Vlora Hyseni, përse kryespiunia e Kosovës u emërua kryespiune e Shqipërisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vera e re në fuçinë e vjetër

Çfarë fshihet pas emërimit të Vlora Hysenit nga kryeministri Edi Rama si drejtore e SHISH? Përse drejtuesja e shërbimit sekret të Kosovës u emërua drejtuese eshërbimit sekret të Shqipërisë? A janë marrëdhëniet e Ramës me Kurtin vërtetë arsyeja, apo arsyeja kryesore janë raportet e vetë Edi Ramës me SHBA pas skandalit McGonigalnë pritje edhe të nisjes së punës së ambasadorit të ri DavidKostelancik? Një poker spiunësh që shërbenmë shumë për diplomaci.

Nga ROLAND QAFOKU

Që në krye të SHISH kryeministri Edi Rama mund të emëronte një grua, kjo edhe mendohej se është në stilin e tij. Me 13 ministre gra në kabinetin qeveritar kundrejt vetëm 3 ministrave burra, shto edhe shumë gra të tjera në krye të institucioneve të rëndësishme, ky vendim do ishte mëse normal. Por që në krye të shërbimit sekret, kjo grua të ishte nga Kosova, edhe parashikuesi më entuziast do dështonte. Quhet Vlora Hyseni dhe emërimi i saj bëhet më intrigues për faktin se zonja në fjalë deri dy vjet më parë ka qenë drejtuese e shërbimit sekret të Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Pavarësisht se Shqipëria dhe Kosova janë një komb, nuk ka ndodhur kurrë më parë në botë që drejtuesi i shërbimit sekret i një shteti të emërohet drejtues i shërbimit sekret të një shteti tjetër. Me fjalë më intriguese: Kryespiunia e Kosovës emërohet kryespiune e Shqipërisë. Mjafton kaq, për të kuptuar se përveçse një emërim politik, këtu nis edhe një poker spiunësh.

VLORA HYSENI SI KRYESPIUNIA E KOSOVËS

Sapo Albin Kurti mori detyrën e kryeministrit për herë të dytë më 22 mars 2021, një nga vendimet e para qëmori ishte largimi Vlora Hysenit nga detyra e Drejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë si ushtruese e kësaj detyre. Hyseni kishte vetëm katër muaj në atë detyrë dhe ky nxitim sigurisht që lidhej jo vetëm me një pakënaqësi të hapur, por me shumë të dhëna që shkonin ndesh me politikanin që po nusëronte për herë të dytë. Hyseni ishte emëruar në krye të këtij institucioni në dhjetor 2020 nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidentja Vjosa Osmani, por Kurti e largoi shpejt e shpejt dhe në vend të saj emëroi Petrit Ajetin. Në fakt, aktiviteti i Hysenit nëAgjencinë e Kosovës për Inteligjencë ka qenë shumë më i zgjeruar. Më parë se të mbante detyrën e drejtueses, Hyseni ishte nëndrejtore e këtij institucioni e emëruar nga kryeministri Rramush Haradinaj dhe presidenti Hashtim Thaçi dhe e vijoi ta mbante këtë detyrë edhe pas largimit si drejtore. Pikërisht në këtë emërim duhen gjendur pakënaqësitë e Kurtit ndaj Hysenit. Ndonëse e vlerësuar shumë nga institucionet ndërkombëtare, Kurti e ka parë si përgjegjëse Vlora Hysenin për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë në qershor të vitit 2020. Më parë akoma Hyseni kishte mbajtur detyrën e Drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë po në AKI, një detyrë kjo nga më të rëndësishmet aty. Për të kuptuar edhe më shumë jo vetëm pakënaqësinë e kryeministrit Kurti për shkarkimin e Vlora Hysenit mjafton të publikojmë njoftimin që mban datën 30 qershor 2021:
“1. Znj. Vlora Hyseni shkarkohet nga pozita e zëvendësdrejtores sëAgjencisë sëKosovës Për Inteligjencë AKI.
2. Znj, Vlora Hyseni obligohet të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar.
3. Znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtje e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Kryemisntri Kurti i kujton Hysenit se çfarë duhet të dorëzojë së bashku me detyrën dhe më e rëndësishmja se çfarë sekretesh duhet të ruajë. Ky është një rast unikal në fakt që publikohet jo vetëm urdhri i shkarkimit por edhe një kujtesë për ruajtjen e sekretit që duket si një kërcënim ndaj Hysenit. Një zyrtare e nivelit të lartë si Vlora Hyseni jo vetëm që nuk ka pasur nevojë t’ia kujtojë se duhet të ruajë sekret, por është një rast që tregon se edhe shkarkimi i saj sipas Kurtit ka ardhur për këtë arsye.

PËRSETË E NJË EMËRIMI

Por duket se zgjidhja e “statusit” të Vlora Hysenit është gjetur nga Shqipëria. Menjëherë pas këtij shkarkimi në Kosovë, doli në skenë kryeministri i Shqipërisë. Vetëm tre muaj pas shkarkimit në Kosovë Edi Rama e emëroi këshilltare të vetën për Sigurinë. Kryeministri i ka zbatuar aksiomën e vlefshme të shërbimeve sekrete se nuk ka më mirë për të marrë informacione se sa nga një ish. Sigurisht që këtu futen edhe shumë ngjarje dhe detaje nga marrëdhënia e nderë mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti dhe afërmendsh që një pjesë e të dhënave dhe detajeve nga marrëdhënieve mes tyre ka ardhur për Ramën nga zyra ngjitur në të cilën punonte gruaja me emrin Vlora Hyseni si këshilltare e tij. Por ajo që ka vendosur më shumë për emërimin e saj ka qenë edhe fakti që drejtuesi aktual në detyrë OljanKanushi nuk arriti pritshmërinë e kryeministrit. Nuk janë të paktë politikanë të mazhorancës që shprehen se pakënaqësia e Ramës ndaj Kanushit arriti kulmin me shpërthimin e skandalit me shefin e kundërzbulimit të FBI Charles McGonigal. Burimet shtuan se Rama nuk mund të emëronte Kanushin pas këtij skandali, ndërkohë që ka qenë shumë më i informuar nga këshilltarja e tij Vlora Hyseni. Për më tepër Hyseni ka një certifikim profesional nga partnerët e huaj, veçanërisht ata amerikanë gjë që për Ramën, sidomos në këtë moment ka rëndësi të madhe. Shkroi Rama në faqen e tij në facebook për propozimin që i bëri presidenti Begaj:
“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Shumë kush mendon se me emërimi i Hysenit në krye të SHISH Rama synon të zotërojë të dhëna për Kurtin dhe Osmanin gabohet. Sigurisht që të dhënat e Hysenit për Kosovën janë të vlefshme për kryeministrin e Shqipërisë por synimi i Ramës është gjetkë. Më kryesorja janë raportet e Ramës me SHBA që kanë pësuar lëkundje. E kush më mirë se Hyseni mund ti normalizojë këto marrëdhënie në kanalet sekrete. Ajo bart “pasaportën” e besueshmërisë absolute me SHBA. Me këtë armë në dorë emërimi i saj në krye të SHISH Rama godet jo në një por në disa drejtime me një lëvizje të vetme, më i rëndësishmi është ai i normalizimit të raporteve të tij me SHBA veçanërisht me skandalin McGonigal. Dhe spiunazhi me diplomacinë kanë pika takimi sa herë ka një çështje. Ambasadori i ri i SHBA në Tiranë David Kostelancik pritet të nisë punën në shtator pas marrjes së miratimit në senat në qershor dhe raportet e tij me kryeministrin Rama do tregojnë shumë për marrëdhëniet personale të tij me SHBA. Sigurisht që linja diplomatike është shumë e rëndësishme, por futja në lojë të një zyrtareje të besueshme për SHBA i vlen Ramës sa dhjetëra diplomatë të marrë së bashku. Vlora Hyseni është një lloj garancie në këtë rast. Ndërkohë në Tiranë kanë nisur spekulimet pas një takimi të rastësishëm ditën e shtunë mes ambasadores Yuri Kim me presidentin Bajram Begaj në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Për një pjesë, Rama nuk ka marrë miratimin e SHBA për këtë propozim dhe Kim ka nxituar të “këshillojë” Begajn që të mos e dekretojë Hysenin, por gjasat që kjo të ndodhë janë në kufijtë minimalë. Do jenë ditët në vijim ato që do sqarojnë më shumë rreth kësaj situate.

PASURIA E VLORA HYSENIT

Shumë pak gjëra dihen për kryespiunen e re të Shqipërisë dhe kjo lidhet me vetë natyrën e profesionit të saj. Gjithsesi, ajo që dihet publikisht për Vlora Hysenin është se ka marrë vlerësime maksimale për sigurinë nga partnerët ndërkombëtarë veçanërisht SHBA. Hyseni ka menaxhuar shumë situata në Kosovë, veçanërisht ato në Veri dhe njihet si njeri i terrenit. Të dhënat bëjnë me dije se gjithçka për situatat e ndera në Mitrovicë kalonte nga Vlora Hyseni dhe amerikanët e vlerësonin atë si zyrtarin më të besuar në shtetin e Kosovës. Nga ana tjetër, Hyseni disponon nënshtetësinë e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe që nga emërimi në Tiranë, jeta e saj ishte ndarë mes dy shteteve. Interesante për të është deklarata e pasurisë kur punonte në Kosovë. Nga kjo rezulton se Vlora Hyseni nuk është një zyrtare e varfër. Ajo posedon prona, shtëpi dhe llogari bankare që e bëjnë të ketë një jetë mëse normale. Hyseni ka në pronësi që në fakt sipas saj është e prindërve një shtëpi 400 metra katrorë vlera e të cilës është 100 mijë Euro. Po në pronësi të prindërve Hyseni disponon 4 hektarë tokë në vlerën 200 mijë Euro. Pronat e familjes së Hysenit vijojnë me 20 hektarë pyll të trashëguar nga gjyshi i saj që kap vlerën e 500 mijë Eurove. Hyseni ka edhe dy llogari bankare në shumën 65 mijë Euro si dhe një makinë në vlerën 18 mijë Euro.

Lexo edhe :  "Ajo ishte burrneshë", Eni Çobani tregon se kujt i ka ngjarë për nga "forca e gruas"

NË KOSOVË NJË URRA PËR EMËRIMIN E HYSENIT

Në Kosovë emërimin e Hysenit e kanë parë si një vlerësim nga Shqipëria pas mosvlerësimit nga Kosova. Janë të shumë urimet por edhe deklarimet publike se emërimi i saj në krye të SHISH është një gjetje dhe vlerësim të punës që kryeministri Edi Rama i ka bërë zonjës Hyseni. Berat Buzhala, një gazetar në Kosovë që ndonëse ka zell për tu marrëderi në detaje me punët e Shqipërisë dhe lehtësisht kuptohet se nuk i njeh shumë, ka bërë një vlerësim maksimal për Hysenin duke e cilësuar shqiptarja më e besueshme e partnerëve ndërkombëtarë. Buzhala e quan si një ndër emërimet e rralla të bëra pa korrupsion dhe nepotizëm, por bazuar mbi vlera dhe kompetence. Shkruan Buzhala:
“Vlora, thuhet, nuk është ngritë në karrierë dhe detyra përmes politikës, sepse nuk është marrë me politikë. Nuk ka pasë vllazën që e kanë shty përpara. As klane. As mafi të sajën. Ka pasë profesionalizëm dhe guxim. Nejse, kur erdhën këta elita e re politike, e largune. Sepse të tillë janë ideologjikisht. Duhet me rrafshu çdo gjë, për me fillu me ndërtu. Dorën në zemër hala nuk kanë fillu me ndërtu. Hala jane tuj rrënu. Një tru me aq informacione dhe me aq bagazh u dëbua nga Kosova. U dëbua nga një grua tjetër. Sot një vend, anëtar i NATO-s, Shqipëria, Vlorën e ka emëru shefe te Shërbimit të vet Informativ”.
Eksperti i sigurisë Drizan Shala duke folur për “Top News” tha se emërimi i Hysenit në krye të SHISH do të shtrijë problemet mes Kosovës dhe Shqipërisë, më saktë mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës. Tha Shala:
“Unë uroj të mos ketë ndonjë konflikt dhe uroj që të mos ketë probleme mes Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë dhe SHISH që deri tani kanëpasur bashkëpunim shumë të mirë dhe një raport vllazëror”.
Në këtë linjë pak a shumë janë edhe shumë gazetarë dhe analistë të tjerë në Kosovë.

KUNDËRSHTIMET PËR EMËRIMIN E HYSENIT

Sipas zakonit në Shqipëri opinioni ndahet ekstremisht më dysh dhe kjo po ndodh edhe në rastin e emërimit të Vlora Hysenit në krye të SHISH. Opozita është tejet kundër këtij emërimi dhe mazhoranca pro tij. Përgjithësisht politikanët e opozitës e cilësojnë këtë emërim si zgjedhje për interes personal të Edi Ramës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare Gazmend Bardhi është shprehur se Rama kontrollon gjithçka. “Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni”, deklaroi Bardhi. Deputeti Kreshnik Çollaku e quan si një provokim të panevojshëm këtë emërim karshi institucioneve të Kosovës.
“Është jashtë cdo arsyeje që kjo të ndodhë. Midis institucioneve të dy vendeve tona duhet sa më shumë bashkëpunim e bashkërendim, ndërsa gjeste të tilla stimulojnë konflikt të panevojshëm dhe të dëmshëm”, shkruan Çollaku. Shumë më ekstrem ka qenë sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka. Ai e quan Vlora Hysenin të lidhur me serbët dhe kjo sipas tij është arsyja që Rama e ka emëruar. “Mesa duket kaq i ka mjaftuar Ramës për të plotësuar kriterin nr.1 të tij”, shkruan Noka në faqen e tij në facebook.

KOSOVARËT NË QEVERINË E RAMËS, NJË DËSHTIM ME SUKSES

Vjosa Hyseni nuk është “lulja” e vetme nga Kosova që emërohet në administratën e lartë të kryeministrit Edi Rama. Gent Caka si ministër i jashtëm dhe Besa Shahini si ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ishin vërtetë risi në mandatin e dytë. Por njëkohësisht ishin edhe një dështim i suksesshëm. As djali i “mençur” dhe i “ditur” se kishte lexuar shumë libra dhe as vajza me arsimim në SHBA jo vetëm nuk ngjitën në drejtimin e punëve në dikastere, por sollën një zhgënjim që habiti edhe vetë Edi Ramën. Në fakt përfshirja e zyrtarëve nga Kosova në qeveri është vërtetë një gjetje dhe për këtë kryeministri duhet përgëzuar. Në historinë e Shqipërisë, mes 33 kryeministrave janë edhe dy nga Kosova, HasanPrishtina dhe Rexhep Mitrovica. Dhe në shumë qeveri, veçanërisht përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kishte jo pak ministra nga Kosova. Por gjetja e emrave nëpërmjet sugjerimeve të bëra nga personazhe që janë edhe më dështakë se dy ministrat, është problem jo i vogël në këtë histori. Urojmë që në rastin e Vlora Hysenit të mos ndodhë kështu.

Tabela 1
DREJTORE E SHISH
Emri: Vlora
Mbiemri: Hyseni
Vendlindja: Prishtinë
Nënshtetësia: Kosovare dhe shqiptare
Vendbanimi: Tiranë, Prishtinë.
Detyra aktuale: Propozuar Drejtore e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Detyra paraardhëse: Këshilltare për Sigurinë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Detyra të tjera:1. Drejtore e Agjencisë sëKosovës për Inteligjencë. (Ushtruese e detyrës)
2. Nëndrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë
3. Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë nëAgjencinë e Kosovës për Inteligjencë

Tabela 2

DREJTUESIT E SHËRBIMIT SEKRET PAS RRËZIMIT TË KOMUNZIMIT DERI SOT

1. IRAKLI KOÇOLLARI (Kryetar i SHIK, 1991-1992)
Ishte kryetar i parë i Shërbimit Informativ Kombëtar pas rrëzimit të komunizmit. U emërua në detyrë në 1991 dhe qendroi deri në vitin 1992. Pas shkarkimit u arrestua me akuzën për zhdukjen e dosjeve dhe u lirua në vitin 1997 duke marrë edhe pafajësinë.

2. BASHKIM GAZIDEDE (Kryetar i SHIK, 1992-1997)
Kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar në periudhën më të anatemuar të këtij shërbimi. Pas shkarkimit në prill 1997 u largua nga vendi dhe jetoi si azilant në Siri dhe Turqi. U kthye në Shqipëri në vitin 2005, vdiq më 25 tetor 2008.

3. ARBEN KARKINI (Kryetar i SHIK, PRILL-GUSHT 1997)
Ishte kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar pas marrëveshjes së 9 marsit 1997 i propozuar nga Partia Republikane. Qendroi në detyrë deri pas marrjes së detyrës nga qeveria e Fatos Nanos i cili e shkarkoi duke marrë edhe ok e presidentit Meidani.

4. FATOS KLOSI (Kryetar i SHISH, 1997-7 gusht 2002)
Ishte kryetar i parë me emrin e ri SHISH. U shkarkua më 7 gusht 2002 nga kryeministri Fatos Nano dhe me dekret të presidentit Alfred Mosiu. Pas një procesi hetimor i akuzuar për abuzim me naftën e institucionit që drejtoi, Klosi u shpall i pafajshëm.

5. PETRIT MYFTARI (Kryetar i SHISH, 7 gusht 2002-19 nëntor 2002)
Ishte kryetar i SHISH për një kohë të shkurtër. Ushtroi detyrën pas shkarkimit të Fatos Klosit deri në emërimin e Kujtim Hysenajt. Vdiq në vitin 2004.

6. KUJTIM HYSENAJ (Kryetar i SHISH, 19 nëntor 2002-janar 2005)
Ishte kryetar i SHISH që nga 19 nëntor 2002. Dikur diplomat dhe një karrierë të suksesshme, i dha një fytyrë të re këtij shërbimi. Vdiq në detyrë në janar vitin 2004.

7. YLLI ALUSHI (Drejtor i SHISH, janar 2005-mars 2005)
Ushtroi detyrën e kryetar të SHISH në një periudhë afër tre mujore pas vdekjes së Kujtim Hysenaj, duke qenë se ishte zëvendëskryetar i këtij shërbimi.

8. BAHRI SHAQIRI (Drejtor i SHISH, mars 2005- gusht 2012)
Ishte kryetari më jetë gjatë në detyrë si kryetar i SHISH. U shkarkua nga kryeministri Sali Berisha dhe mori ok me dekretin e parë si president i Bujar Nishanit. Shkarkimi i Shaqirit u shoqërua me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës por kritika kanë bërë edhe institucionet ndërkombëtare.

9. VISHO AJAZI LIKA (Drejtor i SHISH, gusht 2012-30 tetor 2017)
I emëruar nga administrata e PD kur kryeministër ishte Sali Berisha socialistët e kishin anatemuar jo pak. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste në 2013 kishte disa nisma për ta shkarkuar nga detyra por kjo nuk u arrit. Më 30 tetor 2017 VishoAjazi dha dorëheqjen dhe më13 dhjetor 2017 ai u emërua po nga kryeministri Rama dhe me dekret të presidentit Ilir Meta ambasador në NATO.

10. HELIDON BENDO, (Drejtor i SHISH, 30 tetor 2017-23 dhjetor 2022)
Helidon Bendo u emërua në detyrën e kreut të SHISH sapo u largua Visho Ajazi. Bendo ishte më parë në detyrën e zëvendësit të tij dhe e drejtoi këtë shërbim për më shumë se 5 vjet. Më 23 dhjetor 2022 presidenti Bajram Begaj dekretoi largimin e tij nga kjo detyrë pas dorëheqjes së tij për arsye vazhdimin e studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare të Sigurisë në SHBA. Pas largimin Bendo mbajti edhe detyrën e këshilltarit për reformën e institucioneve të Sigurisë.
11. OLJAN KANUSHI, (Drejtor i komanduar i SHISH, 23 dhjetor 2022-17 mars 2023)
Oljan Kanushi u caktua nga kryeministri Edi Rama si drejtor i komanduar i SHISH pas largimit të Helidon Bendos. Për afër 3 muaj ai e drejtoi këtë institucion në pritje të pasardhësit të ri pa pasur firmë zyrtare në institucion.
12. VLORA HYSENI, (Drejtore e propozuar e SHISH, 17 MARS 2023
Kryeministri Edi Ramai propozoi presidentit Bajram Begaj që në krye të SHISH të jetë Vlora Hyseni. Tashmë pritet që presidenti të firmosë edhe dekretin për emërimin dhe nisjen zyrtarisht nga puna të saj.

Të fundit

Aplikacioni Telegram rrezikon bllokimin në Rusi, Kremlini: Po përdoret nga terroristët

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar sot se aplikacioni i komunikimit Telegram dhe krijuesi i tij Pavel Durov...

Këshilli Bashkiak miraton bonusin e qerasë për familjet e Kombinatit

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e familjeve të Kombinatit, të cilat përfitojnë bonus qiraje pasi banesat e tyre u prekën nga procesi i...

Sterilizimi/ Ilir Beqaj zbulon detaje nga dosja hetimore: Kemi bërë kërkesë për…

Pas daljes nga SPAK ku u njoh me dosjen hetimore për Sterilizmin, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, tha...

Ekspertët thonë jo! Nga tani mos qëndroni më zbathur në shtëpi, ja arsyeja e fortë

Pas një dite të gjatë me këpucët veshur me siguri gjithçka që doni të bëni është t’i largoni ato nga këmbët tuaja. Kjo për shkak...

Nesër mblidhet Sekretariati i Etikës në Kuvend, ja çfarë pritet të ndodhë

Ditën e nesërme do të mblidhet në orën 11.30 Sekretariati i Etikës në Kuvend, për kërkesën e grupit parlamentar të PD për të shpallur...

Lajme të tjera

Web TV