Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, përfundoi dje vizitën 2-ditore në Tiranë ku takimin e fundit e zhvilloi me kreun e PL-së Ilir Meta dhe kryetarin e komanduar të PD-së zyrtare, Enkelejd Alibeaj. Temat që u diskutuan dhe përmendja e çështjes “non grata”.
I dërguari i SHBA, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i shoqëruar nga ambasadorja Yuri Kim ka vijuar ditën e dytë të vizitës në Tiranë ku është takuar me përfaqësuesit e opozitës. Fillimisht, Escobar u takua në orën 10:30 me kryetarin e komanduar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn.
Në një takim shumë të shkurtër, gati 30 minuta është folur për zgjedhjet e 14 majit si dhe për personat e shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj thotë se gjatë bisedës u prekën tema të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek përgatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve.
Alibeaj thekson se i ka bërë me dije për qëndrimin konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare. “Zhvillova një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane, dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.
Gjatë bisedës prekëm tema të rëndësishme të zhvillimeve të fundit ku u ndalëm tek pregatitjet e PD për fushatën zgjedhore dhe problematikat e këtyre zgjedhjeve. Theksova refuzimin e qeverise per te adresuar ne Kodin Zgjedhor rekomandimet e ODHIR.
Përveç kësaj i bëra me dije shkeljen që po ndodh aktualisht nga qeveria të rekomandimeve te ODHIR, lidhur me shitblerjen e votës, përdorimin në fushatë te administratës publike, përdorimi i të dhënave personale dhe buxhetit të shtetit në funksion të zgjedhjeve e sidomos lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve.
Temë e bisedës ishin dhe zhvillimet në Partinë Demokratike, dinamikat e muajve të fundit dhe qëndrimi konstant për çështjen e personave non grata jo vetëm në PD, por në të gjithë spektrin e politikës shqiptare.
E sigurova zotin Eskobar për vullnetin e PD në bashkëpunimin me aleatin tonë kryesor, duke i konsideruar SHBA si mbështetës të angazhuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Alibeaj.
Takimi zgjati për rreth 30 minuta, ndërsa morën pjesë edhe sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi dhe deputetët Oriola Pampuri dhe Kreshnik Çollaku.
Takimi me Ilir Metën
Më pas, Escobar u nis drejt selisë së Partisë së Lirisë, ku u takua me Ilir Metën. Ky i fundit ka zbardhur përmes një postimi në ‘Facebook’ detaje nga takimi. Meta shkruan se theksoi se është e rëndësishme që të ruhet partneriteti mes SHBA dhe Shqipërisë.
Meta po ashtu thotë se kanë folur edhe për zgjedhjet, që sipas tij do t’i japin fund monizmit dhe do të rikthejnë llogaridhënien në pushtetin vendor. “Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit”, shkruan Meta. ndër të tjera në rrjetin social Facebook Meta shkruan se gjatë takimit, i ka thënë Escobar se do i japin fund monizmit.
“Theksova se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japi fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.
Nënvizova vendosmërinë e PL për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA”, shkruan Meta, ndërsa nuk ka shkuruar nëse është diskutuar çështje e koalcionit me Berishën. Ndër të tjera Meta ka folur edhe për çështjen e integrimit të Shqiëprisë.
“Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, shkruan ai.
Takimi me Xhaçkën
Gabriel Escobar u ndal edhe në Ministrinë e Jashtme, ku ka zhvilluar një takim me ministren Olta Xhaçka.
Dy zyrtarët vlerësuan partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA-ve, teksa në fokus të bisedës ishte edhe forcimi i mëtejshëm i sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon, në kontekstin e situatës së sigurisë në Evropë. Ndërkohë, vetëm një ditë më parë Escobar u takua me kreun e qeverisë, Edi Rama dhe me kreun e shtetit, Bajram Begaj.
Pas takimeve ditën e djeshme me Ramën dhe Begaj, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme bashkiake në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë.
Mbrojtja e të dhënave personale
Partitë injorojnë takimin, Celibashi: I zhgënjyer
Keqmenaxhimi i të dhënave personale të zgjedhësve për interesa elektorale mbetet ende një shqetësim për autoritetet që kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së tyre.
Ky fakt u evidentua në tryezën e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, takim në të cilin përfaqësuesit e politikës kishin zgjedhur ta shmangnin.
Edhe pse Besnik Dervishi u mundua të mos e përmendë mungesën e tyre, kryekomisioneri Ilirian Celibashi nuk e fshehu keqardhjen e tij. “Ata nuk janë këtu, besoj edhe ju jeni të keqardhur”, u shpreh kreu i KQZ-së.
Edhe pse nuk kanë marrë asnjë vendim institucional për publikimin e të dhënave të patronazhistëve apo aplikacionin Aktivisti, Dervishi dhe Celibashi nuk harrojnë të tregojnë se çfarë duhet të bëjnë partitë politike dhe çfarë jo. “Partitë politike duhet të zbatojnë dispozitat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave”, u shpreh Dervishi.
“Duhet të dinë që nuk janë pronar të atyre të dhënave, madje as të anëtarëve apo simpatizantëve të tyre”, shtoi Celibashi. Kryekomisioneri u shpreh i zhgënjyer nga PS-ja dhe opozita për qasjen e tyre ndaj ligjit.
“Arrogante nuk është vetëm PS-ja, por opozita ka arrogancë më të theksuar për të mbushur përgjegjësitë ndaj ligjit, konkretisht me fushatën zgjedhore.”, tha ai. Si demokratët dhe socialistët nuk kanë pritur afatin që parashikohet në Kod Zgjedhor për fushatën elektorale, duke nisur takimet me kandidatët e tyre të cilët do të përballen më 14 maj.