test

Ramizi dhe Nexhmija vendosën të sillin një mjek nga Franca për Enverin, si turist

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Proces-verbali i mbledhjes së Byrosë, më 15 tetor 1984, për gjendjen e rëndë shëndetësore të Enver Hoxhës. Raportimi i Ramiz Alisë / “Mjekët tanë në Paris, biseduan me profesor Pol Miliezin, ku në mënyrë konfidenciale, i treguam se bëhet fjalë për shokun Enver”.

 Nga DASHNOR KALOÇI

 Pjesa e dytë

 Plot 38 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zemra dhe vdiq udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, njeriu që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vëndin e tij, për katër dekada me rradhë që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet. Vdekja e tij, erdhi edhe si pasojë e një sëmundje të rëndë (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në mesin e gushtit të vitit 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua sëtepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, gjë e cila si rezultat, solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por, përkeqësimi i shendetit të diktatorit Enver Hoxha, filloi që nga fillimi i vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, të mblidhte disa herë anëtarët e Byrosë Politike, për t’i informuar për situatën e rëndë shëndetësore që po kalonte “udhëheqësi kryesor i Partisë”. Në ato mbledhje, siç do të shikojmë edhe dokumentet në fjalë, (të cilat mbajnë shënimin “Tepër sekret të një rëndësie të veçantë”), pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por ajo gjë fillimisht, nuk është pranuar nga vetë Enveri, por as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje, të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë. Një shqetësim tjetër të madh që Ramiz Alia, ka parashtruar para anëtarëve të Byrosë Politike, ishte dhe problem i Spartakiadës Kombëtare e cila do të zhvillohej në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, me rastin e 40 vjetorit të çlirimit, ku sipas tij, ishin marrë të gjitha masat e nevojshme dhe Enver Hoxha, duhej të ishte patjetër i pranishëm, pasi atë gjë, e kërkonte interesi i Partisë dhe po ashtu, që ta shikonte rinia, populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Të gjitha këto, bëhen të ditura nga këto dokumente arkivore të cilat gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhen proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, të datave 17 shkurt dhe 11 tetor të vitit 1984, të cilat siç theksuam edhe pak më lart, në krye të tyre, mbajnë shënimin: “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”. Të gjitha këto dokumente, po i publikojmë të plota, me faksimilet dhe fotot përkatëse, ekskluzivisht për gazetën FJALA.

Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, I MBAJTUR MË 11 TETOR 1984, NËN KRYESIMIN E RAMIZ ALISË, “MBI GJENDJEN E RËNDË SHËNDETËSORE TË ENVER HOXHËS”

Tepër sekret

                        Dokument i rëndësisë së veçantë

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 11 tetor 1984.

Këtë mbledhje të Byrosë Politike e thirri Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia, për të informuar shokët kryesorë të udhëheqjes së Partisë mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver.

Ata u mblodhën në sallën e vogël të pushimit, në katin e sipërm, dhe fjala e shokut Ramiz, u stenografua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mendova të bisedoja me të gjithë ju, shokë për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Të gjithë e keni ndjekur dhe në përgjithësi jeni në dijeni për gjendjen e tij shëndetësore.

Tani dëshiroj t’ju bëj të njohur që të keni parasysh edhe si qëndron kjo çështje ditët e fundit, pse, siç e patë dhe vetë, në mbledhjen e Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror në 27 shtator, gjendja e tij është rënduar ca.

Shëndeti i shokut Enver, karakterizohet nga një dobësi e përgjithshme e organizmit. Rezistenca e tij fizike, ka rënë mjaft, gjë që, siç e patë, shprehet deri në të folurin e tij me vështirësi.

Këtë gjendje, ai na e ka vënë edhe vetë në dukje, kur erdhi herën e fundit në aparat dhe midis të tjerash, na tha se ka dëshirë të na flasë për shumë gjëra, por nuk flet dot.

Kohët e fundit, shokut Enver i janë vështirësuar edhe lëvizjet e gjymtyrëve. E vërteta është se, gjatë këtyre ditëve, ai pati edhe njëfarë gripi, që natyrisht ka ndikuar jo për mirë në rëndimin e kësaj gjendjeje.

Për të gjitha këto arsye, mendova t’ju vija në dijeni juve, shokë të Byrosë, për të pasur një tablo të plotë mbi këtë gjendje. Burimi kryesor i rënies shëndetësore të shokut Enver, është sëmundja e diabetit. Sikurse e dini të gjithë, ai vuan prej një kohe të gjatë, që nga viti 1948, nga diabeti.

Kjo sëmundje në përgjithësi, i ka prekur enët e gjakut, duke ia pakësuar mundësinë e qarkullimit, gjë që i ka dobësuar organizmin. Mjekimet kundër kësaj sëmundjeje, i janë bërë vazhdimisht me rigorozitet.

Po ato i janë bërë në rregull edhe në sajë të rigorozitetit dhe të vullnetit e kujdesit të vazhdueshëm të vetë shokut Enver, i cili, u është përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të mjekëve dhe i ka zbatuar këshillat e tyre, me një disiplinë shembullore. Kjo ka bërë të mundur, të shmangeshin për një kohë të gjatë ato efekte negative, që mund të vërtetoheshin shumë më shpejt po të lihej pas dore, terapia e caktuar.

Sidoqoftë, këtu te diabeti, qëndron burimi kryesor i gjendjes së vështirë, që po kalon tani shoku Enver. Si rrjedhim i sëmundjes së diabetit, shoku Enver, ka kaluar një infarkt të miokardit, 11 vjet më parë, në tetor 1973. Shumë nga shokët, këtë ngjarje nuk e dinë, po një pjesë e mirë, si Adili, Manushi etj., kanë dijeni për këtë sëmundje, nga e cila u prek ai në atë kohë.

Edhe në këtë rast, shoku Enver u mjekua me shumë kujdes dhe përsëri duhet vënë në dukje, se ka qenë gjithashtu shumë i disiplinuar në zbatimin e kurave. Mund të them madje, se atëherë, u trajtua me aq efektivitet kundër infarktit, saqë më vonë, nuk ka pasur më asnjë shqetësim dhe ka vazhduar të punojë normalisht.

Duhet përmendur se përpara tre vjetëve, aty nga viti 1980 – 1981, kanë filluar t’i duken disa fenomene të tjera të quajtura edema pulmonare, që s’janë gjë tjetër, veçse grumbullim ujërash në mushkëri, që i shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje. Për këtë arsye, mjekët tanë kanë qenë të detyruar të merrnin herë pas here masa, për shkarkimin e ujërave të tepërta nga mushkëritë, që të lehtësohej dhe të rikthehej në gjendje normale.

Shkaku i edemave pulmonare, vjen nga dobësimi i muskulit të zemrës, që nuk ka fuqinë e duhur për të thithur ujërat e tepërta, që i krijohen në mushkëri dhe i shkaktojnë vështirësitë në të marrit frymë.

Nga fillimi i këtij viti, pati një periudhë që këto fenomene, i’u bënë më të shpeshta dhe e rënduan gjendjen e tij shëndetësore, por ky fenomen, tani nuk po vihet re më. Siç jeni në dijeni, në shkurtin e këtij viti, shoku Enver pati edhe një ishemi cerebrale.

Pali me Muhon, nuk ishin kur ne u mblodhëm të nesërmen me këtë rast. Megjithatë, edhe ata mësuan për atë moment tepër të rrezikshëm për jetën e shokut Enver, por gjendja u dominua mirë, në sajë të ndërhyrjes shumë të shpejtë e shumë efektive të mjekëve tanë.

Pas kësaj goditjeje, shoku Enver u përmirësua, por duhet pranuar se, në përgjithësi, gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u keqësuar, pasi ishemia i krijoi vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve të këmbës dhe të dorës, që iu prekën, dhe i është krijuar një lodhje e përgjithshme.

Për këtë arsye, disa herë i kishim propozuar shokut Enver, të sillnin nga jashtë mjekë për ta vizituar. Kam biseduar unë vetë veçanërisht me të, ka biseduar veçanërisht gjithashtu, Nexhmija, në të njëjtën kohë, kemi biseduar një herë tjetër të dy bashkë me Nexhmijen, po ai nuk e ka pranuar kurrsesi, propozimin tonë. Ai e argumenton me dy arsye.

Së pari, me besimin e plotë që ka te mjekët tanë, në diagnozën që i kanë bërë ata dhe në mjekimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë. Së dyti, është pastaj aspekti politik i këtij hapi, që ai mendon se duhet parë me kujdes para se të veprohet. Edhe pa marrë mjekë nga jashtë, të gjithë kemi parë çfarë shkruan shtypi në botë rreth gjendjes së personit të tij, madje një gazetë greke, aty një muaj më parë shkruante sikur kishte vdekur.

Edhe televizioni Italian, ka folur për gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver. Pra, pa sjellë mjekë dhe bëhet zhurmë jashtë, prandaj merret me mend çfarë mund të flitet e të shkruhet pastaj në opinionin botëror, sikur të thërritet ndonjë. Duhet pasur parasysh pastaj, në radhë të parë, shqetësimi që do të shkaktohej në popullin tonë.

Dy-tri javë përpara, biseduam përsëri me shokun Enver, e më së fundi ai pranoi të bëhet diçka në këtë drejtim, po jo të vinin këtu mjekë të huaj për ta vizituar, por të dërgoheshin jashtë, në Francë, mjekët tanë, për të bërë një konsultë me specialistët francezë.

Për këtë arsye, dërguam në Paris tre nga mjekët tanë, që merren me kurimin e shokut Enver, mjekun e tij personal, Isuf Kalon, mjekun kardiolog, Ylli Popën dhe Bajram Prezën, si neurologu, që ka ndjekur kurat kundër ishemisë cerebrale.

Mjekët tanë, morën të gjitha të dhënat e nevojshme dhe me anën e ambasadës sonë në Paris, organizuan një konsultë me kryetarin e Shoqatës Francë-Shqipëri, mjekun, profesor Pol Miliezin në krye, të cilit, i folën hapur dhe natyrisht në mënyrë konfidenciale, se fjala ishte për shokun Enver. Kjo u bë që ai me ekipin e tij, të kuptonin se duhej ruajtur sekreti i çështjes, prandaj iu theksua se, vetëm ata e dinin këtë gjë.

S’ka dyshim se qeverisë së tyre, specialistët francezë, do t’i kenë folur, po të paktën në shtyp ata nuk mund të thonë gjë, se një gjë e tillë, do të ishte shumë negative për ta. Kështu pra, specialistëve francezë, iu paraqit gjithë dokumentacioni, duke filluar që nga historiku i sëmundjes, elektrokardiogramet që i janë bërë gjatë kësaj kohe etj.

Lexo edhe :  12 qershor 1987/ Dënimi me vdekje dhe falja e Perandorit të Afrikës Qëndrore  

Dihet se në mjekësinë modern, nuk ecet më me metodat e vjetra, duke i vënë veshin ose prekur trupin e të sëmurit; sot bëhen më parë analizat e nevojshme dhe mbi bazën e tyre, organizohen konsulta.

Kështu u veprua atje edhe për rastin e shokut Enver, dhe kjo konsultë ishte shumë efektive. Ç’doli prej saj? Të gjithë specialistët francezë në konsultë ishin plotësisht të një mendimi me diagnozën e mjekëve tanë nga fillimi e deri në fund. E dyta, të tërë ishin dakord me mënyrën e mjekimit, me terapinë që është ndjekur, qoftë kundër diabetit, ashtu edhe me atë për forcimin e zemrës, kundër edemave, etj.…!

Madje, specialistët francezë thanë se, edhe sikur vetë ta kishin ndjekur pacientin, vështirë se mund të bënin më tepër nga këto që kanë bërë mjekët tanë, të cilët kanë përdorur teknikën moderne të mjekimit dhe ilaçet e fundit që kanë siguruar, i kanë dhënë në dozat e përshtatshme me efikasitet.

Jo se ne kishim ndonjë dyshim në trajtimin e mjekëve tanë, ndaj shokut Enver, sepse kurdoherë, kemi qenë të bindur që efektiviteti i mjekimeve nga ana e tyre, ka qenë i mirë, po fakti që edhe specialistët francezë, kishin të njëjtin mendim me tanët, na qetësoi dhe na bindi, se nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjë tjetër.

Për sa i përket zemrës, si mendimi i specialistëve francezë, ashtu edhe i tanëve, është i njëllojtë. Ky organ ka arritur në fazën e një insuficience të theksuar, muskuli i zemrës, është dobësuar së tepërmi dhe është pikërisht ky, burimi i pafuqisë së përgjithshme, që ka deri tani shoku Enver.

Pra, faktori kryesor në këtë gjendje, që shkakton edhe fenomenet e tjera negative të shokut Enver, është zemra. Madje, kur u diskutua për diagnozën, francezët thanë se, ishemia cerebrale, që goditi disa muaj përpara shokun Enver, aty e ka burimin, nuk kemi të bëjmë me stenozë të arteries karotide, siç kishin menduar mjekët tanë.

Francezët anojnë më shumë në pikëpamjen që, kjo gjendje, është pasojë e një embolie kardiake. Nga pikëpamja objektive, kjo nuk luan ndonjë rol, po specialistët francezë, janë të bindur se të gjitha këto fenomene, kanë ardhur nga zemra. Vetëm në këtë çështje u bënë diskutime midis specialistëve francezë dhe tanëve, nuk pati ndonjë problem tjetër.

Mjekët tanë, edhe për sa i përket fenomenit të heqjes zvarrë të këmbës dhe dredhjes së dorës, kanë menduar se, mos kemi të bëjmë me ndonjë fenomen të sëmundjes së parkinsonit.

Edhe në këtë çështje, tanët nuk konkordonin me francezët. Këta janë të mendimit se, te shoku Enver, nuk kemi të bëjmë me këtë sëmundje. Heqja zvarrë e këmbës dhe dridhja e dorës, janë pasojë e dobësimit të organeve kardiovaskulare, sidomos dobësimit të zemrës.

Specialisti francez, që foli për parkinsonin, shprehu mendimin se, e tillë është pikëpamja e tij, duke u bazuar në të dhënat që u paraqitën, se, për të dhënë një mendim të saktë, ai kërkoi që ta shikonte vetë pacientin. “Megjithëse nuk kemi të bëjmë me sëmundjen e parkinsonit, – tha ai, – mendoj se kura kundër kësaj sëmundjeje, po të vërtetohet, është bërë mirë”.

Nga pikëpamja e terapisë, francezët rekomandojnë pra, të njëjtat ilaçe të dhëna nga mjekët tanë, me ndonjë ndryshim fare të vogël, në dhënien e ndonjë ilaçi, të së njëjtës familje.

Për shembull, ata e dinë se, shoku Enver, e ka qejf përdorimin e kripës në ushqime, ndërsa mjekët tanë, e kanë këshilluar të mos e hajë. Mirëpo, duke i dhënë ushqime pa kripë, ai nuk i ha. Mjekët francezë, thonë se në kushtet e tij, sidomos neve, na intereson që pacienti, ta hajë të tërë ushqimin e nevojshëm, prandaj, le të marrë edhe ca kripë, se pas buke, i japim ilaç që ta shkarkojë.

Mirëpo ilaçi, që iu dha për shkarkimin e kripës, atë e lodhte shumë. Kur tanët, ua vunë këtë në dukje francezëve, ata rekomanduan të përdorej një diuretic me efekt të vonuar.

Këtu qëndronin ndryshimet, në terapinë midis specialistëve francezë dhe mjekëve tanë. Asnjë gjë tjetër esenciale nuk ka midis tyre, dhe kjo është shumë pozitive, se tregon që trajtimi nga mjekët tanë, ka qenë dhe është shumë korrekt.

Megjithëse, mjekimet edhe kundër parkinsonit, shoku Enver i janë bërë në rregull, për të hequr merakun, pardje biseduam me shokun Enver, që ta thërrisnin profesorin specialist për këtë sëmundje, por ai nuk ishte dakord.

Madje, siç më tregoi Nexhmija, një ditë më pare, kishte biseduar edhe ajo vetë për këtë çështje me të. “Përse të vijë”?- na tha ai. Po ne i shprehëm mendimin se, nuk humbasim ndonjë gjë sikur të vinte, se francezët tani, i dinë të gjitha këto që dinë mjekët tanë dhe ne, do të marrim masa që asnjeri të mos e marrë vesh një gjë të tillë, duke e sjellë mjekun francez, si turist. Sidoqoftë, me ca zor, por e bindëm.

Kjo as shton as pakëson gjë, se mjekimet i janë bërë në rregull edhe kundër parkinsonit, madje francezët, thanë se keni bërë shumë mire, që ia keni filluar edhe këtë kurë, mbasi ilaçi i përdorur, nuk sjell asnjë dëm edhe sikur mos ta ketë këtë sëmundje. Të gjitha këto që jua thashë, shoku Enver i di, po jo në këtë shkallë shqetësuese, që ju tregova.

Kështu, për specialistin francez, që është thirrur të vijë, nuk i kemi thënë se do ta vizitojë për parkinsonin, po për të parë mënyrën e dhënies së kurave. Edhe për insuficiencën e theksuar kardiake, gjithashtu, nuk i kemi folur me atë seriozitet që është gjendja e tij, dhe duhet njohur se, kjo gjendje është shumë serioze, prandaj duhet të jemi të gjithë shumë të ndërgjegjshëm, megjithëse shokut Enver, ia kemi treguar në mënyrë të moderuar gjendjen e tij.

Terapia e re që është filluar, t’i bëhet, mund të sjellë ndonjë përmirësim, dhe ne urojmë që, shoku Enver, ta marrë veten. Po këtë do ta shikojmë. Në këto kushte, natyrisht, edhe gjendja e tij shpirtërore ka ndryshuar. Shoku Enver, është bërë i ndjeshëm. Ja, kur vajta pardje dhe po i flisja për pusin e ri fontanë që është hapur, filloi të ngashërehet dhe u prek shumë.

Gjithashtu, sa sheh diçka në TV, preket. E tillë është edhe sëmundja. Në këtë gjendje, ne kemi ndjekur e do të ndjekim rrugën që të mos e rëndojmë me punë shokun Enver, mbi mundësitë e tij fizike të tanishme; do ta ngarkojmë me aq sa mund ta përballojë, për të mos i sjellë asnjë vështirësi.

Unë jam përpjekur, për ta mbajtur në korent të punëve, natyrisht shumë shkurt dhe pa e futur në hollësi. I shkoj vazhdimisht në shtëpi dhe ai vetë, më merr ndonjëherë në telefon. Edhe shokun Adil e merr në telefon dhe ky gjithashtu, i dërgon vetëm ndonjë material të domosdoshëm.

Pra, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver, jam përpjekur të mos e ngarkoj, por ta vë në dijeni për problemet e aspektit politik, pa e futur në detaje. Këtë praktikë, do ta ndjekim edhe në të ardhmen që të mos e rëndojmë.

Madje, tani na del problemi i Spartakiadës, që do të bëhet me rastin e 40-vjetorit të Çlirimit, ku është e domosdoshme që ai, të marrë pjesë, pasi me daljen e tij në publik, e kërkon interesi i Partisë. Në këtë manifestim të madh fizkulturor, do të jetë tërë populli dhe rinia e Tiranës, që ka dëshirë të shikojë Komandantin. Për këto arsye, u detyrova ta shtroj para jush këtë çështje, mbasi jemi përpara situatave të reja.

Ne i kemi marrë të gjitha masat për të siguruar daljen e tij para publikut të kryeqytetit, pa i krijuar asnjë vështirësi, se ecjen në tribunën e stadiumit, ia kemi siguruar ta bëjë në rrugë fare të shkurtër dhe horizontale, vetëm 6-7 hapa, derisa të zërë vend në kolltukun ku do të ulet dhe andej nuk do të lëvizë më, deri në mbarim të manifestimit.

Ndonjë shok, mund të ketë mendimin që të shtyhet edhe ca ditë më tutje Spartakiada, por duhet kuptuar mirë se, këtu nuk kemi të bëjmë me një sëmundje gripi, fjala vjen, që zgjat ca ditë, i sëmuri përmirësohet dhe del përsëri në punë.

Gjendja e shokut Enver, është ndryshe.

Ai po kalon tani disa vështirësi më të mëdha nga sa kishte përpara, gjë që e vutë re të gjithë në seancën e parë të Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror të Partisë, megjithëse atë ditë ai erdhi në mbledhje me këmbët e veta, kurse tani e ka më të vështirë të ecë.

Sidoqoftë, çështjen e daljes së tij në manifestim, do ta shohim, vetëm dua të them se, kjo ka rëndësi të madhe, mbasi të gjithë dëshirojnë ta shohin atje dhe jo vetëm populli i Tiranës, po i tërë Shqipërisë.

Në stadium, ne do të vendosim për këtë qëllim aparaturat e televizionit, si në të gjitha rastet e këtij lloji. Prandaj do të përpiqemi, ta rregullojmë daljen e tij me qëllim që, populli të gëzohet. Megjithatë, çështjen do ta shohim ditët e ardhshme. Unë mendoj që, edhe sikur ta shoqërojë njeri për krahu, nuk ka gjë. Pastaj e marrin të gjithë me mend që, si mosha edhe sëmundja, i kanë këto fenomene.

Sidoqoftë, për pjesëmarrjen e tij në Spartakiadë, kemi akoma edhe shumë ditë kohë për të vendosur, prandaj të mos shpejtohemi. Të them të drejtën, nuk mundja ta mbaja vetë këtë shqetësim, prandaj ju mblodha t’jua thosha të gjitha këto, që ta dijë Byroja Politike.

Megjithatë, mjekët tanë janë në krye të detyrës dhe vetë shoku Enver, me shumë rigorozitet, zbaton të tëra kurat që i japin ata. Të gjitha këto që thashë, duhet t’i mbajmë për vete. Tani të vëmë të tëra forcat për të kryer në këto kushte detyrat. Ky do të jetë edhe lehtësimi më i madh, për gjendjen e tij, që të mos e shqetësojmë për problemet e mëdha që kemi përpara dhe që na shqetësojnë të gjithëve, por ca më shumë atë.

Prandaj, sa më shumë suksese të kemi në punët e Partisë dhe të shtetit, aq më tepër do të ndikohet pozitivisht dhe në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe fizike të shokut Enver. Kjo do të jetë e mirë për të dhe kjo është tani detyra jonë kryesore.

Të gjitha shërbimet ne po ia bëjmë, e do t’ia bëjmë dhe shpresoj që shoku Enver ta kapërcejë këtë vështirësi, në sajë të kujdesit që po tregohet dhe të ilaçeve që i janë siguruar, dhe për ta marrë veten, gjë që do të jetë me shumë rëndësi për Partinë.

Tiranë, më 15.10.1984

 

Të fundit

Kërcënoi me sëpatë tifozët, agresori qëllohet me armë zjarri nga policia

Policia e Hamburgut ka konfirmuar se ka qëlluar një person që i ka kërcënuar me sëpatë pranë vendit ku...

E dënuar për vrasje, pas 43-vitesh gruaja shpallet e pafajshme nga gjykata

Sandra Hamm, e cila u dënua për vrasje në SHBA, iu anulua dënimi pasi kaloi 43 vjet burg pasi gjyqtari i Gjykatës së Qarkut...

Humbet kontrollin, furgoni del nga rruga dhe përplaset me pemën

Një aksident është shënuar këtë mesditë në qytetin e Pogradecit. Një furgon mallrash, drejtuesi i të cilit ka humbur kontrollin ka dalë nga rruga...

Formacionet zyrtare të sfidës Poloni-Holandë, Lewandowski e nis sfidën nga stoli

Poloni-Holandë çelin raundin e parë të Grupit D në EURO2024, me sfidën që nis në orën 15:00 dhe që luhet në “Volksparkstadion” në Hamburg. Ndërsa...

Ndërtimi i minierës së litiumit, Financial Times: Vuçiç jep dritën jeshile

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është duke u përgatitur t’i japë Rio Tintos dritën jeshile për ndërtimin e minierës më të madhe të litiumit...

Lajme të tjera

Web TV