Julen Lopetegui mori drejtimin e Wolvesit në nëntorin e vitit të kaluar, në një moment tepër të vështirë për skuadrën. Wolverhampton kaluan një sezon plot vështirësi, por ia dolën të siguronin qëndrimin në Premier League.
Tekniku spanjoll është larguar nga stoli i skuadrës ishullore pak ditë përpara nisjes së sezonit të ri, që starton të premten e 11 gushtit me duelin Burnley-Manchester City.
Me anë të një komunikate zyrtare, klubi i Wolvesit lajmëron tifozët se drejtuesit dhe trajneri kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund rrugëtimit së bashku.
Disa çështje të ndryshme, si merkatoja, ndikuan që palët të mos vijonin të ishin në sintoni. Dhe zgjidhja më e mirë për të gjithë ishte ndarja. Wolves luan takimin e parë të sezonit 2023/2024 në “Old Trafford” përballë Manchester United (14 gusht).
Kjo ishte aventura e parë në Angli për Lopeteguin, i cili më parë ka drejtuar skuadra si Real Madrid, Sevilla dhe Porto. Ndërkohë që qëndroi në pankinën e kombëtares së Spanjës në vitet 2016-2018.