Ministria e Financave hartoi një projekligji që detyron çdo qytetar që të sigurojë banesat nga dëmet e tërmeteve.
Çfarë parashikon “polica e sigurimit”, sa do paguhet në vit dhe çfarë merr përsipër qeveria të dëmshpërblejë në rast të dëmëve nga lëkundjet e tërmetit. Penalizim për ata që i shmangen sigurimit të detyruar.
Në nisje të seksionit të ri Parlamentar qeveria pritet të dërgojë me urgjencë dy projekligje që në thelb rrisin taksën e pronës për banorët dhe gjithashtu detyrohen që të sigurojnë banesat nga dëmet e tërmeteve. Tashmë në të gjithë kryeqytetin janë afishuar çmimet e reja të referencës ku shihet një rritje gati me dyfish nga ajo që ishte më parë. Nëpërmjet çmimit të referencës do të përcaktohet edhe taksa e re e pronës, kryesisht banesave.
Ndërsa ky projekligj cilësohet thuajse i mbyllur, tashmë qeveria ka vendosur që të aplikojë sigurimin e detyrueshëm për dëmet nga tërmetet për çdo banese në republikën e Shqipërisë. Përjashtim bëjnë vetëm banesat e ndërtuara me qerpiç ose me kallama. Drafti është hartuar nga Ministria e Financave dhe pritet që në muajt në vijim të kalojë në Parlament për miratim.
Sigurimi i detyruar i banesave parashikon atë të dëmeve nga termetet, duke përjashtuar fatkeqësitë e tjera natyrore. Sipas projektligjit të nxjerrë për konsultim nga ministria e financave, qytetarët do të jenë të detyruar që çdo vit të bëjnë sigurimin vjetor të banesës, përfshirë dhe banesat sociale dhe ato ne proces legalizim. Përjashtohen nga pagesat vetëm familjet që marrin përkrahje sociale. Polica e sigurimit do të lëshohet nga një fond i posaçëm që do të jetë në pronësi të ministrisë së financave. Polica e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet mbulon dëmet e ndodhura në pronën e siguruar, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së përcaktuar në kontratë.
“Përjashtohen nga mbulimi i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen, kërkesa për kompensim të dëmeve morale, sendet brenda banesës së objektit të siguruar, shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbeturinave, humbjet financiare nga ndërprerja e biznesit dhe fitimi i munguar”-saktësohet në draft. Në këtë mënyrë është ulur ndjeshëm “barra” e detyrimeve në rast të fatkeqësive nga tërmetet.
“Fondi i Posaçëm”, që do të funksionojë si “kompani sigurimi” nën administrimin e Ministrisë së Financave pritet që të rrisë ndjeshëm të ardhurat e saj, që shkojnë në buxhetin e shtetit. Deri tani sigurimi i detyruar kanë vetëm automjetet dhe banesat të cilat janë si koleteral (garanci) në bankat e nivelit të dytë. Në projekligj ka një përkujdesje ku thuhet se shuma e përcaktuar e dëmit që do të pagohet nga “polica e sigurimit” do të përcaktohet me VKM. Pra çdo pretendim i palës së siguruar (qytetarëve) nuk do të ketë përballje me kompanitë e sigurimit, por drejtëpërdrejtë me qeverinë e cila pasi i detyron që të sigurohen, u përcakton edhe shumën e dëmshpërblimit. Tashmë ky draft pritet të kalojë në Parlament në muajt në vijim dhe mund të ketë reagime. Polica e sigurimit është e vlefshme vetëm për një vit dhe në rast tërmeti dëmshpërblimi paguhet brenda 9 muajsh ne një vlerë që përcaktohet sipas metodologjive te qeverise. Për subjektet që nuk blejnë primin do ketë masa. Kush nuk siguron banesat nuk merr shërbim në e-Albania dhe as në QKB (Qendrën Kombëtare të Biznesit).
Shërbimi në e-Albania kërkohet për çdo individ qoftë edhe për të nxjerrë një certifikatë familjare apo personale, ndaj duket se nëse vendoset kjo kaluzolë atëherë çdo qytetar që ka në pronësi, ose në proces legalizimi një banesë është i detyruar që të pajiset me “policë sigurimi” për dëmet nga tërmeti. Kjo masë është marrë që çdo banor që ka një shtëpi banimi është i detyruar që ta paguaje për “policën e sigurimit”. Duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë të ardhurat e përfituara nga kjo formë pritet të jenë shumë të mëdha. Shuma e sigurimit do përcaktohet me vendim qeverie, por nëse i referohemi tregut aktual të sigurimit të banesave, çmimi është 1 euro për metër katrorë në vit. Me një përllogaritje të thjesht nëse një familje zotëron një banesë prej 70 metrash katrorë do të paguajnë përafërsisht rreth 70 euro në vit. Po kështu e njëjta formë do të jetë edhe në fshat ku hapësira në metra katrorë llogaritet më e madhe, pavarësisht të ardhurave vjetore që sigurojnë apo varfërisë në zonat rurale.