Bajram Canameti, poeti që i bie kambanës së vet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Qazim Shehu

Bajram Canameti është i njohur si poet. Ai vjen me këtë libër pas disa vëllimeve poetike që tashmë na flasin për një profil të veçantë dhe konkurues. Po kështu, ky autor, ka shkruar disa monografi si dhe një libër mografiko-shkencor për Remullin, i pritur me interes nga lexuesi. Bajrami, në këto monografi, dallohet për kompetencën e faktit jetësor në dhënien e tij si i vërtetë, për rrjedhshmërinë e kuintesencën e ngjarjeve me një bërthamë filozofike-ideore të tyre. Duke qenë një krijues me pretendime, gjithnjë me zërin e vet, ai kurrë nuk i është ndarë poezisë, ku shpreh në të shqetësimin qytetar, politik, njerëzor, mediton dhe kujton histori, ndjen dhimbje për martirët e lirisë, i këndon dhe i gëzohet lirisë së Kosovës, godet me heshtën e satirës së tij paudhësitë e kohës dhe të pushtetarëve, ngre lart vlerat e njerëzve, miqve, himnizon natyrën dhe veçanërisht Matin me peizazhet e mrekullueshme.

Në të gjitha poezitë e tij ndihet zemra e një njeriu që pulson sinqerisht, fjala e një krijuesi pa lajlelule e pa modë, një këngëtim i zjarrtë që të ngroh dhe të jep kurajo për të ndjerë se jeta është e bukur, edhe pse ka trishtim, brenga, braktisje e vese, që poeti i godet, në emër të më së mirës e më të bukurës. Poezia e Bajramit, përveç poezive përkushtuese si ode për njeriun konkret e në përgjithësi për njeriun si ideal, ndërtohet mbi parimin e një kontrasti befasues, ku autori gjen elementet dhe mjetet më adekuate që të formëzojë vargun, shprehjen dhe njëkohësisht të konturojë qëllimin bazik. Si i tillë, ai nuk ngurron ta japë gjithçka deri në fund, larg çdo paragjykimi, duke i ndenjur besnik muzës së tij, origjinalitetit dhe njomështisë së ndjenjës, fjalës së sinqertë. Në themel të poezisë së tij, Bajrami ka retorizmin, po jo një retorikë me mjete deklarative, ku renditen fjalë të konsumuara e të stërpërdorura, por ligjërimin e ngrohtë-estetik, ku marrin udhë ndjenja e mendime të sprovuara, dalë nga një mençuri dhe përvojë e gjatë, si poet e njohës i mirë i fjalës. Në poezinë e Bajramit konkludohet me thënie e fraza të mençura ajo që shtjellohet që në nisje, sepse poeti është misionar aktiv i realitetit vetjak, por edhe i realitetit kohor, poeti, te Bajrami, nuk është një soditës pasiv, një lëngues melankolik, por një veprues i fjalës, që e merr përsipër të ndreqë atë që ndoshta nuk ndreqet, por ai është këmbëngulës, aktiv. Kështu, poezia e tij e mpreh nervin e saj dhe kalon përmes përjetimeve të shumëllojshme, bëhet regjistruese dhe përçuese e realitetit, paraqet sekuenca dhe tablo të tij (mjafton të kujtojmë poemën “Kohë e trishtë”, ku poeti me një timbër nolian i bën radiografinë kohës së sotme dhe ndihet në të shqetësimi qytetar që kap shumë sfera).

Vëllimi është i ndarë në disa rrathë tematikë, ku ngulen shtyllat motivore. Dashuria për jetën dhe menditimi filozofik për të thënat dhe të pathënat e saj, dashuria dhe ndjenja e harlisjes për vendlindjen, emigrimi si plagë sociale dhe boshësi shpirtërore, këngët e zjarrta e shumë të hovshme për Kosovën e disa nga figurat e saj, një rifreskim i kujtesës poetike për martirët e diktaturës, të cilët shkrinë jetën e tyre për idealet demokratike, motive adhurimi dhe vlerash për njerëz të shquar të kombit e të Matit, satira të fuqishme për politikanët, të cilët poeti i quan “Sulltanët e rinj” dhe fenomene  sociale,të  cilat janë bashkëshoqëruese të jetës së njeriut  në këtë tranzicion të pas viteve 90-të. Kjo pemë tematike i ka rrënjët në angazhimin e Bajramit si njeri aktiv, në problemet qytetare dhe të njeriut në tërësi dhe i shtrin degët e saj sa më gjerë varësisht prej interesave dhe prirjeve të tij. Frymëzimi i poetit ngacmohet dhe merr hov së pari nga treva e tij, Mati, ku sheh akoma gjurmët e Skënderbeut, ndjen themelet e Shën Trinisë, përshkruan burra të fismë dhe atdhetarë, virtytet dhe zakonet e kahmotshme, i evidenton ato dhe i spikat me vargje të bukura e kuptimplote; po kështu, ai, si njohës i traditës, merr e rimerr simbolet: truall, kullë, me një konotacion të ri, e lidh këtë simbol dhe e ndërton me jetën e burrave të fortë, patriotë dhe dijetarë, qëndresëtarë dhe të besës. Mjaft figura të Matit marrin një rivlerësim poetik përmes penës së tij, ku poezia-portret arrin të godasë me detaje të zgjedhura e mbresëlënëse ndërsa poeti nuk harron të spikasë intelektualët e kësaj treve  përmes vargjeve” Poetë,shkrimtarë intelektualë/të diamanteve kristalë”.Epiteti në poezinë e Bajramit nuk është i stisur, ai buron nga shpirti,nga mëvetësia e një imagjinate poetike të frymëzuar. Dhe ja ku shfaqen para nesh arat, zogjtë, kullat e braktisura, ferrat që mbulojnë muret dhe gardhet, shfaqet një kohë e zymtë e ikjes, aq bukur e trajtuar në poezinë “Ikje” dhe “Mesazh qiellor”. Frymëzimi poetik interferon në sa degëzime malli dhe ndalet e tundon e shprushit brengën e poetit. Nga Mati, treva e tij, poeti e transfiguron peizazhin dhe e kthen në lëndë poetike, i jep frymë dhe jetë, e bën më të afërt e më të prekshëm. Ulëzës ai i drejtohet: “Përballë Deja,Mal i Skënderbeut,/anash malet përsëri/ulin kryet,mbi ty dehen/kryet çojnë përsëri”.Mund të zgjateshim me shembuj të tillë të bukur, vargje që të mbesin në mendje edhe në poezi të tjera të shumta, për të parë e kundruar përmes një kënaqësie të veçantë sesi poeti e vizaton natyrën, sesi i thur detajet përmes gjendjesh të ndryshme shpirtërore  duke zbuluar aftësinë e poetit përmes pikturimit të fjalës, se këtu poeti zbulon marrëdhënien e njeriut me natyrën,afeksionin dhe çfarë natyra jep me bujari si ndjesi. Poeti është gjthnjë në kërkim të fjalës dhe mundësisë së saj, në kërkim të frymëzimit dhe dedikimeve të reja. I vendosur në kuotën e epërme të moralit të poetit, si te çdo poet i mirë, ai i jep një gjykim poetik botës së djeshme dhe të sotme, duke zbuluar qasje dhe kontraste herë- herë në ngjyrë gri e herë groteske. Në këtë kohë të mbushur me: “Forca të llahtarshme të skëterrës/shtihanë të tragji-komedisë/kameleonë, arrivistë të krim-humnerës/”, poeti u ngrë përballë atyre  thirrjen sokratike: “Shporruni të gjeni vrimën/andej nga dolët të hyni përsëri”…Poezi të tillla si: “Deri kur”,”Vrasës”, “Thinjat u nxinë”, “Mos harro”, “Atdheu lakuriq” etj, dëshmojnë për nervin e një zemërimi të ligjshëm,për fuqinë e këtij zemërimi që arrin deri në intonacionin e kuptimin sarkazmës. Këto poezi gjallërojnë prej forcës shprehëse të vargut deklarativ plot ngjyrime të thekshme të përvijimit dhe sendërtimit të ideve shprehëse e me plot kurajo. Në poezinë e tij, Bajrami, manifeston një sinqeritet të kthjellët e të ngrohtë, krijon besimin e vetvetishëm se sado e keqja zë vend përmes çoroditjes së shoqërisë dhe ligësisë së ndonjë individi karrierist, ajo e humbet forcën e saj prej luftës së përditshme që bën individi i shëndoshë me të. Edhe në satirat e tij “Servili”, ”Karrieristi”,”Mendjemadhi”,”Mendjetredhuri” etj,poeti me pak fjalë e shpreh këtë. Është e rëndësishme se në këto poezi, poeti e gjen fjalën e duhur si forcë tipizuese, përmes shkurtësisë dhe ngjeshjes së mendimit godet ashpër: “Dhe kështu e kalon jetën/Krejt në heshtje, në ankim/shkurton jetën, zgjat kuletën/kursen paret edhe për varrim” (poezia “Kopraci”). Poezia e Bajram Canametit dallohet për vargun e rrjedhshëm, për vetvetishmërinë e këtij vargu, natyrshmërinë, forcën e ndjenjës dhe zgjedhjen e fjalës, duke iu larguar teprimit. Është një poezi që mbështetet dhe ndërtohet mbi një arkitekturë solide, që hijeshohet varësisht prej idesë dhe frymëzimit. Uni lirik shtjellohet në radhë të parë përmes shqetësimit, pastaj të kërkimit të formës e cila, kuptohet, vjen vetiu. Poezia e tij herë është e qetë me një timbër të përmbajtur, kur ajo është meditative-filozofike, herë ky timbër ngjyroset më shumë dhe shpërthen në intonacione më të forta kur poeti rrok e trajton tema sociale dhe politike. Kjo se poeti nuk është i një gjendjeje, por i shumë gjendjeve, herë i qetë, herë i shqetësuar, herë i gëzuar e herë i trishtuar. Kjo larmi gjendjesh çastesh e këndvështrimesh ka sjell edhe një ton ligjërimor poetik të ndryshëm dhe i ka dhënë vëllimit  larmi e ngjyresa të llojllojshme përsa i përket perceptimit të tij në këtë aspekt. Gjejmë në këtë vëllim forma të ndryshme të organizimit strofik, shtrirje të ndryshme të mendimit, aq sa e lejon konceptimi ideor i tërësisë, rima është e pranishme, por jo detyrimisht e respektuar, ndërsa ruhet mirë ritmi dhe vrulli i shpërhapjes së tablosë poetike. Pasazhet e gjalla të një ligjërimi poetik të këndshëm jepen me kursim e në masë, ato arrijnë herë përshkrimin e detajuar e herë në sentenca e thënie të ngjeshura. Gjithsesi, vëllimi më i ri poetik i Bajram Canametit dëshmon për pjekurinë e tij, për një krijimtari të begatë, plot finesë e emocione të sinqerta, që përshkohen nga dashuria për truallin, nënën, të afërmit, për figurat e kombit, për njerëzit në tërësi; element parësor dhe shenjë e dukshme e një poeti të mirë dhe serioz. Po kështu, kemi të bëjmë me një stil që vjen prej vrullit të fjalës e të mendimit, ku vlerësimet tematike vijnë përmes dijes dhe imagjinatës së ndezur, për figuracionin, ku shquan krahasimi i gjetur dhe metafora si dhe përzgjedhja me kulturë e detajit deri në kufijtë e vërtetësisë. Ky stil është i ngrohtë, tejpamës, komunikues dhe duket sikur poeti të fut në bisedë për të gjitha ato që ngre dhe i thur. Ky vëllim është shkruar me pasion, me ndjesi dhe përjetime të forta, me poezi të natyrave të ndryshme, ku edhe në poezinë përkushtuese, (odë), autori zbulon veçanësinë e njeriut dhe i përcjell vlerat në kontekste të gjera e domethënie filozofike. Ngacmimi që vjen nga një poezi e tillë vjen prej diksionit shpirtëror të poetit, përmes një realizimi me nivel, prej një poeti fjalëzjarrtë e zemërbardhë…

Lexo edhe :  Për herë të parë në Shqipëri, pikturat e Van Gogh në ekspozitën digjitale të Korçës

 

 

 

 

 

 

Të fundit

Aplikacioni i motit bëhet viral, paguan pushimet tuaja nëse bie shi

Është e thjeshtë: Ju rezervoni një udhëtim, blini një ” WeatherPromise” dhe merrni një rimbursim nëse moti ju prish...

3 pyetjet që duhet t’i bëni vetes përpara se të divorcoheni

Kur ndiheni të pakënaqur në martesën tuaj, me siguri që pyesni veten: “A duhet të divorcohem?” Ndjenjat për partnerin/en, fëmijët, bashkërendimi i të gjitha...

“Voyage Privé”: Shqipëria, zbuloni thesarin e fshehur të Mesdheut

Dëshironi të bëni zbulime të reja? Magjepsuni nga pasuritë historike dhe kulturore të Shqipërisë, shkruan revista franceze e udhëtimeve “Voyage Privé”. Eksploroni peizazhet e saj...

Të dielën ndryshon ora, akrepat shkojnë një orë para në Festën e Pashkës

Të dielën, më 31 mars 2024, do të kthehet ora verore. Akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara, pra nga ora 03:00...

‘Do të kemi temperatura të larta’, meteorologia zbulon surprizat e motit për fundjavën

Kjo fundjavë pritet të ketë një mot të qëndrueshëm, me temperature të relativisht të larta. Meteorologia Lajda Porja tha se edhe fillimi i muajit të...

Lajme të tjera

Web TV