Manchester United pësoi një humbje dramatike përballë Brighton (1-0). “Djajtë e Kuq” patën disa mundësi të mira për të realizuar në pjesën e parë.
Ndërsa fraksioni i dytë i takimit ishte një dominim total i të zotëve të shtëpisë, të cilët u shpërblyen në minutat shtesë.
Gjithçka u vendos në fund nga një penallti që u shkaktua nga Luke Shaw dhe u shndërrua në gol nga Alexis Mac Allister (90+9′).
Në deklaratën e dhënë për shtypin britanik pas përfundimit të sfidës, Erik ten Hag u shfaq i zhgënjyer për disfatën ndaj skuadrës së De Zerbit.
“Mendoj që zhvilluam një ndeshje të mirë në pjesën e parë, pasi krijuam disa raste të mira me Martial dhe Fernandes. Por nuk ia dolëm të shënonim.
Më pas fundi ishte zhgënjyes, sepse ne ua falëm golin. Kjo nuk pranohet! Gjithçka ka të bëjë me përqendrimin e skuadrës. Ne e humbëm plotësisht në fundin e sfidës.
Prandaj e pësuam. Në qoftë se nuk fiton, atëherë nuk duhet të humbasësh, pasi çdo disfatë është një zhgënjim i madh”.
United aktualisht renditet në vendin e katërt me 63 pikë. Sfida e radhës për skuadrën e Ten Hag do të jetë në transfertë kundër West Haam.