Policia e Kosovës e zvogëloi sërish prezencën në veri ditën e djeshme duke shtensionuar edhe më tej situatën për tu përgatitur për zgjedhjet e reja lokale në komunat me shumicë serbe. Vendimi i palës kosovare është përshendetur nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laiçak. Tashmë Kosova është një hap larg heqjes sësenksioneve SHBA-BE.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se më 4 gusht do ta zvogëlojë për 25 për qind prezencën në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës. Policia e ka marrë një hap të tillë edhe në korrik, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në atë pjesë të vendit. Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit, EULEX. Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë. Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri. “Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për media. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune. Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari. Pas këtij vendimi, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak ka reaguar pasi Policia e Kosovës dhe EULEX dhe KFOR’ i kanë bërë vlerësimin e përbashkët të sigurisë në Veri. Lajçak në ‘Tëitter’ shkruan se reduktimi i policëve në Veri pas marrëveshjes së Brastislavës të arritur mes Kosovës dhe BE-së është hap i rëndësishëm drejt normalizimit të situatës. “E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, @EULEXKosovo dhe @NATO_KFOR siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të plotë të situatës në veri të Kosovës”. SHBA dhe BE vendosën sanksione ndaj Kosovës që lidhen kryesisht me ngrirjen e takimeve të nivelit të lartë politik, por edhe pezullimit të granteve të BE-së në fusha të ndryshme. Kjo masë erdhi pasi kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të tërheqë trupat e policisë së Kosvës nga komunat me shumicë serbe dhe gjithashtu nuk pranoi as tërheqjen e kryekomunarëve nga godinat. Kjo solli reagim të ashpër të faktorit ndërkombëtar sidomos pas protestave të dhunshme nga huliganë serbë lokalë, por edhe të ardhur nga Beogradi. Nga këto sulme mbetën 30 efektivë të KFOR-it tëplagosur, katyër prej të cilëve rëndë. Gjithashtu më pas u shënua një tjetër incident i rëndë ku pjestarë të policisë speciale serbe rrëmbyen tre policë kosvarë dhe pas ndërhyrjeve të shumta u lanë të lirë.