Nga DASHNOR KALOÇI
Historia e rrallë e fshatarit nga Oroshi i Mirditës, i cili vuajti 17 vite në burgjet e regjimit komunist dhe u survejua e u ndoq për 35 vite nga Sigurimi i Shtetit, deri në -91-in. Dokumenti sekret i Sigurimit/ “B.p. ‘Shkëmbi’, na njofton se: Gjetë Kadeli, tha; në arkivol, duhet të ishte Enver Hoxha, që na ngordhi në burg, mirëpo s’po vdes shtriga”!
I lindur në vitin 1942 në fshatin Bulshar të Oroshit të Mirditës, rrethanat e jetës, i’u sollën në atë mënyrë, që Gjet Kadeli të rritej jetim, edhe pse i kishte të dy prindërit gjallë, sepse babai i tij, ishte arratisur nga Shqipëria që në vitin 1951, pasi kishte shpërthyer qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit të rrethit të Mirditës, kurse nëna, vuante dënimin në kampet e internimit, si në Tepelenë, etj.
Nisur nga kjo situatë tejet e vështirë familjare, i mbetur njeri, pa njeri, Gjeta i vogël, u rrit tek të afërmit e tij, si, gjyshërit nga nëna dhe dajat, të cilët banonin në një fshat të rrethit të Matit, e më pas, në Bushnesh të rrethit të Krujës (afër Mamurrasit), ku me shumë mundime dhe peripeci, gjatë këtyre viteve, duke lëvizur sa në një vënd, në një tjetër, ai mundi që të mbaronte vetëm shkollën 7-vjeçare, e më pas të futej në punë në kooperativë bujqësore, për të përballuar jetesën.
Ndërsa rritej me mallin për të atin, që i mungonte aq shumë, i cili e kishte lënë vetëm 7-8 vjeç, kur kishte dalë maleve, (për t’u arratisur në Jugosllavi, e më pas në SHBA-ës), diku nga viti 1956-’57, Gjetës, rastësisht i ra në dorë një gazetë “Zëri i Popullit”, ku ai lexoi aty një listë me mbi 300 e sa emra, (me në krye Ahmet Zogun e Abaz Kupin), shqiptarë të arratisur jashtë vëndit, që nga viti 1944 e më pas, të cilëve, u ndalohej kthimi në Shqipëri, pasi, konsideroheshin “armiq të popullit, që kishin lyer duart me gjak”.
Gjeta, u gëzua pa masë kur lexoi atë listë emrash, pasi aty nuk gjendej emri i babait të tij, Pjetër Kadeli, gjë e cila i ngjalli dhe i dha atij shumë shpresa, se ai, mund të kthehej një ditë në atdhe dhe familjen e tij. Nisur nga kjo, Gjeta e bëri zakon që, herë pas here, jo vetëm të blinte gazetën “Zëri i Popullit”, por ta lexonte atë me shumë vëmëndje, me shpresë se; do të shikonte ndonjë ditë, emrat e atyre të arratisurve që u lejohej kthimi në Shqipëri.
Ndërsa vitet kalonin dhe Gjeta po ndërgjegjësohej gjithnjë e më shumë për “fatin” e babait të tij dhe vëllait të tij, ai vazhdonte ta blinte “Zërin e Popullit”, e madje, ta lexonte me vëmëndje nga fillimi e deri në fund, duke u përqëndruar më shumë tek faqja katër, me lajmet, komentet, analizat dhe informacionet nga bota.
Por, edhe pse babai i Gjetës dhe vëllai i tij, (Gjoni), mundën të ktheheshin në atdhe dhe pranë familjes së tyre në qytezën e Mamurrasit, vetëm pas 40 vitesh, (në 1993-in) gazeta “Zëri i Popullit”, që Gjeta lexonte vetë dikur dhe në kampe e burgje, (ku ai vuajti plot 17 vite si i burgosur politik), do t’ia lexonin me detyrim, nuk do të ishte një kohë e shkuar kot. Madje, ajo do t’i shërbente atij, për të njohur edhe më mirë, jo vetëm atë që ndodhte jashtë hekurave të burgut, në Shqipërinë komuniste, por edhe më gjerë, atë çka ndodhte në Europë e mbarë botën.
Nisur nga edhe nga geni familjar, (tipik mirditor), por edhe falë asaj literature të ndaluar që gjendej apo hynte fshehurazi në burgun e Burrelit, si dhe miqësisë me disa nga bashkëvuajtësit të tij që kishin studjuar e ishin diplomuar në universitete të ndryshme të Europës, Gjet Kadeli, si autodidakt, u formua shumë nga ana intelektuale, duke diskutuar e debatuar, si barabartë me ta. Madje, duke u dhënë edhe “leksione”, shumë nga bashkëvuajtësve të tij, (si: Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Abdulla Sallaku, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj.), jo vetëm për Enver Hoxhën e regjimin komunist në fuqi, por edhe mbi politikën ndërkombëtare e gjithçka që ndodhte në botë, si në Lindje, ashtu dhe në Perëndim.
Jo vetëm kaq, por, profecia e Gjet Kadelit, mbi atë që do të ndodhte me regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe fundin e keq të atij sistemi mizor diktatorial, në Europë dhe mbarë botën, është proverbiale…!
Pasi, ato që do të ndodhin në Shqipëri e në botë, as viteve ’90-të, ai i ka parashkuar dhe u aka thënë bashkëvuajtësev të tij, që në fillimin e viteve ’70- kur ai ishte ideatori i ngritjes së flamurit pa yllin e kuq komunist në Revoltën e Spaçit, gjë e cila bëri që ai të ishte i pari në listën e të ridënuarve, si një prej organizatorëve kryesor të saj. Po kështu, “leksionet” e Gjet Kadelit, mbi antikomunizmin, gjeopolitikën, etj., dhënë bashkëvuajtësev të tij, do të vazhdonin edhe në burgun e Burrelit, deri sa ai u lirua nga burgu në vitin 1988.
Të gjitha këto, etj., nuk vijnë nëpërmjet të thënëash apo dëshmish të ndryshme të bashkëvuajtësve të tij, por janë të shkruara, e zeza mbi të bardhë, nga dokumentet arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, (tashmë edhe pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, të cilat fillojnë në vitin 1957, kur ai u dënua për herë të parë dhe mbarojnë në janarin e vitit 1991, kur dosja ndaj tij, u mbyll dhe u arshivua njëherë e përgjithmonë, pasi ishte ndjekur e survejuar plot 35 vjet me rradhë dhe ndaj tij ishin angazhuar plot 33 bashkëpunëtorrë të Sigurimit të Shtetit. Disa pjesë prej kësaj dosje voluminoze, bashkë me faksimilet përkatëse, po i publikojmë eksluzivisht në tre numra të gazetës FJALA.
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT–INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, VEHAP KUKA, SIPAS TË DHËNAVE TË AGJENTIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT ME PSEUDONIMIN “SHKËMBI”, QË VUANTE DËNIMIN NË BURGUN E BURRELIT, PËR BISEDAT E BËRA NGA SHOKËT E TIJ TË DHOMËS, SI; GJET KADELI, DAUT GUMENI, LUAN BURIMI, KAPLLAN RESULI, SKËNDER SHATKU. ETJ
Marrë: nga P.Op. V.Kuka
Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”
R a p o r t
Ai njofton se, sapo roja i shërbimit njoftoi për ndryshim të orarit të veprimtarisë (ajrosjes), të dënuarit u revoltuan dhe si rrjedhim u zhvillua kjo bisedë:
Njëri nga të dënuarit, tha që; të lajmërojmë komandën për këtë punë, kurse Gjetë Kadeli, tha: “Këto punë nuk zgjidhen duke lajmëruar komandën, por ashtu si ja bënë ato 8 vetat e dhomës 3/1, pra mos të dalim në ajrim dhe mos të marrim bukën. Pra, kush të dojë le të më ndjekë mua”.
Të këtij mendimi, ishim tre-katër vetë. Po i pari ishte Luan Burimi, i cili bërtiti: “Unë jam dakord”. Pastaj pranuan Novruz Dorëzi, Dalip Gaba dhe Njazi Dorezi. Këtë bisedë e ndërpreu Skënder Shatku, i cili tha: “Unë jam i mendimit që t’i themi komandantit, para se të bëjmë grevë”.
Sot erdhi në dhomë, libri i udhëheqësit kryesor të Partisë “Vitet e vegjëlisë”, e mori Daut Gumeni dhe për ta parë, u mblodhën tek krevati i Dautit, këto të dënuar: Gjet Kadeli, Myftar Velia, Skënder Shatku dhe Petrit Paja. Libri, kishte fotografinë nga jeta e udhëheqësit të Partisë. Si rrjedhim, lindi kjo bisedë:
Daut Gumeni, sapo pa fotografinë e udhëheqësit të Partisë, tha: “Shih, kush shkruan për Gjirokastrën”!
Kur panë fotografinë familjare, në fund të librit dhe udhëheqësi kishte shkruar, këtë fjalë: “Të jetojmë të lumtur dhe të bëjmë shumë kalaman”, Gjet Kadeli tha: “Vetë është i lumtur dhe i mbledhur me nipa e mbesa, bile ka marrë në shtëpi edhe dhëndrin, kurse neve, na ka ndarë pik-pikë, ku është i ati nuk gjendet i biri, vetë është i lumtur, ndërsa ne, jo”.
Kurse Daut Gumeni, tha: “Thotë që të bëjmë kalamanë shumë, që t’i ketë skllevër pune sa më shumë”.
Bebi Konomi, tha se: “Sa kopjo ka dalë libri”?
Dauti, ju përgjigj, duke i thënë se: “75.000 kopjo”. Pastaj në këtë bisedë, bënë edhe llogarinë e parave, sa ka marrë udhëheqësi dhe si u zhvillua biseda:
-“Sa kushton një kopje”? Pyeti Dali Gaba.
Daut Gumeni, tha: “250 lek”.
Pas pak, Kapllan Resuli, tha si duke qeshur: “Udhëheqësi, ka marrë 20 milion lek me këtë vepër dhe nuk kam dëgjuar që, ti ketë falur kujt, sepse, mua kur më dhanë lekët për librin “Tradhtia” më thanë: Falja shtetit lekët dhe unë fala 50 mijë lek. Por po shikoj se, vetë udhëheqësi nuk po fal”.
Luan Burimi tha: “Ai nuk është për të falur, por të marrë, se po të falte ai, neve do të ishim në shtëpi”.
Novruz Dyrzi, tha: “Ku fal ai, që ka vjedhur qylymat e shqiptarëve”?
Artikulli i gazetës, “Zëri i Popullit”, mbi armët konvencionale këtu në dhomë e komentuan:
Dalip Gaba: “Sa herë që Jugosllavia flet ndonjë fjalë kundër këtyre, këta menjëherë i përgjigjen. Por edhe përgjigjen e japin sikur e thotë bota. Edhe ngjarjeve në Kosovë, shkruajnë sikur e thotë bota”.
Kapllan Resuli: “Jugosllavia don me i diskretituar këta, para opinionit botëror, për terror dhe masakra që i bën popullit. Edhe këta nga ndonjëherë, thonë dhe shkruajnë për masakrat në Kosovë. Udhëheqësi kryesor, shan Titon, që Titon e kanë dashur gjithë udhëheqësit e botës, bile kur ka vdekur, kanë ardhur në varrimin e tij. Po këtë udhëheqësin kryesor, kush e don? Kush i vjen për vizitë? Kush e fton në vizitë? Asnjë nuk vjen dhe asnjë nuk e fton, veç vinë këtu disa horra, si Zhao Amazona dhe Fasko Dinuçi. Edhe një i dënuar ordiner për dhunim, si Ernest Aust, tani nuk vjen më siç vinte më parë. Pra, shkon fjala e urtë e popullit: ‘Thuajmë se më kë rri, të të them se kush je’! Ja pra, këta janë udhëheqësit kryesor dhe shokët e tij”.
“SHKËMBI”
Sqarimi: Kapllan Resuli dhe Skënder Shatku, janë të dënuar për krime kundër shtetit, ndiqen në përpunim aktiv 2/A, si agjent të zbulimit Jugosllav.
Gj. Kadeli, L. Burimi, D. Gumeni, D. Gaba, R. Dyrma dhe, B. Konomi, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi të dhëna në ngarkim të tyre.
Vlerësimi: Raporti ka vlera operative, në të del se i dënuari Gjet Kadeli, ka bërë thirrje për të organizuar grevën e urisë në masën e të dënuarve. Gjithashtu, del agjitacioni e propaganda e mprehtë që zhvillojnë këta të dënuar, kundër udhëheqësit kryesor të Partisë, në radhët e të dënuarve të tjerë të dhomës.
Detyrë: B.p. ju dha detyrë që, të zhvillojë biseda me Kapllanin e Skënderin, lidhur me gjendjen në Jugosllavi (Kosovë) për ngjarjet atje, ku e ka dhe si e shpjegon, sepse, nuk e trajtonin mirë, apo mos ka ardhur me detyra spiunazhi?!
Të na informosh për komentet armiqësore që, do të zhvillojnë të dënuarit e dhomës, për ngjarjet që trajtojnë për shtypin e radion.
Të na informosh për, lidhjet që kanë dhe do të mundohen të krijojnë të dënuarit e dhomës, me të dënuarit e dhomave të tjera të burgut, mënyrën si i realizojnë ato dhe çfarë formash e mjetesh konkrete përdorin?
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
DOKUMENTI SEKRET TË DHËNAVE TË AGJENTIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT ME PSEUDONIMIN “SHKËMBI”, QË VUANTE DËNIMIN NË BURGUN E BURRELIT, PËR BISEDAT E BËRA NGA SHOKËT E TIJ TË DHOMËS, SI; GJET KADELI, DAUT GUMENI, ÇAUSH ÇOKU, LUAN BURMI, SKËNDER SHATKU. BEBI KONOMI, NOVRUZ DYRMA, ETJ
Marrë: nga Kutia postare
Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”
Raporti i datës 17.2.1984
Ai njofton se; ka disa ditë në dhomë ka ardhur lajmi se dy vetë, kanë filluar grevën e urisë në dhomat e izolimit dhe këtu në dhomë, janë disa që i kanë shokë, si rrjedhim u zhvillua kjo bisedë:
Daut Gumeni tha: “Qeveria po lën të vdesë në birucë djalin e Asim Alikos që, ka derdh gjak për udhëheqësin kryesor të Partisë. Po len të vdes në birucë djalin e Beqir Ballukut, që ka derdhur gjak e djersë për udhëheqësin kryesor të Partisë. Mirë thotë populli ynë, një fjalë të urtë se, derri kur inatoset, han këlyshët e vet.
Edhe kjo që nuk mund me ja përmend emrin, se siç ka thënë Tomor Allajbeu që, nuk ke se ku me e kapur këtë Parti se, e ka filluar ka herë që më 44-ën dhe po e mbaron më 84-ën, duke vrarë, në fillim nacionalistët dhe kur u mbaruan këto, filloi me vrarë komunistët, në çdo plan pesë-vjeçar, vret nga 10 vetë, shok të tij që, kanë luftuar bashkë, ndonjë ditë kur t’u kthehet edhe atyre që kanë mbetur. Po të shikosh komandantin e repartit, vjen duke u fryrë dhe krenohet që po vret dy vetë, dy djem të rinj nga 30 vjeç. Po të ishte burrë i mire, nuk kalonte nga arsimi në polici”.
Bebi Konomi, i tha Dautit: “Çdo gjë e keqe të bie në kokë, herët a vonë, do të paguhen të gjitha. Unë vetë vetëm pse i thashë komisarit të Spaçit, në vitin 1972, kur vrau një të burgosur, se pse e vratë, më dënuan në revolt, 10 vjet. Prandaj mos fol fare, do të paguhen të gjitha”.
Gjetë Kadeli, tha: “Në arkivol, duhet të ishte tjetri, biri i babë Myslymit që na ngordhi në burg. Mirëpo nuk vdes shtriga, ja ka dalur në fotografi me arkivol në dorë, si shtrigë. Hë të pafsha me arkivol në dorë, gjithmonë”.
Çaush Çoku, tha: “Ama ti Noke, e lexove librin dhe tani po i vë thikën”.
Novruz Dyrma, tha: “Kjo është thikë e vogël duhet një më e madhe”.
“Shkëmbi”
Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të del aktiviteti armiqësor që, zhvillojnë këto të dënuar në formën e agjitacionit e propagandës armiqësore, si dhe keqardhja për të dënuarit Avni Aliko dhe Vladimir Balluku, të cilët, janë me grevë urie në dhomat e izolimit.
Masat Operative: Raporti, të studiohet nga drejtuesit e Degës, të shtypet sipas implikimeve, të shfrytëzohet për informacion në Degën e 8-të në Ministri dhe për Buletinin e parullave armiqësore të muajit. Pjesa që bën fjalë për briskun që ka Novruzi, të konsumohet me komandën e repartit, për të ushtruar kontroll të befasishëm e për ta kapur.
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT–INFORMACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV, VEHAP KUKA, SIPAS TË DHËNAVE TË AGJENTIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT ME PSEUDONIMIN “SHKËMBI”, QË VUANTE DËNIMIN NË BURGUN E BURRELIT, PËR BISEDAT E BËRA NGA SHOKËT E TIJ TË DHOMËS, SI; GJET KADELI, SKËNDER SHATKU. BEBDI KONOMI, ETJ.
Marrë nga P.Op V.Kuka
Dhënë nga B.p. “Shkëmbi”
Burrel më 9.3.1983
R a p o r t
Ai njofton ne ka disa ditë që gazetat botojnë fotografitë e Marksit e të Stalinit. Të burgosurit sa i shihnin fillojnë duke i sharë, p.sh.:
Skënder Shatku, e hapi gazetën dhe i tha Bebi Konomit: “Shihe Bebi surratin”!
Bebi i tha: “Hiqma mo nga sytë surrogatin”.
Gjet Kadeli, si gjithmonë tha: “Ai është babai i udhëheqësit kryesor të Partisë dhe jo i joni. Qeni, qenin lavdëron”.
Ndërsa Bebi, që ka frikë i tha Gjetës: “Unë s’di se çfarë e ka udhëheqësi kryesor i Partisë, se nuk më hyn në punë fare”.
“SHKËMBI”
Sqarim: Skënder Shatku, është dënuar me 25 vjet heqje lirie për spiunazh, ndiqet nga ana jonë në 2/A si agjent i zbulimit jugosllav.
Bebi Konomi e Gjet Kadeli, janë të dënuar për krime kundër shtetit, kemi materiale në ngarkim të tyre.
Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të dalin komentet armiqësore dhe urrejtja që kanë këta të dënuar, ndaj klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe udhëheqjes sonë.
Detyra: B.P. ju dha detyrë që të bisedojnë përsëri me këtë të dënuar dhe me të dënuarit e tjerë, të na informojë për veprimtarinë armiqësore që do të zhvillojnë këto të dënuar dhe të dënuarit e tjerë të dhomës.
Të na informosh për lidhjet që kanë të dënuarit e dhomës me të dënuar të dhomave të tjera të burgut, të çfarë karakteri janë këto lidhje dhe nëse kanë aktivitet armiqësor të përbashkët?!
Punëtori Operativ
Vehap Kuka
E K S T R A K T
Nxjerrë nga raporti i B.p. “Shkëmbi” dt.21.3.1984, në ngarkim të dënuarve Gjetë Kadeli dhe Dalip Gaba.
…. Ai njofton se tani për tani nuk flet njeri në dhomë, janë qetësuar, presin lirim; por veç Gjet Kadeli e Dali Gabës që nuk u pushon goja. Ja mbrëmë, kur fliste Ministri Punëve të Brendshme në Skrapar, kur lexonte përshëndetjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Gjeta tha: “Kur thotë udhëheqësi kryesor i Partisë, i juaji për jetë, ka ndërmend me arrestu 10-15 vetë prej Skrapari”!
“SHKËMBI”
Puntori Operativ
Vehap Kuka
Vijon numrin e ardhshëm