Kurrë s’është vonë për të ndjekur një universitet, por kur vjen puna te gjimnazi procedurat komplikohen.
I tillë është rasti i 28-vjeçares Marta Gutierres-Serrano në Louisiana të Amerikës, e cila nga dëshira e madhe për të mësuar Anglisht u hoq si një 17-vjeçare dhe u regjistrua në një gjimnaz.
Nuk e dimë pse ajo nuk zgjodhi të ndiqte një kurs, por e reja në bashkëpunim me të ëmën falsifikoi pasaportën dhe certifikatën e saj të lindjes dhe bëri mësim në “Hahnville High School” për plot një vit.
Mediat e huaja shkruajnë se e reja bashkë me të ëmën 46-vjeçare janë arrestuar dhe do të përballen në Gjykatë për akuzën e mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Në një konferencë për shtyp, sherifi Greg Champagne u shpreh: Me aq sa dimë deri më tani, ajo nuk ka bërë asnjë shkelje tjetër, por ka mashtruar për moshën e saj pasi donte të mësonte anglisht.
Një tjetër rast i ngjashëm u zbulua pak kohë më parë, ku një 29-vjeçare kishte bërë të njëjtën gjë, por mashtrimi i kishte zgjatur vetëm 4 ditë.
Mediat e huaja shkruajnë se në rast se provohet fajësia për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, Serrano dhe mamaja e saj mund të përballen me heqje lirie deri në 5 vjet ose do u duhet të paguajnë 5 mijë dollarë.