Raporti ish-Sigurimit/ Zbulimet e huaja do tentojnë rrëmbimin e Agron Hazbiut në Kurbnesh

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zbulohen dokumentet sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit, për ndjekjen e survejimin e familjes së ish-ministrit Hazbiu, të pushkatuar në ’83-in.

Relacioni / “Drejtoria e III-të duhet të sqarojë se kush është Bulja dhe Eqeremi, që kanë qenë në ambasadën tonë në Paris, pasi i kanë thënë Mimoza Hazbiut në telefon, për një letër, që pasi ta lexoj, t’a djegë” 

 Nga DASHNOR KALOÇI

 “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im, e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë, udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë dhe ne e pyetëm se si ishte puna? Babai im, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari në sy! Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar ato të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë e asaj dosje voluminoze, janë edhe me qindra e qindra raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, (kur filloi goditja ndaj Kadri Hazbiut) dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991, kur filloj shembja e regjimit komunist dhe ajo dosje u mbyll, për t’u arshivuar në arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Por Ramiz Alia, njeriu që bashkë me Nexhmije Hoxhën, ndikuan tek Enveri për prishjen e fejesës ndërmjet vajzës së tij Pranverës dhe Petritit, djalit të Kadri Hazbiut, i arrestuar në tetorin e vitit 1982, si “armik i popullit”, nuk është mjaftuar vetëm me e goditjen dhe eliminimin e tij fizik, por ai ka vazhduar edhe ndaj familjes së Hazbiu, e cila ishte e internuar diku larg në malet e Kurbneshit të rrethit të Mirditës. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, pasi ai është njoftuar nga Sigurimi i Shtetit në fillimin e marsit të vitit 1987, lidhur me ato që ka thënë Agron Hazbiu, ai (Ramizi), në krye të atij dokumenti, ka vënë shënimin me dorën e tij, duke shkruar: “Se mos na arratisen, djemtë e armikut…Të veprohet…”! Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por a ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili, përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe aty në internim, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…! Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër i madh dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat publikohen për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA në disa numra të saj.

Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti sekret i Punëtorit Operativ, Mihal Monka, i miratuar nga kryetari i Degës së Brendshme të Rrëshenit, Bajram Pelo, për ndjekjen dhe survejimin e Agron Kadri Hazbiut në rrethin e Mirditës

M I R A T O H E T                              SEKRET

KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME    EKZEMPLAR I VETËM

BAJRAM PELO                                RRËSHEN 9.2.1983

                   

                  V E N D I M

PËR MARRJEN NË PËRPUNIM PARAPRAK TË AGRON KADRI HAZBIUT PËR AGJITACION E PROPAGANDË DHE LIDHJE TË ARMIKUT KADRI HAZBIU

Unë, Punëtori Operativ, Mihal Monka efektiv i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit Mirditë, mbasi studiova materialet në ngarkim të Agron Hazbiut

Gjeta se:

Agron Hazbiu është i biri i Kadriut dhe i Hedijes, lindur në vitin 1959 në Tiranë dhe banues në qytetin e Kurbneshit të rrethit të Mirditës, me arsim të lartë, ka mbaruar Institutin e Kulturës Fizike në Tiranë, rrjedh nga një familje nëpunësish, ka qenë i fejuar por pa lidhje martesore me A…..S…..me vendim Nr. 16. datë 17.10. 1982, ky së bashku me nënën dhe dy motrat, e vëllanë, internohen në qytetin e Kurbneshit të këtij rrethi, për shkak të veprimtarisë të theksuar armiqësore, komplotiste dhe puçiste dhe antiparti të të atit, Kadri Hazbiut, kohët e fundit ish-ministër i Mbrojtjes Popullore, arrestuar kohët e fundit. B.p. “Dinamo” i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, më datën 18.10.1982, informon se Agron Hazbiu, shoqëri të ngushtë ka pasur me Shkëlqim Skifterin, aktualisht këpucar në Klubin Sportiv “Dinamo”. Tek shtëpia e Shkëlqimit, disa futbollistë të “Dinamos”, si Agron Dautaj Hazbiu, Kujtim Çoçoli, Arben Vila dhe ndonjë tjetër që burimi nuk e mësoi dot, kanë bërë një mbrëmje duke dëgjuar me magnetofon këngë të huaja. Po ky B.p., më datën 8.10.1982, informon se Shkëlqim Skifteri, i ka thënë atij se ka qenë në Spitalin Ushtarak, ku ka qenë i shtruar Agron Hazbiu, për të parë me Arben Vilën. Në spital Agroni na tha se; babain e shkarkuan nga të gjitha funksionet që kishte dhe kur vajti në shtëpi, pasi ja kishin komunikuar vendimin, babai mblodhi ata të shtëpisë dhe ju tha: “Partia më shkarkoi nga të gjitha funksionet që pata, por ta dini se unë nuk jam as armik dhe as imoral dhe nuk kam shpërdoruar postin zyrtar”. Agroni ishte shprehur se unë do punoj kudo që të jem, të lajë gabimet e babait, se babanë nuk e kemi armik, që për ne është anë e mirë. Më datën 10.1.1983, Robert M., mësues në Kurbnesh, na informon se në muajin nëntor 1982, në restorantin e qytetit të Kurbneshit, më takon Agron Hazbiu dhe më thotë, që po pate mundësi, kur të shkosh në Tiranë të takosh Muhedin Targajn dhe Halit Gegën, që do të japin një palë pinca dhe një sqepar se më duhen dhe Muhedini më ka ca lekë borxh. Kjo parullë, ka dyshimin e vet se, mund të jetë ndonjë parullë për t’u lidhur me lidhjet e veta në Tiranë. Nga përgjimi i bërë më datën 2 dhe 3 të muajit Shkurt 1983, del se, Agroni gjatë gjithë bisedave të bëra, qëndron indiferent, kjo tregon se i ruhet mjeteve tona të përgjimit, si dhe nuk kanë zënë me gojë dhe as e dënojnë dhe as nuk e mohojnë armikun Kadri Hazbiu, që tregojnë që mbajnë konsideratën dhe mbajnë rezerva, për veprimtarinë armiqësore të të atit. Për shkak të rrezikshmërisë që paraqet Agron Hazbiu, si lidhje e armikut të rrezikshëm të Partisë e të shprehjeve armiqësore,

V e n d o s a 

Që Agron Hazbiun, ta marrë në përpunim paraprak, për agjitacion e propagandë armiqësore, e si lidhje e armikut Kadri Hazbiu, duke bërë evidentimin e planin e masave agjenturalo-operative.

Punëtori Operativ i Drejtimit       Punëtori Operativ

Mihal Monka                           Llazar Druga

 

Dokumenti sekret me planin e masave agjenturore-operative i miratuar nga Kryetari i Degës së Brendshme Rrëshen, Bajram Pelo, për ndjekjen e survejimin e Agron Kadri Hazbiut dhe familjes së tij

        MIRATOHET                                                                                            SEKRET

KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME     EKZEMPLAR I VETËM       

         BAJRAM PELO                   RRËSHEN MË 9.2.1983

                       

                    PLAN MASASH

AGJENTURALO-OPERATIVE NË DREJTIM TË OBJEKTIT PËR PËRPUNIMIN PARAPRAK AGRON KADRI HAZBIU               

Aktualisht nga sektori i Sigurimit në Degë, ndiqet në përpunim paraprak, objekti Agron Kadri Hazbiu, për agjitacion e propagandë dhe si lidhje e armikut Kadri Hazbiu. Nga ana jonë, për të vërtetuar veprimtarinë e tij armiqësore kundra Partisë dhe Pushtetit Popullor, do të merren këto masa agjeturalo-operative:

  1. Do të bëhet sigurimi fizik i tij, nëpërmjet paraqitjes së tij dy herë në ditë, në Rep. 44 Kurbnesh dhe për cdo mungesë ose largim, do të njoftohet Dega e Punëve të Brendshme Rrëshen, sipas një kodi të vecantë.
Lexo edhe :  27 mars 1945/Operacioni Starvation, amerikanët nisin operacionin bombardues ndaj Japonisë

Kryen: P. Op. M. Monka

Kontrollon: Zv/kryetari i Degës

  1. Me anë të B.p. të seleksionuar “Çelësi” dhe B.p. “Shënjuesi” dhe të personave të tjerë të besuar, brigadier, do të bëhet kontrolli fizik i tij, në vendin e punës, në minierë, ku ai punon.

Kryen: P. Op. M. Monka, vazhdimisht

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

  1. Do të studiohet rrethi i tij shoqëror në vënin e punës, me qëllim për t’i shfrytëzuar për interesa operative, qoftë për përpunimin e tij e forcimin e kontrollit fizik.

Kryen: P. Op. M. Monka, deri më 15.2.1983

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

  1. Korrespodenca e tij dhe e pjesëtarëve të familjes, do t’i nënshtrohet kontrollit postar, për të parë karakterin e kësaj korrespodence dhe lidhjet e tyre.

Kryen: P.Op. Llazar Druga, deri më 15.2.’83

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

  1. Herë pas here do të përgjohen me T.O. duke i ngacmuar, për të parë reagimet, si të objektit, ashtu dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes e të lidhjeve të tyre, që mund të zënë në gojë konsideratat për ta, kjo do të bëhet dhe sa herë të dalin në shtyp materiale të rëndësishme.

Kryen: P.Op. M.M. e H.V. vazhdimisht

Kontrollon Zv/Kryetari i Degës

  1. Do të studiohet si kandidat i mundshëm për tërheqje R.M. si lidhje e tij shoqërore, me qëllim për ta futur në përpunim të tij dhe të vëllait, Petritit, për të zbuluar në thellësi veprimtarinë e tyre armiqësore dhe lidhjet e tyre në Tiranë.

Kryen: P. Op. M. Monka, deri më 28.2.1983

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

  1. Nëpërmjet mjekut R. Petro, i cili ka shkuar dhe do të shkoj të vizitojë nënën e tij, që është e sëmurë nga zëmra, do të shikohen reagimet e tij dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe në këtë mënyrë, do të aktivizohet edhe mjeku F. Biba.

Kryen: P. Op. M. Monka, vazhdimisht

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

  1. Do të koordinohet puna me Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Tiranë, për të mësuar karakterin e lidhjeve shoqërore me Arben Vilën dhe Shkëlqim Seferin

Kryen: Kryetari i Degës dhe P.Op. Llazar Druga

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

  1. Herë pas here nga ana e personave të besuar si GJ.A., P.P.LL., L.M., e B.p. “Drita”, e “Aparati”, do të mbahet nën survejim në qytetin e Kurbneshit dhe të Rrëshenit, për të zbuluar kontaktet e tij dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes, me familjen e armikut K. Theodhosi, B. Balluku, Ll. Zicishti dhe M. Dodbibës.

Kryen: P. Op. M. Monka dhe Ll. Druga, në vazhdim

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

Për çdo problem e të dhënë që do të dali në ngarkim të tij, do të informohet menjëherë Grupi Operativ në Drejtorinë e Parë. Do të merren masa të forta për sigurimin e tyre fizik, për të evituar ndonjë tentativë arratisje nga objekti ose nga të tjerë, ose për të penguar në kohë rrëmbimin e tyre që mund të bëhet nga ndonjë zbulim i huaj, mbasi favorizon edhe terreni i thyer dhe i pyllëzuar. Në përfundim të realizimit të këtyre detyrave, do të analizohen materialet e grumbulluara dhe në varësi të situatës së krijuar do të ngrihen detyra të tjera.

Punëtori Operativ                Punëtori Operativ i Drejtimit

   Mihal Monka                         Llazar Druga

 

Dokumenti sekret me planin e masave agjenturale-operative i miratuar nga kryetari i Degës së Brendshme të Rrëshenit, Bajram pelo dhe Zv / Drejtori i Drejtorisë së Brendshme të Tiranës, Refik Nanaj, për ndjekjen e survejimin e familjes së Kadri Hazbiut

S E K R E T

MIRATOHET                                                                                            Ekzemplar Nr. 1

KRYETARI I DPB RRËSHEN              Tiranë më 17.2.1983

Bajram Pelo

ZËVENDËSDREJTORI I DPB TIRANË

     Refik Nanaj

PLAN MASASH

AGJENTURORE OPERATIVE I PËRBASHKËT PËR NDJEKJEN DHE KONTROLLIN E LIDHJEVE TË ARMIKUT KADRI HAZBIU.

Me qëllim që të zbulojmë veprimtarinë armiqësore të lidhjeve të armikut Kadri Hazbiu, e për t’i patur ata nën kontroll të vazhdueshëm, nga Dega e Punëve të Brendshme Rrëshen dhe nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, do të merren këto masa agjenturore operative.

1 – DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME TIRANË

Në qytetin e Kurbneshit në Mirditë, është e internuar familja e armikut Kadri Hazbiu e përbërë nga gruaja e tij Hedija, Helena dhe Mimoza (vajzat e shkurorëzuara nga burrat) punëtore në sektorin e ndërtimit, si dhe dy djemtë, Petriti dhe Agroni, i pari i martuar dhe i shkurorëzuar, ndërsa i dyti ish i fejuar, të dy me punë në minierën e Kurbneshit, e të dy janë marrë në PP, për agjitacion e propagandë nga nga Dega e Punëve të Brendshme Rrëshen. Si për Petritin dhe për Agronin, është hartuar plani i masave agjenturalo-operative për ndjekjen dhe përpunimin e tyre me agjenturë dhe kontrollin për reagimet me T.O. në bashkëpunim me DPB të Pukës, është bërë dhe plani i masave për përpunimin e këtyre dy elementëve, por edhe si familje dhe lidhjeve që kanë në rrethin e Pukës dhe do të merren këto masa, agjenturore-operative me DPB të Tiranës. Të merret dorëshkrimi i Durim Shehut, Dhurata Iljaz Fishtës, Rexhep Minxollit, Stoli Çelmetës, Shpresa Minxollit, Adelina Salillarit, për t’u krahasuar me kartolinën me përmbajtje armiqësore që i është drejtuar Eleni Çollakut në pragun e Vitit të Ri 1983, dhe që e ka refuzuar ta marrë. Gjithashtu dorëshkrimi i kësaj kartoline, të krahasohet dhe me dorëshkrimin e Hasan Hazbiut, dhe me atë të problemit “Helmi”.

E kryejnë P.OP. S. Kaso dhe G. Bejko deri në 31.3.1983.

Kontrollon Zëvendësdrejtori R. Nanaj.

Sipas të dhënës së B.P. “Dinamo” datë 18.10.1982 del se Agron Dautaj, me disa shokë të tjerë (lojtarë të ekipit “Dinamo”) kanë shkuar në shtëpinë e Shkëlqim Skifterit dhe aty kanë dëgjuar muzikë të huaj me magnetofon. Për këtë B.P.”Dinamo” të drejtohet tek Shkëlqim Skifteri, për të sqaruar marrëdhëniet me Agron Dautajn, dhe qëndrimi e reagimet e Agronit për dëgjimin e muzikës së huaj. Në të njëjtën kohë, të sqarohen se kush janë dy anëtarët e frontit që, e kanë bërë problem dhe nëse kanë konstatuar veprime të tilla, dhe herë të tjera.

E kryejnë G. Bejko e S. Kaso deri në 15.3.1983 dhe H. Çiraku.

Kontrollon Zv/Drejtori R. Nanaj.

Po ashtu, nëpërmjet këtij B.P. të sqarohen marrëdhëniet e Shkëlqim Skifterit me Arben Vilën, dhe Agron Dautajn, si reagojnë aktualisht dhe nëse komunikojnë me njëri tjetrin.

E kryen P.Op. H. Çiraku.

Në vazhdim të verifikohet se cili është personi me emrin Bahrije……që ka biseduar në telefon me Petrit Hazbiun, me qëllim për ta thirrur e pyetur se, ç’di rreth tij, çfarë ka biseduar me të, çfarë porosish i ka dhënë në telefon, etj.

E kryen G. Bejko deri në 30.3.1983.

Kontrollon Zv /Drejtori R. Nanaj.

Nëpërmjet Drejtorisë së Pritjes, të organizohet dërgimi në Tiranë për të shlyer çdo gjë që kanë me të, Eleni Hazbiu dhe Agron Hazbiu, gjë për të cilën do të bëhet një plan i veçantë kombinacioni.

E kryejnë G. Bejko dhe S. Kaso deri në 31.3.1983. 

  • – DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME RRËSHEN
  1. Të merren dorëshkrimet e Petrit, Agron, Eleni, dhe Mimoza Hazbiut, e t’i dërgohen DPB të Tiranës, për t’i krahasuar me letrat anonime që disponon ajo drejtori, për të parë se mos janë autorët e mundshëm të tyre.
  2. Sa herë që objektet do të lëvizin për në Tiranë, të njoftohet DPB e Tiranës, për të organizuar survejimin e tyre, drejtuar agjenturën e mundshme e mësuar reagimet e tyre.
  3. Të vihen nën kontroll postar të brendshëm e të jashtëm, dhe për korrespondencën që do të kenë me lidhjet në Tiranë, të njoftohet Drejtoria e Punëve të Brendshme, për të koordinuar veprimet në përputhje me situatat që do të krijohen.
  4. Çdo implikim që do të dalë gjatë seancave të përgjimit me T.O. të pjesëtarëve të familjes, për lidhjet në Tiranë, t’i dërgohen menjëherë Drejtorisë së Punëve të Brendshme.
  5. Ditët e Shtuna të fundit të çdo muaji, ditë e cila është caktuar nga gjykata për të sjellë fëmijët Dhurata Fishta në Rrëshen, dhe Medin Çollaku, e Agron Aranitasi, të merren masa, për t’i përgjuar me T.O. në vendin ku do të instalohen.
  6. Mbasi të tërhiqet në bashkëpunim kandidati R.M. në drejtim të objektit Agron Hazbiu, sa herë që do të vijë në Tiranë për të transmetuar porositë e Agronit, të mbahet nën survejim për të saktësuar e vërtetuar ato lidhje e vende që, do të frekuentojë e që më vonë dhe do të raportojë. Nëpërmjet Drejtorisë së III, të sqarohet se kush është Bulja……dhe Eqeremi që ka qenë me punë në ambasadën tonë në Paris, të cilët kanë komunikuar në telefon me Mimoza Hazbiun, ku bëhet fjalë për një letër që do të merrte nga Bulja, të cilën Mimoza, duhet ta digjte patjetër pasi ta lexonte.

Shënim: Në rast se objektet Petrit, Agron, Eleni, dhe Mimoza Hazbiu, vijnë në Tiranë, të komunikohet me numrat kodikë 10, 11, 12, 13, respektivisht.

Punëtorët Operativë                Punëtori Operativ

Gëzim Bejko Mihal Monka                Subi Kaso

Vijon numrin e ardhshëm

 

 

 

Të fundit

Aplikacioni i motit bëhet viral, paguan pushimet tuaja nëse bie shi

Është e thjeshtë: Ju rezervoni një udhëtim, blini një ” WeatherPromise” dhe merrni një rimbursim nëse moti ju prish...

3 pyetjet që duhet t’i bëni vetes përpara se të divorcoheni

Kur ndiheni të pakënaqur në martesën tuaj, me siguri që pyesni veten: “A duhet të divorcohem?” Ndjenjat për partnerin/en, fëmijët, bashkërendimi i të gjitha...

“Voyage Privé”: Shqipëria, zbuloni thesarin e fshehur të Mesdheut

Dëshironi të bëni zbulime të reja? Magjepsuni nga pasuritë historike dhe kulturore të Shqipërisë, shkruan revista franceze e udhëtimeve “Voyage Privé”. Eksploroni peizazhet e saj...

Të dielën ndryshon ora, akrepat shkojnë një orë para në Festën e Pashkës

Të dielën, më 31 mars 2024, do të kthehet ora verore. Akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara, pra nga ora 03:00...

‘Do të kemi temperatura të larta’, meteorologia zbulon surprizat e motit për fundjavën

Kjo fundjavë pritet të ketë një mot të qëndrueshëm, me temperature të relativisht të larta. Meteorologia Lajda Porja tha se edhe fillimi i muajit të...

Lajme të tjera

Web TV