Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim elektoral në Peqin, nga ku ka sulmuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Shkodrën, Bardh Spahinë.
Ai e konsideroi bashkinë e Shkodrës më të prapambeturën, ku kazanët e plehrave vijojnë të jenë të tejmbushura dhe s’kanë bërë asnjë ndryshim por vetëm degradime.
“Ne e kemi parë në të gjithë rrugëtimin tonë se sa e vështirë bëhet për bashkitë dhe komunitetet kur drejtimi i tyre është në duart e atyre që në të gjithë historinë e pluralizimit shqiptar asnjëherë askund kur u është dhënë besimi nuk kanë mundur të bëjnë një ndryshim për të cilin sot mund të na tregojnë se sa mirë e kanë bërë.
Në asnjë bashki ku kanë drejtuar komuniteti nuk ua ka parë hajrin por vetëm sherrin. S’ka parë ndryshime por ka patur degradim.
Shembulli për këtë është Shkodra. Një qytet i bekuar si asnjë tjetër, është bashkia më e prapambetur në Shqipëri. Ku kazanët e plehrave mbushen plot e përplot”, tha Rama.