Në festën e Kurban Bajramit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me Elvis Naçin dhe Ilir Hoxhollin vizituan dje pasdite familjet e Lagjes së re që po rindërtohet në Pezë.
Përveç shtëpive të reja, për 25 familjet të dëmtuara në lagjen e re po kryhen dhe të gjitha punimet infrastrukturore për komunitetin e ri të kësaj zone.
“Shumica e njerëzve që kanë kontribuuar kërkojnë të mbeten anonim, të mos dalin në publik, por këta njerëz meritojnë të gjithë mirënjohjen dhe të gjithë dashurinë tonë. Kështu që, kudo qofshin, në Zvicër, në Australi, në Kanada, në Amerikë, në Argjentinë, në Japoni, nëse dikush ka dhënë një qindarkë, për ne këta janë donatorë më të rëndësishëm se vendet, se kombet, se industritë e mëdha që mund të kenë dhënë një pjesë të vogël të kontributit. Sot ne nuk kemi ndërtuar vetëm shtëpi, sot kemi ndërtuar një komunitet dhe sot nuk kemi prerë me gërshërë vetëm një lagje të re, por kemi ndërprerë një fill varfërie që nuk mbaronte kurrë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se në Pezë është rindërtuar çdo gjë nga e para.
“Kemi bërë shkolla të reja, kopshte, çerdhe, rrugë të reja dhe më në fund 25 shtëpi, vila, një mjedis komunitar. Unë besoj fort se kombet nuk maten sa e kanë bilancin ekonomik, financiar, por maten sa e kanë bilancin shpirtëror”, theksoi Veliaj.
Veliaj uron Kurban Bajramin në lagjen e re në Pezë: Kemi ndërtuar një komunitet