Çfarë tregoi panairi “Ditët e Bujqësisë 2023”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Andon Rrapokushi

Panairi Ditët e Bujqësisë 2023 që u zhvillua nga 27-29 prill në Lushnje, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të bujqësisë për këtë vit, i cili pasoi atë të një viti më parë të zhvilluar në maj 2022, me të njëjtin organizator kryesor, Iceberg Exhibition.

Përzgjedhja e Bashkisë Lushnje, pjesëmarrja serioze e një numri relativisht të lartë të agrobizneseve. institucioneve financiare dhe bankave që i mbështesin ato, e projekteve të mëdha si Food Safety Project financuar nga BE, projekti Helvetas/Risi Albania, pjesëmarrja e organizatave dhe donatorëve prestigjozë si GIZ, Vodafone Albania, e ekspertëve vendas dhe të huaj nga vendet Balltike, nga Zvicra, Spanja etj tregojnë vlerat e këtij eventi të rëndësishëm. Në krahasim me vitin e kaluar, kishte një rritje të subjekteve pjesëmarrëse nga 60 në rreth 80 të tilla.

Pavarësisht se peshorja anon nga vlerat që solli panairi i Lushnjes, disa probleme dhe mangësi të kësaj ngjarjeje me karakter kombëtar në fushën e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, teknologjisë dhe mekanizimit bujqësor, duhen vënë në dukje dhe të trajtohen në mënyrë konstruktive për tu marrë në konsideratë për përmirësimin e mëtejshëm të organizimeve të eventeve me përmasa të tilla.

Axhenda e aktiviteteve kishte dy pamje.

Së pari, ishte e mirëpërzgjedhur për nga tematika e larmishme, ku në panele të ndryshme, spikatën temat për standartet ndërkombëtaare të cilësisë së produkteve (trajtuar nga Grupi Teknik GLOBALG.A.P. NTWG Albania), temat për teknologjitë inovative në agrobiznes (trajtuar nga disa subjekte, Vodafone, Helius Solutions, Fed Invest – ABA online, Austria Praemix, Teknologjia Spanjolle në sera), temat për kulturën e biznesit në tregjet e zhvilluara të eksporteve (organizuar nga Gateway & Partners, ku u shpalos eksperienca e kulturës së tregjeve ushqimore të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë), shërbimet financiare dhe partnershipi me fermerët (trajtuar nga banka NOA, si edhe nga institucione të tjera si OTP Bank, Credins, Fondi BESA etj), kontrolli biologjik në sera për zero pesticide në produkte (organizuar nga partneri gold GIZ), ushqyerja e bimëve dhe plehëruesit kimikë/organikë (organizuar nga AGRIMATCO), etj.

Së dyti, duke lënë mënjanë tematikën e larmishme dhe të goditur të axhendës, ajo që binte në sy ishte fakti që ajo përmbante një program tepër të ngjeshur, sidomos gjatë dy ditëve të para të panairit. Çdo orë e zënë me workshop-e, prezantime e forume, dhe kjo frekuencë e lartë nuk rezultoi shumë efektive, përderisa ndikoi në rënien graduale të numrit dhe interesit të pjesëmarrësve, shto edhe hapësirën e hapur ku u zhvilluan workshop-et, e cila ndikoi në cilësinë e dëgjimit.

Duke bërë një krahasim me panairin e vitit të kaluar, që u zhvillua në maj 2022, ndryshimi është se vjet të gjitha temat u trajtuan në kuadër të një forumi dhe në një mjedis të mbyllur në Teatrin Vaçe Zela në Lushnje, ku njerëzit dhe audienca përkatëse ishin të mirëinformuar për tematikën qysh përpara zhvillimit te panairit nëpërmjet publikimit që ju bë jo vetëm nga organizatori, por edhe nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe publikimit të gjerë të atij forumi në gazetën Agrobiznesi. Kështu edhe target grupet u informuan më mirë sipas temave të interesit përkatës.

Një nga pikat e rëndësishme të panairit të sivjetshëm të Lushnjes që duhet nënvizuar, është se ai tregoi domosdoshmërinë e kualifikimit dhe të trajnimeve në të gjitha nivelet e sektorit të bujqësisë, të agroturizmit, blegtorisë dhe të sigurisë ushqimore, si në nivel qëndror (të organizmave publike të lidhura me industrinë e sigurinë ushqimore dhe kërkimet shkencore), ashtu edhe në nivel lokal, në sektorin privat, në kompanitë eksportuese e deri në nivel ferme.

Shembulli pozitiv i ciklit të trajnimeve të tetorit 2022 mbështetur nga Ministria e Bujqësisë dhe zbatuar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës tregon mënyrën efikase dhe profesionale të trajnimit dhe kualifikimit të punonjësve publikë por edhe privatë, të cilët ishin ftuar, një shembull i cili duhet ndjekur edhe nga projekte të tjera në fushën e trajnimeve, siç është Projekti i Sigurisë Ushqimore, financuar nga BE, pjesëmarrës në Panairin e Bujqësisë të këtij viti, një projekt i rëndësishëm, me mundësi të mëdha për trajnimin dhe kualifikimin e zyrtarëve publikë në sektorin e fruta-perimeve, qumështit dhe mishit, siç dhe me të drejt reklamohet në Linkedin.

Por në Panairin e Lushnjes u sugjerua që rrethi i pjesëmarrjes të rritet, të dilet nga guacka e “high representatives participated”, të ftohen të marrin pjesë në këto cikle trajnimesh edhe përfaqësues të subjekteve private bazuar në profilin e tyre, të pikave të grumbullimit të fruta-perimeve, të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit dhe të mishit, të cilët janë ngushtësisht të lidhur me çështje të higjienës dhe sigurisë ushqimore çdo ditë.

Pikat e mëdha të grumbullimit të produkteve e kanë të domosdoshme kualifikimin e specializuar të personelit të tyre në fushën e standarteve të cilësisë dhe duhet ta marrin më seriozisht. Ato duhet të krijojnë një strukturë të veçantë, një grup të sigurisë ushqimore ose njësi të menaxhimit të cilësisë, i domosdoshëm kur flasim për standarte të larta dhe produkte të pastra e të shëndetshme. Trajnimet, kualifikimet, njohuritë e reja dhe zbatimi korrekt i procedurave të standarteve do të na bëjë më konkurues në tregjet rajonale dhe globale.

Megjithëse në panelet e panairit u fol për standarte cilësie dhe gjëra të rëndësishme për pikat që grumbullojnë dhe eksportojnë fruta dhe perime, dhe megjithëse në panair morën pjesë dhe dhanë përvojën e tyre edhe ekspertë të huaj për eksportet nga vende të zhvilluara, fatkeqësisht nuk mund të thuhet asgjë për paraqitjen e kompanive shqiptare të eksporteve të këtyre produkteve në panair.

Mospjesëmarrja e tyre në Ditët e Bujqësisë 2023, aq më tepër që ky event u zhvillua pikërisht në Lushnje, ku shumica e ketyre agrobizneseve kanë qendrat e tyre, si edhe në Berat dhe Divjakë, ishte një zhgënjim dhe e pakuptimtë, duke marrë parasysh faktin që kompanitë eksportuese si Elian, Doni Fruits, Tomato.al, Agro Divjaka, Pula Comerc e shumë të tjera janë promotori i eksporteve shqiptare të frutave dhe perimeve në Europë. Mospjesëmarrja ishte e papritur dhe arsyet mund të jenë të ndryshme e të lidhura me qëndrueshmërinë financiare, me koordinimin jo efikas apo arsye të tjera.

Lexo edhe :  Euro nuk del nga "gremina"/ Kursi i këmbimit, 18 prill 2024

Ndërkohë, është për tu vlerësuar pjesëmarrja serioze e agrobizneseve të tjera në fushën e prodhimit të fidaneve dhe të bimëve medicinale, në fushën e ofrimit profesional të shërbimeve për fermerët, me stenda të kompletuara të produkteve të tyre, si Agrokoni, Bio Bes, Alba SEED, AGRIMATCO etj, të cilat dallohen për qëndrueshmërinë, vizionin dhe eksperiencën e tyre të suksesshme në aktivitetet që ushtrojnë në zhvillimin e bujqësisë.

Kur flasim për teknologjitë e reja në bujqësi, për transferimin e tyre në ferma, për varietetet e reja dhe eksperimentimin e tyre, të cilat kërkohen nga tregjet dhe që u përshtaten kushteve të sotme klimatike të vendit, nuk mund të mos na shkojë mendja tek QTTB-të. Nga 5 të tilla që ka Shqipëria, të cilat njihen edhe si qendra kërkimore-shkencore publike për frutat, perimet, ullishtarinë, blegtorinë, nuk pamë ndonjë prezantim të tyre në panair, dhe në axhendën 3 ditore të panairit emri i tyre mungonte.

Kjo është një nga mangësitë e panairit, sidomos për QTTB e Lushnjes, e cila duhej të ishte e pranishme me punimet dhe kërkimet e saj, si një nga qendrat më të vjetra të shkencës bujqësore në Shqipëri.

Pikërisht një vit më parë, në forumin e panairit të majit 2022 në Lushnje, prof. Rexhep Uka, në fjalën e tij e vlerësoi lart këtë institucion, duke theksuar se “ajka dhe korifejtë e bujqësië shqiptare, kanë punuar me përkushtim, pasion dhe profesionalizëm të lartë në Institutin e Lushnjes për vite me radhë dhe Lushnja u dha atyre lavdinë” (marrë nga gazeta Agrobiznesi nr. 439).

Austria Praemix, një kompani lider në tregun shqiptar dhe atë kosovar të ushqimit dhe përkujdesjes së bagëtive, e cila ishte edhe partner silver i panairit, u prezantua me një temë në fushën e teknologjisë: “Inovacioni dhe menaxhimi efektiv i fermave blegtorale”. Cilët do të ishin më tepër të interesuar për këto lloj temash, të cilat janë në rend të ditës sot dhe promovojnë standartet e larta të cilësisë, sesa kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit?

Mirëpo megjithëse pritej të ishin prezente në panair me produktet e tyre, kompanitë kryesore Lufra, Erzeni, Ajka etj munguan. Me një treg dhe aktivitet të dendur jo vetëm në Lushnje e Berat, ku kanë qendrat e tyre, por në shkallë kombëtare, ato janë më të mëdhatë dhe më të suksesshmet në sektorin e qumështit, por stendat e tyre munguan duke krijuar një boshllëk në paraqitjen e plotë të këtij sektori në panair.

Standartet e cilësisë janë një fushë me prioritet të lartë për sigurinë ushqimore dhe me të drejtë ju dha vendi i merituar nga organizatorët e këtij panairi. Me mbështetjen e projektit zvicerian Helvetas / RisiAlbania, Grupi Teknik Kombëtar NTWG në një nga panelet e panairit e vuri theksin në procesin e çertifikimit GLOBALG.A.P. të frutave dhe perimeve, në modulin GRASP, në LocalGAP dhe në standarte të tjera të cilësisë që kërkohen sot në tregjet globale, siç janë BRC, IFS, dhe HACCP.

Krijimi i njësive të menaxhimit të cilësisë së produkteve dhe e kualifikimit të punonjësve, siç u theksua edhe më lart, duhet parë si domosdoshmëri dhe jo si një detyre fakultative nga pikat e shumta të grumbullimit të fruta-perimeve, sepse siguria ushqimore nuk mund të kuptohet pa monitorim të vazhdueshëm, pa kontroll, pa kompetencë dhe pa asistencë. Kjo do të thotë që pikat e grumbullimit nuk mund të presin vetëm nga kompanitë e konsulencës, por të ngrenë e forcojnë kapacitetet e tyre të brendshme.

Së fundi, një nga dokumentat më të rëndësishme të çdo panairi është katalogu i tij, i cili përmban información për pjesëmarrësit dhe që vlen edhe për më pas. Katalogu i Panairit të Lushnjes vërehet se është një dokument shumë i mirë për nga paraqitja dhe informacioni që përmban për pjesëmarrësit. Por, pa mohuar punën e madhe që ka bërë Iceberg Exhibitions për organizimin dhe zhvillimin me sukses të panairit, në lidhje me katalogun ka disa pika që duhen përmirësuar:
– Duke qenë dokumenti kryesor që prezanton Panairin në publik dhe në grupet e interesit, dhe që mbetet, do të ishte më i plotë nëqoftëse do të kishte në hyrje një fjalë përshëndetëse nga titullari i Ministrisë së Bujqësisë dhe nga Kryetarja e Bashkisë mikëpritëse të Lushnjes, pse jo dhe nga ndonjë institucion tjetër vendas ose i huaj që e mbështet panairin.
– Kopertina është në anglisht, do të duhej të ishte edhe në shqip, sepse brenda teksti është shkruar krejt shqip.
– Pjesa më e madhe e fotove të paraqitura në katalog janë të përgjithshme, nga google, dhe nuk i përkasin subjektit ku janë bashkangjitur. Shohim pothuajse të njëjtin imazh në disa foto që shoqërojnë disa subjekte apo kompani të ndryshme: imazhi i një dore ose i dy duarve që mbajnë një fidan. Ndërsa nëqoftëse fotot do të ishin marrë nga vetë subjektet që përshkruhen në katalog, do t’ja rrisnin më tepër vlerën atij.
Panairi “Ditët e Bujqësisë” i Lushnjes është një ngjarje që duhet të kthehet në traditë vit pas viti si një nga ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.

Andon Rrapokushi
Anëtar i NTWG Albania

Të fundit

Ushqehemi me importe, rritje me 70% e frutave e zarzavateve në 3-mujor

Tani kur sezoni i parë i serrave në vendin tonë është në kulmin e tij, tregu vendas po furnizohet...

Molotovopartia

Nga Artur Ajazi Sërish me molotov. Sërish me dhunë, sërish me provokime, me parrulla dhe presione ndaj uniformave të shtetit, ndaj institucioneve, ndaj organeve të...

Protesta e Rithemelimit pranë Bashkisë, reagon Ambasada Amerikane: Dënojmë aktet e dhunës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka dënuar aktet e dhunshme të kryera nga opozita gjatë protestës së kësaj të premteje. Ajo...

Anketa, 65 për qind e mësuesve në arsimin 9-vjeçar nuk përdorin TIK në procesin mësimor

Një anketë në 43 shkolla të arsimit fillor dhe bazë, që bëjnë pjesë në Programin “EU4Schools”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga PNUD...

Përmbytjet në Dubai/ A ka lidhje “mbjellja artificiale e reve” me stuhinë e shekullit?

Një stuhi goditi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin këtë javë duke sjellë reshje rekord që përmbytën autostrada, përmbytën shtëpi, trafik të bllokuar nga...

Lajme të tjera

Web TV