Komisioni Qendror i Zgjedhjeve caktoi këtë të shtunë se partia e lirisë do të ketë të drejtën nga partitë opozitare për të propozuar 2 anëtarë të KZAZ-së për zgjedhjet në bashkinë e Kukësit.
Ky vendim u kundërshtua nga partia demokratike zyrtare e cila paralajmëroi përmes përfaqësuesit ligjor, Rezart Kthupi se do e ankimojë.
Partia e Lirisë do të propozojë 2 anëtarë të KZAZ-së për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Është ky vendimi i marrë nga komisioni qendror I zgjedhjeve i cili e argumentoi këtë me numrin e votave të marra të koalicionit ‘bashkë fitojmë’ në zgjedhjet e 14 majit.
“Ky si subjekt ka një numër votash të tillë që e bën atë që minimalisht të pretendojë të drejtën për të propozuar anëtarë të KZAZ-së si parti politike e opozitës që ka marrë më shumë vota në zgjedhje.”- tha kryekomisioneri.
Ky vendim u kundërshtua nga partia demokratike zyrtare e cila paralajmëroi përmes përfaqësuesit ligjor, Rezart Kthupi se do e ankimojë.
“Vendimi i sotëm i zotit Celibashit është në vazhdën e vendimeve të 14 majit, vendime të cilat janë për zbatimin e projektit politik të Sali Berishës që të transferojë votat e demokratëve tek partia e Ilir Metës. Nëse në zgjedhjet e 14 majit kishim një pjesë të transferimit politik ku me votat e demokratëve u zgjodhën kandidatët e Ilir Metës. Me vendimin e sotëm kemi transferimin ligjor të këtyre votave duke caktuar partinë e lirisë, partinë e opozitës dhe ajo që cakton dhe komisionerët për zgjedhjet lokale. PD do të mbrojë cdo votë të cdo demokrati, qoftë në rrafshin politik, qoftë në rrafshin ligjor”- tha Rezart Kthupi përfaqësues ligjor i PD-së në KQZ.
Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor përbëhen nga 7 anëtarë ku Partia Socialiste do të propozojë 3 anëtarë ndërsa ajo demokratike 1. Anëtari i 7 do të hidhet me short mes partisë socialiste dhe asaj të lirisë. Afati për të sjell propozimet është 21 gushti.