Sezoni turistik i pritshëm si një nga sezonet me fluksin më të lartë të turistëve tashmë ka nisur. Prenotimet flasin për një interes të lartë të turistëve të huaj ku dominojnë edhe këtë vit italianët.
Por ajo që vihet re është se edhe pse kërkesat janë të larta mosha e cila më shumë orientohet drejt Vlorës është ajo mbi 40 vjeç.
“Aktualisht mosha mesatare është mbi moshën 40- vjeç, më së shumti, ndërsa për pjesën e të rinjve nuk është se ka dhe aq shumë.
Europa më së shumti, Franca , Spanja, dhe nga Italia shumë persona,’ – tha recepsionistja e një prej njësive hoteliere në qytet.
Lorenzo Lonoche, tur-operator Italian tha për Euroneës Albania se Vlora tashmë është kthyer ne parajsën e pushimeve për italianët mbi moshën 40 vjeç, por të rinjtë duket se po i drejtohen vendeve të tjera pasi sipas tyre jeta e natës në Vlorë ka nevojë për më shumë hapësira, ndërsa orari i muzikës deri në orën 24:00 nuk është i mjaftueshëm.
“Po konstatojmë që pjesa më e madhe i italianëve që prenotojnë janë familje pra një fashë moshe nga 40 vjeç e sipër. Të rinjtë e moshës 18- 30 vjeç për momentin preferojnë destinacione të tjera.
Por ka një problem që ka të bëjë me jetën e natës në Vlorë që mbyllet pas orës 12 të natës. Favorizmi i hapjes së më shumë diskotekave apo bareve me muzikë në zonat e pabanuara për festa, koncerte pra çdo lloj aktiviteti që do të favorizonte një turizëm më të ri dhe të shumëllojshëm,” – tha Lonoche.
Në Lungomare një nga zonat më të frekuentuara, bie në sy prezenca e të huajve. Ndërsa të rinjtë kërkojnë muzikë dhe argëtim, moshat më të mëdha kërkojnë qetësi.
“Jam nga Spanja, mendoj që Vlora është shumë e bukur dhe jam me miqtë e mi. Më pëlqen qyteti por edhe jeta e natës. Sapo kemi mbërritur por m duket shumë mirë, është më mirë nga çfarë prisja,” – u shpreh një vajzë.
“Jam nga Maqedonia, erdhëm këtu tre vjet më pare dhe na pëlqeu shumë. Është një vend i qetë për familjet.
Muzika është pak e lartë por mendoj ngaqë ka shumë njerëz për pushime, të rinj dhe ata duan festa dhe është party – time. Muzika duhet të jetë deri në orën 24:00 për mua. Sepse njerëzit vijnë këtu për pushime, duan të shkëputen, të qetësohen,” – tregoi një grua.
Vendimi për orarin e muzikës në vendet e banuar si Lungomare, u pranua nga operatorët e biznesit të turizmit ndërsa hartëzimi i zonave nga bashkia, për zhvillimin e jetës së natës mbetet një nga kërkesat e bizneseve në mënyrë që Vlora mos të kthehet në vendin destinacion për pushuesit e moshës së tretë.