35 vjet nga revolta në Kuçovë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vladimir Duraj

(5 Qershor 1988 – 5 Qershor 2023)

Nuk ka pasaktësi në titull, jo, fiks më 5 qershor të 1988-ës kuçovarët shfrytëzuan ndeshjen e futbollit me ekipin “Dinamo” të Ministrisë së Brendshme, ekip i elitës në futbollin shqiptar, për të shfryrë dufin e akumuluar në shpirtin e tyre, sidomos vitet e fundit. 5 Qershori nuk është rasti i parë i revoltës në Kuçovë, më 11 Shkurt të vitit 1936 naftëtarët kuçovarë zhvilluan një grevë të përgjithëshme dhe u përleshën me xhandarmërinë e Zogut. Kjo revoltë e 1936-ës mbeti në histori dhe u identifikua me tog fjalëshin ‘Plasi në Kuçovë’. Fiks si në 11 Shkurt të 1936-ës ndodhi edhe në 5 Qershor të 1988-ës. Ramiz Alia, kreu i shtetit shqiptar në atë kohë, pikërisht atë ditë të 5 Qershorit kishte mbledhur në Tiranë “mëkëmbësit” e tij në rrethe, në një mbledhje të Komitetit Qëndror. Teksa mbledhja zhvillohej, Ramizin e informojnë për ç’po ndodhte në Kuçovë dhe, ai, në moment i drejtohet Sofie Çuedarit, Sekretare e Parë e Kuçovës:

– Shko, Sofie, shko se plasi në Kuçovë !

Nuk kishte bërë vaki deri atëhere një revoltë e atyre përmasave dhe as imagjinohej të ndodhte në vendin tonë. Por imagjinata “harronte” se ç’kishte bërë Kuçova në 11 Shkurt të ’36ës kundër padrejtësisë, ajo harronte se, megjithëse pushteti i kohës e trajtonte Kuçovën ndryshe nga shoqet, përsëri kjo e fundit nuk mund të mbyllte sytë pambarimisht gjatë ndaj situatave degraduese që, në ato vite, kishin marrë rrugën pa kthim. E pra, ishte Kuçova dallandyshja e parë antisistem në vendin tonë, e ndjekur pas 1 viti e ca nga Kavaja e Shkodra.

5 Qershorin e 1988-ës në Kuçovë e vlerëson si më sipër, si revoltë ndaj sistemit dhe jo shpërthim i çastit si reagim ndaj padrejtësive të arbitrit gjatë ndeshjes, edhe futbollisti nr 1 i Dinamos në kohë, legjenda Sulejman Demollari, protagonist në atë ndeshje. Ja ç’thotë, Sula për këtë ngjarje :

– Edhe pse kanë kaluar 35 vjetë nuk mund të harroj revoltën e popullit kuçovar atë 5 Qershor të 88 – ës…mendoj se revolta nuk ishte ndaj Dinamos, por ndaj sistemit.

Edhe pse ekziston edhe mendimi tjetër, që 5 Qershori në Kuçovê ishte thjeshtë një reagim popullor ndaj padrejtësive të arbitrit, përcaktimi si revoltë ndaj sistemit ka më shumë argumenta në favor të tij, mes të cilave mund të përmendim ashpërsinë e goditjes së të revoltuarve dhe kohëzgjatjen e saj, mobilizimin e të gjithë shtetit për ta shtypur e zhbërë këtë revoltë, sikurse dhe numrin e madh të të arrestuarve dhe dënimit të tyre të nesërmen e revoltës e më tej. Kishin ndodhur më parë incidente me bazë ndeshje futbolli në qytete të ndryshme të vendit, por kurrsesi të natyrës së 5 Qershorit. Ishin hedhur sende në fushë, kishin detyruar të ngujoheshin në dhomat e xhvesjes arbitrat dhe lojtarët kundërshtarë, kishin thyer xhama autobuzësh, por ama, gjithçka konsumohej brenda një kohe të shkurtër.

5 Qershori i Kuçovës ishte ndryshe, ndeshja e futbollit me Dinamon ishte një mana. U dùk sikur populli mezi e kishte pritur atë situatë për të nxjerrë jashtë urrejtjen e grumbulluar në shpirt pak e nga pak. Ekipi i Dinamos konsiderohej si “Monument Kulture”, mbrohej nga shteti e të përballeshe me të ishte si të ishe kundër shtetit. Kuçovarët e dinin këtē e megjithatë u ngrtën në revoltë kundër padrejtësisë. Naftëtari erdhi në atë ndeshje të 5 Qershorit pas humbjes 0 – 1 në ndeshjen e parë në Tiranë. Fitues i njërit grup të kategorisë së dytë, Naftëtari luajti një finale me Traktorin e Lushnjes, fitues në grupin tjetër, për hyrjen në kategorinë e parë. Kjo finale u luajt në “Selman Stërmasi” (ish “Dinamo”) dhe u fitua nga Traktori me rezultatin 3 – 0. Ashtu si në vitet e largëta 1964 e 1965, edhe këtë finale ekipi ynë tregoi se finalet janë “mace e zezë” për të. Naftëtari, me humbjen e kësaj finaleje humbi një mundësi, por jo shpresën për të hyrë në kategorinë e parë. Në datat 2 dhe 5 Qershor, me dy ndeshje vajtje – ardhje, Naftëtari dhe Dinamo do të ndanin mes tyre një vend për kategorinë e parë. Atë ditë, në Q.Stalin e zhurmshëm dhe të hareshëm, një orë para ndeshjes së paku, nuk shihje këmbë njeriu në rrugë. Të gjithë në stadium, të prehur për fitore. Edhe pse pa Ismailin, Sulejmanin, Priftin, Gegën, Koroveshin, të cilët tashmë i kishin “varur këpucët në gozhdë”, Naftëtari shpresonte dhe besonte shumë. Ekipi kishte në gjirin e tij lojtarë shumë premtues, aq sa vazhdimësia e tij në elitë shihej thjesht si një normalitet. Ylli Vrusho, Astrit Haxhia, Dashnor Dume, Roland Makashi, Mihallaq Bonjaku, Sokol Meta, Gëzim Gega, Bam Fraholli, Edmond Voda, Aleksandër Koçi dhe Agim Meta ishin 11 heronjtë që do të mposhtnin bajlozin Dinamo. Për rëndësinë që kishte kjo ndeshje ishte projektuar arbitrimi nga treshja më e mirë për atë kohë, Arsen Hoxha, Plarent Kotherja dhe Dhori Prifti. Por çuditërisht, ditën e ndeshjes vjen Besnik Kaimi, ish lojtar i Naftëtarit vite më parë. Dikush edhe mund të jetë gëzuar, por jo…Besniku e kishte harruar “bukën që kishte ngrënë” dhe për më tepër u soll gjatë ndeshjes si lojtari i dymbëdhjetë i Dinamos. Dinamo erdhi me sambistë me vete, thua se po shkonte në luftë. Forcat e rendit, të përforcuara me të ardhur nga Berati, Fieri dhe Lushnja, ishin siguria që gjithçka do të shkonte vaj. Por llogaritë ishin bërë pa hanxhinë, kuçovarët e kishin treguar veten përballë padrejtësisë qysh në ’36-ën. Situata ishte mbarsur gjatë gjithë javës, ku njerëzia flisnin për favorizime të mundshme të Dinamos dhe sjelljen e tyre nëse kjo gjë ndodhte.

Është për t’u theksuar se deri atë ditë, tifozët qytetstalinas kishin duartrokitur gjyqtarë të shumtë për arbitrim korrekt edhe kur Naftëtari humbiste, duke u rreshtuar kështu në lartësinë e tifozëve shkodranë apo të ndonjë qyteti tjetër. Por atë 5 Qershor…

– Atë ndeshje unë nuk luajta. Isha i pezulluar me tre ndeshje pas marrjes së kartonit të kuq në ndeshjen finale me Traktorin. Një penallti e mohuar nga gjyqtari Plarent Kotherja kur rezultati ishte 1 – 0 për Lushnjen, protestë nga ana ime dhe karton i kuq – tregon ish futbollisti naftëtaras, Besnik Duli, i cili vazhdon: “Nuk luajta, por ndeshjen e pashë, biles nga stoli. Në atë kohë lejohej. Rrija pas portës së Dinamos që në atë ndeshje mbrohej nga ish portieri ynë, Ilir Bozhiqi. Ishim miq dhe nuk bënte vaki t’i zëmëroheshim njëri – tjetrit. E ngacmoja Ilirin që në atë ndeshje po bënte heroin, tre – katër raste flagrante për gol të shpëtuara prej tij”

Lexo edhe :  A ka pasur lobe shqiptare në Perandorinë Osmane?

Është e vërtetë kjo që thotë Duli, Bozhiqi bëri detyrën duke shpëtuar Dinamon, por edhe tifozëria kuçovare nuk reagoi negativisht ndaj tij, nuk u zëmërua me djalin e saj.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me barazim 0 – 0. Në pjesën e dytë Naftëtari e rriti edhe më presionin. Këtu hyri në lojë “Besniku i partisë”, gjyqtari kamikaz Besnik Kaimi. I uli tempin Naftëtarit me faulla të shpeshtë, të qëna e të paqëna. Kësisoj Dinamo arrinte të merte frymë dhe me një kujdes të shtuar kontrollonte furinë naftëtarase. Minutat kalonin dhe ndeshja po shkonte tamam siç e kishin parashikuar Besniku me shokë. Pikërisht në këto momente tifozët reagojnë dhe tensioni rritet. Policët kalojnë nga rrethimi i fushës në shkallët e stadiumit, mes tifozëve. Ndeshja ndërpritet dy – tre herë dhe  në një moment hapet lajmi se ishte plagosur një tifoz.

Dhe ashtu ishte. Tifozin e plagosur e morën para duarsh dhe e shëtitën përgjatë stadiumit. Një pamje e tillë e rriti edhe më tensionin. Pak minuta para përfundimit të ndeshjes Vila i Dinamos, i sapo futur në lojë, shënon një Eurogol nga distanca. Këtu gjithçka përfundoi dhe vdiq për Naftëtarin. Gjyqtari Kaimi, duke parë se situata po i dilte duarsh nga momenti në moment, e mbylli ndeshjen 5 minuta para. Sambistat e marrin në mbrojtje dhe me shpejtësi e drejtojnë te dhomat e zhveshjes. Ndërkohë tifozët hyjnë në fushë dhe bëhen zotër të saj. Me futjen e lojtarëve dhe gjyqtarëve në dhomat e zhveshjes situata jashtë ishte në dorë të popullatës. Tashmë nuk kishte më rëndësi rezultati, “lufta” bëhej për dinjitet e drejtësi. Fytyra e gjakosur e të plagosurit ishte nxitje për më shumë dhunë. Godina e ekipit “Naftëtari” u mbajt e rrethuar për orë të tëra nga tifozët e irrituar. Situatën brenda dhomave të zhveshjes e përshkruan Duli si më poshtë:

“- Mbaj mend që isha pranë Agim Canajt, Topçiut, Rudi Vatës. Brenda dhomave kishte shumë frikë, dëgjuam që tifozët do t’i vinin zjarrin ndërtesës. Ankthi dhe irritimi na kishte pushtuar të gjithëve. Sidomos mua që fiks pas një jave martohesha…nuk e imagjinoja këtë pamje…isha përgatitur për festë, biles me vete kisha edhe ftesat për shokët. Mendime të shumta më kalonin në kokë. Rreth orës 11 dalim nga godina, kur ç’të shohim…jashtë ishte bërë nami…rrugë të mbushura plot me gurë, makina me xhama të thyer e të përmbysura.”

Por 5 Qershori nuk u mbyll këtu. Në mesnatë e në vijim policia arrestoi 120 persona dhe i shoqëroi në Degën e Punëve të Brendshme në Berat…nga këta u ndaluan 16 prej tyre, 9 me burg dhe 7 për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Në datën 9 zhvillohet gjyqi në kinema ku u dhanë dënimet për secilin. Mes tyre ishte edhe ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe në atë kohë sekretar i Komitetit të Partisë, Naun Halilaj. Ndërkaq Naftëtari shkatërrohet, vritet për të mos u ngjallur akoma edhe sot. Kështu, shkarkohet nga detyra dhe dënohet me gjashtë muaj punë korrektuese në Fabrikën e Tullave, i mirënjohuri Fatmir Ismaili. Trajnerit de jure, Pandi Angjeli, i hiqet e drejta e trajnimit në të gjitha kategoritë. Futbollistët Roland Makashi dhe Sokol Meta përjashtohen përgjithmonë nga të gjitha veprimtaritë sportive. U larguan nga futbolli Sandër Koçi, Besnik Duli, Fatmir Xhyberi, Kaço Haxhiaj. Në situatën e mësipërme, ku “Naftëtar” nuk kishte më, lojtarët e tjerë shkojnë për të luajtur në ekipe të tjerë. Ben Iljazi dhe Barjam Fraholli shkojnë me Pogradecin, ndërsa Gëzim Gega, Mihallaq Boshnjaku, Edmond Voda dhe Ylli Vrusho kalojnë me Tomorrin. Po ashtu me Tomorrin kalojnë Nole Dume, Artan. Koçani, Sokol Meta dhe Vasillaq Masari….plotë 15 lojtarë të larguar. Dhe në mbyllje të këtij shkrimi po sjellë disa përshtypje të ish kryetarit të Komitetit Ekzekutiv në ish Q.Stalin dhe ish drejtor i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës, Daut Nonaj, për 5 Qershorin:

“-Nga viti 1972, kur u emërova Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Kuçovës dhe deri në këtë ditë që ju përmendni, asnjëherë nuk jam ndarë nga kontributi për ekipin e Naftëtarit, fillimisht në detyrën e mësipërme dhe më pas si Kryetar i Komisionit të Futbollit, për ta mbyllur në ditën e ndodhjes së asaj që nuk pritej në Qershor 1988 si komisar ekipi i ndodhur në stolin e rezervave të “Naftëtarit”. Një skenë që nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri në ato vite. Shteti ishte ngritur kundër të revoltuarve që kishin të drejtë të acaroheshin. Ajo ngjarje për mendimin tim ishte një sinjal i luftës së hapur kundër padrejtësive të sistemit, i cili kishte filluar të degradonte dhe nuk kam qënë asnjëherë dakort që revoltë kundër padrejtësive u muar vetëm ajo e Kavajës gati dy vjet më vonë.

Pas përleshjeve të dhunshme, kur ora kishte vajtur 11 e mbrenjes, mbasi ishte shpërndarë turma e tifozave, u nxuarën arbitrat nga dhoma e xhveshjes deri në Urën Vajgurore dhe në fund dola unë me ekipin e “Naftëtarit”.. Organet përkatëse bënë punën dhe veprimet e tyre me arrestime dhe ndalime. Trainer ishte Fatbardh Deliadhisi. Në orën 1 e gjysëm vijnë e më shoqërojnë në Polici dy policë dhe një punonjës i sigurimit të cilin e njihja dhe bile e kisha nga ana ime. Ditën e dytë filluan e vazhduan ndalimet, midis të cilëve ishte dhe i ndjeri Naun Halilaj, instruktor në Komitetin e Partisë. U bënë gjyqe dhe dënime.”

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV