Kryeministri Edi Rama, përmes rrjeteve sociale ka ndarë pamje nga projektideja e Akademisë së “Manchetser City”-t, e cila pritet të marrë jetë në qytetin e Durrësit.
“Projektideja e Akademisë së Manchester City-t në Durrës”, theksoi Rama.
Akademia e Klubit “Manchester City” dhe shkolla e tij e futbollit për fëmijët do të kenë në Durrës kampusin e tyre për rajonin.
Në fund të prillit, Kryeministri Edi Rama ishte në Angli, ku u nënshkrua marrëveshja me klubin kampion të Europës dhe Anglisë.
Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Akademia e “Manchester City”, në Durrës dhe Shkolla e Futbollit synojnë kthimin e Durrësit në një destinacion të talenteve në shkallë kombëtare dhe rajonale.
“Kemi marrë ekskluzivitetin që të jemi një qendër për të gjithë rajonin, për vendet e Ballkanit e më gjerë”, bënte me dije Rama pas nënshkrimit të marrëveshjes. “Dhe nëse do të bëhet një akademi e dytë në Ballkan, bashkia e Durrësit do të jetë partnere.
Kjo hap edhe një perspektivë tjetër. Hapi paralel është që ne të ngremë grupin tonë Durrës City. Do të jetë një bërthamë që do të zhvillohet në të ardhmen dhe si një skuadër më vete”.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./ S.M