Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë të ditur se Shqipëria është e gatshme që të ndihmojë Greqinë për të përballuar situatën e zjarreve masive në të cilën është përfshirë.
Teksa ka shprehur ngushëllimet për dy pilotët që humbën jetën ditën e djeshme teksa po përpiqeshin të shuanin flakët në ishullin grek Evias, Peleshi shkruan se Shqipëria është në krah të shtetit grek në këto ditë të vështira.
“Solidarizohemi me Greqinë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo mënyrë që mund të nevojitet. Të jemi në krah të tyre në këto ditë të vështira është një detyrë humane dhe morale.
Humbja e dy pilotëve tregon shërbimin e paçmueshëm të çdo ushtaraku, që është i gatshëm të mbrojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vendit duke luftuar çdo verë dhe duke rrezikuar jetën për të shuar zjarret. Ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave në këto momente të vështira”, shkruan Peleshi.
Greqia është përfshirë ditët e fundit nga një valë masive e zjarreve si pasojë e temperaturave të larta. Përveç dëmeve të mëdha që kanë sjellë zjarret ato janë shoqëruar edhe me humbjen e jetëve të dy pilotëve grekë.
Këta të fundit po përpiqeshin të shuanin flakët në ishullin Evias kur humbën kontrollin e avionit që më pas shpërtheu në flakë.
Në këtë mënyrë, Shqipëria është treguar e gatshme për të dhënë ndihmën e saj ndaj Greqisë teksa edhe vendi ynë ka rënie të zjarreve edhe pse në mënyrë sporadike, ku ditën e sotme janë përfshirë nga flakët masivet pyjore të Peshtanit dhe Kreshpanit në Fier.