Shqipëria & Kosova mes 45 shteteve në Festimet Konsullore në Francë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor HOXHA, Francë

 

Me datë 29 maj 2023, në Lyon (qyteti i tretë më i madh në Francë pas Parisit dhe Marsejës), startuan Fêtes consulaires 2023 (Festat konsullore 2023). Nga 29 maji e deri më 2 qershor 2023, festat u zhvilluan në njësitë bashkiake dhe në 3 dhe 4 qershor në Place Bellecour, pikërisht në sheshin ku ndodhet statuja gjigande e Louisit të XIV mbi kalë.

Në këtë shesh historik u ngritën edhe tendat e 45 njësive konsullore nga mbarë bota, mes të cilëve edhe Shqipëria e Kosova, të cilat i vizitoi kryetari i Bashkisë së Lyonit dhe mijra vizitorë shqiptarë e të huaj.

Kjo ngjarje unike në Francë, bazohet në dinamizmin e trupës konsullore të Lionit, një nga organet më të rëndësishme konsullore në Francë. Ajo përbëhet nga 66 konsullata. Fêtes consulaires është ngjarja më e rëndësishme e vitit në Lyon së bashku me Fete des Lumieres (Festivali i dritave ku marrin pjesë mbi 4 milion vizitorë nga e gjithë bota, i cili zhvillohet në dhjetor), Festivali ndërkombëtar i Filmit (Festivali Lumiere në tetor) dhe Festivali Ndërkombëtar i Artit Contemporain.

Në Festimet Konsullore 2023, temat kryesore ishin Sporti, Animacioni, Ekspozimi, etj. Kryetema ishte sporti, ku performuan sportistë nga 45 vende të botës (mes tyre dhe nga Shqipëria e Kosova).

Në 3 dhe 4 qershor, u prezantuan në Place Bellecour pamje paraprake të ngjarjeve kryesore sportive, të cilat do të zhvillohen në Francë, dhe pjesërisht në Lyon në 2023 dhe 2024, (Kupa Botërore e Rugbit dhe Lojërat Olimpike). Qyteti i Lionit, në partneritet me trupën konsullore, ofroi një edicion të festave konsullore bazuar në lojëra dhe sporte në mbarë botën, të cilat i dhanë një shije të jashtëzakonshme Festimeve Konsullore.

Gjatë fundjavës u zhvilluan demostrime argëtuese e sportive për mijra vizitorë ku u shfaq diversiteti i kulturës fizike dhe rekreative në 45 vendet që u përfaqësuan në Festivalin konsullor 2023. Stendat e Shqipërisë dhe të Kosovës u hapën të shtunën në ora 11:00 nga Asambleja e Përgjithshme e Klubit të Biznesit France-Albania, e kryesuar nga kryetari i saj, Gasmen Toska, sipërmarrësi shqiptar më i njohur në Francë.

Nga ora 15-16 u zhvillua një takim me portieren e OL Féminin, Alyssa Paljevic, e cila ka origjinë shqiptare. Ajo dha me autograf foto dhe bluzën e saj sportive me Nr. 30. Të dielën ishte ekspozita e fotove të sportistëve më të njohur shqiptarë. Në ora 12:00 u zhvillua një takim miqësor, i organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve Shqiptarë në Francë (RPAF) i udhëhequr nga përfaqësuesit e tij në Lion, Dojran Dauti dhe Florid Dumi.

Nga ora 14:00 u zhvilluan takime me shkrimtarë shqiptarë të njohur në Lyon. Gjithashtu ekspozuan punimet e tyre artistët shqiptarët me banim në Lyon Klement Sina dhe 12 vjeçari i talentuar, Rafael Shehi. Klementi u paraqit me disa tablo me valle shqiptare nga krahina të ndryshme të shqiptare dhe me disa punime në qeramikë.

Ai ekspozoi kopje të vazove 2500 vjeçare në qeramikë të zbuluara në Shqipëri, si dhe një kopje të mbretëreshës së Dardanisë ose Hyjnesha në Fron që është simboli i Prishtinës dhe objekti më i çmuar arkeologjik i Kosovës, i zbuluar në 1955 në Rajonin e Ulpanës, i përbërë prej balte dhe daton në vitin 3500 para Krishtit.

Klementi është piktori me aktivitetin më të madh krijues në Lyon. Më 17-25 qershor, Fédération pour la paix universelle në Lyon  organizon ekspozitën personale të Klementit në një nga sallat e saj ku ekspozojnë piktorë të njohur francezë dhe të huaj brenda dhe jashtë Lyonit.

Aktivitetet në stendën shqiptare dhe kosovare, si çdo vit u organizuan nga anëtarët e Shoqatës shqiptare ILIRIA me Presidente Rina Çela Grasset dhe nënkryetare Elisabeta Gjegji-Shehi, nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë, Denis di Leonardo dhe nga Ambasada e Kosovës. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer organizative dhe informative duke bërë që stenda e Shqipërisë dhe e Kosovës të jetë një nga stendat më të vizituara gjatë këtij Festivali Konsullor.

 

KRYEBASHKIAKU I LYONIT VIZITON STENDAT SHQIPTARE

Vizitor Special në stendat konsullore shqiptare ishte Kryetari i Bashkisë së Lyonit, Z.  Gregory Doucet. Ai vizitoi stendat e Shqipërisë dhe të Kosovës në mesditën e së shtunës ku u prit nga Ambasadori i Kosovës, Z. Mehdi Halimi, nga Konsulli i Nderit të Shqipërisë Z. Denis Di Leonardo (konsull nderi që nga viti 2008) dhe nga Presidentja e Shoqatës Shqiptare “Iliria” në Lyon, Znj. Rina Çela-Grasset.

Kryebashkiaku i Lyonit falënderoi organizatorët e stendës së Shqipërisë dhe të Kosovës për punën e tyre të jashtëzakonshme në promovimin e historisë, kulturës dhe sportit shqiptar në këtë manifestim të madh konsullor ndërkombëtar. Kur pa fotot e sportistëve shqiptarë, ai u shpreh: “Po shikoj që keni shumë sportistë të njohur”.

Alyssia, portierja e ekipit të Lyonit me origjinë shqiptare i kishte lënë një foto me dedikim. Më pas, ai bëri një foto me të gjithë organizatorët dhe të pranishmit. Konsulli i nderit të Shqipërisë e ftoi të vizitonte Shqipërinë. Një bisedë të përzemërt ai bëri edhe me të ftuarën speciale, sportisten, Blandine Xhemajli, e cila përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare, të cilën e dëgjoi me vemendje parkurin e saj dhe e uroi për iniciativën. Z. Doucet ishte i pranishëm në stendat konsullore shqiptare edhe vitin e kaluar ku tha se, “gjatë një aktiviteti ka takuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj dhe ka marrë një ftesë nga ai për të vizituar Shqipërinë”.

Lexo edhe :  Shitet në akand “dërrasa” që shpëtoi Kate Winslet te filmi “Titanic”

Gregory Doucet u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Lyonit më 4 korrik 2020. Ai pasoi politikanin e njohur Gerard Collomb, ish ministër Brendshëm (2017-2018) dhe senator i Francës (1999-2017, 2018). Doucet është edhe Kryetar i Partisë EELV-së së Lyonit.

 

 

 

 

 

 

 

AMBASADORI I KOSOVËS: “KRYETEMA E FESTAVE ISHTE SPORTI”

Festat Konsullore në Lyon kanë nisur që para 20 vitesh. Shqipëria merr pjesë që nga viti 2011, kurse Kosova është pjesmarrëse që nga viti 2013. Shqipëria përfaqësohet nga Konsulli i saj i Nderit, Z. Denis di Leonardo, ndërsa Kosova nga ambasadori i saj në Francë Z. Mehdi Halimi. I pyetur mbi pjesëmarrjen dhe programin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare në Lyon, ambasadori u shpreh: “Kosova mori pjesë, sikurse vitin e kaluar. Stenda jonë ishte ngjitur me atë të Shqipërisë dhe programi i aktiviteteve ishte i përbashkët. Këtë vit, ishte sporti kryetema dhe ne patëm një sportiste të talentuar kosovare aty, Blandine Xhemajli”.

 

KJO ËSHTË SPORTISTJA QË PËRFAQËSOI KOSOVËN NË FESTAT KONSULLORE

 Blandine Xhemajli, prej disa muajsh përfaqëson Kosovën në garat sportive ndërkombëtare. Më 22 maj 2023 ajo u pajis me pasaportën e Kosovës.

Ajo ka debutuar me Kosovën në garën ndërkombëtare “ECA Wildwater Canoeing European Championships 2023” në Matka të Maqedonisë së Veriut dhe zuri vendin e 21-të. Blandina është marrë me kajak që nga mosha 11-vjeçare, garon në disiplinën e sllallomit.

Ajo studion për sporte në Francë. Merret edhe me sporte të tjera, si noti, ngjitja dhe vrapimi.  Blandina ka lindur në Francë. Babai i saj është kosovar, kurse nëna franceze.

 

 

 

 

 

 

 

 

SHQIPËRIA U PËRFAQËSUA NGA PORTIERJA E EKIPIT TË LYONIT

Në stendat shqiptare ishte e ftuar speciale, portierja e ekipit të femrave të Lyonit, Alyssia Paljevic. Ajo ka kontratë deri në vitin 2023 me ekipin e femrave Olympique Lyonnais. U bashkua me këtë ekip vitin e kaluar nga AS Montchat. Ka lindur në Francë nga dy prindër shqiptar nga Mali i Zi. Ajo iu bashkua klubit në moshën 11-vjeçare.

E integruar në grupin e Sonia Bompastor, Alyssia Paljevic nënshkroi vitin e kaluar kontratën e parë profesionale pasi kishte shkëlqyer me U1. Ajo është shpallur tre herë kampione me ekipin e femrave. Në ditët e ardhshme, mendoj të bëj një intervistë exluzive me të si një nga sportistet më të njohura shqiptare në Francë.

 

 

 

 

 

 

 

 

RAFAELI, QERSHIA MBI TORTË E KËTIJ MANIFESTIMI NDËRKOMBËTAR

 

Surpriza e këtij manifestimi ishte piktori 12 vjeçar shqiptar, Rafael Shehi. Ai prezantoi punimet e tij artistike për të dytin vit radhazi në stendat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Këtë vit u paraqit me gjashtë punime në pikturë dhe vizatim, të cilat u pëlqyen nga vizitorët e shumtë. Prej shumë vitesh ai jeton familjerisht në Lyon ku studion dhe frekuenton rrethet artistike të këtij qyteti. Që nga mosha 5 vjeçare merret me vizatim dhe muzikë.

Prej dy vitesh, ai ndjek një kurs profesional gjeneral vizatimi. Është regjistruar në muzikë, design graphiques dhe modelim 3D. Ai ka dëshirë që në të ardhmen të bëhet arkitekt.

 

AUTORË TË NJOHUR SHQIPTARË NË STENDAT KONSULLORE SHQIPTARE

Krahas aktiviteteve të shumta sportive dhe kulturore, të dielën në ora 14:00 deri në ora 16:00 kur edhe u mbyll ky manifestim i madh ndërkombëtar konsullor u zhvilluan takime me shkrimtarët më të njohur nga Shqipëria dhe Kosova në qytetin e Lyonit. Rina Çela Grasset paraqiti tre librat e saj të suksesshëm të botuar në frëngjisht në Francë si: Trésors d’Albanie (Proverbes du pays des aigles (Thesaret e Shqipërisë, Proverba nga vendi i shqiponjave, Editions Passionnés de Bouquins), Contes D’Albanie (Përralla nga Shqipëria, bashkautore me Nathalie Carron Lanzl, L’Esprit du Temps, 2019) dhe Du pain, du sel et du cœur! (Bukë, kripë dhe zemër, Recettes de cuisine d’Albanie et du Kosovo, receta gatimi nga Shqipëria dhe Kosova, Nouvelle Edition, 2019), poeti, studiuesi dhe gazetari Mentor Hoxha u paraqit me librin shkencor me titull “Figura e femrës në letërsinë shqipe” (Botimet M&B, 2015, redaktor: akademik Prof. Dr. Shaban Sinani, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë), Bardhyl Mahmuti u paraqit me librat: “Mashtrimi i madh” (Çabej 2015) dhe “Eskadronët e vdekjes” (Qendra Genocidi në Kosovë, plagë e hapur, 2021), Ramadan Bozhlani me librin me poezi në frëngjisht “JE M’APELLE Humain” (L’Esprit du Temps), Abaz Pllana me librat “Shpresa për gjyshin” dhe “Dy dekada me shqiptarët e Francës” dhe Ridvan Pllana me librat “Lundrim… përtej rrugëve… nëpër det”, “Shtegtim” dhe “Udhëtim” (Lena 2022).

Gjithashtu u prezantua nga dy vajza të reja, Blerta dhe Shkurta Katalogu arkeologjik i Suharekës (një botim shkencor luksoz me ngjyra në shqip-anglisht, Botime Artini, Suharekë, 2023). Kërkoj ndjesë nëse kam harrur ndonjë nga autorë pjesmarrës.

Të fundit

U arrestua për tjetërsim pronash, juristi tregon sa vite burg rrezikon Jorgo Goro

Juristi Redi Ramaj ka folur lidhur me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Ai tha se rrezikon deri...

A është normale të ndiheni të uritura gjatë ditëve të ciklit menstrual

A keni pasur ndonjëherë një nga ato ditët kur zgjoheni të uritura, teksa keni në kokë fantazi për kavanoza me Nutella, djathë të mirë...

Rritet sërish euro, si këmbehen sot monedhat e huaja

Monedha e eurozonës shitet sot me 104.8 lekë. Dollari amerikan këmbehet me 97 lekë. Paundi britanik kap sot vlerën e 121.5 lekëve. Dollari kanadez këmbehet në tregun valutor me 71.7 lekë. Franga zvicerane kap vlerën...

Disa mënyra se si të lehtësosh sikletin e alergjive në pranverë

Për shumë njerëz ardhja e pranverës është sinjali i parë i hyrjes në lojë të alergjive. Ata që i përjetojnë tashmë e dinë mirë...

Pluhuri afrikan, Guri: Duhet të ishte parashikuar, qytetarët të painformuar

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

Lajme të tjera

Web TV