I ftuar në emisionin “Lancio” së fundmi, ka qenë një ndër artistët më të rinj të tregut, Kiddmarioo.
Ai sapo ka publikuar projektin e tij që mban titullin “13”, për të cilin na ka folur më shumë…
Pse Kiddmarioo dhe a ke ndërmend ta mbash gjatë këtë emër arti?
E kam nisur si Kiddmarioo dhe kam për ta përfunduar si Kiddmarioo. Nuk e kam në plan ta lë muzikën, të merrem me projekte. Edhe nëse hapet ndonjë biznes i ri, emri do të jetë vetëm Kiddmarioo. Në çfarëdolloj vendi të botës do të njihet si emër. Për këtë kam një besim shumë të madh brenda vetes që do t’ia arrij qëllimit. Po punoj shumë që të plotësoj ëndrrën e familjes sime, por edhe timen gjithashtu.
Çfarë të shtyu drejt muzikës?
Qëllimi im kryesor ka qenë familja ime. Mënyra se si unë e kam nisur, ka qenë një histori që e kam pasur para shumë vitesh në familjen time. Nuk kam ditur çfarë të bëja tjetër, doja me patjetër që të merresha me diçka dhe të shtyja kohën time të lirë. Është një histori shumë e fortë që ka të bëjë me jetën time personale, por më ka shënjuar goxha fort dhe më ka bërë ky që jam sot.
Pse e ke titulluar projektin “13”?
Ky projekt ka nisur para 3 vitesh. E kam quajtur “13” sepse kjo është lagjja ku unë jetoj në Durrës, që kur kam qenë 11-12 vjeç dhe deri tani. E kam pasur me shumë qejf që të bëja një këngë për vendin ku jam rritur dhe çfarëdolloj problematike që kam pasur ka qenë po tek ajo lagje. Nuk e prisja që të isha pjesë e “The Top List”, ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, shoqërinë dhe familjen time. Ka qenë një arritje.