur me deklaratat e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj...

Lajme të tjera

Web TV