Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me foton që po qarkullon në rrjetet sociale, ku shfaqet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në qelitë e burgut të Kosovës në Lushnjë, duke drekuar bashkë me Safet Bajrin dhe Klement Balilin, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”.
Në një reagim për mediat thuhet se nuk ka asnjë shkelje, pasi në burgun “Kosova e Lushnjës”, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një menzë kolektive për ngrënien e ushqimit.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, fotoja është realizuar nga personeli i institucionit, gjatë ndjekjes së një dite normale në burg.
Gjithashtu, Drejtoria e Burgjeve hedh poshtë edhe pretendimet se në tavolinën e tyre ka alkool, pasi sipas tyre, aty ka vetëm ujë dhe pije freskuese.
Reagimi i plotë:
Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjes’.
Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre.
Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.
Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.
Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi.
Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.
Drejtoria e Burgjeve ju falenderon për ndjeshmërinë dhe është e hapur për adresimin e saktë të çdo shqetësimi me ndjeshmëri të lartë publike.
Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, Me respekt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”