Kryeministri Edi Rama është ndalur dje në Kukës në turin e falenderimeve në 53 bashkitë e vendit që votuan kandidatët e PS-së. Si e lexon Rama fitoren e “paparashikuar” në Tropojë dhe analiza për patronazhistët dhe aktivistët e PS-së.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar dje turin e falënderimeve në qytetin e Kukësit. Me një batutë për kryebashkiakun Safet Gjicin, Rama zbuloi se Tropoja do të marrë një tur dhe ndalesë të veçantë.
“Kontrata e Safetit ka një problem se është shkruar dhe shpërndarë kur nuk mendohej që do fitonim edhe Tropojën. Kështu që Safet nuk dua që ta ul vlerën e fitores së Kukësit dhe rëndësinë e fitores tende por dua të them që ke hyrë në një fazë të re të historisë ku të gjitha rrugët të çojnë në Tropojë.
Me mirë të del se këta të Tropojës duan të dalin”, tha Rama. Kryeministri teksa falënderoi Pandeli Majkon për punën e tij në Kukës zbuloi edhe momentin sesi e kishte pritur deputeti momentin kur Rama i kishte caktuar detyrën.
“Kur unë Pandit i thashë do shkosh në Kukës më pa sikur do shkonte në internim. Nuk ke çfarë mendohesh i thashë do shkosh në Kukës. Nuk foli, pastaj në darkë më çoi mesazh: Ore Edi seriozisht e ke ti? Unë i thashë: Mendova se më shkrove nga atje. Përtej shakave, shumë faleminderit Pandi”, tha Rama, i cili në porositë e tij është i prerë.
Puna e patronazhistëve
Ai mes të tjerash ai u shpreh se arsyet e një rezultati pozitiv në zgjedhjet e 14 majit, ishte puna e mirë e bërë nga patronazhistët, aktivistët dhe një lëvizje e ndodhur mes votuesve të djathtë, të cilën zgjodhën të votonin kandidatët e mazhorancës sepse zgjodhën të votonin ata që do bënin punën për komunitetet, ose nuk shkuan fare në QV.
Rama shtoi se kjo i vë të gjithë përballë sfidës së vështirë për të mbajtur premtimet, edhe pse paralajmëroi që jo çdo nevojë mund të përmbushet, pasi mundësitë nuk janë të pafundme.
“Aktivistët e patronazhistët kanë punuar shumë mirë, janë bërthama e organizimit tonë. Janë bashkuar të gjitha këto forca në një drejtim dhe u arrit një rezultat shumë pozitiv.
Një rol në rezultat ka luajtur edhe një lëvizje që ka ndodhur djathtas, sepse edhe ata që janë të djathtë, duke qenë se ishin zgjedhje lokale kanë menduar kush do bënte më shumë për komunitetin, edhe pse nuk donin të votonin PS.
Nuk ka qenë e vështirë t’i bindnim sepse kandidatët kanë qenë jo socialistë tipikë, për ta thënë butë sepse kemi pasur edhe demokratë. Ka fituar logjika të fitojmë për të vijuar punën. Një pjesë tjetër nuk dolën në votim dhe unë i falenderoj”, është shprehur Edi Rama. sipas tij, fitorja në Shqipëri është një sfidë e madhe sepse “na thonë ja ku e keni, na luajtët mendsh vetëm përpara, çojeni vetëm përpara tani.
Nuk është e lehtë. Është e pamundur që në të gjitha fëmijët nevojat e kërkesat e familjarëve të plotësohen, sepse mundësitë janë më vogla se nevojat.Duhet ta nisim nga ajo që është e mundur që të plotësohet e gjitha, çka është edhe ajo që shqiptarët e kanë nevojën e kërkesën kryesore, të begenisen e “hallin që nuk ua zgjidh, t’jau qash”.
Kryefjala do jetë njerëzillëku”.