Zef Serembe, poet i shquar arbëresh me potencial intelektual dhe letraro artistik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Nesip Kaçi

Zef Serembe është poet i madh dhe gjenial, ai krijoi poezinë lirike moderne arbëreshe, mbështetur në traditën letrare artistike kombëtare dhe folklorike. Ai mësoi nga arti i madh i De Radës dhe i poetëve të tjerë arbëreshë, por edhe nga përvoja dhe arritjet e poezisë italiane dhe evropiane. Ai e njohu thellë Danten e Petrarkën, Leopardin, Paskalin e Karduçin, por edhe poezinë franceze të Lamartinit e të Mysesë, Hygoit dhe Bodlerit, ai njohu Gëten dhe Hajnen, Bajronin dhe Shelin. Serembe përpiqej të thellohej në gjermanisht dhe frëngjisht për t’i lexuar ata në origjinal. Nga këto njohje e kontakte ai e ngriti poezinë arbëreshe në nivelet më të mira të poezisë evropiane bashkëkohore.

Zef Serembe
Zef Serembe

Serembja e nisi udhën e poetit si romantik dhe e përfundoi si poet realist, si akuzues i padrejtësisë, i shthurjes morale dhe i kalbëzimit të shoqërisë të kohës. Poezia e Serembes ka gjerësi dhe hapësirë. Ajo nuk është e akullt dhe as që vë në qendër interesat e vetvetes, pra nuk është egocentrike. Ajo ka përmbajtje jetësore , e mëkuar nga jeta arbëreshe dhe ngjarjet dramatike që përjetonte e gjithë Italia, Ballkani dhe Evropa. Në qendër të poezisë së Serembes është njeriu dhe shqetësimet e tij, është koha kur jeton poeti, është ëndërrimi për një të ardhme të gëzuar. Serembe për nga vlerat ideoartistike qëndron krahas poetëve të mëdhenj arbëreshë, krahas De Radës, Gavril Darës, Zef Skiroit etj. Ai është një figurë që spikat në letërsinë tonë. Vepra e tij pasqyron atë etapë të rilindjes kur lëvizja kombëtare kishte marrë hov prandaj dhe tema patriotike merr në penën e tij një tingëllim të veçantë. Është normale dhe e nevojshme të themi pak fjalë për jetën personale të poetit. Zef Serembe lindi në Strigari në San Cosmo Albaneze të krahinës së Kozencës më 6 mars 1844 dhe vdiq në San Paolo të Brazilit më 31 dhjetor 1901. Ai ishte i biri i Mikelanxhël Serembes dhe i Serafina Toçit. I pajisur me një zgjuarsi dhe mprehtësi të veçanë natyrale, me një fantazi të rallë, me një ndjeshmëri të madhe, Zef Serembe, gjithnjë i etur për të bukurën dhe ëndërrimtar i madh, udhëtoi nëpër rrugët e botës duke shpërndarë gjithkah thesarin e këngëve të veta. Nipi i tij Kosmo Serembe shkruan për të: “Për shkak të jetës plot aventura dhe plot vuajtje, një pjesë e krijimtarisë së tij poetike është shkapërdarë dhe ndoshta fatkeqësisht ka humbur përgjithmonë. Kështu asgjë nuk ka mbetur nga dramat e tij, nga një poemë e gjatë, dhe nga përkthimi në shqip i “Psalmeve të Davidit”. Për fat të mirë kanë shpëtuar një pjesë e poezive lirike, që tash po shohin dritën e botimit për herë të parë. Ndjej për detyrë t’i shpreh mirënjohjen time zotërisë Vitalino Palacos, sekretar komunal i San Kosmo Albaneze, mik i vjetër e besnik i Zef Serembes, që pati vullnetin t’i shënojë nga zëri dhe goja e poetit, kur ishte i gjallë dhe t’i ruaj me përkushtim jo pak nga këto këngë”.

Zoti Perikli Jorgoni i cili ka kryer studime të veçanta dhe ka botuar një libër për veprimtarinë letrare dhe artistike të Zef Serembes, për të shkruan si më poshtë: Zef Serembe kishte një potencial intelektual e artistik dhe ishte i pajisur nga natyra me aftësi e talent të jashtzakonshëm. Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e veprës letrare e artistike e Zef Serembes ka humbur apo e ka djegur vetë në ndonjë çast dëshpërimi të thellë. Gjer më sot konsiderohet e humbur poema “Zoti në skenën e gjithësisë” prej 120 këngësh afërsisht prej 200.000 vargjesh, “ Historia e letërsisë shqipe”, Dramat lirike, përkthimi i “Psallmeve të Davidit” , një vëllim me vjersha origjinale, një histori e Shqipërisë e ndonjë tjetër, të cilat poeti i përmend në letërkëmbimet me De Radën, Kamardën, me njerëzit e afërm të familjes apo me miqtë e tij arbëreshë dhe italianë. Ai kishte shumë plane e dëshira për kulturën dhe për t’iu përkushtuar tërësisht rilindjes së kombit të vet e kulturës kombëtare dhe evropiane. Por përballë shpirtit të tij me fuqira të mëdha e me energji të pashtershme, iu sulën fatkeqësitë që i shkallmuan shëndetin. Ai djalosh i fuqishëm me një trup të hedhur dhe të fortë si lisi, nga shkaku i privacioneve, dhimbjeve dhe shfaqjes së sëmundjeve nervore, që i shpeshtohen në vitet e fundit të jetës, ai lëngon nga varfëria e skajshme dhe vetmia. Këto dhembje e dëshpërime të thella ia rrëdojnë edhe zhgënjimet që pësuan arbëreshët pas shpartallimit e dëbimit të Burbonëve, nga vendosja e një qeverisjeje vendase, e cila përqëndroi pushtetin në dorën e një pakice njerzish të pasur duke e lënë pjesën më të madhe të populsisë në varfëri e skamje. Në një nga krijimet e tij më të fuqishme të shkruar në italisht, me titull “ Një zotërie kalabrez”, poeti damkos ashpër këtë gjendje dhe na e paraqet përmes dramës e përdhunimit që iu bë atij ( kalabrezit ),duke e mbyllur me dhunë në një çmendinë. Me këtë dramë , Serembe paraqet gjëndjen e vështirë të njeriut të ndershëm në një shoqëri të egër e botë të padrejtë, ku sundon shtypja e kalbëzimi moral, ku çdo gjë matet me vlerën e parasë. Kjo varfëri e gjëndje ekonomike e pashpresë, qw i detyron shtresat e varfëra të marrin udhën e mërgimit, solli rrënimin e shkretimin e fshatrave, i hapi udhën korrupsionit, mashtrimit e vjedhjes në vend. Fati u suall ashpër me Seremben, me rininë dhe dashurinë e tij të madhe e fisnike, me aftësitë e talentin e tij, me gjenialitetin e tij, por edhe me atë trashëgimi të çmuar artistike, që e krijoi me mund gjatë viteve. Poeti i mbylli sytë në moshë 57 vjeçare në një spital psikiatrik të San Paolos të Brazilit, larg të afërmve e njerëzve të gjakut dhe të fisit të vet arbëror, mijëra kilometro larg nga Strigari dhe San Cosmo Albaneze. Dorëshkrimet dhe veprat më të rëndesishme ia vodhën në Marsejë a i humbën gjatë rrugëtimeve kur kthehej nga Brazili për në vendlindje. Humbën dhe nuk u gjetën as gjurmët e përkthimit të “ Psalmeve të Davidit”. Një tufë vjershash , pas vdekjes së poetit, një mik i tij i ngushtë ia dorëzoi vëllait të tij, Françeskos, i cili ka të ngjarë t’i ketë djegur apo grisur,duke i konsideruar si shkrime pa ndonjë vlerë, duke mos kuptuar se ç’humbje i sillte kulturës kombëtare. Po kështu konsiderohet e humbur një përmbledhje poetike prej 7000 vargjesh, për të cilën Zef Serembe vë në dijeni Kamardën, duke iu ankuar se nuk ka asnjë mundësi financiare për botimin e tyre. Gjer më sot nga e gjithë vepra e Zef Serembes kemi nëpër duar përmbledhjen e botuar nga nipi i tij Kosmo Serembe në Kozencë më 1926 me titull “ Vjersha”, të cilat siç është vënë re nga studionjësit e Serembes, kanë pësuar ndërhyrjet e botuesit, që ka vënë dorë mbi gjuhën e origjinalitetit, duke aktivizuar shtresa fjalësh të panjohura për së gjalli nga poeti si dhe ka prekur herë pas here strukturën e vargëzimit. Botimi në italisht “Vjersha” dhe këngë origjnale të përkthyera nga arbërishtja 1883, “Ushtari i kthyer” (Il reduce soldato) 1895, “Zotit” (Adio)1897, botuar në një Fletë –fluturake në Buenos- Aires në shkurt1897, që ishte një fragment i poems madhore prej mijëra vargjesh që përmendëm më lartë me përmbajtje filozofike e fetare, një tufë tingëllimash”Soneti Vari”, të botuara në italisht, etj. Kjo pakicë veprash poetike, që i shpëtoi humbjes e djegies si dhe ajo tufë vjershash, që zbulohet herë pas here, variantet e shumta të një poezie të shpërndarë nëpër familjet arbëreshe të miqësuara me poetin e madh, janë e tëra lënda poetike ku janë mbështetur gjer më sot studiues të zellshëm e të apasionuar të veprës se tij.. Serembja ka pësuar dëmin e humbjes e të gjymtimit më tepër se kush do tjetër . Duhet të nënvizojmë dhe të theksojmë se Serembja ka patur një temperament vullkanik të një poeti gjenial.

Në vjershat e tingëllimat e tij dallohet rrjedhja e nëndheshme e plot trazim e nervit të tij krijonjës, bota e tij e madhe. Në përkthimet dhe përshtatjet tona jemi munduar të sjellim sa më natyrshëm dhe të pacënuar këtë prirje të brendshëme , impulse aq të fuqishme të një shpirti të madh dhe të thellë, që nuk pushoi as në momentet e shtrëngesave të dhembshme të varfërisë dhe të acarimit të sëmundjes nervore t’i përkushtohej poezisë dhe artit të fjalës arbërore duke na falur margaritarë dhe thëngjij të ndezur nga shpirti i tij i përflakur si “Kangjela e mallit të parë”, “Kujtimi”, “Më të bukurës në Strigari”, “Kukeza”,”Për lirinë e Venetisë”,”Vrull”, “ Dora d’Istrias” apo të tjera si këto. Personaliteti i Serembes si krijues u formua në vitet e zjarrta të lëvizjes kombëtare italiane të viteve 1848-1860, ku i ati i tij mori pjesë aktive aq sa u dënua me vdekje në mungesë nga qeveria burbone dhe u detyrua të endej maleve si komit. Që në moshë të njomë, Zefi i vogël njohu tiraninë politike dhe padrejtësitë shoqërore, gjë që u dha vjershave të tij vulën e pakënaqësisë nga realiteti, frymën e revoltës aq të fuqishme. Në zhvillimin e talentit dhe në brumosjen e Zefit me ndjenja patriotike e liridashëse luajtën rol të rëndësishëm studimi në Kolegjin e Shën Adrianit, ku pati mësues De Radën, me të cilin më von u bë mik. Për shkak të një sëmundjeje që e goditi Seremben në vesh, varfëria dhe shëdeti i keq, që u bënë të dyja bashkë, e detyruan të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Edhe pse familja e tij, e cila dikur qe e pasur, erdhi duke u varfëruar gjithnjë e më shumë. Fatkeqësia e shqetësoi dhe e shtyu Seremben në një jetë endacake dhe plot aventura. Udhëtoi nëpër Itali gati në të gjitha fshatrat arbëreshe sidomos në Siçili, pastaj shkoi në Françë dhe pak më vov shkoi në Amerikën e Jugut dhe pas shumë vitesh u kthye në vendlindje. Pas ca kohëshnë qershor 1895 ishte në Nju- Jork.Ndërkaq lëvizja kombëtare në Itali po merrte përpjestime të gjera. Ishte koha kur Garibaldi po triumfonte kudo në Italinë e Jugut dhe arbëreshët po i përgjigjeshin thirrjes së tij. Serembja u bë këngëtar i kësaj lëvizjeje i shtyrë jo vetëm nga ndjenjat liridashëse por edhe nga prirja për të parë tek ajo një shprehje të trimërisë së arbëreshëve dhe një shpresë për pjesëmarrjen e tyre të mëtejshëme për çlirimin e atdheut të të parëve të tij. Ndërkaq, lëvizja kombëtare në Shqipëri u fuqizua, u shpeshtuan kontaktet e arbëreshëve me këtë lëvizje. Serembja tregoi interes të gjallë ndaj përpjekjeve për liri të vëllezërve të përtej detit. Madje ai ishte i pakënaqur nga dobësia e kësaj lëvizjeje në Shqipëri dhe në këtë kohë ai shkroi vjershën “Vrull” , që është një nga poezitë më patriotike dhe më të bukura të tij, ku shkruan: Arbëri ( Shqipëri )që prapa detit na kujton, Se ne të huaj jemi te ky dhe, Sa vjet u bënë e zemra s’e haron, Se për turkun mbetëm pa mëmëdhe. Dhe më poshtë Serembe jep kushtrimin: Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon, Po fryn era dhe gjithë akulli më zë, Se shqiptari harroi ç’ish më parë , E s’e merr turpi porse rri e fjë ,(flë). Me këtë vjershë ai tregon se Shqipëria është vendi i ëndrrave të tija. Poeti Xhevahir Spahiu shkruan se për Seremben kuptimi i jetës së tij është Shqipëria, dhembja e poetit është dhembja e atdheut, brigjet arbërore ku treste shpesh vështrimin . Shkrimtari dhe kritiku Sabri Hamiti shkruan se Zef Serembe i pati dhënë dashuri të madhe atdheut të përtej detit, Arbërisë. Në zemrën e Serembes shtrydhet e ndrydhet malli i atdheut. Dashuria për atdhe ia gërryejti zemrën gjatë tërë jetës. Tani le të shikojmë një fragment nga poezia “Për lirinë e Venetisë” ( Për çlirimin e Venetikut) se ç’farë shkruan Serembja për Shqipërinë, për atdheun e të parëve të tij: “ Yrrysh, pra. Të fluturojmë, në betejë të sulmojmë. Skënderbeu edhe gëzon në Parajsë ku pushon. Sheh se shpresa jemi e qemë, të Arbëris’ (Shqipërisë), ku, oh , nuk lemë… (ku, oh, nuk lindëm). Edhe sot, po të shkosh në Strigari, në San Cosmo Albanese të krahinës së Kozencës, do shikosh se zakonet dhe gjuha shqipe janë ruajtur dhe janë të gjalla, bile po të marrësh pjesë në ndonjë aktivitet kulturor apo patriotik mund ta dëgjosh edhe sot nga arbëreshët këtë këngë popullore: Shpresa e atdheut jemi e qemë, të Shqipërisë, ku, oh, s’u lemë , fjalët e së cilës i ka shkruar Zef  Serembe gjeniali, në vjershën “ Për lirinë e Venetisë” . Poeti Xhevahir Spahiu shkruan gjithashtu se në vargjet e Serembes Gjergj Kastrioti-Skënderbeu shfaqet “ i shndritshëm si një Diell”. Serembe i thurri himn Garibaldit dhe shkruan si më poshtë: Garibaldi shkoi këtje, priri fjamurin tutje, Këmishëkuqi, trim me fletë, Skënderbeut tonë i ngjetë. Duke folur për cilësitë e Garibaldit, si udhëheqësi i bashkimit kombëtar të Italisë, Serembe me shumë mënçuri dhe zgjuarsi heq vija paralele me Skënderbeun, që i bashkoi shqiptarët në luftë për liri kundër pushtimit osman dhe me këtë rast u bën thirrje

Lexo edhe :  Një vend dedikuar artit dhe kreativitetit, hapet Qendra e Artit dhe Inovacionit në Korçë

shqiptarëve që edhe ata të bashkohen, sepse bashkimi bën fuqi. Të befason përmendja e Lidhjes së Prizrenit nga Serembja në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij, që siç shkruan ai “ fati nuk i ndriti”. Poemen e Serembes “A Dio” (Zotit) e kanë krahasuar dhe barabitur me krijime të Bajronit, Lermontovit dhe Mickieviçit, thekson poeti Xhevahir Spahiu. Edhe sot e kësaj dite, shkruan Xhevahir Spahiu, me frymëzimin e gjallë, ndjesitë e holla dhe zjarrminë e ligjërimit, ajo vjen si një befasi e padyshimtë artistike. Poema u shkrua më 1875, kur poeti kthehej nga Brazili. Në Marseje siç pohon vet në shënimet në fund të poemës i vodhën 200.000 vargje shqip kushtuar jetës së Jezu Krishtit. “A Dio” për herë të parë pa dritën e botimit në librin e pare të këtij poeti arbëresh në Itali më 1888. Botimi i dytë ndodhi kur Serembe ishte në Argjentinë në shkurt 1897, pesë vjet para se të ikte nga kjo botë. I kishte dhënë dorën e fundit dhe ç’është më e rëndësishme kishte shtuar 40 vargje dhe të 40-ta për Shqipërinë. Një vjershë, Serembe ia kushtoi Dora d’Istrias (Elena Gjika), e cila me publikimet e saj, erudite dhe gjeniale, ia bëri të njohur popullin shqiptar botës së qytetëruar. Në këtë vjershë Serembe ngriti zërin edhe për lirinë e Shqipërisë, hodhi kushtrimin për luftë të armatosur dhe për bashkimin e shqipëtarëve. Në këto vite Serembja shëtiti nëpër fshatrat arbëreshe të Siçilisë dhe Kalabrisë duke u lidhur më tepër me zakonet dhe folklorin , me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Gjatë këtyre shtegtimeve Serembe improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që vinte si një poet popullor. Motivi zotërues i poezive lirike të Serembes është dashuria për atdheun, për Arbërinë, që siç shkruan Serembe, “prapa detit na kujton”. Vasha është dashuria e dytë e poetit dhe më e madhja dashuri e tij. Dashuria e Serembes për vajzën nuk ishte hov i viteve të rinisë, ajo është dashuri njerëzore, edhe e rinisë edhe e moteve të pjekurisë, e cila bie në sy në pjesën më të madhe të lirikave të poetit. Gjurmë të thella dhe të dhembshme në shpirtin dhe krijimtarinë e poetit la dashuria e pa fat për një fshatare arbëreshe. Poeti ushqeu për vajzën nga Strigari një dashuri të zjartë dhe këmbëngulëse por nga ana e saj kishte ftohtësi dhe indiferencë edhe pse poeti iu lut asaj që të jetë më pak e ashpër. Vajza që dashuroi Serembja emigroi në Brazil, ku dhe vdiq pas pak kohe. Dëshira për ta parë varrin e kësaj vajze si dhe shpresa që të përmirësonte gjëndjen e vet ekonomike e bënë poetin të nisej më 1875 për në Brazil. Por edhe këtu Serembja u zhgënjye se pa korrupsionin e oborrit dhe jetën e degjeneruar të aristokracisë braziliane. Pa kaluar as një vit ai u kthue në Itali. Dashuria e tretë e Serembes është natyra. Natyrën, në poezinë e Serembes, mund ta shijojmë si djep i prehërimeve dhe i qetësimeve shpirtërore të njeriut dhe si natyrë që sjell fatkeqësi.

Studiuesja e letërsisë Klara Kodra shkruan për Seremben se ai është një poet novator, që trajtoi temën patriotike, evokoi të kaluarën heroike në shërbim të zgjimit dhe të forcimit të idesë kombëtare me forma e mjete të reja shprehjeje. Serembe vuri në qendër të krijimtarisë së vet heroin kryengritës në formën e vet edhe këtu nis origjinaliteti i Serembes në gjirin e romantizmit arbëresh dhe atij shqiptar.

Albert Stratigoi, kritiku i parë serioz arbëresh i veprës së tij, shkruan për poetin Zef Serembe: “Dashuria është motivi zotërues në poezinë e tij, një dashuri e fuqishme dhe herë-herë e vrullshme dhe gjithmonë e shoqëruar me dhimbje ose së paku e mbuluar me trishtim. Krijimet poetike të Serembes, që janë të shumta, ai i bënte në çast të nxitura nga një frymëzim i vetvetishëm, poezi të improvizuara dhe në të shumtën e rasteve, ai, as nuk i shkroi vargjet e poezive të tij. Ai veçse na kënaqte me melodinë e poezive të këndshme”. Ai e quan Seremben…” një zog shtegtar , që kudo që fluturon e qëndron derdh nga shpirti tinguj të ngrohtë e magjepsës. Kur ishte ende nxënës i kolegjit italo-grek të Shën Dhimitër Koronës, ai bëri këngë aq të bukura sa që edhe sot e kësaj dite bashkënxënësit e tij i kujtojnë me nostalgji”. Duke shkruar këto pak radhë për Zef Seremben dhe duke e lexuar atë me kujdes, mua më duket,mbase gaboj, se ai për nga nervi i tij i brendshëm poetik dhe impulset e fuqishme plot trazim,është një pararendës i Migjenit, Lasgush Poradecit, Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut etj,pra i genit të pastër kryengritës shqiptar.

Të fundit

Izraeli mori hak ndaj Iranit, ja çfarë ndodhi papritur me çmimin e naftës

Çmimet e naftës dhe arit janë rritur menjëherë pas sulmit izraelit drejt Iranit. Investitorët kanë ndjekur nga afër reagimin e...

Nëna rreh fëmijët e mitur, ish-bashkëshorti e kallëzon në polici

Një 28-vjeçare është proceduar në gjendje të lirë, pasi ish-bashkëshorti i saj e ka kallëzuar se ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të mitur. Xh.M.,...

Nxehen ‘gjakrat’/ Protestuesit hedhin molotov, përfshihet nga flakët Bashkia e Tiranës

Nxehen ‘gjakrat’ para Bashkisë së Tiranës, atje ku po mbahet protesta e opozitës. Protestuesit kanë hedhur flakadanë dhe molotov, duke shkaktuar një zjarr të...

Rrethohet Bashkia e Tiranës, protestuesit hedhin mollë dhe bojë në drejtim të godinës

Ka nisur protesta e thirrur nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës. Para godinës shihet se ka forca të shtuara...

Muzikë, DJ dhe ekspozitë me motorët ‘Vespa’, 3 ditë magjike te Pazari i Ri në Tiranë

Pazari i Ri sjell në datat 19-20-21 prill një përvojë unike, që vetëm Funky Days&Nights ofron. Plot tre ditë e net të ngrohta të...

Lajme të tjera

Web TV