Lulzim Basha zyrtarizoi kandidaturën për të rimarrë drejtimin e partisë demokratike, post nga i cili dha dorëheqjen në mars të vitit 2022 pas gati 9 viteve në opozitë.
Ish kryetari dorëzoi kërkesën mbrëmjen e së martës përmes një emaili, vetëm pak orë para përfundimit të afatit zyrtar.
Basha u rikthye me takime publike pak javë para këtij hapi, ku foli një platformë që e përcaktoi për ndryshimin jo vetëm të PD por të gjithë politikës.
Tha se u largua për ti dhënë një mundësi bashkimit të demokratëve, por tashmë ndarja është më thellë.
Në këto kushte Basha kërkon mbështetësit ti japin me votë një mundësi tjetër për të drejtuar atë që tashmë njihet si Partia Demokratike zyrtare.
Ai do të sfidohet nga Gjergj Hani, një ish i përndjekur politik që po ashtu ka shpallur kandidaturën për drejtimin e partisë demokratike.
Pak orë pasi shpalli kandidaturën, Lulzim Basha publikoi një foto me ish sekretarin amerikan të Shtetit njëherësh ish drejtues i CIAS, Mike Pompeo ne Samitin e 40 vjetorit të Unionit Ndërkombëtar Demokrat.
Me SHBA në krah, ne mund dhe do t’ja dalim të ndryshojmë Shqipërinë dhe të mbrojmë interesat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, shkruante basha në postim.
Të martën këshilli kombëtar i PD, i bojkotuar nga 17 deputetë, përzgjodhi 8 anëtarët e komisionit zgjedhor të partisë dhe një rezolutë ku mbështetën vendimin e Kryesisë që hapi garën për kryetarin.
Deputetët e grupit parlamentar anëtarë të kryesisë denoncuan mungesë kuorumi, ndërsa kërkuan që procesi i riorganizimit të Partisë Demokratike të nisë nga baza.
Fushata zgjedhore për kryetarin e PD do zhvillohet nga data 24 Qershor deri në datën 27 korrik ndërsa zgjedhjet do të mbahen me 29 Korrik.