test

Kur Sigurimi ndiqte në çdo hap familjen e internuar të Kadri Hazbiut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Raporti i B.p. ‘Shkëlzeni’: “Fëmijët e Kadri Hazbiut, Elena, Mimoza, Petriti dhe Agroni, mbas orës 10 deri në 20, bëjnë xhiro në rrugën kryesore të qytetit, para mapove”! “Janë marrë masa për sigurimin fizik të familjes së Kadri Hazbiut, nga çdo tendencë arratisje, apo rrëmbim nga zbulimet e huaja”.

 Nga DASHNOR KALOÇI

 “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im, e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë, udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë dhe ne e pyetëm se si ishte puna? Babai im, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari në sy! Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar ato të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë e asaj dosje voluminoze, janë edhe me qindra e qindra raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, (kur filloi goditja ndaj Kadri Hazbiut) dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991, kur filloj shembja e regjimit komunist dhe ajo dosje u mbyll, për t’u arshivuar në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Por Ramiz Alia, njeriu që bashkë me Nexhmije Hoxhën, ndikuan tek Enveri për prishjen e fejesës ndërmjet vajzës së tij Pranverës dhe Petritit, djalit të Kadri Hazbiut, i arrestuar në tetorin e vitit 1982, si “armik i popullit”, nuk është mjaftuar vetëm me e goditjen dhe eliminimin e tij fizik, por ai ka vazhduar edhe ndaj familjes së Hazbiu, e cila ishte e internuar diku larg në malet e Kurbneshit të rrethit të Mirditës. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, pasi ai është njoftuar nga Sigurimi i Shtetit në fillimin e marsit të vitit 1987, lidhur me ato që ka thënë Agron Hazbiu, ai (Ramizi), në krye të atij dokumenti, ka vënë shënimin me dorën e tij, duke shkruar: “Se mos na arratisen, djemtë e armikut…Të veprohet…”! Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por a ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili, përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe aty në internim, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…! Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër i madh dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat publikohen për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA në disa numra të saj.

                Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN-OPERATIV TË PUNËTORIT OPERATIV, SAZAN TARE, LIDHUR ME INFORMACIONET E TË DHËNAT E MARRA PËR AGRON HAZBIUN

                                            S E K R E T

                                          Ekzemplar i vetëm

                                          Rrëshen, më 27.5.1983

                      Shënim – Operativ

Unë Punëtori Operativ, Sazan Tare, i sektorit të ndjekjes së krimeve, sot më datën 27.5.1983, u takova me ish-bashkëpunëtorin “Pisha”, i sektorit të ndjekjes së krimeve, i cili quhet Ndue P…, me punë në minierën e Kurbneshit, i cili më tha se: Unë punoj në një turn dhe në një front pune me Gjon M…., nga fshati Kurbnesh, i cili ka qenë dy herë i dënuar për vjedhjen e pasurisë socialiste dhe të pasurisë qytetare dhe në bisedë, Gjoni më tha se; unë i kam marrë Agron Hazbiut, (i cili edhe ky punon së bashku me të në minierë), kompletin e sportit të tij.

Gjoni ka hyrë disa herë në biseda me Agroin dhe Petrit Hazbiun. Gjoni më tha gjithashtu, se; unë në shtëpi kam disa orë të markave të ndryshme dhe kam qejf që t’i shes dhe po deshe ti Ndue, hajde dhe shihi. Kur Gjoni më tha se i kam marrë kompletin sportiv Agron Hazbiut, në prezencë, kanë qenë edhe disa punëtorë të tjerë.

Shënim: Ish-B.p. “Pisha”, u porosit që të sqarojë se, cilët kanë qenë punëtorët prezentë, kur ka thënë Gjoni se; i kam marrë një kostum sportiv Agron Hazbiut, kush e ka parë dhe dëgjuar se Gjoni ka hyrë në biseda me ta. Gjithashtu u porosit se, me qenë se Gjoni i ka thënë; hajde t’i shohësh orët në shtëpi, i’u tha që të shkoj në shtëpinë e Gjonit dhe të shikoj se, çfarë orësh janë, sa dhe ku i ka marrë, sa shitet dhe a ka shitur orë të tjera dhe kujt ja ka shitur.

Punëtori Operativ

                           Sazan Tare

Shënim:

Të shtypet në katër kopje. Njëra Drejtorisë së I-rë, tjetra Grupit Operativ.

Të sqarohen këto rrethana, edhe duke drejtuar agjenturën tek punëtori edhe nëpërmjet kontrollit, nëse kontaktohen këta jashtë punës.

Mos i ka vjedhur, ose mashtron!

Bashkëpunëtori me P.Op. të Ndjekjes së Krimeve dhe deri në përdorimin e T.O., për të saktësuar si dhe mundësinë e futjes të B.p. “Pisha”, tek Hazbinjtë, nëpërmjet Mërdhoqit.

Rrëshen, 27.1.1983             Kryetari i Degës

                                 Bajram Pelo

 

Mori: P.Op. M. Monka

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORTIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “SHKËLZENI”, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT

Dha: B.p. “Shkëlzeni”

                                       Në bazën “Drita

 

Raport i datës 2.6.1983

Burimi njofton se, ay më datën 31.5.1983, e në vazhdim gjatë muajit maj, ka parë që fëmijët e Kadri Hazbiut. Elena, Mimoza dhe Petriti me Agron Hazbiun, mbas orës 10 deri në orën 20, bëjnë xhiro në rrugën kryesore të qytetit, para mapove, në rrugën midis shtëpive, dhe zakonisht kanë qëndruar të katër fëmijët ulur, dhe bile në ndonjë rast, edhe me të ëmën e tyre, para pallatit ku ata banojnë.

Në shumicën e rasteve, i ka vënë re se ata, e bëjnë xhiron të ndarë në dy grupe, Elena së bashku me Petritin dhe Agroni së bashku me Mimozën, kur ai më pare, nuk ka kontaktuar një gjë të tillë, dhe ai ka vënë re se tani, në biseda duken serioz dhe të tendosur.

Ai nuk ka shkuar ta takojë dhe të bisedojë me Petritin, sipas detyrave të dhëna, por sa herë e ka parë, e ka salutuar me kokë.

“Shkëlzeni”

               Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative se, bën fjalë për fëmijët e armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, tani të tërheq vëmendjen kjo, se më parë nuk dilnin në qytet, dhe kur dilnin, dilnin së bashku, duke bërë shaka, paraqitja e tanishme, të lë dyshime se ata bisedojnë seriozisht, e kryesisht, Elena me Petritin, dhe mund të bisedojnë për të atin e tyre, armikun, Kadri Hazbiu.

Lexo edhe :  Çështja“Horman”/Ushtarakët amerikanë u denoncuan se organizuan grushtin e shtetit në Kili

Detyra e dhënë B.p.

B.p. ju dha detyrë të komunikojë vijën e sjelljes që ju dha në këtë takim, duke shfrytëzuar rastet më të volitshme, sidomos, kur Petriti të shkojë në Rrëshen.

               Masat Operative:

Me qenë se, Petriti më datën 15.5.1983, do vijë në Rrëshen, për takim me vajzën, do t’i jepet leja, e kur të kthehet në Kurbnesh, biseda t’i përgjohet me T.O.

E dhëna të shtypet në 5 kopje, 1 për Grupin Operativ në Drejtorinë e Parë dhe kopjet e tjera, të shpërndahen sipas përkatësisë.

Punëtori Operativ

                                Mihal Monka

Shënim: Të studiohet vendi ku pushojnë, për të vendosur teknikë operative.

16.6.1983                         Zv/Kryetari i Degës

                                   Vesel Abdullai

Dakord:

Për tendosjen e tyre në biseda, sipas B.p., duhet të parashikojmë se, mos kanë kontradikta tani dhe shfaqin mendime për të ndërmarrë ndonjë akt të mprehtë, kryesisht për arratisje, prandaj për këtë:

1.Të dëgjohen me T.O. dhe të shihen se çfarë marrëdhëniesh kanë tani dhe kjo del nga bisedat që zhvillojnë, pavarësisht nga subjekti që trajtojnë.

2.Paraqitja e tyre në Rep. 44, të ndiqet mirë dhe ora si respektohet.

3.Edhe ndonjë B.p. që banon në qytet, pavarësisht se nuk ka mundësi kontaktimi, të porositen që të ndjekim lëvizjet e tyre dhe për çdo veprim që është me dyshim, të informojnë.

4.Duhet parë korrespodenca, nëse mbajnë dhe përmbajtja.

5.Të evidentohen të gjitha makinat me targë T.R. që vijnë në Kurbnesh, dhe sidomos ato që qëndrojnë natën, dhe të merren emrat e shoferëve, se mos ndonjëri del lidhje e tyre, dhe i merr për t’i ndihmuar për arratisje/ (Kjo edhe me anën e PPS dhe verifikoni me kujdes).

26.6.1983              Kryetari i Degës

                                    Bajram Pelo

DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN-OPERATIV TË PUNËTORËVE OPERATIV, MIHAL MONKA DHE YLLI TABAKU, PËR NDJEKJEN DHE SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT                              

S E K R E T

                                          Ekzemplar i vetëm

                                          Rrëshen, më 3.6.1983

                  SHËNIM – OPERATIV

Më datën 2.6.1983, erdhi në qytetin e Rrëshenit, djali i armikut të Partisë, Kadri Hazbiut, Agron Hazbiu, i internuar në qytetin e Kurbneshit, për të parë djalin e Elena Hazbiut dhe dy fëmijët e Mimoza Hazbiut, të cilët i ka marrë nga qyteti i Rrëshenit, Elena dhe Petrit Hazbiu, më datën 25.5.1983.

Për të fiksuar lëvizjet dhe kontaktet e tij, si gjatë rrugës nga qyteti i Kurbneshit, në qytetin e Rrëshenit dhe në kthim, këtë ditë u mor në survejim, Agron Hazbiu, nga Punëtori Operativ i zonës Kurbnesh, Mihal Monka, e Punëtori Operativ i zonës Qendër, Ylli Tabaku, në survejimin e tij u aktivizuan edhe ish – B.p. (……..) të zonës Kurbnesh.

Nga survejimi i tij, u fiksua se Agron Hazbiu, është nisur me autobuzin e linjës në ora 8 nga qyteti i Kurbneshit, gjatë rrugës ka qëndruar në një sedilje me djalin e Elenës, 17 vjeç dhe një vajzë rreth 7 vjeçe, e 1 djalë rreth 5 vjeç, të Mimoza Hazbiut (Arianitasi), dhe në orën 10 e 15, kanë zbritur nga autobuzi pranë P.T. Rrëshen, ku aty i priste Agron Arianitasi, ku ky i fundit, u takua me Agron Hazbiun, qëndruan rreth 3-4 minuta dhe u ndanë.

Agron Arianitasi, mori të tre fëmijët dhe kaloi gjatë rrugës para Komitetit Ekzekutiv, para kinemasë së qytetit dhe u fut në shtëpinë e Medi Çollakut. Agron Hazbiu, kaloi rrugës, para Hotel Turizmit, midis Pallatit të Kulturës e Klubit të Degës dhe u paraqit te oficeri i rojës, nga aty është futur në farmacinë e qytetit, ku ka qendruar rreth 20-30 minuta, ka marrë disa ilaçe, mbasi mbaroi punë, ka kaluar para Pallatit të Kulturës, kinemasë, dhe ka shkuar rreth orës 11, afër shtëpisë ku banon Medi Çollaku (burri i Elena Hazbiut), dhe mbas pak, kanë zbritur fëmijët e motrave të Agron Aranitasi, qëndruan duke biseduar rreth 10 minuta, qëndruan dhe pastaj u përqafuan dhe u ndanë.

Agron Aranitasi me fëmijët, u futën në shtëpinë e Medi Çollakut dhe Agron Hazbiu, rreth orës 11.00, kaloi para kinemasë, sheshit të qytetit, e mori një gazetë në librarinë e qytetit, kaloi gjatë rrugës përpara Hotel Turizmit, PT., e u fut në dyqanin e fruta-zarzavateve, ku ka blerë disa perime dhe rreth orës 11.50, doli nga dyqani, ka kaluar gjatë rrugës afër mëngjesores, Pallatit të Kulturës dhe u paraqit te oficeri i rojës i D.P.Br., duke thënë se; po nisem për në Kurbnesh, e ka kaluar gjatë rrugës para Pallatit të Kulturës, hotelit, PT., Ndërmarrjes Komunale, e ka qëndruar tek Agjencia e vjetër, për të gjetur makinë. Rreth orës 12 e 35, ka ardhur autobusi i linjës për në Kurbnesh dhe në të ka hipur edhe Agron Hazbiu.

Kontakte të tjera të dyshimta, nga ana jonë, nuk u fiksuan.

PUNËTORËT OPERATIV

          MIHAL MONKA    YLLI TABAKU

SHËNIM:

Ky shënim operativ, u shtyp në katër kopje, 1 për Drejtorinë e Parë, Grupin Operativ; 1 për Degën e P. të Brendshme Pukë, për Agron Arianitasin, 1 për Agron Hazbiun dhe 1 kopje për Medi Çollakun.

Punëtori Operativ

                                  Mihal Monka

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORTIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PISHA”, PËR NDJEKJEN E SURVEJIMIN E AGRON HAZBIUT NË QYTETIN E KURBNESHIT

Mori: Rez. “Pema”

                                     Dha: B.p. “Pisha”

                                    Asistoj P.Op. M. Monka

 

Raport i datës 4.6.1983

Burimi njofton, se ay më datën 5.5.1983, rreth orës 17.00, në dhomën e Ndue Lleshit nga fshati Mërkurth, punëtor në një minierë të bakrit në Kurbnesh, ishin duke pushuar së bashku me Nduen dhe midis të tjerave, Nduja i tha atij se, një ditë ishim duke pushuar në fundin e dizenterisë Nr. 8., unë, Luigj Gjini, Agron Hazbiu dhe disa punëtorë të tjerë. Luigji hapi bisedën për sportin me Agronin, ku e pyeti këtë të fundit, për ndeshjet që kanë zhvilluar me ekipet e jashtme, dhe e pyeti se; përse nuk keni fituar me ta, e cili ka qenë sulmuesi më i rrezikshëm i joni, Agroni i’u përgjigj se: p.sh. në Itali, trajneri lojtarin, nuk e linte të shkonte tek shtëpia, më tepër se një herë në dy javë, kurse tek ne, shkojnë çdo natë, ndërsa si lojtar sulmues, unë njoh Ilir Lamen dhe Rragamin.

                                  “Pisha”

               Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna bën fjalë për Agron Hazbiun, i cili ka filluar të tregohet i shoqërueshëm dhe të hapet në biseda, me shokët e brigadës ku punon.

Detyra e dhënë B.p.

Ju dha detyrë për Agron Hazbiun që, të shikojë kontaktet e tij me persona të tjerë dhe të mësojë, problemet që trajton me ta.

Masat Operative:

Të bisedohet me Ndue Lleshin, për këto probleme, sidomos për zhvillimin e sportit, për të parë nëse, do të ekspozojë gjë për Agron Hazbiun.

E dhëna të shtypet në dy kopje, 1 t’i dërgohet Drejtorisë së Parë, Grupit Operativ dhe 1 kopje, të vendosët në dosjen e Agronit.

Punëtori Operativ

                              Mihal Monka

Ndue Lleshi, të mbahet afër, se mos ka zhvilluar ndonjë bisedë tjetër me Agrn Hazbiun, se problemi i sportit, nuk ka ndonjë interes.

16.6.1983               ZV/Kryetari i Degës së P. të Brendshme

                                     VESEL AVDULLAI

 

DOKUMENTI SEKRET ME RELACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHA MONKA, MBI REALIZIMIN E DETYRAVE TË DHËNA, PËR NDJEKJEN E SURVEJIMIN E AGRON HAZBIUT

S E K R E T

                                          Ekzemplar i vetëm

                                          Rrëshen, më 9.6.1983

                        R E L A C I O N

MBI REALIZIMIN E DETYRAVE TË SHTOJCËS SË PLANIT TË MASAVE DT.11.5.1983, PËR OBJEKTIN AGRON HAZBIU

Detyrat e ngritura për kontrollin e përpunimin e objektit në paraprak, Agron Hazbiu, në planin e mësipërm, janë realizuar si më poshtë:

  1. Në drejtim të tij, është drejtuar B.p. “Jupiteri”, detyrat e dhëna nga ana jonë, nuk janë realizuar, mbasi për këtë periudhë, është larguar nga qyteti i Kurbneshit dhe nuk ka pasur mundësi kontaktimi.
  2. Janë studiuar personat e përcaktuar në pikën 2 të planit, kanë të përshtatshëm për t’u shfrytëzuar për qëllime operative, informojnë për çdo kontakt lëvizjet e tij, gjë me interes operativ, nuk kanë konstatuar.
  3. Janë mbajtur në survejim dhe nuk ka dalë të kenë kontaktuar me persona të dyshimtë dhe me Arben Koço Theodhosin.
  4. Detyra Nr.4, është realizuar, janë mbajtur afër Luigj Gjini e Martin Mërdhoçi, kanë shpjeguar se me Agron Hazbiun, kanë biseduar vetëm për probleme sporti, ndonjë gjë me interes operativ, nuk kanë informuar.
  5. Janë marrë masa për sigurimin e tyre fizik, duke prevanuar në kohën, çdo akt për tendencë arratisje, apo rrëmbim, nga ndonjë zbulim i huaj.

Punëtori Operativ

                                    Mihal Monka

Vijon numrin e ardhshëm

 

 

 

 

Të fundit

Skandali/ Familja më e pasur e Britanisë së Madhe në gjyq për trafikim njerëzor

Katër anëtarë të familjes më të pasur të Britanisë së Madhe janë në gjyq në Zvicër mes akuzave se...

Shqipëria 2-2 me Kroacinë, Meta: Grup shumë i fortë, mund ta mbyllim me fitore

Presidenti i PL-së, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria e nisi me një humbje, sot doli barazim dhe ku i dihet mund ta mbyllë...

Shqipëria befason Dalicin, trajneri i Kroacisë: Nuk e prisja kaq të vështirë

Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic doli në konferencë pas barazimit 2-2 me Shqipërinë në Europian. “Ky është një turne në të cilin është e rëndësishme...

Takimi i parë i eurodeputetëve në Greqi, pjesë edhe Fredi Beleri, zbardhen detajet

Në takimin e parë të eurodeputetëve të partisë së Mitsotakis, ka marrë pjesë nëpërmjet nëpermjet nje video-konference dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi...

Këngëtari shqiptar jep lajmin e bukur, bëhet baba për herë të parë

Këngëtari i njohur Ermal Meta është bërë baba për herë të parë. Lajmin e bukur e ka dhënë vetë Ermali përmes një postimi në...

Lajme të tjera

Web TV