Fredi Beleri më shumë se kandidati i “Bashkë fitojmë”, është kandidati që e quan veten grek. Është kandidati i Vangjel Dules.
Mua nuk më pëlqen që fitoi. Këtu nuk ka lidhje PS-PD, por ka të bëjë me Shqipërinë dhe Greqinë. U kthye në një betejë nacionale, ku diferencën do e bënte çdo votë nga autobusët që vinin nga Greqia, por edhe fakti që kandidati Fredi Beleri ishte në burg dhe kjo mund ta bënte hero ose viktimë.
Nuk mendoj që arrestimi i Belerit ndikoi që njerëzit ta votonin. Aty votat kanë qenë për Belerin.
Ishin vota të ardhura nga Greqia, të atyre që iu kërkua vota në shtetin grek. Himarjotët kanë një lloj inati me kandidatin e PS-së, me Goron personalisht, por dhe me kë e la Goron për herë të katërt të kërkojë votën.
Himara ka ndryshuar shumë, është zhvilluar. Por po të pyesësh vendasit, ata thonë: Nuk na përket neve, atë e ka marrë Samir Mane, apo oligarkë të tjerë, e personazhe të njohura të medias në kryeqytet.
Mendoj që ka pasur inat ndaj njerëzve që kanë shtëpitë e dyta, në tokën e të parëve të Himarës. Himara nuk është Gjiri i Lalëzit. Nuk mund t’i ndërtonin aty shtëpitë e dyta, e vilat për investim, siç bënë në Gjirin e Lalëzit.
Përveç mërisë që shkakton kjo, e cila u shfrytëzua nga Berisha-Meta-Dule. Mbi të gjitha, shumë e rëndë për ne që të fitojë Fredi Beleri.
Është turp për shqiptarët që të fitojë një figurë e diskutuar, e diskredituar, një figurë problematike, jo sepse vodhi ato votat, por për gjithë historinë e tij politike.
Por nëse nuk ia dolëm ta heqim si kandidat, nëse nuk folëm sa duhej ne të medias, shoqëria civile, KQZ-ja, Presidenti i Republikës, tani është vonë.
Tani, le t’i urojmë fitoren! Nuk mund ta pranosh si kandidat dhe refuzosh si kryetar! Ndaj urime dhe punë të mbarë! Himara është shqiptare dhe nuk ka Dule a Beler, ta helenizojë atë. Është toka jonë!”