Zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe përmbushja e kushteve për të qenë demokratike ishin temë kryesore e takimeve që I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati me drejtuesit e vendit. Gjithashtu një vëmendje e veçantë ishte diskutimi mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në ikje Yuri Kim ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe ministren Olta Xhaçka.
Vizitën e parë e pati me kryeministrin Rama, një takim që nuk ka zgjatur shumë, duke i lënë “kohë më të madhe” vizitës në presidencë.
Zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishin në qendër të takimit të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe njëkohësisht i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me Presidentin Bajram Begaj. Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, Presidenti Begaj, nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj, vlerësoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe personalisht zoti Escobar, i kanë dhënë procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Vlerësoj marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA. SHBA, rol të pazëvendësueshëm në garantimin e paqes dhe sigurisë në BP. Vlerësoj mbështetjen që SHBA dhe Escobar i kanë dhënë negociatave Kosovë-Serbi.
Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, proces me ndikim të madh rajonal. Falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga BE, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj BP. Mirënjohje për mbështetjen në rritjen e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij”, nënvizoi Presidenti Begaj.
Duke u ndalur tek sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Presidenti Begaj, nënvizoi gjithashtu, se “falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga Bashkimi Evropian, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtij rajoni”.
Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride. Presidenti Begaj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane, duke i konsideruar të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë.
Takimi me demokratët
Ndërsa sot është planifikuar të takohet me Enkelejd Alibeajn dhe një grup përfaqësuesish të Partisë Demokratike. Ndërkohë, zyra e shtypit të Partisë së Lirisë tregon se Escobar ditën e sotme do të takohet edhe me ish-presidentin Ilir Meta.
Sa i përket qëllimit të kësaj vizite, tre janë çështjet kryesore që pritet të diskutohen nga Escobar dhe bashkëbiseduesit e tij: Së pari, zgjedhjet lokale të 14 majit.
Politika amerikane përmes të dërguarës së saj Yuri Kim e ka bërë të qartë se politika shqiptare duhet të ketë kandidatë të pastër pa të shkuar kriminale. Po ashtu, duhet të bëjë kujdes edhe për sa i përket financimeve të kësaj fushate elektorale.
Së dyti, çështje për diskutim është marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë.
Vetë Escobar në javët e shkuara ka qenë shtysë që kjo marrëveshje të mund të vendoset në zbatim sa më parë, ndërsa pritet të kërkojë nga autoritetet shqiptare dhe vetë kryeministri Edi Rama për ta vijuar mbështetjen për këtë marrëveshje dhe nxitjen e autoriteteve të Kosovës për zbatimin e saj.
Së treti, vizita e Escobar ka të bëjë me një çështje të brendshme dhe shumë shqetësuese për Shqipërinë, siç janë sulmet kibernetike të Iranit.
Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës krahas asistencës në sulmin kibernetik përmes FBI-së, ka ofruar edhe mbështetje financiare dhe teknike në shtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë ndaj sulmeve të ardhshme. Escobar pritet t’u rikonfirmojë autoriteteve shqiptare mbështetjen e SHBA-së për t’u përballur me këto sulme në të ardhmen dhe natyrshëm për të shtuar kapacitetet mbrojtëse.
Reagimi i Ambasadës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar me vizitën e zyrtarit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, në Shqipëri. Përmes një reagimi në Facebook, Ambasada e SHBA-ve thotë se ai zhvilloi dhe do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare.
Sipas Ambasadës, takimet e tij do të fokusohen kryesisht në zgjedhjet e 14 majit dhe në përmbushjen e rekomandimeve të ODIHR gjatë votimeve. “Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, mbërriti dje në Tiranë për takime me Presidentin Begaj, Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka dhe udhëheqës të tjerë.
Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të nënvizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë. Ai do të diskutojë gjithashtu bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për përparësitë rajonale dhe globale, përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në reagimin e ambasadës.