Në një kohë kur qyteti i Aleksandropolit është mbuluar nga flakët në të katërta anët, një shqiptar që jeton prej 33 vitesh në këtë zonë është vënë në pranga, pasi publikoi një video të pazakontë në llogarinë e tij në twitter ku tregon se ka rrëmbyer 25 emigrantë të paligjshëm, që sipas tij janë përgjegjës për zjarret.
Apostolos (Astrit) Tota më origjinë nga Kukësi, në videon e publikuar ka treguar një automjet të tipit trailer, në të cilin ka rrëmbyer 25 emigrantë të paligjshëm që jetojnë nëpër pyjet e Aleksandropolit, për të cilët thotë se janë përgjegjës për zjarret masive që kanë përfshirë vendin.
“Kam rrëmbyer 25 emigrantë, këta duan të na djegin. Janë 25 bastardë këtu dhe i gjithë mali është plot. Janë të betuar të na djegin. Organizohuni, le të dalim e t’i mbledhim. Vetëm kaq po ju them, duan të na djegin”- thotë ai teksa zbulon fytyrat e emigrantëve të frikësuar.
Tutje, në videon e publikuar ai vijon të bëjë komente racistë duke bërë thirrje për një program mbi emigrantët e paligjshëm që ndodhen në pyjet greke të ardhur nga Turqia që duan të shkojnë drejt Greqisë perëndimore.
Mediat greke bëjnë me dije se policia e ka arrestuar shqiptarin së bashku më dy grekë të tjerë vetëm pak orë më vonë.
Ndërsa ditën e djeshme një tjetër tragjedi me emigrantët është raportuar nga Greqia. Trupat e 18 emigrantëve janë gjetur të shkrumbuar në një pyll që u përfshi nga flakët një ditë më parë në Evros të Greqisë. Lajmi tragjik është konfirmuar për mediat greke nga zyrtarë te departamentit të zjarrfikësve. Dyshohet se emigrantët kanë hyrë ilegalisht në Greqi dhe kanë qenë të fshehur në pyll ku janë zënë në kurth nga flakët.