Kryeministri Edi Rama ka nderuar Ambasadoren amerikane Yuri Kim me ‘Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike’. Ky titull vjen për ambasadoren pak ditë para se ajo të largohet nga vendi ynë me përfundimin e mandatit. Në një postim të gjatë në Facebook, kreu i qeverisë i shpreh mirënjohjen Kim për gjithçka që ka bërë për Shqipërinë.
Postimi i plotë i Ramës
Yuri Kim e mbylli misionin e saj në Shqipëri. Ajo qëndroi njësoj sa të gjithë ambasadorët e tjerë, po qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë. Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në instagram, e qeshur edhe kur pejzazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërrimave, ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura, nga frëngjia e Tëitterit, sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore; herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falenderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit, edhe kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë, ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve, po asnjëherë në një vend, sa në majat e maleve e në brigjet e deteve, për të dhënë mesazhe të mirëkuptuara, sa në mes të burrave me kostum për të nënkuptuar se kostumi s’të bën medoemos burrë, sa në këmbë mes fëmijëve në Tropojë për të nënvizuar se Amerika s’të njeh për burrë, e sa ulur mes plakave në Dhërmi, për të nëntreguar se asnjë burrë nuk është i domosdoshëm.
Yuri Kim u largua duke lënë pas në pamje të parë, miq e armiq, që e deshën apo e urryen, ndërkohë që më pranë të vërtetës është fakti se askush s’e deshi dot pa e urryer asnjëherë dhe asnjë se urreu dot pa e dashur qoftë edhe njëherë. Në radhën e tërë atyre që deri më sot janë ulur në zyrën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, ajo ishte më amerikania mes shqiptarëve dhe më shqiptarja mes amerikanëve. Kush më shumë e kush më pak, ambasadorët e supërfuqisë në vendin tonë kanë rënë në kurthin e ëmbëlsisë admiruese të Shqipërisë, ku Amerika shihet si Arusha e Madhe në qiell dhe një ambasador amerikan trajtohet kudo ku shkon, si mik i rënë nga qielli, e për rrjedhojë fatale bie brenda dhe ndjehet si një Zot në tokë, i cili duhet të jetojë e të veprojë në emër të popullit shqiptar, të bëhet jo vetëm zëdhënësi i halleve të tij, po edhe luftëtari që për llogari të tij përleshet me padrejtësitë, fshikullon të pushtetshmit, godet të paudhët, poshtëron të pandreqshmit, një lloj gjykatësi suprem, i cili merr frymë me detyrimin moral karshi njerëzve të thjeshtë që të kontestojë deri edhe vetë vendimet e gjykatave.
E tmerrshme në dukje, po jo edhe aq në fakt, sepse për ta vlerësuar si duhet rolin e ambasadorëve amerikanë, e posaçërisht të ambasadores që me protagonizmin e saj të veçantë na doli edhe në ëndërr, e më shtyu t’i shkruaj edhe këto radhë, duhet bërë pyetja, “A do të ishte më mirë sikur të mos ishin fare dhe sikur në vend se të zhytej me kokë, në vorbullën e jetës politike e institucionale të vendit, Yuri të qëndronte si sfinks mbi kodrën e butë të Rrugës së Elbasanit?”…. Unë them jo, padiskutim jo. Përkundrazi. Por ky do të ishte një shkrim i gjatë, për të cilin këtu nuk është asfare vendi.
Kështu që në fund të misionit të saj, nuk më mbeti tjetër veçse t’i dorëzoj ambasadores Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, për sa shumë e deshi Shqipërinë, sa shumë u përpoq për të ndihmuar që Shqipëria në ikje të saj, të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi dhe mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim, e padyshim edhe sa fuqia që i ka dhënë drejtësisë në Shqipëri për të luftuar, më në fund, me të këqijat që deri dje ngjanin të përjetshme dhe pa Amerikën në krah do të mbeteshin përjetë të tilla.
Prandaj njësoj si këta rreshta mbase diplomatikisht skandalozë – po ja që e vërteta s’është gjithnjë dot diplomatike kur duhet thënë patjetër – mirënjohja e falenderimi për ambasadoren Yuri Kim, janë të ndjerë sinqerisht e të menduar krejt lirisht, teksa avioni nga Brukseli po ulet në Tiranë, ku një tjetër ambasador amerikan pritet të bjerë së shpejti në kurthin e ëmbël të Shqipërisë.