Çobo Skënderi, shkëlqimi dhe “vrasja” e një heroi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vladimir Duraj

Aviacioni është fusha ku klasifikimi i vlerave është tepër i vështirë, aty diferenca mes më të mirëve dhe më pak të mirëve është një fije peri. Dhe kjo në dy aspektet, profesional dhe njerëzor. Në aviacion nuk ka yll, në aviacion ka yje dhe mes këtyre yjeve është edhe 89 vjeçari Çobo Skënderi. Çobo Skënderi është nga të paktët raste ku nuk është e nevojshme t’u bësh biografinë, mjafton të thuash Çobo Skënderi dhe nënkupton pilotin e arrirë, njeriun fisnik dhe letrarin ekselent. Nuk e di se çfarë mund të ketë pasur më shumë se Çoboja piloti i programuar si i tillë nga vet perëndia, nuk di se ç’mund të ketë pasur më tepër se Çobo njeriu fisnik i programuar si i tillë përsëri nga v Perëndia, nuk di se ç’mund të ketë pasur më shumë se Çoboja vet shpirtmadhësia si nocion fisnikërie. Ka njerëz, dhe këta janë në shumicë, që mirësinë brenda shpirtit e transmetojnë jashtë tij, në trup, me sforc, me punë, me shkollë, në qeshje, në shikim, në mimikë, në të folur e gjthçka tjetër që përmban gjuha e trupit ata ia imponojnë atij. Ka të tjerë, dhe këta janë të paktë, që shpirtin dhe trupin i kanë në unison…gjithçka e mirë brenda shpirtit të tyre shfaqet natyrshëm jashtë tij, aq lirshëm sa këta njerëz të vështirë kanë të kundërtën, fshehjen e mirësisë sado ndihmë t’u jap modestia.

Te kjo tipologji e dytë hyn Çobo Skënderi, piloti i klasit të parë, pesanaku (dhjetanaku) i ushtarakes “Skënderbej” dhe ekselenti i Çkallovit në ish BS, djaloshi burrë dhe burri djalosh. E megjithë këto e të tjera cilësi sipërore që Çobo Skënderi mbart në vetvete, njerëzve të liq nuk i’u desh shumë ta flaknin tej, ta vrisnin atë shpirt engjëllor, të kompletuar me cilësi e virtyte hyjnore. Ishte Tetori i 1974-ës koha e “vrasjes” së Çobo Skënderit, pilot i klasit të parë, komisar i Regjimentit të Aviacionit në Rinas dhe antar i ekuipazhit të avionit të destinuar për lëvizjet e udhëheqësit të shtetit shqiptar, Enver Hoxhës. Çoboja “lindi” çoban dhe arriti të bëhej pilot i Enver Hoxhës falë aftësive të tij, Çoboja “lindi” çoban dhe falë aftësive të tij u bë idhull për këdo që aspironte majat në zgjuarësi, ndershmëri, mirësi, atdhedashuri, fisnikëri, Çoboja “lindi” çoban dhe arriti të bëhej shkrimtar, poet e përkthyes sa më të mirët e kësaj fushe. Dhe që Çoboja të mos vilte frytet e asaj që kishte mbjellë në jetë, mendoj e keqja në shkallë sipërore, e mishëruar te ata që e vranë në kulmin e forcës dhe mendimit, në moshën 40 vjeçare.

Po ç’bëri Çoboja për ta merituar këtë “nder” ?

Përveç gjithçkaje të arrirë kudo e kurdoherë, “bëri” edhe qënien nip i Hito Çakos, njërit prej tre kokave te ushtrisë sonë, i cili, sē bashku me Beqir Ballukun dhe Petrit Dumen, ish Minister i Mbrojtjes i pari dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm i dyti, sapo ishin arrestuar si armiq të popullit. Çobon nuk e vranë me plumb si dy të parët, Çobon e vranë në shpirt, atje  ku Atij i dhimbte më shumë. Çobon e abandonuan, e poshtëruan, e “burgosën”, po kurrë nuk e thyen, nuk e zhbën dot atë mal të lartë. Po, po, tamam mal i lartë, sepse Çoboja dhe lartësitë janë sinonime, Ai dhe Progonati nga ku lindi janë simbol i lartësive. Progonati aty ka qënë, qysh me krijimin e kësaj jallane, ndërsa Çobo Skënderi erdhi aty më 22 Prill të 1934-ës me “ndihmën” e Hibros dhe Zalos, prindërve të tij. U rrit shpejt, bëri të tijat qysh fëmijë ç’kishte në  gen, trimërinë, guximin, forcën, shkathtësinë, zemrën e ndjeshme dhe shpirtin e madh. U rrit në “betejë”, mes vështirësish të shumta, ku më e madhja ishte mbetja jetim, pa nëne, kur donte edhe 20 ditë të mbushte 9 vjeç. U poq me pahir, u bë burrë më shpejt se shokët, i’u bë shokë e vëlla, babait, u mësua t’i bëjë ballë e t’mos frigohej nga ujku e errësira. Çobo u rrit në male, me erē pishe e ujë burimi, faktorë ndihmës në krijimin e muskujve dhe një trupi për t’u pasur zili nga moshatarët e mbi ta. Në vitin 1947 Çoboja largohet nga fshati për në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë e më pas në Konvikt, në Vlorë, për të përfunduar në Elbasan, ku në vitin 1950 përfundoi vitin e parë në Shkollën Normale të këtij qyteti.

Një vit më pas Çoboja shkon në shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, të cilën e përfundon me rezultate të shkëlqyera në vitin 1953. Po këtë vit Çoboja shkon në ish B.R.S.S për Pilot Gjuajtës Bombardues në të famshmen V.P Çkallov. Përfundon studimet nē Gusht të 1957-ës me rezultate të shkëlqyera dhe titullohet Pilot Gjuajtës Bombardues me gradën Toger. Në fund të Shtatorit kthehet në atdhe dhe emërohet në Regjimentin e ish Q. Stalin, i vetmi Regjiment ushtarak në atë kohë. Këtu Çobo evidentohet shumë shpejt si një prej fluturuesve më të mirë, ndërkohë që si njeri, aviacionistët, pilotë e jo të tillë betoheshin për kokën e tij.

Lexo edhe :  Nga Gorbaçovi në Jelcin: kështu pushoi së ekzistuari BRSS

Në fund të Prillit të 1959-ës, një grup pilotësh nga më të mirēt shkojnë përsëri në ish B.R.S.S për t’u “njohur” me avionin Mig 19 PM, tipi më i avancuar për atë kohë. Mes tyre ishte edhe Çobo Skënderi, i cili vijoi arritjet e sukseset edhe kësaj radhe ditë pas dite e muaj pas muaji. Pikën kulminante Çobo e arriti në qitjen me raketa të drejtuara ajër – ajër, ku asgjësoj avionin pa pilot me predhën e parë. Si shpërblim i kësaj arritje Çobo u nderua me Fletë Lavdërimi dhe trajtim të veçantë…në ditët kur shokët kryenin fluturime për qitje ajrore, Çoboja qëndronte pranë udhëheqësit të fluturimit si ndihmës i tij. Në përfundim të qitjeve grupj i pilotëve shqiptar u rendit i dyti, pas çekëve. Me këtë rast komanda sovjetike e divizionit organizoi një darkë, të nesërmen e së cilës grupi shqiptar u nis për në atdhe.

Ishte fillimi i Nëntorit të 1959-ës, kur në Rinas u krijua Skuadrilja Automome me 12 avionë Mig-19 dhe pilotë nga grupi që bënë kalimin në këtë tip, mes të cilëve ishte edhe super piloti Çobo Skënderi. Më 29 Nëntor, në 15 vjetorin e çlirimit, në paradën e organizuar me këtë rast fluturuan edhe tre avionët e rinj Mig-19, njëri prej të cilëve pilotohej nga Çobo Skënderi.

Në fund të viteve ’60-të, Çobo Skënderi emërohet Komisar në Skuadriljen Autonome të Transportit Ajror, pas anashkalimit të një përpjekje për ta mbajtur Pedagog në Shkollën e Lartë të Partisë. Aq i vlerë dhe i përgatitur ishte Çoboja, saqë dhe shteti i kohës vihej në mëdyshje, ta mbante Çobon si shqiponjë ajri, apo shqiponjë ‘shpirti’. Pas afro një viti qëndrimi në këte detyrë Çobo me shokë shkojnë në Kinë për të përvetsuar avionin IL14, i destinuar për Transportin Ajror. Deri në ato momente vendi ynë dispononte vetëm një avion të tillë, i destinuar për lëvizjet e Enver Hoxhës. Me kthimin nga Kina, të Çobos me shokë, vijnë edhe tre IL14, duke e çuar numrin e tyre në katër copë, të përcaktuar si: Avioni i Enver Hoxhës, Avioni i Byrosë Politike, Avioni i Shtabit të Përgjithshëm dhe Avioni për Fotografim. Avioni i destinuar për levizjet e Enver Hoxhës pilotohej nga tre superpilotë, Babaçe Faiku, Çobo Skënderi dhe Hamit Ulqinaku. Ndërkohë, “furtuna” e 1974-ës e gjen Çobon Komisar Regjimenti në Rinas, komisar me një profil tepër të lartë profesional dhe njerëzor. Dhe pikërisht në këtë kulm karriere dhe arritjesh vjen ndëshkimi duke i dhënë lejen 45 ditore të pilotit dhe pas saj haberin verbal : “mos eja më në punë”. E gjitha kjo pa u vendosur ligjërisht përjashtimi i tij nga ushtria, që më pas edhe ndodhi de jure.

Kjo periudhë ka qënë më e vështira për Cobon, ka qënë tamam “dhuratë” e djallit. Çoboja ishte tepër i zgjuar, tepër i ndjeshëm e si i tille kërkonte diçka te vetja që të justifikonte atë që po pësonte. Por nuk gjente gjë të keqe, te vetja jo e jo, por as edhe te soji i tij apo i së shoqes. Kishte fëmijë të shkëlqyer në sjellje e mësime që u privuan nga e drejta pèr të studjuar e për të marrë nga jeta atë që u takonte. Kishte një rreth familjar elitar, njerëz të ndershëm e patriotë të medhenj.

I mëshova më sipër madhështisë së Çobos njeri dhe Çobos profesionist, Pilot i Klasit të Parë, titull i firmosur nga Haxhi Lleshi, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor më 24 Prill 1963. ‘Pilot i Klasit të Parë’ është titulli më i lartë për këtë tipologji, titull që sot e gëzojnë vetëm dy ish pilotë 90 – vjeçarë, Çobo Skënderi dhe Halit Bulku. Por Çoboja ka kapur majat edhe në një fushë tjetër, atë të letrave. Çoboja është shkrimtar, poet, filozof, përkthyes. E ka nisur shpejt këtë punë, qysh fëmijë filloj të shkruaj poezi të ndjera për heronjtë, vendin, natyrën dhe dashurinë. Ai u shndërrua në ‘Mikun e Librit’, autorët e mëdhenj të kohës si Pushkin, Esenin etj. Çoboja zotëron shkëlqyeshëm gjuhën ruse, gjë që e ka ndihmuar të përkthej e botoj poezi nga korifejtë rusë të poezisë, si “Kur do të mbaroi Lufta” të Nurdal Grinit nga Norvegjia, si dhe “Demonin” e Lermotovit, dhe mjaft poezi të poeteshës armene Silva Kaputjisen mandej  romane e novela si “Puthja e judës”, “Egërsia e Dimrit”, “Lushia e Rubinit”, “Bijtë e Qiellit”, “ U zgjova”, “Shota”, “A vritet dashuria”, ”Dasma e vonuar, “Shpirt Brengosura”, etj

Më 22 Prill Çobo Skënderi hyn në vitin e 90-të jetës së tij të lavdishme. Siç duket zoti ka planifikuar ta mbajë gjatë Çobon në jetë, me qëllim që t’u thojë brezave :

A doni të shihni se ç’fytyrë ka mirësia, se ç’emër ka fisnikëria ?

E pra, mirësia ka fytyrën e Çobo Skënderit, fisnikëria ka emrin e Tij

Të fundit

U pështy në fytyrë, Tavo: Interesat kanë marrë peng interesat e komunutetit himariot

Prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo u përball me një incident në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do...

Diabeti, ndotja e ajrit dhe konsumimi i alkoolit 3 faktorët e rrezikut të demencës

Diabeti, ndotja e ajrit dhe konsumimi i alkoolit mund të jenë faktorët më të mëdhenj të rrezikut të demencës, sipas një studimi të ri. Studiuesit...

U zgjodh të drejtojë Bashkinë e Himarës, reagon për herë të parë Blerina Bala

Blerina Bala ka bërë reagimin e parë pas zgjedhjes nga Këshilli Bashkiak si kryetarja në detyrë e Bashkisë Himarë, e cila do ta mbajë...

Rritja e Euros si “flakë kashte”, pse ndodhi luhatja e monedhës europiane?

Rritja e kursit të këmbimit Euro-Lek që ndodhi ditën e mërkurë është shfryrë plotësisht dhe kursi është rikthyer përsëri pranë niveleve më të ulëta...

Çfarë e shtyn Gazin të bëhet kaq “patriot”?

Nga Artur Ajazi Gaz Bardhi, ditët e fundit, është bërë më opozitar se kurrë. Madje, ai thotë se “gjithçka e bën për popullin, për vendin,...

Lajme të tjera

Web TV