“Lotët e sorkadhes”, ose historia e sorkadhes së Beratit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ylli Polovina

Ky është libri më i ri i tij. Duke vështruar pasqyrën e lëndës tematike e botimit është shpërndarë në shumë subjekte, mes tyre edhe “Në vitin 2022 Radio Kombëtare Bullgarisë do të transmetonte këtë emision”, nga “Ditaret” e Enver Hoxhës”, “Loti i sorkadhes, tregim nga Shkëlqim Hajno”, nga revista “Mirësia islame”, “Art Leshnica”, “Servet Hoxha, drejtor i njohur i Policisë Pyjore të qarkut të Beratit”, “Dervish Hoxha më pohon”, nga shkrimi “A vritet Kaprolli i Çermenikës!?”, “Dritëro Agolli: Pylli qan për sorkadhen”, “Qafa, një histori!…, nga Zylyftar Hoxha”, etj.

Qafa, një histori!… nga Zylyftar Hoxha
I vogël ka qenë fshati ynë, Qafa, në rrethin e Skrapari, por ka një histori interesante, me breza burrash, të moçmit, por edhe ata që arrita unë, punëtorë, të zgjuar, të shkuar dhe të bërë me njëri-tjetrin, por edhe shumë mikpritës. Të vendosura rreth një orë larg nga fshati, në një gropë midis përrenjve që zbrisnin nga Gora e Potomit, këto ara jo vetëm kanë qenë hambari që mbante me bukë një fshat të tërë, por ato fshihnin poshtë tyre një thesar të vërtetë arkeogjik të një vendbanimi të lashtë, fshat apo qytezë, i cili, për fat të keq, u zhduk rreth viteve ’80, pasi aty dikujt i ra ndërmend të ndërtohej një ujëmbledhës që do të vadiste tokat e Qafës, Visockës, Gjergjovës dhe Potomit. Punimet vazhduan gati dy vjet dhe u ndërprenë, pasi erdhi koha e ndërrimit të sistemeve. Për historinë e mëvonshme të fshatit ka shumë pak dokumente, i vetmi dokument i vjetër është regjistri osman i vitit 1431, në të cilin thuhet se Qafa (Ishkifti) kishte10 shtëpi, 1 vejushë (shtëpi pa burra) dhe 772 akçe si të ardhura vjetore. Ndërsa në një regjistrim tjetër zyrtar të çerekshekullit XX, atë të vitit 1920, del se fshati kishte 15 ekonomi (shtëpi). Edhe me kujtimet e pleqve nuk shkon dot më tej veçse në mënyrë të mjegullt nga koha e Ali Pashë Tepelenës e këtej, ndërsa për atë që fshati ka qenë i krishterë e dëshmojnë kishat në Dunckë e rreth saj, por edhe disa toponime si Ara e Nikollit, Luadhi Gjinit, Veshti i Selagjinit, Ara e Brajkut etj.

Për më vonë kam dëgjuar që shumë bashkëfshatarë kanë rrahur kurbetin, më shumë Selanikun, ndërsa të tjerët merreshin me bujqësi dhe veçanërisht blegtori, mbarështonin më shumë dhi, pasi për to kishte hapësira të mëdha kullote. Aq e vërtetë është kjo, sa nofka e familjes sonë ishte Xharo, e vënë për shkak të zileve e këmborëve, që bënin xhërr-xhërr ditë e natë.

***
Nga ana ekonomike të parët e familjes sonë duket se kanë qenë relativisht mirë. Kanë pasur rreth 100 dynymë tokë dhe një sipërfaqe të konsiderueshme korijesh dushku dhe pyjesh. Shtëpitë kanë qenë dykatëshe, të punuara me gurë të skalitur dhe të ndara disi nga lagjet e tjera të fshatit, të vendosura pranë tokës. Shtëpitë tona, sidomos qoshet, i kishin të ndërtuara me gur të zi, jo të jeshil, por bezhë, si shtuf, i cili nuk gjendet në Qafë. S’dihet nga është marrë… Këto shtëpi janë djegur në 1914-ën nga greku. Veç gjyshit tonë, Rushanit, i cili u kthye nga ku shkuan atëherë muhaxhirë dhe ndërtoi një shtëpi sidokudo mbi gërmadhat e shtëpive të vjetra, pjesëtarët e tjerë të familjes, Vezirja me djemtë, Myrton, Rexhepin dhe Arifin qëndruan në Berat. Atje ata ndërtuan shtëpi, blenë prona, toka, dyqane, hane. Ishin njerëz punëtorë dhe të zotë. Ata në Berat ishin mbështetje për të gjithë fshatin kur shkonin për pazare apo kishin ndonjë nevojë. Ne, si familje, para çlirimit, si një gjak që kemi qenë, jemi bërë shumë me ta. Venim e vinim. Myrtoja, vëllai i madh i vëllezërve Qafa, megjithëse kishte ndihmuar shumë Lëvizjen Nacionalçlirimtare materialisht, por edhe kish nxjerrë si oficer xhandarmërie shumë komunistë nga burgu, u dënua me burg se kish bashkëpunuar me Xhelal Staraveckën. Babai ynë ishte komunist, kështu që në regjimin komunist për 50 vjet me radhë u ndamë. Emiri, djali i Myrtos, mësues në Skrapar për një kohë të gjatë, njeri inteligjent dhe me vlera, në periudhën e demokracisë bëri përpjekje për të ndrequr atë që ishte prishur, erdhi me një grup pasardhësish të kësaj familjeje të njohur në Berat, në Qafë, më pas shkuam ne për disa sebepe që ata patën. Por Emiri i shkretë, që ishte rregullator dhe i dinte lidhjet, vdiq papritur, dhe ne, tani të larguar shumë, pak ose aspak bëhemi dhe dimë për njëri-tjetrin.
Ishte fillimi i viteve pesëdhjetë të pas Luftës së Dytë kur ndodhi ky episod. Një nga fshatarët që vinin nga Skrapari për të bërë pazar të shtunën në Berat kishte gjetur një sorkadhe të vogël, këlysh as dy kile, futur në një zgavër buzë rrugës. Ajo ishte si e trembur, e pasigurt. Pak ditë që kish lindur. Ndoshta e kishte lënë e ëma aty sa për t’u forcuar e marrë këmbët, duke e fshehur sigurisht nga grabitqarët. Fshatari u prek shumë dhe zbriti nga kali. E mori në pëllëmbë të dorës sorkadhen e vogël dhe i hipi sërish kalit. E dinte ku do ta çonte, tek miqtë e tij dhe të gjithë skraparllinjve, tek Hani i Qafallinjve. Aty u shërbenin në mënyrë të shkëlqyer kuajve Arifi, djali i dytë i kësaj familjeje, ndërsa më i madhi ishte Myrtua dhe më i vogël Rexhepi. Arifi qe pronari i parë i Hanit. Ishte kryenallbani. Atë të shtunë pazari aty u ndodh edhe Rexhep Qafa, i cili edhe ky ishte privat dhe merrej me baçet, tokë e gjerë atje ku më pas në Berat u bë fusha e sportit. Këtu ishin bostanet e tyre, të Rexhepit saktësisht. Fakti që ai bënte bujkun kishte tërhequr vëmendjen e shumë beratasve, sepse qafalliu në kohën e Zogut kishte përfunduar në Itali shkollimin për inxhinier mekanik dhe pati filluar punë në parkun e automjeteve të mbretit në Durrës. Pas lufte nuk dëshironte më punë shtetërore, sepse pas burgosjes së vëllait të madh, Myrtos, e kishin me sy të keq politik dhe po të gabonte qoftë edhe për hiçgjë, do ta dënonin. Sepse pushteti i ri ngulte këmbë t’i nënshtronte Qafallinjtë dhe pretekst donte edhe për të. Numri një i pushtetit në qarkun e Beratit, sekretari i parë i Partisë Tajar Grepcka, pati deklaruar publikisht se nuk ishte Myrtua, por Rexhepi komisari i vëllezërve. Duhet të godasim atë, kishte theksuar, dhe vetëm kështu i kemi nënshtruar të gjithë Qafallinjtë. Tek Arifi vajti skraparlliu me sorkadhen e porsalindur, por në han gjeti edhe Rexhepin. Ky herë pas here e ndihmonte të vëllanë, sepse i vinte ndoresh edhe si nallban. Kur i pa që mbante në duar sorkadhen e vogël, e pyeti fshatarin e porsaardhur “Çfarë ka, çfarë ka?” Pastaj i tha “Bjere!” dhe i zgjati paratë, një shumë sa dhjetë mijë lekë për kohën. “Jo, zoti Rexhep, tha fshatari shpirtdhembshur, unë nuk e solla për lekë. Dua të jetojë, të kujdeset një njer për të”.
Atëherë Qafalliu më i vogël i vëllezërve, e mori sorkadhen. Tre javët e para qumështin ia dhanë me biberon, por pastaj e vogla filloi të pinte vetë. Rexhep Qafa kishte tre lopë: Vitoria, e racës Xhersej, që jepte 20 litra në ditë, Nerzame me 15 litra dhe po kaq Lulja. Ushqehej me këtë qumësht cilësor. E mori shëndetin shpejt. Atëherë ata e konsideruan pjesëtare të familjes. Sorkadhes i vunë emrin Flutura.

Lexo edhe :  Dua Lipa thotë se e ka manifestuar jetën e saj dhe s’i kursen disa detaje për Kosovën

Sorkadhja e Beratit
Sipas djalit të mesëm të Rexhepit. Engjëll Qafës, “babai i mbante në bostan të tre lopët, i kulloste Vezirja, Kolja, gjyshja jonë, i çonte në mëngjes në bostan, i ushqente, i sillte në drekë, i milte, rrihte qumështin dhe e bënte gjalpë. Kolja ishte e zonja e shtëpisë. Sorkadhen e donte shumë, sepse qe mjaft e pastër. Rexhepi e mësoi me lopët, sipas zakonit që të mos ia merrnin mësysh.
Sorkadhja flinte në dhomën tonë, mjedis i bollshëm në krye të shkallëve. Kishim brenda disa krevate prej druri. Në njërin prej tyre shtrihej edhe Flutura. Ne e linim derën hapur. Ajo ngrihej natën, dilte, urinonte dhe rikthehej në dhomë dhe në shtratin e saj. Nuk bëri një kakërdhi në dhomën tonë të përbashkët. Pastaj sorkadhja shkonte dhe vihej në krye të lopëve. Kur ikte për në bostanet dhe kur kthehej prej andej.

***
Bashkë me lopët ajo shkonte deri në Uznovë, për t’u kthyer mbrapsht deri në qendër të qytetit, ku në kodrën mbi Xhaminë e Plumbit Qafallinjtë kishin banesën e tyre të madhe me dy kate.
Sorkadhen nuk e trazonte asnjë i rritur apo fëmijë beratas. Një pjesë thoshin se ajo e kishte një zot, por edhe kishin shumë kënaqësi kur ajo u afrohej. Thoshin “është kafshë e bekuar, se në fe kështu quhet, kafshë e bekuar”. Flutura u bë pesë vjeç, u rrit, u bë goxha, si një cjap i madh.
Ishte femër, shyt, pa brirë. Shumë e gëzueshme. Kur kthehej bashkë me tre lopët nga baçja, në krye të tyre, ajo dukej sikur fliste, bënte “njanjanja”. Dhe kërcente me të katër këmbët në ajër.
Si në një balet. Rexhep Qafa e donte shumë. Ngado që shkonte me të, mbante në dorë koka misri dhe ja jepte të hante. Ajo e ndiqte nga pas. I vinte ngrinte këmbët dhe ja vinte në gjoks, si t’i kishte krahë për ta përqafuar.

E paparë, një kafshë pylli bërë krejtësisht shtëpiake
Në vitin 1954 në parkun e madh të lagjes Murat Çelebi në Berat u bë një panair i madh për blegtorinë. Rexhep Qafa paraqiti atje tre lopët e tij. Por edhe sorkadhen Flutura. Organizatorët, si edhe specialistët e kafshëve, mbetën të pagojë kur panë se si sorkadhja pinte qumësht lirisht nga gjiri i lopës Vitoria, e racës Xhersej. Nuk kishin parë kurrë më parë një rast se si një kafshë e egër pylli qe bërë tërësisht shtëpiake.

Me ngjyrë kafe në të kuqërremtë dhe me lëkurë të butë të kadifenjtë
Sipas Tomorr Qafës, djalit të madh të Rexhepit, sorkadhja Flutura kishte ngjyrë kafe në të kuqeremtë dhe me lëkurë të butë të kadifejtë dhe shumë të lëmuar. E hajthshme, me këmbë të gjata e të holla. Ishte si një kec që nëse nuk e dije, mund ta ngatërroje fare mirë nëse futej mes dhive. Me sy të mëdhenj ngjyrë kafe dhe turi të hollë. Me trup të hollë, por shumë të zhdërvjellë.
Kur kërcente apo hidhej, për një moment dukej sikur qëndronte pezull dhe pastaj e përdridhte trupin në mënyre të beftë,sa ne si fëmijë na mbahej fryma”.

Duke vdekur sorkadhja nxori lot nga sytë dhe kokën e ktheu nga lindja.
Në fund të pesë viteve jetë sorkadhes iu ënjtën bajamet. Sapo kishte ardhur nga Hungaria i shkolluar për veteriner një bir i familjes së njohur qytetëse Gjergjani dhe Rexhep Qafa e thirri në shtëpi. Ia shpjeguan sëmundjen e çuditshme të sorkadhes, atë fryrje të frikshme të gushës dhe sekrecionet që nxirrte, shpesh e përfshirë nga ethe, ndërsa nënë Kolja e mbulonte me rroba të trasha. Gjergjani tha se nuk merrte vesh nga sëmundjet e kafshëve të egra dhe nuk dha asnjë ilaç.
Sorkadhes Flutura gusha iu ënjt edhe më shumë dhe një ditë dha shpirt.
Ndërroi jetë në dhomën e madhe nën shkallë, tek shtrati i saj i drunjtë. Duke vdekur nxori lot nga sytë. Dhe kokën e ktheu nga lindja. Nga dëshpërimi i kësaj ngjarjeje Familja Qafa u trondit shumë, sidomos fëmijët. E ngritën në krahë për ta varrosur. Dikush tha që para se të groposej ndoshta i duhej rrjepur lëkura dhe shitur. Rexhep Qafa u drodh i gjithë.
“Jo”, thirri me zë të ngashëryer.
E varrosën si njeri. Pranë shtëpisë së tyre.

Të fundit

Anketa, 65 për qind e mësuesve në arsimin 9-vjeçar nuk përdorin TIK në procesin mësimor

Një anketë në 43 shkolla të arsimit fillor dhe bazë, që bëjnë pjesë në Programin “EU4Schools”, financuar nga Bashkimi...

Përmbytjet në Dubai/ A ka lidhje “mbjellja artificiale e reve” me stuhinë e shekullit?

Një stuhi goditi Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin këtë javë duke sjellë reshje rekord që përmbytën autostrada, përmbytën shtëpi, trafik të bllokuar nga...

Kamionë dhe makina të përfshira/ Aksident masiv te Kthesa e Rinasit, çfarë ka ndodhur

Një aksident masiv ka ndodhur mesditën e sotme tek Kthesa e Rinasit. Në aksident janë përfshirë disa makina dhe kamionë. Nuk dihet shkaku i aksidentit, ndërsa...

Parkim publik me energji diellore në Durrës, Rama ndjek nga afër punimet

Një parkim modern multifunksional po ndërtohet në Durrës, në shërbim jo vetëm të qytetarëve, por edhe në funksion të sezonit turistik, kur Durrësi po...

Zbulohen 3 mysafirët specialë që do të hyjnë sonte në Big Brother VIP

Sonte në Big Brother VIP Albania do të ketë mysafirë. Me rastin e 100 ditëve të nisjes së edicionit të tretë të BBVA, në...

Lajme të tjera

Web TV