Secilit të vetën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

E vetmja surprizë e zgjedhjeve të majit ishte që ato nuk afruan asnjë surprizë. Edi Rama e dinte se nuk ishte e nevojshme që partia e tij dhe ai vetë t’i fitonin këto zgjedhje.

I duhej vetëm të prisnin me durim që humbësit serialë përballë tij të bënin detyrën.
Sali Berisha nuk kishte asnjë dyshim që nuk kishte asnjë shans për të fituar. Edhe kësaj here, njëlloj si në zgjedhjet e parakohshme të marsit të vitit të shkuar, ai kishte vetëm dy objektiva: të thoshte dhe njëherë si përherë se ja kishin grabitur zgjedhjet dhe se duhej të mundte fraksionin legal të partisë së tij.

Ilir Meta, edhe pse e mohon, ishte dorëhequr nga zgjedhjet sepse maji nuk ishte sprova e tij. Ai dha me “qera” vulën” dhe siglën e partisë së tij duke hyrë artificialisht në këtë garë me risk zero dhe me përfitim të pacaktuar. Duke i lënë Doktorit qederin dhe duke mbajtur qarrin për vete, vetëm qorrat nuk kuptojnë se loja e tij është krejt tjetër kund.

Lulzim Basha, i fshehur mbas shpinës së Alibeajt dhe kontureve të paqarta të Bardhit, i kishte orientuar të gjitha shpresat e tij për triumf vetëm në humbjen poshtëruese të Doktorit. I bindur se vetëm pasardhësi i tij është pengesa e vetme drejt ushtrimit të pushtetit vetjak mbi opozitën, ai rigjeneroi një kartë morale për veten duke vënë një shenjë barazimi me të: Humbës unë, humbës ti!

Në këtë panoramë të re pa asnjë risi të politikës shqiptare, në të njëjtat kallamishte të së njëjtës kënetë, e panjohura e vetme për të nesërmen shihet të verë bast mbi atë se çfarë do të bëjë Edi Rama tani e tutje. I sigurt se përballë Berishës do të fitojë në të gjitha sfidat elektorale, kryeministri po jep shenja se pushtetit të tij do t’i shtojë një element tjetër.
Jo për dekor, por për domosdoshmëri.

Më shumë se për prirje, por për nevojë, Edi Rama do të tentojë të rishpikë vetveten në këtë gjysmë të dytë të mandatit të tij të tretë. Fillimisht duke identifikuar që rreziku real i qeverisjes së tij nuk është opozita, por pushteti i kompromentuar dhe korruptuar i atyre që ai vetë ju ka besuar pushtet dhe ekuilibret shumë të brishta brenda hartës së armiqësive dhe hierarkive të paqarta në PS.

Nga Durrësi ku ai vijon turin e falenderimeve për shqiptarët që votuan për partinë e tij, Rama bëri paralajmërimin më domethënës. “Kemi bërë edhe gabime që unë nuk jam krenar dhe nuk do të doja t’i kisha bërë kurrë. Flas për udhëheqësa të PS…”.

Ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij që luten të jetë e vërtetë dhe akoma më ndryshe nga sa besojnë me naivitet kundërshtarët e tij, Rama mund të ketë dijeni më shumë, por jo ndikim të drejtpërdrejtë në zgjerimin e heshtur të hartës së një pushteti tjetër në Shqipëri. Një pushtet i cili po distancohet në heshtje gjithmonë e më shumë nga faktorë lokalë.

Lexo edhe :  Jemi më të lirë apo më të vetmuar?

Një ditë më parë, përballë një pjese të topitur deputetësh, Altin Dumani, shef i SPAK-ut paralajmëroi atë që e dinë të gjithë, por që të gjithë shpresojnë të jetë vetëm makth.“Kemi raste, do ngremë akuzë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtareve që kanë shkelur ligjin.

Asnjë nuk ka imunitet. Na lini kohë. Kemi në hetim disa çështje të rëndësishme…”, tha ai duke ju adresuar dhe shqetësimit të veteranit Majko për marrëdhëniet me shtypin të këtij institucioni. Dhe duket se vetë Rama që dikur ka qenë ministër i Majkos, duke ditur që nuk është problem i marrëdhënieve me publikun, nuk ka dilema që përpara se të veprojë SPAK-u me pranga, do t’i duhet të reagojë ai vetë me dekrete që do t’ia nisë presidentit të Republikës.

Për të falenderuar pa tur ata kryesisht ata që e bënë me turp Berishën në zgjedhjet e majit, për të ripërcaktuar hierarkinë në PS dhe për t’u ndarë nga segmente të caktuara të qeverisjes dhe të administratës së tij që sipas zakonit të hershëm, kanë bërë gati që tani zarfin për prokurorët e çështjes.

“Ndikimi tek unë është zero, nuk ndodh. Qoftë kolegë prokurorë, gjyqtarë, të SPAK, GJKKO apo qoftë edhe politikanë që as nuk e marrin mundimin të më telefonojnë apo të më kërkojnë takim, sepse e dinë përgjigjen”, tha gjithashtu Dumani që e di mirë se ka një listë të gjatë me politikanë që do ta donin një takim “miqsh” me të dhe ata.
Pjesa tjetër është histori. Në 2025, çfarë ka mbetur nga PD-ja nën Bashën do të luajë për të pasur qoftë dhe një mandat të vetëm të artë për t’u bërë i dobishëm për rikonfirmimin e maxhorancës së Edi Ramës. Sali Berisha do të jetë si ai ushtari japonez që vazhdonte të bënte roje në ishull edhe shumë vite pasi kishte mbaruar lufta.

Ilir Meta, vetëm 56 vjeç në pranverën e zgjedhjeve të përgjithshme, do të shpresojë që emri i tij të jetë i shënuar në testamentin që trashëgon opozitën, kurse Edi Rama deri atëherë do t’i shkelë syrin të gjithëve me përjashtim të atyre që i kanë shkelur këmbën në mandatet e tij të njëpasnjëshme.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për njerëzit e politikës. Nuk do të jetë habi nëse pak nga pak, në fjalorin e Ramës të nisë të përdoret edhe termi “oligark”. Në metamorfozën e politikanit atipik që kërkon t’i japë fund tranzicionit, nuk është asnjë çudi që në veprime dhe ide kryeministri të nisë të bëjë populistin.

Dhe në një shoqëri që adhuron ndëshkimin përpara drejtësisë, që ndonëse i konsideron perëndi paratë, pasanikët i urren pafund, kjo mund të një gjetje që garanton pak më shumë se një mandat të katërt. Secilit të vetën edhe atëherë.

Të fundit

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

Lajme të tjera

Web TV