Gjatë tremujorit të parë 2023, janë regjistruar gjithsej 14.460 mjete te reja, nga të cilat 27 lloje mjetesh dhe 276 marka mjetesh, raportoi INSTAT.
Fondi i autoveturave u zgjerua me 8 për qind në janar -mars 2023 dhe siç tregojnë të dhënat “Volkswagen” është bërë makina më e preferuar e shqiptarëve.
Marka “Volkswagen” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve të reja rrugore me 20,4%, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 16,3%.
Në kategorinë e mjeteve të reja rrugore sipas llojit, përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat” (83,5%) dhe “Motor” zënë (6,8%).
Numri më i lartë i mjeteve të reja rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës, duke zënë 39,4% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend në tremujorin e parë 2023. Qarqet me numrin më të vogël të mjeteve të reja rrugore janë qarku Dibër me 2,1% dhe Gjirokastër me 1,3% secili ndaj mjeteve rrugore gjithsej.
Për 2022 numri mesatar mujor i mjeteve të regjistruara për herë të parë rezulton 5,152. Gjatë vitit 2022 shitjet për makinat e reja kanë shënuar rënie, jo vetëm për shkak të rritjes së çmimit të tyre 10 deri 15%, por edhe për shkak të numrit të reduktuar të prodhimit të tyre për 2022 e ndikuar nga mungesa e pjesëve prodhuese.
Në kahun tjetër kompanitë e shitjes shtojnë se në këtë periudhë po tregtohen më tepër makina të përdorura, edhe te të cilat ka rritje të çmimit, por shtrenjtimi i tyre konsiderohet i fryrë i ndikuar nga mungesa e brandeve të makinave të reja.
Sakaq prej vitit 2021 për makinat që regjistrohen për herë të parë po zbatohet një rregull i ri për kontrollin teknik. Për këto mjete është përcaktuar që kontrolli teknik do të kryehet 3 vite pas regjistrimit.
Deri në dhjetor të 2021 sipas të dhënave të Drejtorisë së shërbimit të Transportit totali i mjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht ishte 740,669 mjete ku 593,280 janë autovetura.
Në tremujorin e parë 2023, gjatësia e rrjetit rrugor në shfrytëzim është 3.606 km, klasifikuar sipas kategorive të ndryshme, si autostradë, rrugë interurbane apo urbane dhe rrugë lokale.
Rrugët interurbane dytësore zënë rreth 74,2% të gjatësisë së rrjetit rrugor. Gjatë tremujorit të parë 2023, janë regjistruar gjithsej 14.460 mjete te reja, nga të cilat 27 lloje mjetesh dhe 276 marka mjetesh.
Marrë nga Monitor.al