Sigurimsi u fut si teknik lavatriçeje në shtëpinë e familjes së Kadri Hazbiut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Si përgjohej familja Hazbiu në Kurbnesh, nga B.p. “Drita”, “Shigjeta” dhe “Aparati”, që banonte në një shkallë me ta, si dhe “patriotët” P.P.M. e GJ.P.A. Raporti i B.p. “Didhja” / “Kur isha duke i rregulluar frigoriferin Agron Hazbiut, ai më tha se; fshatari do hajë mish e, do të pijë qumësht, kur ta ketë lopën në shtëpi”!

 Nga DASHNOR KALOÇI

 “Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im, e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë, udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë. Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë dhe ne e pyetëm se si ishte puna? Babai im, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari në sy! Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar ato të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë e asaj dosje voluminoze, janë edhe me qindra e qindra raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, (kur filloi goditja ndaj Kadri Hazbiut) dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991, kur filloj shembja e regjimit komunist dhe ajo dosje u mbyll, për t’u arshivuar në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Por Ramiz Alia, njeriu që bashkë me Nexhmije Hoxhën, ndikuan tek Enveri për prishjen e fejesës ndërmjet vajzës së tij Pranverës dhe Petritit, djalit të Kadri Hazbiut, i arrestuar në tetorin e vitit 1982, si “armik i popullit”, nuk është mjaftuar vetëm me e goditjen dhe eliminimin e tij fizik, por ai ka vazhduar edhe ndaj familjes së Hazbiu, e cila ishte e internuar diku larg në malet e Kurbneshit të rrethit të Mirditës. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, pasi ai është njoftuar nga Sigurimi i Shtetit në fillimin e marsit të vitit 1987, lidhur me ato që ka thënë Agron Hazbiu, ai (Ramizi), në krye të atij dokumenti, ka vënë shënimin me dorën e tij, duke shkruar: “Se mos na arratisen, djemtë e armikut…Të veprohet…”! Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por a ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili, përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe aty në internim, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…! Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër i madh dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat publikohen për herë të parë dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA në disa numra të saj.

               Vijon nga numri i kaluar

 

DOKUMENTI SEKRET ME PLANIN E MASAVE AGJENTURIALE – OPERATIVE TË MIRATUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME PUKË, BESIM STAFA DHE AI I MIRDITËS, BAJRAM PELO, PËR KOORDINIMIN E VEPRIMEVE NË SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT

                                            S E K R E T

                                          Ekzemplar Nr. 1

                                          Pukë, më 28.6.1983

 

M I R A T O H E T

KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME PUKË

        BESIM STAFA         

KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME MIRDITË

         BAJRAM PELO 

 

            SH T E S Ë  P L A N – M A S A SH 

AGJENTURIALE-OPERATIVE E PËRBASHKËT, PËR KONTROLLIN E LIDHJEVE TË    

                    ARMIKUT KADRI HAZBIU 

Me qëllim që të kontrollojmë veprimtarinë e lidhjeve familjare e miqësore të armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, që ka në rrethin e Pukës dhe të Mirditës, për t’u thelluar në zbulimin, dokumentimin, goditjen dhe ndërprerjen e veprimtarinë armiqësore që zhvillojnë dhe mund të zhvillojnë në të ardhmen, vetëm, ose në bashkëpunim me njëri tjetrin, të merren këto masa, agjenturalo-operative:

Për degën e Punëve të Brendshme, Mirditë:

Në qytetin e Kurbneshit, janë me masë internimi familja e armikut Kadri Hazbiu, gruaja, Hedije, Mimoza, Elena, Petriti dhe Agroni, fëmijët dhe Medi Çollaku, me banim në qytetin e Rrëshenit, e me punë arsimtar në Frorë, ish-dhëndër i tij. Nga ana jonë, përpunohen në përpunim paraprak, Petrit dhe Agron Hazbiu, për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Për të zbuluar në thellësi e gjerësi veprimtarinë armiqësore që, mund të zhvillojnë me lidhjet e tyre në rrethin e Pukës, në të ardhmen, nga kjo Degë, do të merren këto masa agjenturiale-operative: Ndaj fëmijëve të tij në Kurbnesh, do të ushtrohet vazhdimisht kontroll, ashtu si është bërë më parë, të sigurohen fizikisht duke u paraqitur në Rep. 44, dy herë në ditë dhe në rast festash dhe gatishmërish, të paraqiten tre herë në ditë, të kontrollohet paraqitja e tyre nga P.P. i sektorit, kjo me qëllim që të parandalohet me kohë, çdo akt i mprehtë që, mund të merret nga ana e tyre.

E kryen vazhdimisht, Punëtori Operativ, M.Monka.

E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës

Në qytetin e Kurbneshit, B.p. “Aparati” që banon në një shkallë me këtë familje të internuar, B.p. “Drita”, “Shigjeta”, e patriotëve P.P.M. e GJ.P.A., do t’u jepet detyrë që, po konfirmuan se në qytet, kanë ardhur lidhjet e tyre, sidomos ato që kanë në rrethin e Pukës, të na njoftojnë menjëherë, që nga ana jonë, të merren masa për përgjimin e bisedave në shtëpinë e tyre. Kjo, sipas njoftimit që do të na bëjë, Dega e Pukës.

             E kryen P.Op. M.Monka

            E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës

Në qoftë se Agron Aranitasi, ka ardhur në qytetin e Rrëshenit dhe ka takuar e biseduar me ish-kunatin e tij, Medi Çollakun, po u konstatua një fakt i tillë, edhe sipas njoftimit të Degës së P. të Brendshme Pukë, do të merren në survejim dhe po u futën në shtëpinë e Mediut, do të shkohet në pikën e kontrollit, për të përgjuar bisedën e tyre me T.O., reagimet për lidhjet në Kurbnesh, do t’i dërgohen Degës së P., të Brendshme Pukë.

E kryen P.Op. Y.Tabaku., H.Hysenukaj, H.Vata, në vazhdim.

Në muajin maj, të dërgohet në Tiranë me kombinacion, Petrit Hazbiu, i cili gjatë gjithë kohës, që kur të niset nga qyteti i Kurbneshit për në Tiranë, do të merret në survejim, për të fiksuar lidhjet e tij në Rrëshen, e sidomos ato që janë në rrethin e Pukës. Po ashtu, dy ditë më parë, të njoftohet Dega e P. të Brendshme e Pukës, për të marrë masa për lëvizjet e Agron Aranitasit.

E kryen P.Op. M.Marku, M.Hysenukaj, në vazhdim.

E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës.

Herë pas here, të bëhet përgjimi i bisedave të tyre, kjo sidomos në rast festash, e kur në shtyp, televizor e radio, do të flitet për probleme të rëndësishme, si të situatës së brendshme, ashtu dhe asaj të jashtme, ndërkombëtare. Reagimet që mund të dalin për lidhjet e tyre në Pukë, t’i dërgohen kësaj Dege.

E kryen P.Op. M.Marku, M.Hysenukaj, në vazhdim.

E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Agron Aranitasi, do të sjell fëmijët e tij (vajzën e djalin) në qytetin e Rrëshenit, njëherë në 2 muaj, për takim me të ëmën, Mimoza Hazbiu, nga ana jonë do të merren në survejim, për të fiksuar kontaktet midis tyre në qytetin e Rrëshenit, në të njëjtën kohë, do të bëhet përgjimi në banesën e Medi Çollakut, e njëjta gjë, edhe kur Mimoza të kthehet në qytetin e Kurbneshit, reagimet që do të dalin për lidhjet e tyre në Pukë, do t’i dërgohen kësaj Dege.

E kryen P.Op. M.Marku, M.Hysenukaj, Y.Tabaku, H.Vata, në vazhdim.

E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës.

Për Degën e Punëve të Brendshme, Pukë.

Nga ana jonë, ndiqen në përpunim aktiv 2/A, si lidhje e armikut të Partisë Kadri Hazbiu, Agron Aranitasi dhe Myfit Hazbiu. Prandaj, për të zbuluar dhe fiksuar lidhjet e tyre të dyshimta me familjen e armikut Kadri Hazbiu, nga ana jonë, do të merren këto masa agjenturalo-operative: Agron Aranitasi: Tek Agroni, do të dërgohet B.p. me pseudonimin “Radisti”, për të mësuar se, si reagon për ndarjen me gruan e tij, Mimozën. Kur të mësojmë se Agron Aranitasi, do të shkoj për të çuar fëmijët te ish gruaja e tij, Mimoza, në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, do të njoftohet Dega e P. të Brendshme Rrëshen, me parullën, në Plikon Nr. 2, u nisë për në Rrëshen. Në rast se do të dalin materiale në ngarkim të lidhjeve komplotiste, Mimoza – Agron, do t’i dërgohen Degës së P. të Brendshme, Mirditë.

Myfit Hazbiu: Po qe se objekti Myfit Hasan Hazbiu, do të shkoj tek lidhjet e tij në rrethin e Rrëshenit, do të njoftohet Dega e Brendshme e Rrëshenit, me parullën në Plikon Nr. 10., e nisëm për në destinacion dhe nga ana jonë, do të merret në survejim, me qëllim që të fiksojmë lëvizjet e dyshimta, apo takimet e dyshimta. Në drejtim të këtij, të drejtohet B.p., me pseudonimin “Sharra”, për të parë se si reagon objekti, për lidhjet e tij që ka në rrethin e Rrëshenit dhe po qe se na del ndonjë e dhënë, t’i dërgohet Degës së P. të Brendshme, Rrëshen. Në drejtim të këtij, do të drejtohet B.p. me pseudonimin “Trëndafili”, për të parë se si reagon ky, për arrestimin e armikut Kadri Hazbiu, e të babait të tij, Myfit Hazbiu dhe po qe se del ndonjë e dhënë, në drejtim të lidhjeve të tij në rrethin e Rrëshenit, t’i dërgohet Degës së P. të Brendshme, Rrëshen.

Lexo edhe :  “Tur në shpitë e barit”/ Tik-Tokeri i famshëm shqiptar intervistë për median britanike

E kryen P. Op. Kujtim Kuçi, e Stavri Labi, në vazhdim.

E kontrollon, Zv/Kryetari i Degës së P. Brendshme, K. Prifti.

 

PUNËTORËT OPERATIV

MIHAL MONKA                      MUSTAF HYSENUKA

KUJTIM KUÇI                      STAVRI LABI

                ZV/KRYETARËT E DEGËS

VESEL AVDULLAI                        KOSTA PRIFTI

 

DOKUMENTI SEKRET ME PLANIN E DETYRAVE TË MIRATUAR NGA ZV/KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRËSHENIT, VESEL AVDULLAI, LIDHUR ME NDJEKJEN E SURVEJIMIN E FAMILJES SË KADRI HAZBIUT

SEKRET

                                      EKZEMPLAR I VETËM

                                       Rrëshen, më 9.6.1983

MIRATOHET

 ZV/KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME

 VESEL AVDULLAI 

                   PLAN – DETYRA

TË VEÇANTA PËR KONTROLLIN FIZIK TË PJESËTARËVE TË FAMILJES SË ARMIKUT TË PARTISË KADRI HAZBIU, TË INTERNUAR NË QYTETIN E KURBNESHIT.

Në zbatim të detyrës nr. 8 të planit të masave agjenturore operative, datë 9.6.1983, për përpunimin e objektit në përpunim paraprak, Petrit Hazbiu, krahas detyrave të nxjerra për kontrollin fizik të pjesëtarëve të familjes së armikut të Partisë Kadri Hazbiu, që janë me masë internimi në qytetin e Kurbneshit si: gruaja Hedija, fëmijët Helena, Mimoza, Petriti, dhe Agroni, me qëllim për ti pasur nën kontroll të plotë lëvizjet e tyre e kontaktet me personat e tjerë të dyshimtë, e për të prevanuar në kohë, arratisjen ose rrëmbimin e tyre nga ndonjë zbulues i huaj, në të ardhmen nga ana jonë, do të realizohen me precedencë këto detyra:

1 – Ashtu si edhe më parë, do të bëhet sigurimi i tyre fizik duke u paraqitur dy herë në ditë në Komandën e Repartit 44, ku në shumicën e rasteve, të kontrollohet paraqitja e tyre nga nga Punëtori i Policisë së sektorit.

E kryen: P.Op. Mihal Monka në vazhdim

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës 

2 – Sigurimi i tyre fizik, do të si në vendbanim e në qendrën e punës, dhe konkretisht do të merren këto masa:

A – Në vendbanim:  

a – Në banesën ku ata jetojnë, në një hyrjen banon dhe B.p. “Aparati” dhe ish B.p. “Automatiku”, do t’i jepet detyra që herë pas here, të fiksojnë kontaktet e tyre në qytet, nëse ka persona të panjohur që interesohen për ta, t’i verifikojnë dhe menjëherë të njoftojmë nëse, natën vonë ose në kohë të përshtatshme, futen lidhjet e tyre ose persona të tjerë të dyshimtë e, të informojnë në kohë, po ashtu nëse konstatojnë se nëse, të gjithë ose ndonjëri prej tyre, nuk është në vendbanim, të informojnë menjëherë.

b – Detyra të tilla, edhe B.p. “Drita”, “Shkëlzeni”, “Shigjeta”, “Furrneli”, e do të aktivizohen qytetarët P.P. LL.GJ. P.A. LL.P K.GJ., ku herë pas here, do të merren në survejim për të fiksuar kontaktet e tyre me persona të dyshimtë.

B – Në qendrën e punës: 

a – Do t’i jepet detyrë B.p. “Pisha”, “Bakri”, “Shënjuesi”, “Drini”, për të fiksuar kontaktet e Petritit dhe Agronit në minierë, me persona të dyshimtë që interesohen për ta, mungesën në punë, nëse shprehim pakënaqësi për kushtet e punës dhe jetesës, e sipas tyre kushte më të mira, mund t’ju sigurohen jashtë, menjëherë të informojnë e, t’i mbajnë në kontroll, për të prevenuar çdo tendencë arratisjeje.

b – Po kështu, do të aktivizohen persona të besuar, si: ish B.p. “Çelësi” GJ.P. N.H. Neli e H. Doda, brigadierë të brigadave ku ata punojnë, për të na sinjalizuar në kohë, kur ata mungojnë pa arsye, me qëllim që nga ana jonë, të merren masa verifikimi e mbajtje nën kontroll të fortë.

Kryen: P.Op. Mihal Monka në vazhdim 

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës  

3 – Herë pas here kur në shtyp, radio, e televizor, me raste festash e manifestimesh të ndryshme, që mund dhe të flitet për probleme me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, do të përgjohen bisedat e tyre për të mësuar reagimet për problemet që trajtohen e për cilësimin e birit të të atit, si armik i Partisë.

Kryejnë: P.Op. M.Monka e H.Vata, në vazhdim 

4 – Nga ana jonë, nëpërmjet Punëtorit të Policisë së sektorit, inspektorëve vullnetarë të qarkullimit rrugor, do të verifikohen shoferët sidomos të Parkut të Tiranës, Tepelenës, Pukës, ku ata kanë lidhjet e tyre, nga këto do të veçohen shoferët e makinave si “Gaz” 61, “Gaz BÇ”, si të Gjeofizikës, do të korrespondohet me Degët përkatëse, për të sqaruar pozitën e tyre nëse kanë pasur lidhje familjare me familjen e Kadri Hazbiut, kjo me qëllim që, për më të dyshimtit, të merren masa kontrolli, për të prevanuar në kohë, ndonjë rrëmbim të pjesëtarëve të familjes së armikut të Partisë, Kadri Hazbiu.

Kryen: P.Op. M.Monka në vazhdim 

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës 

5 – Sa herë që do të vijnë në qytetin e Rrëshenit për probleme familjare, si vizita e takim me fëmijët, sa herë që do t’ju jepet leje, do të merren në survejim gjatë gjithë rrugës, në qytetin e Rrëshenit e në kthim, kjo me qëllim për t’i patur nën kontroll të vazhdueshëm fizik, për të prevenuar ndonjë akt arratisjeje, dhe për të fiksuar kontaktet me persona të tjerë.

Kryejnë: P.Op. M.Monka, P.Peri, Y.Tabaku në vazhdim 

Kontrollon: Zv/Kryetari i Degës

Këto detyra, e të tjera që do të na imponojë situata, do të zbatohen e analizohen herë pas here, në varësi me ashpërsimin e situatës operative, do të përcaktohen detyra të tjera, duke aktivizuar B.p. të tjerë e qytetarë të besuar, për t’i pasur gjatë gjithë kohës në kontroll, ditë e natë, për të prevenuar ndonjë akt arratisje e rrëmbim të tyre.

Punëtori Operativ 

                                     Mihal Monka

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, YLLI TABAKU, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “DIDHJA”, LIDHUR ME BISEDAT QË AI KA BËRË, ME AGRON HAZBIUN

                                 Marrë: P.Op. Ylli Tabaku

                                 Dhënë: B.p. “Didhja”

                 Raport i datës 19.8.1983

Burimi njofton se; në fund të muajit maj 1983, N.R.SH., më dërgoi në qytetin e Kurbneshit, tek qytetari Agron Hazbiu, për riparimin e një frigoriferi, gjatë kohës që po bëja kontrollin dhe riparimin e defektit, zumë muhabetin e ekonomisë private të fshatarit dhe Agroni u shpreh se; fshatari ka pas hëngër mish kur ka pas ther derrin 200 kg., dhe pinë qumësht sa të jetë lopa në dorën e fshatarit, e pa shtetëzuar, se lopa bën 10 kg. qumësht, kurse fshatari, nuk ka mundësi që t’i marr në shtet këtë sasi qumështi.

Agroni e pyeti atë se; a ka dalë ai mishi holandez, ishte shumë i keq dhe nuk u hante fare, nga era që kishte dhe këtu në Kurbnesh, mishi del me raste shumë të rralla.

                                         “Didhja”

                    Sqarimi i të dhënës:

Agroin Hazbiu, është djali i armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, që është me masë internimi në Kurbnesh.

                   Vlersimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative, se bën fjalë për agjitacion me përmbajtje armiqësore, nga ana e lidhjes së armikut, Kadri Hazbiu.

                   Detyra e dhënë B.p.

B.p., ju dha detyrë, që në qoftë se do të shkoj përsëri në familjen e Hazbinjëve, më parë të na vejë në dijeni.

Masat Operative:

E dhëna t’i bëhet e njohur udhëheqjes së Degës.

E dhëna të shtypet në dy kopje, 1 kopje t’i dërgohet Grupit Operativ dhe një kopje, të vendoset në dosjen e Agron Hazbiut.

Punëtori Operativ

                              Ylli Tabaku

T’i kalohet P.Op. të zonës dhe së bashku me të, të hartohet një vijë sjellje dhe të krijohet mundësia që B.p., të shkojë përsëri tek familja e Agron Hazbiut.

3.9.1983                      Zv/Kryetari i Degës

                                Vesel Avdullai

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, MIHAL MONKA, ME TË DHËNAT E BASHKËPUNËTORIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PISHA”, LIDHUR ME BISEDAT QË AI KA BËRË, ME AGRON HAZBIUN

                                        Mori: P.Op. M. Monka

                                         Dha: B,p. “Pisha”

                                         Në natyrë

                  Raport i datës 6.9.1983

Burimi njofton se, në datën 5.9.1983, rreth orës 19.30, ai ishte turni i dytë, në fund të dizenterisë Nr. 8. dhe duke pushuar ka biseduar me Qazim Latën nga Dukagjini i Matit dhe me Mark Ndue Deda nga Ndërshena, pas pak erdhi për pushim dhe Agron Hazbiu. Gjatë bisedës ai, e pyeti Agronin se si t’u duk loja e “Dinamos” me “Besën”, ç’ka tha Agroni, këta tanët nuk luajnë futboll, se regjim nuk kanë, kontrolli mungon dhe në stërvitje kontrolli luaj me 5 leksha, këta luajnë pa përgjegjësi, futboll luhet jashtë, si ishte ndeshja midis “Haburgut” dhe “Juventusit”, ky është futboll i fortë dhe lojtarët kanë kontroll, trajtim dhe regjim të fortë, në këtë moment erdhi Lazam Lata dhe i tha Qazimit e Agronit që, të marrin vagonët bosh dhe i çoni në frontin e punës dhe e lanë bisedën me kaq.

                                            “Pisha”

               Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka vlerë operative se, bën fjalë për Agron Hazbiun në përpunim paraprak, i cili komenton, duke krahasuar nivelin e futbollit tone, me atë jashtë.

Detyrat e dhënë B.p.

Ju dha detyrë që të shikojë dhe të fiksojë kontaktet e Agronit me persona të tjerë, të fiksojë lëvizjet e dyshimta të tij dhe të Petritit, po ju dha mundësia e rasti, të bisedojë me Agronin, duke i thënë për probleme futbolli, se me sa shoh unë, futbolli ynë është masiv dhe ka përparime, futbollistët tek ne, kanë profesionin e vet dhe kur lënë futbollin, punojnë se kanë punë, kurse jashtë, me sa di, hidhen në rrugë.

                   Masat Operative:

Në brigadën ku punon Agroni, të studiohet dhe të vihet në shërbim sekret një kandidat.

Të analizohet përpunimi i tij për ta ngritur në 2/A.

E dhëna të shtypet në dy kopje, 1 t’i dërgohet grupit Operativ dhe 1 në dosjen e Agronit.

                               Punëtori Operativ

                                 Mihal Monka

Shënim:

Kujdes me detyrat e dhënë B.p. për objektin, nuk duhet që ai të zbërthejë me të, në aspektin politik, ideologjik të masivitetit të futbollit të sportit tonë dhe ta krahasoj këtë me biznesin e sportit jashtë shtetit, sepse, B.p., për këto dije, para objektit, është profan, por të tregohet me interesim të madh se, si luajnë jashtë, çfarë stërvitje bëjnë, trajtim e ç’njerëz janë dhe pse e kanë këtë nivel, pasi tanët, që i mban mirë shteti dhe u jep sa dy rrogat tona dhe nuk arrijnë të fitojnë me të huajt, ato do të jenë njerëz të veçantë që lëvizin si era, e rrëzohen e ngrihen si susta, etj.

Të ngrihet në 2/A, për agjitacion e propagandë.

Gjeni ndonjë B.p. tjetër, që edhe ta favorizojnë në punë, p.sh., në ngarkesat e vagonëve.

28.9.1983                  Kryetari i Degës së P. të Brendshme

                                     Bajram Pelo

 

                   Vijon numrin e ardhshëm

 

 

 

 

Të fundit

E ardhmja e Turizmit Shqiptar? Apo kërcënimi me zhdukje?

Nga Auron Tare Zhvillime të tilla në Jugun e Shqipërisë po krijojnë një model të dëmshëm për të ardhmen e...

Gjyshërit i rrëmbejnë djalin/ Nusja tregon detajet: Duan ta zgjidhin me kanun, jo me ligj

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kënetë të Durrësit. Një nënën e re me origjinë nga Hasi akuzon ish-vjehrrit se i kanë rrëmbyer...

Vrasja në Pejë/ Çifti prindër të tre fëmijëve, detaje nga ngjarja e rëndë

Edmond Lajçi, është arrestuar nga policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij me armë zjarri. Sipas informacioneve të deritanishme, ngjarja ka...

“Si e kanë bërë pasurinë?”/ Ngjela shpërthen në akuza ndaj Kryemadhit dhe Ilir Metës

Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në “Breaking”, tha për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, se duhet të deklarojnë sa para kanë pasur para se...

Firmoset në Vjenë marrëveshja për transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës

Një projekt ambicioz, investim 3 milionë euro, synon një shndërrim të standarde në universitetin Bujqësor të Tiranës. Për të realizuar këtë projekt do të...

Lajme të tjera

Web TV