Ish-kryeministri Sali Berisha bëri dje një denoncim për fenomenin siç e cilësoi ai të ‘zgjedhësve shëtitës’, duke kundërshtuar rezultatin e 14 majit. Sipas Berishës, janë 547 zgjedhës shëtitës të identifikuar ndërsa u shpreh se janë evidentuar nga PD mijëra zgjedhës emigrantë që figurojnë votues në zgjedhjet lokale.
Ish-kryeministri Sali Berisha në vazhdën e mosnjohjes së zgjedhjeve të 14 majit, duke i cilësuar si më të “parregulltat” të bëra ndonjëherë në vend ka ngritur dyshime se janë mbi gjysmë milioni zgjedhës të cilët o konsideroi si “shëtitës”. Behet fjalë për qytetarë me të drejtë vote të regjistruar në mënyrë fictive në qendra të ndryshme votimi. Për këtë çështje, por edhe për faktet që sipas tij po mblidhen që edhe emigrantët që ndodhen jashtë vendit rezultojnë si votues, do i drejtohen Prokurorisë Speciale SPAK, të cilin Berisha në mënyrë ironike e quan “SKAPIN e partisë në pushtet”. Edhe ditën e djeshme, nga selia blu, duke e konsideruar si masakër zgjedhore, tha se mijëra qytetarë rezultojnë të regjistruar në mënyrë fictive në listën e votuesve. Ai këtë fenomen e ka quajtur “votuesit shëtitës”. “Votuesit shëtitës u shfaqën si fantazma elektorale në zgjedhjet e 2015-s, kur në një uzinë pa dyer e dritare dhe të braktisur prej vitesh në Kavajë, ishin regjistruar si vendbanimi 300 zgjedhës, ndërkohë që nuk kishte asnjë njeri. Po në këtë kontekst, në qytetin e Durrësit, u gjetën votues të regjistruar në garazhe, kontenjerë në port e deri tek shatërvani në qendër të qytetit si adresë”, deklaroi Berisha. Në zgjedhjet e 14 majit, ky fenomen u përdor masivisht në Bashkinë e Tiranës, pretendon Berisha, sipas të cilit, një nga drejtorët e këtij institucioni kishte regjistruar rreth 20 qytetarë në katër apartamente false. “Ne kemi identifikuar se zgjedhës potencialisht shëtitës, janë në të gjithë vendin rreth 547 mijë vetë. Këta zgjedhës po identifikohen bashki më bashki. Manovra me listat e zgjedhësve është bërë së pari me përjashtimin e mbi 180 mijë zgjedhësve. Zinxhiri mund të shkojë deri në 200 mijë. Në farsën e turpshme elektorale, maj 2023, u përdorën fantazmat e zgjedhësve shëtitës apo zgjedhës që votonin në dy apo qendra votimi”, theksoi ai. Berisha garantoi se ky fenomen do të analizohet në detaj. Një punë voluminoze që tha se merr kohë, arsye për të cilën kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve.
“Lëvizjet” shkojnë në SPAK
Sali Berisha tha se në Durrës kanë votuar 3900 emigrantë të cilët nuk kanë shkelur në Shqipëri. “Po nga kjo analizë na rezultoi se në këtë qytet 3900 emigrantë që rezultuan se kishin votuar, asnjë prej tyre nuk kishte ardhur në Shqipëri, por ishin përdorur kartat e tyre të identiteti. Të gjitha këto, PD ia ka dërguar prokurorisë, që bën ping-pong-un nga prokuroria e Durrësit te SKAP-i nga SKAP-i te prokuroria e Durrësit. Në këto zgjedhje ne kemi dokumentuar se ky fenomene u shumëfishua. Në një emision investigativ të Piranjave gjetën se një drejtor i bashkisë së Tiranës kishte regj në 4 apartamente falso rreth 20 qytetarë të cilët nuk kishin banuar kurrë në ato apartamente të tij, por kishin ardhur nga zona të ndryshme dhe kishin votuar për Veliajn. Fenomeni i zgjedhësve shëtitës, është një fenomen i cili po studiohet me intensitet nga PD-ja”, është shprehur Berisha.