“Ta cilësosh një vepër si të bukur, do të thotë t’i japësh asaj vlerë enigme”. (Paul Valeren)
Nga Piro Loli – Mjeshtër i Madh
…Pak nga romani si kujtesë për lexuesin: Çifti Besfort-Rovena në një udhëtim nga Vjena në Tiranë, në kilometrin 17, aksidentohen e mbeten të vdekur. Të dy bëhen personazhet kryesorë të gjallë e të vdekur e rreth tyre shpështillen të gjitha pistat e rrëfimit. Ky ”bum” skenik, që në logjikën e ngjarjeve dramatike ndodh në fund, artistikisht na ndodh në faqet e para të romanit. Po, ligjet e logjikës nuk funksionojnë nё arte. …Këtu nga një dorë magjistari dridhet e përdridhet romani deri në fund. Nisin hetimet me në qendër shoferin e taksisë që ka shpëtuar gjallё. Hetime pa fund, dyshime, pohime e mohime që kundërshtojnë vetveten. Nisje përsëri e përsëri nga e para, dorë pas dore e, çudia na del në fund: nuk paskemi pasur aksident, aq më pak vrasje! Përmes hetimeve e digresioneve, lexuesi orientohet drejt njohjes së jetës së tyre intime. Kemi kështu një ngërthim rrëfimtar nisur nga farat e zeza të realitetit, përmes situatave absurde deri në majat mitike të fantazisë së një shkrimtari si Kadare.
SEKSUALITETI
Nëpër faqet e romanit njihemi me një histori të mirëfilltë erotike; seks pasionant, në dukje si temë kryesore e romanit, por, papritur aksidenti aq “i rastësishëm”, hetimet, rrethinat, ngjarjet e befasishme, enigmat, hamendjet, forcat e angazhuara e bëjnë këtë roman një trill të mistershëm të romanistikës së gjerë të I. Kadaresë.
Është thënë e shkruar se Kadareja e ka si me kursim temën e seksualitetit, anipse, dihet se, letërsia është në vetvete epsh krijimi, seks. Le pastaj që, në art e letërsi, asnjë temë nuk është kusht që mund të prodhojë vlerë. As tema mbi seksin. Aq mё pak, kur tani është e fituar liria e seksit e, kur “gjërat” janë zbuluar dhe mollët janë sheshit…
Çifti Besfort dhe Rovena dhjetë vjet bashkë, përjetojnë ndjenjat e bukura të një dashurie sensuale, por dhe në seks, diçka nuk shkon midis tyre. Shkrimtari gërmon dhe jo vetëm që nuk i qartëson hamendjet, por i bën edhe më enigmatike në një terren të pafund plot dritë hije. Diçka pret lexuesi, por autori na tregon “atë që nuk shpreh”, të pa tregueshmen – magjinë e artit që lëviz midis rreshtash, këtu e më thellë.
Në fokusin e pashprehur të romanit është natyra e dytë e femrës(Rovenës) – ajo që nuk shfaqet para syve; moralit dhe prostitutës, seksit dhe mashtrimit. ”Ai do që të të përbaltë ty, të të vrasë moralisht, trupërisht…”Ai s’më lë të jetoj”…Në hetim si në dashuri çdo gjë sa vete dhe errësohet…Të biesh në dashuri, ngjan si të biesh në një gropë(?!) Seksualiteti në penën e Kadaresë tingëllon, jo vetëm si ironi therëse por dhe si sfidë humoristike dhe vrastare “Bjeri Serbisë, Bill/Është më lehtë t’i biesh Serbisë se Monika Levinskit..”; Ose: “Pasi kreve punë me Serbinë, m’u turre mua”, thotë Rovena. (Këto detaje më kujtuan të paharruarat e tij në librin “Çështje marrëzie”…ku në një shtëpi në Palorto, ungji i vogël kërkon të vrasë veten se tezja i ka parë bibilushin (?!)…) Eh, Rovena dhe Monika Levinski , të dyja të dëshiruara aq shumë. Si personazhe e dashnore të bukura. Ky sovranitet kaq origjinal e estetik “made in Kadare” , thyen edhe tabutë e njohura në psikën dhe letërsinë shqipe.
Rovena studionte në Grac – kish fituar një bursë nga Këshilli i Evropës në këmbim të një seance seksi me një diplomat të Evropës në Tiranë! (se “helbete”…, duhet ta bёnte atë punë me diplomatin evropian qё tё quhej seks modern(?!)… Pa le pastaj se dosja e aksidentit qenka përkthyer nё tё gjitha gjuhët e BE. e, me tё , po merret sigurimi i tri shteteve… (?!) Ç’merak qё paska pёr ne Evropa, ё ?!. Në fakt as i pëlcet fare. Është një guxim ballëlartë e ironik të krijosh ankthe kaq të fryra edhe atje ku nuk ka. Debolesat e tij estetike të vlerësuara maksimalisht, kanë të bëjnë me prishjet e kumteve e akteve morale, besës e fjalës, gjakut e kanunit, mitit e baladës, përplot imazhesh edhe në romane të tjera të tij.
MIDIS MORALIT DHE MËKATIT.
Seksologët e interpretojnë ndryshe dhe moralin dhe seksin, por ne jemi te shkrimtari me “Aksidentin”, ku hetohet edhe seksi edhe aksidenti si artificë rreth tij. E, kur dalim diku, ku duket se diçka po arrihet në hetim, llastika e hapur ku s’mban më, përplaset përsëri e përsëri te problematika e seksit. Thotë jevga Zarë:” jepe atë se dheu do ta hajë”ose, edhe kur tentohet për sinqeritet midis çiftit, demoni i dyshimit brenda tyre rritet si përbindësh.
“Do të të pëlqente ta bëje me një tjetër?
-Po ty?
-Pse jo?!Po…, po, por…”
…
Në një faqe tjetër Rovena flet pa hequr dorë nga maska: ”U bëra lesbike, për të mos të të fyer ty me një rival…” Dhe autori: ”Mërzitesh me veten, shko me një maskë si ato aktoret japoneze që lyheshin me allçi, mister mbi mister, si të flije me një nuse të ngritur nga arkëmorti”. Rovena bën seksin e çastit si rit, madje, pa e ditur përse, pa shprehur as kënaqësi të natyrshme trupore. Çifti i romanit përjetojnë vetveten por nuk e kuptojnë atë. Janë të verbër dhe enigmatikë për vete e për të tjerët. E pranishme midis tyre fantazma e vrasjes. Kadare prek thelbin e shqetësimit. Sepse asnjë dashuri nuk e pranon testin e besueshmërisë. Dhe pyetjet shteruese të autorit, shqetësojnë edhe lexuesin: – A mund të quhet e ndershme një grua që nuk i është dhënë rasti të bëhej e pandershme?! -A mund të kërkosh gruan e parë, atë, para se të shkonte me disa meshkuj.? – Dhe tjetra më e vështira: -a mund të mos ta kthesh kokën pas? Provokimi për të vërtetuar ndershmërinё e femrës është dyshim te vevetja. Natyra e dytë e kësaj femre, në thelbin e pa shprehur të romanit, është mishërimi i shkeljes (dhe kur provon lesbiken, edhe kur kujton se ka pasur marrëdhënie me të fejuarin, me një student të huaj, një diplomat evropian një , emigrant me një e, e …). Ajo është mishërimi i aspektit të ndaluar. Ajo i përkushtohet pikërisht shkeljes dhe ndalimit të aktivitetit seksual, anipse seksualiteti, epshi, është intim e sovran, përjashto seksualitetin pornografik ose atë të dhunshmin. Ajo i përket asaj përvoje, falë së cilës kënaqësia seksuale arrin t’i japë si pretekst tё mjaftueshёm trazirës, grindjes, dyshimit dhe bamirësisë. Por shembja morale nxit reagime të forta morale dhe nga tё pamoralshmit në roman si L.Blumb, Zulu, Plaka Zarё, lesbiket, të cilat na u kthyekan edhe në hetuese të vrasjes(?!) etj.
ENIGMAT
Të pathënat ose enigmat mbeten pezull, në të gjitha degët e romanit; shkaqet enigmatike të aksidentit errësohen plus me një tjetër enigmë – Çfarë pa shoferi në pasqyrën e makinës, që i tërhoqi vëmendjen dhe e çoi në aksidentin fatal?, Enigmë kjo, që protokollohet gjithsesi enigmatike edhe në testamentin e lënë, e për habi, mbetet leximi i pa deshifruar në një enigmë tjetër më të errët. Hetuesi, në fund të romanit, jep frytin e përsiatjes së tij në shkëmbim të pasqyrës që do të marrë me vete në varr. Dhe absurdi enigmatik sjell absurdin tjetër, më të padëgjuarën as në jetë, as në letërsi as në shkencë…Hetuesi harton një testament, duke dëshiruar që varri i tij të hapet pas një mijë vjetësh,(!)… Dhe pse? Sepse është i bindur se “pasqyrat, te të cilat gratë zbukuroheshin përpara se të putheshin, ose të vriteshin, diçka thithnin prej tyre. Mirëpo në këtë botë shpërfillëse askujt nuk i kishte rënë ndërmend të merrej me to”.
Kadareja të fut në lojën e artificave dhe enigmave për të mos thënë atë që shpreh…Ai që u vra në taksi qe puthur me një kukull, (lexo: me natyrën e dytë ikёse të Rovenës, sendërzimin e saj, fantazmën, ose kukullzimin…(!), ja enigma që e bën lexuesin të mendohet. Pёrvojat e letërsisë moderne (sipas Paul Valeren) kanë vërtetuar se, “ta cilësosh një vepër si të bukur, do të thotë t’i japësh asaj vlerë enigme”. Lexuesi i pëlqen gjetjet, figuracionin dhe lojën e enigmave. Si te romanet më të mirë të Kadaresë,“ Pallati i ëndrrave”, ”Kronikë në gur”, ”Gjenerali”, “Prilli i thyer, Qorrfermani”,”Lulet e ngrira të marsit” etj, të vetëmjaftueshme këto për ta ngritur autorin në majat e letërsisë.
KOMLEKSITETI SI DUKURI STILI
…“Aksidenti”, të kujton një dyqan të madh si galeri artistike plot kinkalerish me bizhuteri të arta, por, krahas orëve të lara me flori, shiten edhe lule dielli, prezervativë, viagra e çamçakëza. ( si roman me tematika të ndryshme dhe probleme të mprehta me zgjidhje subjektive. Është dhe kjo dhe ajo, kështu e ashtu, dhe këtu dhe atje, tani dhe më parë, pse kështu e pse ashtu… Sepse, ky kompozicion i hapur duket si një qytet pa semaforë e pa vija të bardha; i ndërtuar enkas sipas lirisë së pronarit, anipse vështirëson qarkullimin e qytetarëve.
Absurdi është preferencë e Kadaresë. Shpesh, realja, jo vetëm në këtë roman, duket se shpërfillet tutje në hije, të shpëton, përvidhet, tretet ose siç është natyra e absurdit, merr forma që sfidojnë të zakonshmen dhe logjikën. Si gjithmonë, te Kadareja është e pamundur të vendosësh fakte statike. Një kompleks i gjerë bëmash e mosbëmash, ku secila kërkon një sy të mprehtë, apo kod për ta hetuar gjer në fund e që, asnjë hetues nuk e çon dot deri tek një e vërtetë që autori e lë pa zbuluar. Vini re ngarkesën e galerisë: Këtu preken një tërësi temash e problemesh, pa u fokësuar tek ndonjera; kemi dhe mekanizmin e urrejtjes në ish diktaturë, vrasjet, izolimet, komplotistët e dënuar, e pas tyre diktatori triumfator që fërkon duart me cinizëm e do të dijë, ç’mendojnë miqtë për të; këtu preken paksa dhe lufta e fundit në Ballkan që solli shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe fitoren e pavarësisë së shteteve përkatëse, sidomos të Kosovës, ku Besforti, paska lidhje direkte, madje të shpërthimit të asaj lufte.(!) Dhe me tej, jehona e vitit 1997, shpërbërja e shtetit shqiptar, e pastaj genocidi serb, gjykata e Hagës, viktima dhe krimineli, Këshilli Evropian, NATO, OKB etj. Nuk është hera e parë që Kadareja, parapëlqen t’i vërë aktorët e librave të tij si personazhe në mjedise të larta, pompoze e luksoze të perandorive dhe administratave shtetërore anë e kënd planetëve nga poli në pol, sidomos nëpër zyrat e larta dhe ingranazhet e shteteve totalitare.
Në roman, kalojnë tangjent edhe problematikat e Ballkanit, madje dhe të sigurimit ndërkombëtar; dhe një sy policor me të cilin merren tri hetime shtetesh. Këto dhe një seri toponimetsh evropiane, metropoletsh të mëdha, shkallët e Olimbit a seksi i diplomatëve, hoteleve me pesë yje, të gjitha tangent. Kemi kështu një tërësi gjërash të vizatuara në një tablo gjigande me të gjitha dhomëzat, dritëzat, hijëzat, një farë muzgu me një ë ylber të zbetë pas perëndimit të diellit. Do t’í thosha lexuesit, se kjo tablo duhet gjykuar në të gjitha copat e pikturës më vete dhe të gjitha bashkë në një kompozim ekletktik unik dhe piktoresk. Mos vallë të gjitha këto tematika, të mëdha e të vogla, që nga problemet botërore të paqes e të luftës, deri tek seksi i Rovenës, janë aksidentale?! Apo është dukuri e stilit të Kadaresë? Autori në një anë heton vdekjen, nga ana tjetër merret me retrospektivën e hollësive të jetës problematike seksuale të çiftit. Polemika me vetveten, hetime policore pa fund, qё kalojnë nga dora nё dorё, i jep lexuesit një tekst e nënteks përthithës. Autori, estetikisht, do të na thotë, më falni se u mashtrova, s’kemi aksident…, nuk doja t’u thosha këtë, por diçka tjetër… Në letërsi tekstit nuk mund t’i kërkosh të dëshmojë të vërtetën adeguate shkencore a historike.
***
Aty këtu në rrathët që shtjellojë ngjarjet e romanit njihemi edhe me elementë të shkruar me një mjeshtëri të paparë, siç paraqiten këtu, veçanërisht komplotistët, ku ironia e shpotia kundër tyre, këtë radhë jo vetëm si viktima, por si servilë mjeranë, është tepër groteske, neveritëse e krupndjellëse e pa parë as në letërsinë e madhe. Viktima të keqpërdorura. Nuk të vjen keq me zgërlaqjes grotekse që u bën autori. Dhe lexuesi, me të drejtë thotë , sa poshtë paska rënë njeriu shqiptar, sa fort ia kanë shpëlarë trurin deri në përmbytje. Ç’gjeneralë paskan qenë këta?! Mostra. Lepuj. Nga ana tjetër, një pamje diabolike e diktatorit që, tani e kanë bezdisur besnikët dhe do të provojë ç’mendojnë tradhtarët e armiqtë të cilët dhe ata i prodhon vetë. “…O Zot, viktimat, gjeneralё e udhëheqës, të kupolës së lartë, tashmë nga rrathët ë ferrit, ku i ka hedhur diktatori, kërkojnë të shprehin adhurimin për ATË…Disa ankoheshin se nuk po i torturonin sa duhej…,përveç britmave “rroftë prijësi”, jepeshin dëshirat e fundit.., kërkonin të vriteshin, jo me armët e zakonshme, por me antitank, madje me flakëhedhëse…(?!)”, bukur besa,! … Këta lepuj jo gjeneralë e meritojnë tonin e ironisë më tepër se plumbi.
***
Në letersinë e mirë, që nga mitologjia, gjithsesi seksualiteti ёshtё truall pjellor, “molla e kuqe e Edenit”, frut i shijshёm që pjell e ndaluara. Por është dhe dramë. Dhe tragjedi. Për dashuri, tradhti dhe seks është mallkuar raca njerëzore (?!), është vrarë Antigona, Elena, Zhuljeta, Ana Karenina, Ema Bavari e mijëra e mijëra Lolita pa fund. Poetizimi i vdekjeve së madhe është rrjedhim i pasioneve të mëdha, por dhe preferencë e shkrimtarëve më të mëdhenj të kulturës botërore. Në vlerat letrare njihen romantizmi i kënaqësive seksuale, por po thuajse as seksi as dashuria nuk është dhimbje e gëzueshme e një lulëzimi, që e bën njeriun fitimtar i një beteje të fituar, por të pa përfunduar. Dihet se shembja e moralit nxit reagime të forta. Krishterimi ia faturoi të keqen erotizmit, seksit, mëkatit. Akti seksual nxjerr në pah mishin. “Thua se bardhësia e lëkurës i ishte futur thellë nën lëkurë dhe sisët e vogla të lëmuara mallëngjyshëm, ngjanin si të huaja”… Madje(?!), diku te ‘’Aksidenti”, një gjinekolog përshkruan hollësisht gjendjen fizike tё vaginës së Rovenës…Pse, pse?- pyes unë. Në psikologjinë e seksit njeriu, para se të heqë teshat, duhet të heqë maskat. Këto maska mund të jenë porositur që në kopshtin e Edenit, apo sot në një hotel luksoz në Vjenë. Me maska luhet vetëm teatër. Lexuesi te “Aksidenti”, habitet pse Rovena nuk është mbajtur si prostitutë? Kjo Rovenё s’ka impulse tё shtypura seksuale qё tё drejtohet instinktivisht tek ato, përkundrazi, çlirimi i tyre pa cak, ka sjell vetëm shpёrdorimin alibik tё shtypjes. Kështu siç jepet, as e ndershme as lavire, as grua as bashkëshorte, as e martuar as familjare, ka mbetur dhe si personazh kompleks as e as… Në raste të tilla labi thotë, është e virgjёr, po njëçikë me barrë). Për të dhënë thelbin e natyrës së saj të dytë, call girl (laviren), për të justifikuar vrasjen brenda vetes, ajo nuk e ka forcёn e duhur. Se dhe ata që vetëvriten ose i vrasin mbartin drama të mëdha. Shpesh nё natyrën e dytё tё femrës qё ajo nuk e shfaq është ana mё femërore e vetvetes, vetvetshmёria e saj erotike. E kjo, mendoj, do të duhej që autori ta shpaloset ngjarjeve, bëmave, provave, ku, mund të fokusoheshin të veçantat e tij ku njeriu të hapë zemrën të qeshë, tё qajё, tё urinojё, të lumturohet, të derdhë lot. Pse jo, dhe të të skandalizojë? Letërsia, para se të jetë mendim është ndjenjë. Njeriu i ideve i ngjan kufomës. E kufoma nuk flet asnjë gjuhë. Vёrtitemi brenda moralitetit, thelbi i të cilit është imoraliteti. Lavirja te ”Një grua para pasqyrës”e Kadaresë është më vitale se Rovena. E para gjen forca të vrasë vetveten. E dyta nuk vret dot as hijen, as demonin brenda vetes. Këto nё etikёn moralizuese , duken si rrathët e ferrit, por në letërsi e arte janë qielli i admirueshëm.
E rruga e gjatë e I.Kadaresë drejt kaltërsive ka dhe“ “aksidente”
Sa do t’i dëshironim aksidentet e tilla !